Kim Mehmeti: Shqiptarët qiraxhinj në Maqedoni, të bashkohen - TopicsExpress



          

Kim Mehmeti: Shqiptarët qiraxhinj në Maqedoni, të bashkohen trojet e Shqipërisë Shkrimtari, analisti dhe publicisti Kim Mehmeti, i njohur si një ndër shqiptarët më me influencë në Shkup, gjatë një interviste për gazetën “SOT” të Tiranës, flet për sagën e çështjes shqiptare, raportet e politikës me letërsinë, sfidat e gjuhës shqipe, parinë politike të shqiptarëve në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri, pa anashkaluar temën më të nxehtë që ka alarmuar Ballkanin dhe trazuar Evropën, çështje e bashkimit të trojeve shqiptare. Duke u ndalur tek zhvillimet në Maqedoni, Kim Mehmeti shpreh shqetësimin e thellë për zhbërjen e simboleve dhe shenjave shqiptare në Shkup, ndërsa kritikon rëndë PDI dhe Ali Ahmetin. Mehmeti deklaron se shqiptarët trajtohen si qiraxhinj në Maqedoni, duke shprehur kësisoj degradimin e të drejtave të tyre. Duke u ndalur tek ëndrra e bashkimit të trojeve, Mehmeti shprehet se shqiptarët fillimisht duhet të shembin muret dhe kufijtë mendorë që i ndajnë mes veti. I pyetur për Konferencën e Londrës, ai pohoi se Konferenca e Londrës bëri atë që e përcaktonin rrethanat e asokohshme, atë që e vendosën kryeqendrat që vulosin fatet e popujve të vegjël dhe ku arnohen hartat e shteteve të pafuqishme. Kim Mehmeti, gjatë interviste për gazetën “SOT”, ka bërë një vlerësim edhe për tre figura që kanë dominuar politikën shqiptare gjatë shekullit të fundit, Ahmet Zogu, Enver Hoxha dhe Sali Berisha. Mehmeti pohoi se Zogu, Hoxha dhe Berisha kanë një të përbashkët; që është etja për pushtet dhe lidhjet e dyshimta me fqinjët. Sipas tij, Zogu dhe Enveri përdorën serbët për të mbajtur pushtetin, ndërsa Sali Berisha u orientua nga grekët. Kim Mehmeti ka komentuar edhe figurën e Kryeministrit të ri të Shqipërisë, Edi Rama. Ai tha se mjafton që Edi Rama të mos bëjë ato që ka bërë Berisha, dhe do të jetë një kryeministër i suksesshëm. Kim Mehmeti është ndalur në rolin e pushtimit turk në ekzistencën dhe copëtimin e kombit shqiptar. -Z. Mehmeti, së pari urime për librin e ri që promovuat vetëm pak kohë më parë në Prizren. Një ese historike, të cilën keni vendosur ta titulloni thjeshtë “Shkupi”. Është thjeshtë një studim i juaji që pasqyron të dhëna historike mbi Shkupin, apo ka një filozofi të cilën ju keni dashur ta përçoni me anë të këtij botimi? Unë vetveten e ndjej vetëm si shkrimtar, nuk jam historian. Andaj, mund të bëjë vetëm atë që i lejohet një krijuesi letrar; që nëpërmjet fakteve historike, të mbështesë bindjet e veta lidhur me proceset që janë zhvilluar dhe ngjarjet që kanëndodhur në Shkup dhe rrethinë, e që e përcaktojnë edhe të sotmen e shqiptarëve të këtushëm. Do ishte e pakuptimtë të shkruaja libër pa pasur një qëllim të qartë për atë që dua të përcjell nëpërmjet përmbajtjes së vendosur mes dy kopertinave. Doja pra, të pasqyroj të vërtetën për desh-qiptarizimin e Shkupit gjatë shekujve, e veçanërisht pas zhbërjes së Perandorisë Osmane dhe gjatë dekadave të socializmit. Dhe nëpërmjet kësaj, doja të pasqyroja edhe të sotmen, edhe atë se regjimi i sotëm maqedonas, me BDI-në shqiptare si mbulesë, ia doli të realizojë atë që me shekuj nuk ia dolën sunduesit serb, që Shkupit t’ia shlyejnë thuajse të gjitha shenjat shqiptare. Pastaj doja të shpalosja të vërtetën, se ne shqiptarët ende nuk e kemi kuptuar se një popull, forcën e vet kurrizore, e dëshmon nëpërmjet kujdesit ndaj vendbanimeve “periferike” që ka, apo nëpërmjet asaj sa e mirëmban “unazën” e vet, që e përbëjnë vendbanimet e skajshme të kufirit etnik. Dhe mbi të gjitha, doja të shpalosja disa të vërteta dhe veçori që kanë të bëjnë me shqiptarët shkupjanë, si dhe me gjithë shqiptarët e Maqedonisë, të cilët me dekada