Kehf Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, - TopicsExpress



          

Kehf Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! 18:1. Falënderimi i takon vetëm All-llahut që ia shpalli robit të vet Librin dhe në të nuk lejoi ndonjë kundërthënie. 18:2. (ia shpalli) Të saktë (pa shmangie), pët t’ua tërhequr vërejtjen (atyre që nuk besojnë) ndaj një dënimi të rëndë prej Tij, e për t’i përgëzuar besimtarët që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë një shpërblim të mrekullueshëm. 18:3. Duke qenë në të përgjithmonë. 18:4. Për t’ua tërhequr vërejtjen atyre që thanë se All-llahu ka fëmijë. 18:5. Dhe për atë (fëmijë), as ata, e as të parët e tyre nuk kanë kurrfarë dijenie. Sa e madhe është ajo fjalë që del nga gojët e tyre, e ata nuk thonë tjetër vetëm se gënjeshtër. 18:6. A thua ti do ta shkatërrosh veten nga hidhërimi pas tyre, nëse ata nuk i besojnë këtij ligjërimi (Kur’anit)? 18:7. Gjithçka që është mbi tokë, Ne e bëmë stoli të saj, për t’i provuar ata, se cili prej tyre do të jetë më vepërmirë. 18:8. Ne kemi për ta bërë gjithçka që është mbi të dhé pa bimë (shkatërrojmë çdo gjelbërim). 18:9. A mos mendove ti se ata të vendosurit e shpellës dhe Rekimit ishin nga mrekullitë Tona më të çuditshme? 18:10. Kur djelmoshat u strehuan në shpellë e thanë: “O Zoti ynë, na dhuro nga ana Jote mëshirë dhe na përgatit udhëzim të drejtë në tërë çështjen tonë!” 18:11. Ne u vumë mbulojë mbi veshët e tyre (i vumë në gjumë) në shpellë për disa vite me radhë. 18:12. Pastaj ata i zgjuam (prej gjumit) për të parë se cili prej atyre dy grupeve është më preciz në njehsimin e kohës sa qëndruan gjatë. 18:13. Ne po të rrëfejmë saktë çështjen e tyre. Ata ishin disa djelmosha, kishin besuar Zotin e tyre, e Ne atyre edhe më ua shtuam bindjen. 18:14. Edhe i forcuam zemrat e tyre (i bëmë të qëndrueshëm) saqë kur u ngritën, thanë: “Zoti ynë është Zot i qiejve e i tokës, nuk adhurojmë ndonjë zot tjetër pos Tij”, pse atëherë do të thoshim diçka shumë mizore!” 18:15. Këta, populli ynë ka besuar zota të tjerë pos Atij, pse pra nuk sjellin ndonjë argument të qartë për ata? A ka më mizor se ai që shpif gënjeshtër ndaj All-llahut? 18:16. Derisa jeni izoluar prej tyre dhe prej asaj që adhurojnë ata, pos All-llahut, atëherë strehohuni në shpellë, e Zoti juaj ju dhuron nga mëshira e tij e gjerë dhe ju lehtëson në çështjen tuaj atë që është në dobinë tuaj. 18:17. Dhe ti e shihje diellin, kur lindte bartej prej shpellës së tyre nga ana e djathtë, e kur perëndonte largohej nga ata nga ana e majtë, e ata ishin në një vend të gjerë të saj. Kjo ishte një nga argumentet e All-llahut. Atë që e udhëzon All-llahu, ai vërtet është udhëzuar, e atë që e humb, ti nuk do të gjesh për të ndihmës që do ta udhëzonte. 18:18. Do të mendoje se ata janë të zgjuar, ndërsa ata ishin të fjetur, e Ne i rrotullonim herë në krahun e djathtë e herë në të majtin. Qeni i tyre i kishte shtrirë këmbët e para pranë hyrjes. Sikur të kishe hasur në ta, do të ishe kthyer duke ikur dhe do të ishe mbushur frikë prej tyre. 18:19. Ashtu (sikurse i vumë në gjumë) i zgjuam ata që të pyesin njëri-tjetrin (se sa kanë fjetur). Njëri prej tyre foli e tha: “Sa keni ndejur?” Ata thanë:”Kemi ndejur një ditë ose një pjesë të ditës!” Disa thanë: “Zoti juaj e di më së miri se sa keni ndejur, prandaj dërgojeni njërin prej jush me këtë argjend (monedhë argjendi) në qytet, e të zgjedhë ushqim më të mirë, e t’ua sjellë atë juve dhe le të ketë shumë kujdes e të mos i japë të kuptojë askujt për ju”. 