Kerkesat e akademikeve per qeverine e re! Ndërsa ne si Akademi - TopicsExpress



          

Kerkesat e akademikeve per qeverine e re! Ndërsa ne si Akademi Shkencash, ecnim pas, Akademia e Maqedonisë shtrembëroi historinë duke vënë në dyshim autoktoninë e shqiptarëve”. Kështu shprehet profesor Muzafer Korkuti, ndërsa sjell në vëmendje vitet e fundit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe rënien e saj nga piedestali i shkencës shqiptare. Aktualisht kandidat për të qenë kryetar i kësaj akademie, teksa sqaron për “GSH” se në ç’gjendje është institucioni, vëren se ndërsa niveli i saj binte, erdhi edhe Oliver Schmitt dhe i mohoi të gjitha meritat që i takonin Skënderbeut. “Të gjitha këto, në një kohë që në Beograd bëhen rreth 400 teza diplome kundra nesh”, -thekson Korkuti. I pyetur nga “GSH” se ç’kërkon ai prej qeverisë së re, akademiku përgjigjet “Ne kërkojmë pavarësi dhe mbështetje financiare”. Reforma Sipas tij, reforma në Akademinë e Shkencave dhe kërkimin shkencor në planin më të gjerë, që u ndërmor 5-6 vjet më parë, nisi me krijimin e një komisioni qeveritar, nën drejtimin e z. Myqerem Tafaj. “I përbërë nga një staf i gjerë profesorësh e specialistësh të fushave të ndryshme, të cilat në grupe pune e sipas fushave, bënë diskutime e tërhoqën mendimin nga shumë institucione e stafe akademike, por vendimet që u morën nga qeveria për riorganizimin e kërkimit shkencor ishin krejt tjetër nga sa ishte sugjeruar e propozuar nga specialistët”, shpjegon Korkuti, duke dashur të thotë mbase edhe se gjendja e tanishme e institucionit, ka ardhur për këto arsye. “Akademisë së Shkencave të Shqipërisë iu hoqën 14 institutet e qendrat kërkimore-shkencore në varësi të saj dhe ju shkurtuan në maksimum fondet, duke e kthyer atë në një institucion honorifik”, thotë ai me keqardhje. Sipas tij, Instituti i Historisë, i Gjuhësisë e Letërsisë, i Arkeologjisë, i Kulturës Popullore dhe Qendra e Studimeve Enciklopedike krijuan Qendrën e Studimeve Albanologjike, në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, kurse institutet e tjera të Fizikës Bërthamore, Biologjisë, Informatikës, Sizmologjisë, Qendra Gjeografike, Hidraulike u kthyen në departamente dhe sipas profilit, u vunë në varësi të fakulteteve të Universitetit të Tiranës. “Numri i studiuesve u përgjysmua e rrjedhimisht u lanë jashtë fusha e drejtime të rëndësishme të kërkimit shkencor. Gjithashtu u larguan nga institutet të gjithë punonjësit ndihmës shkencor që punonin në laboratorë, fonde, arkiva etj. U cenua pavarësia e instituteve duke u hequr të drejtën e firmës e vulën, për çdo veprimtari të karakterit kombëtar e ndërkombëtar, duke i kthyer ato në departamente”, çka për të duket e pafalshme. Për shkak të këtyre lëvizjeve, drejtorët e instituteve e të departamenteve u emëruan nga lart, u hoq sistemi i zgjedhjes së tyre sipas kontributit shkencor. “Drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike (Instituti i Historisë, Gjuhësisë e Letërsisë, Arkeologjisë e Kulturës Popullore) u emërua një person pa titull shkencor dhe pa asnjë veprimtari në studimet albanologjike”, bën me dije akademiku, që aktualisht mban postin e nënkryetarit të ASHSH-së. Dëmi E ndërsa reforma “U kry”, ajo me kohën provoi se cenoi rëndë veprimtarinë e Akademisë së Shkencave dhe institutet që u përfshinë në fakultetet e Universitetit të Tiranës. “Sot, këtë po e kuptojnë dhe hartuesit e zbatuesit e reformës. Para një muaji qeveria mori vendim që Instituti i Fizikës Bërthamore të shkëputet nga Fakulteti i Shkencave dhe t’i japë status të veçantë”, -thotë si me ironi Korkuti. Sipas tij, zbatimi i reformës dëmtoi ndjeshëm veprimtarinë e Qendrës së Studimeve Enciklopedike, e cila nga Akademia e Shkencave kaloi në varësi të Qendrës Albanologjike, kur tematika e studimeve, vetëm në masën 40% mbulohet prej saj. E si për ta plotësuar kuadrin, ai vëren se “edhe përfshirja e Qendrës së Studimeve Albanologjike në varësi të Ministrisë së Arsimit (dhe jo të Akademisë) nuk solli ndonjë fuqizim e rritje të kërkimeve e studimeve albanologjike”. Ndërsa i analizon të gjitha vendimet e marra dhe rezultatet që sollën ato, Korkuti deklaron: “Mendoj se këto mangësi të reformës mund e duhet të korrigjohen menjëherë e pa shumë vështirësi. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, i Historisë, i Arkeologjisë, i Antropologjisë Kulturore dhe Qendra e Studimeve Enciklopedike të kthehen siç kanë qenë nën varësinë e Akademisë së Shkencave, (gjë që shkurton organikën e administratës) dhe instituteve iu jepet pavarësia e mohuar në veprimtarinë kërkimore-shkencore”. Pritshmëritë Ajo çfarë ai kërkon prej qeverisë së re, është pavarësia dhe fonde më të larta. “Natyrisht pas riorganizimit, puna themelore do të përqendrohet në problemet parësore që do të jenë, hartimi i projekteve të detajuara për drejtimet e kërkimeve albanologjike, të rritjes cilësore të prodhimit shkencor; të botimeve monografike; e veprave me karakter përgjithësues, pa harruar edhe përgatitjen e specialistëve për fusha të ngushta etj”, përfundon Muzafer Korkuti.
Posted on: Sun, 14 Jul 2013 10:33:38 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015