ishin të harruar nga të gjithë dhe duhej të mbijetonin ashtu siç e vlerësonin ata vetë, pa mundur të këshilloheshin me vëllazërinë shqiptare. Të penguar nga muri ideologjik i Enver Hoxhës që të shohin çka është duke ndodhur në mëmëdheun e tyre dhe, të vetëdijshëm se mëmëdheu as që merret me hallet që kishin shqiptarët e këtushëm, ata duhej të bënin shumë manovrime për të mbijetuar, për të ruajtur dallueshmërinë e tyre nga sllavët, për të mbrojtur atdheun e vetëm që u kishte mbetur besnik, gjuhën amtare! Dhe në këtë betejë, varësisht nga sunduesit, ata bënin edhe “lojëra” nga më të ndryshmet, me çka paguan çmim biblik që të bënin të pamundur çrrënjosjen e “farës” shqiptare nga këto troje. Kështu që ata jetonin gjithmonë me frikën për humbjen e madhe që mund t’u ndodhte, frikë e cila shpeshherë i çonte të peshonin se çka duhej të flijonin: fenë për ta mbrojtur përkatësinë etnike, apo ta jepnin shqiptarinë për ta mbrojtur fenë! Sa i përket Shkupit e rrethinës, e mbase edhe sa u përket gjithë shqiptarëve të Maqedonisë, mbijetuan vetëm ata shqiptarë, kryesisht myslimanë, që nuk tradhtuan kullat e të parëve të vet dhe që i mbetën besnik atdheut të vetëm që kishin; gjuhës shqipe! Shqiptarët ortodoks thuajse në tërësi u tretën në detin e sllavëve të Jugut dhe dhanë gjuhën dhe përkatësinë etnike për ta shpëtuar fenë që kishin. Shumica e katolikëve të këtushëm, gjatë periudhës socialiste, shkuan sa më pranë katedraleve në Kroaci dhe Perëndim, kështu që u zhbë boshti më i fortë që mbante në këmbë shqiptarinë e këtushme. Me qindra mijëra shqiptarë, u davaritën në Turqi, por për dallim nga gjithë të tjerët, këta e ruajtën lidhjen me rrënjët etnike. Kështu që edhe sot, kur ata i quan “arnaut”, mburren me këtë emërtim, gjë që nuk ndodh me shumicën e atyre, të cilët për ta mbrojtur fenë, ndryshuan gjuhë dhe përkatësi etnike. Ja, edhe këtë doja ta pasqyroja në këtë libër, sa të dihet se është e lehtë t’i gjykosh e t’ua veshësh shqiptarëve të këtushëm cilindo epitet ofendues, por për shumëçka, ata duhen dekoruar me çmim të lartë për atë që paguan për të mbetur këtë që janë sot dhe kaq sa janë tani. Pra, doja të shpreh bindjet e mia, të mbështetura në fakte historike, se shqiptarët e këtushëm e meritojnë vetëm epitetin që mund t’u jepet atyre që kanë paguar çmim biblik për të ruajtur përkatësinë e vet etnike. Kjo posaçërisht vlen për nënat tona, për ato heroina që pranuan të jetonin të izoluara nga bota, të nusëronin, amëronin e vdisnin duke mos braktisur kurrë oborrin e kullës, të jetonin e të vdisnin pa kontaktuar me botën, pa mësuar asnjë fjalë të gjuhëve sllave, me çka e ruajtën atdheun që përmenda, atë të gjuhës amtare. E ndërkohë, baballarët tanë që duhej të siguronin ekzistencën materiale, sillnin në oborret e kullave tona fraza sllave dhe e sllavizonin gjuhën që na e flisnin nënat tona. Ky libër, qëndron edhe mbi një thënie të sime mëje, që shpesh ia thoshte babait tim kur ai përdorte ndonjë sllavizëm: “Mos m’i huto fëmijët me ato llafe të shkijeve!” -Ç’është letërsia për ju dhe si e vlerësoni raportin e letërsisë me politikën? Letërsia dhe politika nuk janë as banorë të së njëjtës lagje, e as bashkëqytetarë në të njëjtin “shtet”! Ato janë dy planete të largëta që rrotullohen rreth të njëjtës epiqendër, asaj njerëzores! Politika në thelb të veprimit të vet ka manipulimin dhe jo sinqeritetin. Ndërkaq, letërsia është e kundërta e saj. Duke e ditur këtë, jam kujdesur që politika ta ketë të ndaluar hyrjen në veprat e mia letrare dhe krijuesi në qenien time me asgjë të mos mund të joshet nga publicisti në mua. Të jetosh i dyzuar, është e rëndë, por jo e pamundur dhe herë-herë edhe joshëse. Politika ka për qëllim ta robërojë trurin e njeriut, e letërsia të kundërtën e kësaj. Dhe duke qenë kështu, ato