18:20. Pse, nëse ata (të qytetit) kuptojnë për ju, do t’ju mbysin me gurë, ose do t’ju kthejnë në fenë e tyre, e atëherë kurrë nuk keni për të shpëtuar. 18:21. Dhe ashtu (sikurse i zgjuam nga gjumi) i zbuluam (t’i shohin njerëzit), e të kuptojnë se premtimi i All-llahut (për ringjallje) është i sigurt dhe se katastrofa e përgjithshme (kijameti) është e padyshimtë. (I zgjuam) Mu atëherë kur ata (populli) bisedonin për çështjen e tyre dhe thanë: “Ndërtojuni atyre një ndërtesë (të jetë shenjë). Zoti i tyre di më së miri për ta. E ata që ishin me shumicë thanë: “Do të ndërtojmë gjithqysh në hyrjen e tyre një xhami”. 18:22. Ata (që bisedonin për këtë) do të thonë: “Ishin tre, i katërti i tyre ishte qeni i tyre, dhe thonë: “Ishin pesë, e qeni i tyre ishte i gjashti i tyre”, kjo ishte hamendje, po edhe thonë: “Ishin shtatë, e qeni i tyre ishte i teti!” Thuaj: “Zoti im di më së miri për numrin e tyre, përveç një pakice nuk di kush për ta, e ti (Muhammed) mos polemizo për numrin e tyre vetëm ashtu në tërësi, dhe askë mos pyet për ta”. 18:23. Dhe mos thuaj kurrsesi për ndonjë çështje: “Unë do ta bëj këtë nesër!” 18:24. Vetëm (nëse i shton): “Në dashtë All-llahu!” E kur të harrosh, përmende Zotin tënd dhe thuaj: “Shpresohet se Zoti im do të më japë udhëzim edhe më të afërt prej këtij (të as-habi kehfit)”. 18:25. (dhe thonin) Ata qëndruan në shpellën e tyre treqind e nëntë vjet. 18:26. Thuaj: “All-llahu e di më së miri sa kanë ndejur, Atij i takon fshehtësia e qiejve dhe e tokës. Cfarë (i çuditshëm) është të pamurit e Tij dhe çfarë është të dëgjuarit e Tij! Pos Tij ata (njerëzit) nuk kanë ndihmëtarë. Në vendimin e Tij nuk mund t’i përzihet askush. 18:27. Lexo çka të është shpallur ty nga libri i Zotit tënd! Nuk ka kush që mund t’i ndryshojë fjalët e Tij dhe pos Tij, nuk mund të gjesh strehim. 18:28. Përkufizoje veten tënde me ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, e që kanë për qëllim kënaqësinë (razinë) e Tij, dhe mos i hiq sytë e tu prej tyre e të kërkosh bukurinë e kësaj bote dhe mos iu bind atij që ia kemi shmangur zemrën e tij prej përkujtimit ndaj Nesh dhe i është dhënë epshit të vet, pse puna e tij ka mbaruar. 18:29. E ti thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë. Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zjarr që muret e tij (të flakës) i rrethojnë ata, e nëse kërkojnë shpëtim, ndihmohen me një ujë si katran që përzhit fytyrat. E shëmtuar është ajo pije, e vend i keq është ai”. 18:30. E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, s’ka dyshim se Ne nuk i humbim shpërblimin atij që është bamirës. 18:31. Të tillët e kanë vendin në xhennetin e Adnit, nën të cilin rrjedhin lumenj; e aty stolisen me rrathë të artë dore dhe ata veshin rroba të gjelbra prej mëndafshi të hollë e të trashë, janë mbështetur aty në shtretër. Sa shpërblim i mrekulleshëm është dhe sa vend i bukur është ai. 18:32. E ti sillu atyre (që kërkuan t’i largosh varfanjakët) si shembul dy njerëz; njërit prej tyre i dhamë dy kopshte (vreshta) nga rrushi dhe ato i rrethuam me hurma, e në mes atyre dujave bimë të tjera. 