janë në luftë të përjetshme me njëra-tjetrën. Andaj mos të gënjej njeri se ka sundues që i duan krijuesit dhe se ka krijues që do ia kishin zili ndonjë politikani! Unë i përmbahem kësaj bindjeje dhe dua përjetë t’i mbetem besnik asaj. Njësoj si edhe bindjes se imagjinata është punëtoria që prodhon artë, ndërsa fantazia krijuese është ‘punëdhënësi’ në atë punëtori dhe se pronari i tyre, shkrimtari, duhet të mbaj llogari se jo çdo gjë që kalon nëpër atë punëtori është artë dhe se jo çdo gjë që është pjellë e fantazisë mund të hidhet në letër! -Z. Mehmeti, si e vlerësoni transformimin e kombit shqiptar në 100 vjet pavarësi dhe në cilën pikë gjendet sot shoqëria shqiptare në rrugën drejt BE? Populli shqiptar, si i vetmuar dhe pa pasur as “kushërinj” të vet, e le më vëllezër të një gjaku në këtë Ballkan, ia doli të mbijetojë dhe besoj se qind-vjeçari që kemi filluar ta numërojmë, do i takojë popullit tonë. Gjatë shekullit të kaluar, populli ynë realizoi ëndrrën më madhore që kishte; çlirimin dhe mëvetësimin e Kosovës. Pas realizimit të kësaj ëndrre, mbase pak të dehur edhe nga lumturia që e jetësuam atë, ne u zhytëm në baltën e vetëgënjimit se do mund të shkojmë në Evropën pa kufij, por duke mos i shlyer kufijtë mendorë që na mbetën si trashëgimi nga e kaluara. Pra, vetëgënjehemi se mund të bëhemi pjesë e Evropës së bashkuar, me shqiptari të përçarë mes veti. Të merremi vesh: një popull që ka elita të qëndrueshme politike, shkencore, kulturore…edhe mund të jetojë si vëllazëri e ndarë në disa shtëpi, por vetëm nëse paraprakisht e ka qartësuar se cila është tërësia e oborrit gjithëkombëtarë, i cili edhe duhet mirëmbajtur mbarëshqiptarisht. Pra, ne do mund të jemi të dobishëm për Evropën pa kufij, nëse paraprakisht e bëjmë “shqiptarinë pa kufij”, nëse e kuptojmë se nuk shkohet në Evropën e bashkuar pa i mësuar kokat tona të mendojnë “shqip”, pa e kuptuar se tokat tona, kudo që janë, duhet të jenë të rëndësishme për çdo shqiptar, pa marr parasysh cilës “Shqipërie” ai i takon. Mbase ne edhe do mund të shkojmë në Evropën pa kufij me të gjithë muret mendorë që na ndajnë mes veti, por gjithashtu, do mund të na ndodh që në Bruksel të arrijmë me një muze të Alfabetit në Manastir, me të cilin edhe më tej do tallen shovenët maqedonas duke e demoluar atë njëherë në mua, me një Bujanocë pa asnjë shqiptarë në të, me Shkupin të shndërruar në “diznilend” të stolisur me përmendoret e regjimit të Gruevskit e Ali Ahmetit, në mesin e të cilave përmendore më e lartë, e më e dukshme, do jetë ajo e dështimit të shqiptarëve të Maqedonisë. Pra, mund të ndodh që të arrijmë në Bruksel ende pa e përfunduar debatin se cilët nga ne janë më “pro-evropian”, por do mund gjithashtu të na ndodhë që kur të ulemi në “odën e burrave” të Evropës së bashkuar, të shohim se duke udhëtuar drejtë Evropës pa kufij, kemi lënë shumë kufij që na ndajnë mes veti dhe se kemi lënë shumë shqiptarë e toka shqiptare përtej kufirit tonë! -Viti 2013 shënon 100-vjetorin e Konferencës famëkeqe të Londrës, e cila e copëtoi kombin shqiptar në pesë pjesë. A ka ardhur koha që të rishikohet një ardhur koha që të rishikohet një padrejtësi e tillë historike dhe si e shihni faktorin shqiptar në rajon? A duhet të hiqen kufijtë që ndajnë shqiptarët në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë? Konferenca e Londrës bëri atë që e përcaktonin rrethanat e asokohshme, atë që e vendosën kryeqendrat që vulosin fatet e popujve të vegjël dhe ku arnohen hartat e shteteve të pafuqishme, që të ndryshojnë rrjedhën e proceseve globale. Mendoj se në vend që të merremi me padrejtësitë që na janë bërë dikur, ne duhet përfundimisht të fillojmë të merremi me të drejtat që kemi sot, si dhe me padrejtësitë që sot ia bëjmë vetvetes. Ne sot duhet të kishim