18:33. Të dy kopshtet jepnin frutat e veta pa munguar prej tyre asgjë, e në mesin e tyre bëmë të rrjedhë një lumë. 18:34. Ai kishte edhe pasuri tjetër. E ai atij shokut të vet (që ishte besimtar) i tha: - duke iu krenuar atij - “Unë kam pasuri më shumë se ti e, kam edhe krah më të fortë!” 18:35. Dhe ai hyri në kopshtin e vet (e me besimtarin për dore), po duke qenë dëmtues i vetes (duke mos besuar dhe duke u krenuar) tha: “Unë nuk mendoj se zhduket kjo kurrë!” 18:36. Dhe nuk besoj se do të ndodhë kijameti, (dita e gjykimit), por nëse bëhet që të kthehem te Zoti im, pa dyshim do të gjej ardhmëri edhe më të mirë se kjo”. 18:37. Atij ai shoku i vet (besimtari) i tha - duke e polemizuar atë - “A e mohove Atë që të krijoi ty nga dheu, pastaj nga një pikë uji, pastaj të bëri njeri të plotë?” 18:38. “Por për mua, Ai All-llahu është Zoti im, e Zotit tim unë nuk i bëj shok askë!” 18:39. E pse ti kur hyre në kopshtin tënd nuk the: “Ma shaell llah, la kuvvete il-la bil-lah” - (All-llahu çka do, bëhet, s’ka fuqi pa ndihmën e Tij). Nëse ti më sheh mua se unë kam më pak prej teje edhe pasuri edhe fëmijë (krah më të dobët). 18:40. Po unë shpresoj se Zoti im do të më japë edhe më të mirë nga kopshti yt, e këtij tëndit t’i shkaktojë fatkeqësi nga qielli e të gdhijë tokë e lëmuar (e zhveshur). 18:41. Ose të gdhijë uji i saj i shterur, e ti kurrsesi nuk mund ta kërkosh atë!” 18:42. Dhe vërtet, u shkatërruan frutat e tij, e ai filloi të rrahë shuplakët për atë që kishte shpenzuar në të, e ajo ishte rrënuar në kulmet e saj dhe thoshte: “O i mjeri unë, të mos i kisha bërë Zotit tim askë shok!” 18:43. E nuk pati krah (grup), pëveç All-llahut të vërtetë që t’i ndihmojë atij dhe nuk mundi ta pengojë. 18:44. Në atë vend ndihma është vetëm e All-llahut të vërtetë. Ai është shpërblyesi më i mirë dhe te Ai është përfundimi më i mirë. 18:45. E ti (Muhammed) paraqitjau atyre shembullin e kësaj bote që është si një ujë (shi) që Ne e lëshojmë nga qielli, e prej tij bima e tokës zhvillohet e shpeshtohet saqë përzihet mes vete, e pas pak ajo bëhet byk (pas tharjes) që e shpërndajnë erërat. All-llahu ka fuqi për çdo send. 18:46. Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote, kurse veprat e mira (fryti i të cilave është i përjetshëm) janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë. 18:47. (Përkujto) Ditën kur Ne i shkulim kodrat, dhe tokën e sheh të sheshtë (të zbuluar) dhe Ne i tubojmë ata e nuk na mbetet asnjë prej tyre pa e tubuar. 18:48. Dhe ato do të prezentohen para Zotit tënd të rreshtuar (e u thuhet atyre): “Na erdhët ashtu, si ju krijuam juve herën e parë, por ju patët menduar se Ne nuk kemi caktuar për ju ringjallje”. 18:49. Dhe vihet libri (i veprave), e i sheh mëkatarët të frikësuar nga shënimet që janë në të dhe thonë: “Të mjerët ne, ç’është puna e këtij libri që nuk ka lënë as (mëkat) të vogël e as të madh pa e përfshirë?”, dhe atë që vepruan e gjejnë të gatshme - prezente, e Zoti yt nuk i bën padrejt askujt. 