shumë projekte mbarëshqiptare, që do mundësonin edhe veprimin tonë si një popull. Por ndodh thuajse e kundërta! Më thoni një projekt mbarëshqiptar, të cilin e përkrahin të gjitha qeveritë e “Shqipërive” tona, e që ka të bëjë me mbrojtjen e interesit mbarëshqiptar? Më thoni, pse Tirana e Prishtina zyrtare lënë përshtypjen se as që e dinë se ku ndodhet shtëpia e Kongresit të Alfabetit?! Më thoni, për shembull, pse push- tetarët në Tiranë e Prishtinë nuk heqin dorë nga darkat e drekat që i paguajnë me parat e popullit, e që me ato para të ndërtojnë ndonjë shkollë në Luginën e Preshevës…?! E di pse nuk ka projekte mbarëshqiptare?! Sepse sikur të ishte e mundur, ne do kishim aq Shqipëri sa edhe parti politike, sepse çdo “bajraktarokratë” yni, do të ketë shtetin e vet. Andaj, mendoj se do mund të korrigjojmë shumëçka nga padrejtësitë që na janë bërë në të kaluarën, vetëm nëse do ia dalim ta rideminzionojmë të sotmen, vetëm nëse çlirohemi nga ato elita politike që shqiponjën dykrenore e përdorin si mbulesë për ngjyrën e vetme, para të cilës ata gjunjëzohen: asaj të dollarit dhe të euros! -Në Maqedoni po firmoset në masë një peticion për bashkimi e trojeve shqiptare, ndërsa mediat serbe shkruajnë se shqiptarët kanë filluar të ndryshojnë emrat e vendeve. Si e shikoni të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoni? Nuk ka popull që nuk do donte të jetonte i bashkuar në një tërësi shtetërore! Nuk ka popull që do le jonte të vdiste ideja për bashkim! Andaj, ëndrra për një flamur, një gjuhë një komb e një shtet, ka jetuar me shekuj e do jetojë deri sa të behet realitet. Dhe ajo do realizohet, varësisht nga forca dhe përkushtimi i ëndërruesve të saj. Ne jetojmë në kohë kur ëndrrën tonë për bashkim kombëtar, duan ta mbulojnë me atë të Evropës së bashkuar. Por lidhur me këtë lind një pyetje e logjikshme: Ç’më duhet mua Evropa e bashkuar me shqiptari të copëtuar në të! Posaçërisht kur e di se duhet të jetojë në një shtet si Maqedonia, në të cilën ëndrra e atyre që vetveten e quajnë maqedonas, është që ata të jenë pronarë të shtetit, e ne shqiptarët qiraxhinj në të. Këtë unë e përjetoj për çdo ditë në shtetin ku jetoj. Ja, para disa ditëve, regjimi i këtij shtetit e bllokoi kufirin me Kosovën. Dhe jam ndjerë i përbuzur dhe i turpëruar atë ditë kur isha i detyruar që mikun tim nga Kosova, nëpër shi, me fëmijën trevjeçar për dore, ta lë para vendkalimit kufitar që të ecë në këmbë me kilometra, për ta kaluar kufirin në Bllacë, të bllokuar nga maunet dhe autobusët e vozitësve që vetveten e quajnë maqedonas e të cilët në të vërtetë, janë vetëm mbulesë për atë që institucionalisht do ta bëjë regji- mi i Gruevskit, i mbështetur nga BDI- ja shqiptare. Dhe e pranoj vetë; turpin ma shtonte edhe naiviteti im i para disa viteve, kur besoja se ky shtet meriton të ketë kufij! Përderisa kthehesha në zyrë, më shtohej dëshira që kufiri në Bllacë të mbetet sa më gjatë kohë i bllokuar! Mbase duke besuar se vetëm kështu ne shqiptarët do e shohim më qartë, se kush i kontrollon dhe në duar të kujt janë kufijtë që ndajnë shqiptarët këtej nga ata andej kufirit! Dhe kur ta kuptojmë këtë, mbase do mundemi të ulemi dhe realisht të peshojmë si do e ndërtojmë të ardhmen e përbashkët kombëtare! -Z. Mehmeti, përveçse një shkrimtar dhe publicist, ju njiheni dhe si një oponent i fortë i partive politike shqiptare të Maqedonisë. A është ky një opinion i juaji personal, apo mendoni se këtë këndvështrim kanë në përgjithësi shqiptarët e Maqedonisë për përfaqësuesit e tyre, të cilët i kanë dhe në qeveri? Çfarë mendoni se nuk kanë bërë, ose se duhet të kishin bërë më shumë këta politikanë në drejtim të zgjedhësve të tyre, pra shqiptarëve? Nuk e di ç’mendon shumica e shqiptarëve të këtushëm për përfaqësuesit politikë që