18:50. (Përkujto) Kur u thamë engjëjve: “Përuluni Ademit, e ata iu përulën përpos Iblisit. Ai ishte nga xhinët, prandaj nuk respektoi urdhrin e Zotit të vet”. Vallë, a në vend Timin do ta merrni për mik atë dhe pasardhësit e tij, ndërsa ata janë armiq tuaj?” Sa këmbim i shëmtuar është ai i jobesimtarëve! 18:51. Unë nuk ua prezentova krijimin e qiejve e të tokës atyre që po i adhuroni e as krijimin e vetë atyre, e as nuk mora ndihmëtarë të humburit. 18:52. E ditën kur Ai thotë: “Thirrni ata, për të cilët menduat se janë bashkëpunëtorët e Mi!” I thërrasin, por ata nuk u përgjigjen (për ndihmë) atyre dhe ato lidhjet e tyre (në Dunja) Ne i zhdukim. 18:53. Kriminelët e shohin zjarrin dhe binden se do të hidhen në të, dhe se nuk gjejnë shtegdalje prej tij. 18:54. Në këtë Kur’an Ne shtruam çdo lloj shembulli për hir të njerëzve, po njeriu (jobesimtar) më shumë se çdo tjetër është kundërshtar. 18:55. Pasi që t’u ketë ardhur udhëzimi, njerëzit nuk i pengoi tjetër të besojnë dhe të kërkojnë falje prej Zotit të tyre, vetëm se presin t’u vijë edhe atyre fatkeqësia e popujve të mëparshëm ose t’u vijë atyre dënimi ballë për ballë. 18:56. Ne nuk i dërgojmë ndrushe të dërguarit pos vetëm si përgëzues e qortues. E, megjithatë, ata që nuk besuan polemizojnë me të pavërtetën në mënyrë që me të, ta mbizotërojnë të vërtetën, dhe argumentet e Mia dhe atë me çka u qortuan i marrin për tallje. 18:57. Kush është më zullumqar se ai që është këshilluar me argumentet e Zotit të vet, e ua kthen shpinën atyre dhe harron atë që vetë e punoi? Ne kemi vënë mbi zemrat e tyre mbulesë në mënyrë që të mos e kuptojnë atë (Kur’anin), kurse në veshët e tyre shurdhim, andaj edhe nëse i thërret ti ata në rrugë të drejtë, ata si të tillë nuk do të udhëzohen kurrë. 18:58. Zoti yt është që falë shumë dhe bën mëshirë të madhe, sikur t’i ndëshkonte ata për atë që kanë vepruar, do t’ua ngutte atyre tash dënimin, por ata kanë momentin e caktuar, e pos Tij nuk do të gjejnë ata strehim. 18:59. Ato janë fshatra (vendbanime) që kur bënë zullum, Ne i shkatërruam dhe për shkatërrimin e tyre u patëm caktuar kohë të sakta. 18:60. (përkujto) Kur Musai djaloshit që e shoqëronte i tha: “Nuk do të ndalem së ecuri deri ta arrij vendtakimin e dy deteve, ose do të udhëtoj një kohë të gjatë”. 18:61. Kur arritën ata të dy vendtakimin e atyre deteve, e harruan peshkun e tyre, e ai (peshku) mori rrugën e vet si (strofull) në det. 18:62. Pasi ata e kaluan atë vend, ai (Musai) i tha djaloshit: “Na jep sillën tonë (ushqimin), meqë nga ky udhëtim jemi lodhur”. 18:63. Ai (djaloshi - Jushaë bin Nun) tha: “A e sheh!? Kur u strehuam te shkëmbi, unë e harrova peshkun dhe përveç djallit nuk më bëri kush të harrojë që të ta përkujtoj ty atë, dhe ai në mënyrë të çuditshme mori rrugën e tij për në det!” 18:64. Ai (Musai) tha: “Ai është (vendi) që ne po e kërkojmë!” Dhe u kthyen që të dy rrugës së tyre prej nga kishin ardhur. 18:65. Dhe e gjetën një nga robtë Tanë, të cilit i kemi dhuruar mëshirë nga ana Jonë dhe e kemi mësuar me një dituri të posaçme nga Ne. 18:66. Atij (Hidrit - njeriut të mirë e të dijshëm) Musai i tha: “A pranon të vijë me ty, që të më mësosh nga ajo që je i mësuar (i dhuruar) ti: dituri të drejtë e të vërtetë?” 18:67. Ai (Hidri) tha: “Sigurisht, ti nuk do të mund të kesh durim me mua! 18:68. Si do të durosh për atë që nuk je i njoftuar?” 