kemi. Pastaj, unë shumë pak merrem me bindje dhe përgjegjësi kolektive, kështu që u nënshtrohem vetëm bindjeve të mia. Kam bindjen se ne shqiptarët e Maqedonisë, jemi duke u kalbur në baltëne injorancës, e të cilën nga dita në ditë, e thellojnë përfaqësuesit tanë injorantë. Dhe unë ndjehem keq kur shoh të më përfaqësojnë njerëzit që nuk do ishin të denjë të drejtonin një kooperativë bujqësore, e le më të vendosnin për fatin e popullit tim! Ndjehem keq edhe kur ata më përfaqësojnë në Tiranë e Prishtinë, e le më përpara politikanëve maqedonas, të cilët thuajse janë bindur se edhe shqiptari i këtushëm më i mençur, është më injorant se injoranti më i madh i tyre! Ndjehem keq ngaqë e di se ky është përfaqësim i rrejshëm i popullit tim nga ata që kanë frikë nga të rinjtë e aftë që i kemi këtu. Por, unë jetoj me bindjen se populli im për asgjë nuk ka faj, por fajtorë janë vetëm ata nëpërmjet të cilëve legjitimohet një popull: elitat politike, shkencore, kulturore…, pra gjitha ato elita që mendoj se u mungojnë shqiptarëve të këtushëm, mungesë e cila më brengos më shumë se sa injoranca e përfaqësuesve tanë politikë. Unë dhe politikanët nuk jemi konkurrues mes veti, ngaqë ata “luajnë” në terren të vetin, e unë në timin. Ajo që na bashkon, ka të bëjë me të vërtetën se unë si i “pavotuar” i popullit dhe, ata si të zgjedhur të popullit, duhet të pasqyrojmë të vërtetën në të cilën jeton populli. Pra, ata të vërtetën e vet, e unë timen. Me çka popullit i mbetet të vlerësojë se kush e gënjen. Gjatë shpalosjes së këtyre të vërtetave, neve na dallon një gjë: politikanët e kanë për obligim të mbajnë përgjegjësi përpara popullit për veprimet e tyre, ngaqë të vetmen vlerë kanë votën e popullit, e unë këtë obligim nuk e kam, ngaqë këtu ku jam, kam ardhur vetëm fal emblemës sime personale. Sipas bindjes sime, shqiptarët e Maqedonisë as që kanë parti, por kanë “sekte” politike që mbulohen me emblemën partiake. Andaj, shqiptarët e këtushëm ende nuk i janë përgjigjur pyetjes si duhet të duket “Shqipëria” e tyre në Maqedoni, andaj ata pa ndalur shprehin pakënaqësi, duke lënë përshtypje se as që e dinë se ç’është ajo që do i bënte të kënaqur, për dallim nga përfaqësuesit e tyre politikë, të cilët që moti e kanë kuptuar se ç’kërkojnë nga ky shtet: pasurimin e tyre të shpejtë! Andaj, pra edhe është krijuar një situatë absurde: sa më të pakënaqur janë shqiptarët e këtushëm me shtetin, aq më të kënaqur janë përfaqësuesit shqiptarë me Maqedoninë e këtillë siç është ajo sot! -Ju e cilësoni politikbërjen e partisë shqiptare në koalicionin qeverisës të Maqedonisë si një “biznes politik”. Çfarë nënkuptoni me këtë cilësim? Mos doni të thoni se BDI është aty vetëm për interesat e saj personale dhe se shqiptarët e Maqedonisë as që duhet të mendojnë për më shumë të drejta ligjore, politike, ekonomike duke qenë se janë dhe pakicë kombëtare në këtë shtet? Unë nuk kam prova që publikisht të dëshmojnë se me çka i ka joshur Gruevski këta pushtetarë shqiptarë, që të jenë ndaj tij më të dëgjueshëm se sa gruaja ndaj burrit, por logjika ma thotë këtë: ose i shantazhon me diçka që vetëm ai e di për ta, o i ka paguar aq mirë sa ata tani jetojnë në mjegullën e vetëkënaqësive, duke e barazuar mirëqenien e vet me atë të popullit. Përndryshe, si ta shpjegoj realizimin e projektit “Shkupi 2014″, apo botimin e “Enciklopedisë maqedonase” që fyen shqiptarët, të financuar edhe me paratë e taksapaguesve shqiptarë, nga një qeveri ku ka pesë ministra shqiptarë në përbërjen e saj?! Si mund ta shpjegojë deshqiptarizimin e Shkupit, kur e di se nuk ka qeveri mamaje maqedonase, që do mund të bënte diçka antishqiptare, nëse nuk do kishte mbulesën e politikanëve “tenderokrat” shqiptarë, apo të atillë të cilët thellësinë e interesit kombëtar e kanë barazuar me atë të xhepit të tyre?! Sikur të kishte qeveritarë të këtushëm shqiptarë, të cilët publikisht do më shpjegonin si mundet të ndodhin këto absurde që janë duke na ndodhur neve shqiptarëve të Maqedonisë, e që themi se përbëjmë 30 përqindëshin e banorëve të këtij shteti, atëherë unë do hiqja dorë nga bindja ime se, Gruevski do e vallëzonte Shotën nga tre herë në ditë, po të kishte rreth vetes shqiptarë që do i thoshin: Zotëri, nëse nuk do shtet që do e drejtojmë bashkërisht, atëherë ne së shpejti do të lajmërojmë se ku do mund të takohesh me deputet e Parlamentit të Shqiptarëve të Maqedonisë! Por, këtë nuk mund ta thotë ai që ka mendësi vasale, ai që vetveten e sheh vetëm të atillë siç do ishte i pëlqyer nga sunduesi, që nuk mban llogari sa të shëmtuar i paraqet ata që i përfaqëson. Pra, e përsëris: shqiptarët e këtushëm kanë “sekte” politike që ne i quajmë parti, e të cilat i ngjajnë “vëllazërisë” së motrave të përdala, ngjajnë me njëra-tjetrën si motra të një gjaku, të cilat kur kthehen në familje (kur janë në opozitë) kujdesen për nderin e shtëpisë, e porsa i merr me veturë ndonjëri që u ofron kënaqësi dhe jetë të begatë (kur bëhen pjesë e koalicionit qeveritarë), ato harrojnë se me sjelljet e tyre e dëmtojnë dhe e turpërojnë tërë fisin! -Duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me rrethana të ndryshme, nëse do të hiqnim një paralele mes politikanëve shqiptarë në Maqedoni,Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi, në këndvështrimin tuaj, çfarë i ndan dhe çfarë i bashkon ata? Shumicën e politikanëve shqiptarë, kudo që ata veprojnë, i bën të ngjashëm bindja se populli është i barabartë me partinë që ata drejtojnë,gjë që me asgjë nuk i dallon nga Enver Hoxha. Ata i bën të ngjashëm edhe mendësia se politika është biznes që ngutshëm të bënë të pasur, që të stolisë edhe me vlera që nuk i ke. Andaj edhe gjitha “Shqipëritë” tona janë të ngjashme për nga “hajnokracia”, në to janë shkatërruar të gjitha standardet vlerësuese të së mirës dhe së keqes, në të mundet me “zë e figurë” të gjithë ta shohin hajdutin, e kjo të mos i bëjë përshtypje askujt, kjo të mos jetë pengesë që ai të kërkojë votën e popullit dhe aq më shumë edhe të fitojë! Dhe në këto shoqëri “hajdutokrate”, është e padrejtë të thuash se të korruptuar janë vetëm politikanët. Të gjithë jemi të korruptuar! Çdonjëri në formë të vet! Dhe të gjithë dështuam! Dështimin tonë e vulosin ata që edhe të vrasin nëse ua shan partinë, por që bëhen se nuk dëgjojnë gjë kur dikush i shan dhe e dëmton shqiptarinë! Andaj, thuajse të gjithë ne sot shtiremi se nuk e shohim se sa më të forta bëhen partitë tona që na qeverisin, aq më shumë dobësohen “Shqipëritë” që kemi. Apo, sa më të pasur bëhen partiakët, aq më shumë varfërohen shqiptarët! Shtiremi se nuk i shohim këto dukuri, ngaqë të gjithë i ndihmuam këto procese negative. Kështu që, nëpër “Shqipëritë” tona thuajse nuk ka parti që i shërben popullit, por ka shqiptarë që janë bërë shërbëtorë të partive. Partitë tona ia dolën ta privatizojnë edhe popullin! -Ka një debat mbi rolin që ka luajtur Islami dhe pushtimi turk në projektimin e shtetit shqiptar. Sipas mendimit tuaj, lidhjet e shqiptarëve me Turqinë ndikuan pozitivisht, apo shërbyen si alibi nga ortodoksët serbë dhe grekë për të ndarë trojet shqiptare? Asgjë nuk është vetëm bardh e zi! Duke qenë pjesë e perandorive të ndryshme, neve si popull i vetmuar në këtë Ballkan, na është dashur të mbajmë lidhje nga më të ndryshmet edhe me sunduesit edhe me fqinjët tanë. Shpeshherë ka ndodhur që edhe fqinjët edhe sunduesit, të kenë të njëjtin qëllim: të na bëjnë sa më të ngjashëm me vetveten, të na bindin se mund të mbijetojmë vetëm nëse bëhemi si ata, vetëm nëse harrojmë cilët jemi! Por, sunduesit erdhën e shkuan, e