18:69. (Musai) Tha: “Në dashtë All-llahu, do të shohësh se do të jem i durueshëm dhe nuk do të kundërshtoj ty për asgjë!” 18:70. Ai i tha: “Nëse më shoqëron ti mua, atëherë mos më pyet për asgjë, derisa unë vetë të të tregoj për të”. 18:71. E ata të dy shkuan (duke ecur) deri kur hipën në anije, ai (i dishmi) e shqeu atë. Ai (Musai) tha: “A e shqeve që t’i fundosësh udhëtarët e saj, vërtet bëre një punë të hatashme?” 18:72. Tha: “A nuk të thashë se nuk do të mund të kesh durim me mua?” 18:73. (Musai) Tha: “Mos më qorto përse harrova dhe mos më mundo me vështirësi në këtë shoqërim timin (lehtësoma punën)!” 18:74. Vazhduan të shkojnë deri kur takuan një djalë të ri, e ai (i dijshmi) e mbyti atë. (Musai) Tha: “A e mbyte njeriun e pastër, pa mbytur ai askë?! Vërtet ke bërë një pumë të shëmtuar!” 18:75. Ai (i dijshmi) tha: “A nuk të thashë se vërtet ti nuk do të mund të kesh durim me mua?” 18:76. (Musai) Tha: “Nëse pas kësaj të pyes (të kundërshtoj) për ndonjë gjë, atëherë mos më lejo të shoqëroj. Tashmë ndaj meje ke arsyetim (të mos më shoqërosh)!” 18:77. Vazhduan të shkojnë deri sa arritën te banorët e një qyteti që prej tyre kërkuan t’u japin ushqim, po ata nuk deshën t’i pranojnë si musafirë (e as t’i ushqejnë), e ata të dy gjetën aty një mur që gati po rrëzohej, e ai e drejtoi atë (murin). (Musai) Tha: “Sikur të kishe dashur do t’u merrje shpërblim për këtë!” 18:78. Ai (i dijshmi) tha: “Tash ka ardhur koha e ndarjes mes meje dhe mes teje, e unë do të tregoj për domethënien e asaj që nuk munde të keshë durim!” 18:79. Sa i përket anijes, ajo ishte pronë e do të varfërve që veprojnë në det, e unë desha ta bëj atë me të meta, ngase para tyre ishte një sundues që grabiste çdo anije (të aftë - pa të meta). 18:80. Sa i përket djaloshit, dy prindërit e tij ishin besimtarë, e u frikësuam se ai do t’i shpie ata të dy në humbje e në mosbesim. 18:81. Deshëm që Zoti i tyre t’u japë në vend të tij një më të mirë se ai dhe më të afërt në respekt dhe në mëshirë (ndaj prindërve). 18:82. Përsa i përket murit, ai ishte i dy djelmoshave jetima të atij qyteti, e nën të ata kishin një thesar (ari) dhe babai i tyre ka qenë njeri i mirë, e Zoti yt dëshiroi që ata dy (jetima) ta arrijnë pjekurinë e vet dhe ta nxjerrin ata vetë thesarin e tyre. Kjo ishte mëshirë e Zotit tënd (ndaj tyre). Dhe unë nuk e punova tërë atë sipas bindjes sime (po sipas udhëzimit të Zotit). Ky, pra, është sqarimi i asaj për të cilën nuk munde të kesh durim! 18:83. Të pyesin ty për Dhulkarnejnin, thuaju: “Do t’ju rrëfej për punën e tij me Kur’an (me shpallje)”. 18:84. Ne i mundësuam atij forcë në tokë dhe i dhamë mundësi për çdo send që të mund ta arrijë. 18:85. Ai iu rrek një aso mundësie (dhe mori rrugën nga Perëndimi). 18:86. Deri kur arriti në vendperëndimin e diellit, e gjeti se po perëndon në njëfarë burimi me lym të zi dhe aty e gjeti një popull. E Ne i thamë: “O Dhulkarnejn, ose do t’i dënosh, ose do t’i marrish me të mirë e t’i udhëzosh!” 18:87. Ai (Dhulkarnejni) tha: “Ai që vazhdon edhe më tej të jetë zullumqar, atë do ta dënojmë, pastaj i kthehet Zotit të vet e Ai e dënon atë me një dënim të tmerrshëm”. 18:88. Sa i përket atij që besoi dhe bëri vepra të mira, atij i takon shpërblimi më i mirë (xhenneti) dhe atij nga ana Jonë do t’i bëjmë lehtësi (në jetë). 