mbetën fqinjët tanë, të cilët për shumëçka nuk merren vesh mes veti, por për një gjë gjithmonë pajtohen: se ne si popull nuk duhet të ekzistojmë! Dhe për ata, ka qenë i mirë vetëm sunduesi që e ka plotësuar këtë dëshirë të tyre. Andaj, kam bindjen se edhe urrejtja e shovenëve sllavë e grekë ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me Islamin, nuk buron vetëm nga animozitetet fetare, por edhe nga urrejtja që kanë ndaj shqiptarëve. Prandaj, shqiptarëve të këtushëm unë u them: neve nuk na është rrezikuar identiteti fetar, por ai kombëtar. Andaj duhet mbrojtur shqiptaria, ngaqë ajo i mbron të gjitha që kemi. Pra, u them se “ata” nuk na duan, jo pse gjithaq e urrejnë fenë Islame, por pse urrejnë çdo gjë që ka të bëjë me shqiptarinë! Doni dëshmi për këtë? Ja: Në Maqedoni ka myslimanë të etnive tjera, por ndaj tyre nuk ekziston kjo urrejtje e ky mos durim si ndaj neve shqiptarëve, dhe kurrë nuk janë ndërmarrë veprime që përkatësinë e tyre etnike ta barazojnë me atë fetare. Nga ana tjetër, dekada me radhë gjatë socializmit, u bë çmos, që neve shqiptarëve të këtushëm të na barazonin me përkatësinë fetare, duke përfshirë edhe atë që na lejohej të hapnim shkolla fetare në cilindo vendbanim, por jo edhe shkolla në gjuhën shqipe dhe, ndërkohë, i xhindoste e vërteta se projektet e tyre kurrë nuk na çuan drejt pyetjes: “Çka je”, të mos i përgjigjeshim se “Jam shqiptar”, i xhindoste e vërteta se nuk jepnin përgjigjen që ata dëshironin: se jemi turq apo vetëm myslimanë! Andaj, mua më tmerron tendenca e disa qarqeve në Tiranë e Prishtinë, që sot janë vënë në përkrahje të së vërtetës serbe e greke për ne shqiptarët e këtushëm, tendencë që ka për qëllim të realizojë atë që nuk ia dolën armiqtë tanë: që neve të na identifikojnë vetëm nëpërmjet fesë të cilës i takojmë dhe madje, të na çojnë të ndjehemi inferiorë pse jemi myslimanë! Rreziku i pandalë nga fqinjët tanë, shpesh na ka bërë që sunduesit e këtyre hapësirave të na duken më të mirë se fqinjët që kemi. Mbase, krahas karotës e kamxhikut, edhe kjo ka ndikuar që të pranojmë edhe fetë dhe shumëçka që kanë sjellë me vete sunduesit. Jo vetëm gjatë Perandorisë Osmane, por edhe gjatë periudhave të mëvonshme, neve shqiptarëve të Maqedonisë, jo njëherë gjatë historisë sonë, mbijetesa na ka çuar që të na pëlqejë sunduesi. Kjo na ka ndodhur edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur më shumë se sa fqinjë na pëlqente okupatori italian që na bëri pjesë të Shqipërisë. Andaj kur debatohet për këto relacione, duhet pasur parasysh për cilat hapësira dhe për cilat kufizime kohore flitet, si dhe duhen marrë parasysh të gjitha kushtet që na kanë bërë të sillemi ashtu siç jemi sjellë ndaj sunduesve e ndaj fqinjëve. Shihni çka ndodh, për shembull sot: Ne kemi ndjerë peshën e çizmes greke e sllave edhe në kohët e pas rënies së Perandorisë Osmane, por sot, më shumë i frikohemi Turqisë post “Qemaliane”, e cila kurrë nuk ka pasur asnjë pretendim ndaj tokave shqiptare, për dallim nga fqinjët qëkemi. Andaj, pyes: Kujt i shërbejnë debatet mes “turkoshakëve” dhe “proevropianëve mendjendritur”?! Këto debate, u bëjnë mirë vetëm fqinjëve tanë qëllimkëqij! Andaj, mua më shqetëson e vërteta se ne ende nuk ndjehemi të lirë, se ne ende jemi në shërbim të sunduesve tanë shekullorë. Nëpërmjet “zënkave” tona se cilët i kemi miq e cilët armiq, ne nuk shohim se Turqia e sotme, për shembull, nuk është ajo e pashallarëve të dikurshëm, por shtet ku jetojnë më shumë shqiptarë se sa ka e tërë Shqipëria e Kosova së bashku. Pra, nuk shohim se duke dëshmuar se cilët sundues nga e kaluara kanë qenë më të mirë për ne, tregojmë se ende jemi robër të sunduesve të dikurshëm, se jemi “ushtarë” të perandorive të vdekura. Andaj, besoj se sot asnjë shqiptarë nuk duhet të merret me atë se cili sundues ka qenë më i mirë për ne. Për mua nuk ka sundues të mirë, as me atë se cila fe i rri më bukur popullit tonë dhe se cilët nga ne janë më “evropian” se të tjerët, ngaqë çdo gjë që i takon shqiptarit, përbënë atë ylberin madhështor të quajtur “shqiptari”! -Cili është mendimi juaj për Ahmet Zogun, Enver Hoxhën dhe Sali Berishën? Këta tre burrështetas shqiptarë kanë të veçantat e veta, kanë meritat që duhen pranuar, njësoj siç kanë edhe një ngjashmëri: shumëçka dëshmon se më shumë e donin pushtetin, se sa shtetin dhe popullin e tyre! Duke qenë të tillë, veprimtarinë e tyre mund ta ndash në dy periudha: në atë që ia përkushtuan popullit dhe Shqipërisë dhe në periudhën që ia përkushtuan mbetjes me çdo kusht në pushtet, duke flijuar shumëçka që ka të bëjë me interesin mbarëkombëtar! Kjo periudha e dytë, ata i bëri që si patericë për mbetjen në pushtet, të përdorin edhe miqësitë me shtetet fqinje, apo me ndonjë aleat të jashtëm. Me çka e humbën lidhjen me popullin dhe jetonin në ishullin e vetëgënjimit, se ata janë e mira e vetme e shqiptarisë. Kështu që Zogu binte e kthehej në fron me ndihmën e mbretërve serbë, Hoxha dobësohej e forcohej varësisht nga disponimi i “milladinëve” e më vonë nga ai i Rusisë apo Kinës, e Berisha, më me rëndësi e kishte ta pëlqenin grekët apo diplomatët e huaj, se sa populli i vet! Është e dhimbshme, por sipas meje e vërtetë: shqiptarët kudo që janë, ende sundohen nga ata që janë më të pëlqyer nga qarqet joshqiptare! Nuk kam me çka ta dëshmoj këtë, përpos me një të vërtetë: nëpër kabinetet e politikanëve tanë, nuk sheh atë që e has në gjithë botën; fotografitë e më të dashurve të tyre, por ato me figurat e famshme të politikës botërore. Me çka na e përcjellin porosinë: ju mund të mos na pëlqeni, por neve na pëlqejnë liderët me famë botërore! -Cili është mendimi juaj për Edi Ramën dhe si e shihni politikën e tij për shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë? Nuk e njoh politikanin Edi Rama aq sa duhet. Atë e njoh nëpërmjet paraqitjeve publike si dhe nëpërmjet shkrimeve të tij të mrekullueshëm publicistik të viteve të pas rënies së enverizmit. Mendoj se Edi Rama e ka më lehtë se cilido kryeministër i deritanishëm i Shqipërisë, sa i përket drejtimit të vendit. Mjafton të bëjë të kundërtën e asaj që bënin paraardhësit e tij, që të jetë i suksesshëm. Pra, mjafton që të mos tentojë që nëpërmjet grindjeve ndërpartiake, t’i mbulojë mossukseset e tij si kryeministër, mjafton ta departizojë Shqipërinë, që vendin t’ua kthejë gjithë shqiptarëve, që t’i bindë shqiptarët se partia fituese në zgjedhje merr në dorë drejtimin e shtetit, e jo “tapinë” si pronare e Shqipërisë, të fillojë të kultivojë bindjen se shteti, e jo pushteti është ai që duhet mbrojtur, të ndërtojë institucione shtetërore që nuk do jenë në shërbim të partisë në pushtet, por që do u shërbejnë të gjithë shqiptarëve. Dua të besoj se Edi Rama e ka kuptuar se më lehtë është të sundosh me të tjerët, se sa të mbash pushtetin mbi vetveten! Besoj se e ka kuptuar, se sa më shumë njeriu sundon me të tjerët, aq më shumë e humb pushtetin mbi vetveten, duke u bërë kështu njeri që e humb edhe kontaktin me realitetin! Ramës, tani i mbetet të zgjedh mes dy gjërave: o ta forcojë vetveten dhe partinë që drejton, me çka do e zgjedh fatin e paraardhësve të vet të cilët e gllabëruan ardhmërinë e vendit, o të ndërmarrë edhe masa shkaku që humbësh pikë politik, por që do e forcosh Shqipërinë, që do e bëjnë Shqipërinë mëmëdhe me të cilin do krenohen të gjithë shqiptarët, që do e bëjnë Shqipërinë shtet të cilin të gjithë shqiptarët do e ndjejnë si ombrellë, e cila i mbron dhe i bënë më të fortë ata
Posted on: Wed, 18 Sep 2013 17:43:20 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015