18:89. Pastaj, ai iu rrek një aso mundësie (mori rrugën e lindjes). 18:90. Deri kur arriti vndlindjen e diellit, e gjeti se po lind mbi një popull, që nuk i kemi dhënë ndonjë mbulojë prej tij (diellit). 18:91. Ashtu (bëri edhe me këtë popull), e Ne e kemi ditur gjendjen e tij (mundësitë dhe sundimin e drejtë të tij). 18:92. Mandej, ai iu rrek përsëri një aso mundësie (një rruge të tretë mes perëndimit e lindjes - nga veriu). 18:93. Deri kur arriti mes dy kodrave (si penda) dhe prapa tyre gjeti një popull që thuajse nuk kuptonte asnjë gjuhë (përveç gjuhës së vet). 18:94. Ata thanë: “O Dhulkarnejn, vërtet Jexhuxhi dhe Mexhuxhi janë duke bërë shkatërrime në tokë, a bën që ne të japim ty një kontribut (në formë tagre a tatimi), e që të bësh një pendë mes nesh dhe mes tyre?” 18:95. Ai (Dhulkarnejni) tha: “Atë që mua ma mundësoi Zoti im është shumë më i mirë (nga ajo që ma ofroni ju), po ju më ndihmoni me fuqi punëtore të bëj një pendë të fortë mes jush dhe mes atyre!”. 18:96. Më sillni copa të hekurit! E kur e nivelizoi ai me dy anët e kodrave, tha: “Ndizni!”, e kur e bëri atë (hekurin) zjarr (si zjarr nga të ndezurit) tha: “Më sillni bakër të shkrirë t’ia hedhë atij!” 18:97. E ata as nuk arritën ta kapërcenin atë e as ta shponin. 18:98. Ai (Dhulkarnejni) tha: “Kjo është një e mirë nga Zoti im, e kur të vjen caktimi i Zotit tim, Ai e bën atë rrafsh, e caktimi i Zotit tim është i sigurt”. 18:99. (Kur të vijë caktimi i Zotit, ose kur të dalin Jexhuxh Mexhuxhët) Ne bëjmë atë ditë që ata të përzihen si valët njëra me tjetrën. Dhe i fryhet Surit (për herën e dytë) e të gjithë ata i tubojmë. 18:100. Atë ditë ua prezentojmë xhehennemin jobesimtarëve me një prezentim të hapët (trishtues). 18:101. Atyre që sytë i kishin të mbuluara ndaj argumenteve të Mia dhe që nuk mund të dëgjonin (fjalët e All-llahut). 18:102. A mos menduan ata që nuk besuan se përkundër Meje mund të marrin zota (mbrojtës) robtë e Mi? Ne e kemi përgatitur për jobesimtarët xhehennemin vendpritje. 18:103. Thuaj: “A t’ju tregojmë për më të dëshpëruarit në veprat e tyre?” 18:104. Ata janë veprimi i të cilëve u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithatë ata mendojnë se janë kah bëjnë mirë. 18:105. Të tillët janë ata që nuk besuan argumentet e Zoit të tyre as takimin (ringjalljen) e Tij, andaj veprat e tyre shkuan huq dhe në ditën e gjykimit atyre nuk do t’u japim kurrfarë vlere. 18:106. Këtë, ngase shpërblimi i tyre është xhehennemi, për shkak se nuk besuan dhe argumentet e Mia e të dërguarit e Mi i morën për tallje. 18:107. S’ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, vendpritje për ta janë xhennetet e Firdevsit. 18:108. Aty do të jenë përgjithmonë, e nuk kërkojnë të largohen nga ai (ose t’u ndryshohet). 18:109. Thuaj: “Sikur të ishte deti ngjyrë për t’i shkruar fjalët e Zotit tim, deti (uji i tij) do të shterej para se të përfundojnë fjalët e Zotit tim, e edhe sikur të sillnim shtesë edhe një si ai (deti)”. 18:110. Thuaj: “Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj, e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos e përziejë askë”.
Posted on: Fri, 19 Jul 2013 10:30:39 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015