Kukësi, një gol në portën e “Sport Radarit”… NGA GËZIM - TopicsExpress



          

Kukësi, një gol në portën e “Sport Radarit”… NGA GËZIM SINEMATI Ajo që nisi si me shaka, me një batutë të vajzës së Starovës: “Kur do të eliminohet Kukësi, sepse mbetëm pa pushime verore”, paska qenë më shumë se një batutë familjare. Kukësi, për të cilin kishim menduar se është veçse një pacient futbolli kur deklaronin se do të bënin emër edhe në Europë, ka “prishur” pushimet e familjes së madhe të sportit. Në pikun e gushtit, kur vapa do të injoronte çdo befasi të sportit, të gjithë pyesin me habi: “Është e vërtetë kjo përralla me Kukësin?”. Të familjarizuar me sindromin e emrave të njohur, na duket sikur ekipi që kapërcen ture mund të quhet Tirana, Vllaznia apo Flamurtari, por jo Kukësi. Në këtë kuptim, ajo çka po ndodh me ekipin verior është një leksion për shqiptarët. Një bast i humbur edhe për europianët, ata që shkruanin me ironi se “ky ekip mund t’i gëzohet ‘Rrugës së Kombit’, ndërsa rruga për në Europë nuk është kaq e gëzueshme”. Disa kanë frikë nga ajo që mund të ngjasë të enjten, në takimin e kthimit me Metalurgun, por frika më e madhe nuk vjen nga kundërshtari, por nga vetë ne. Cilido qoftë fundi i kësaj ndeshjeje, ekipi i trajnerit Cungu e ka fituar betejën që nuk matet me pikë, por me vlera besimi. Disa bëjnë gabimin naiv që ecurinë e Kukësit duan ta krahasojnë me Flamurtarin e dikurshëm, porse “goli” i vërtetë nuk janë turet që kalojmë, as fakti që akoma nuk jemi mundur pas 5 ndeshjesh, diçka tjetër… që kemi lënë të shokuar edhe “miqtë” e “Sport Radarit”. Kompania, e cila beson se të gjitha ekipet shqiptare, kur shfaqen në Europë, kanë një stil që është më pranë mëkatit sesa lojës së besueshme. Edhe zyrtarët tanë, që zakonisht kanë frikë kur vjen momenti europian i futbollit, në rastin e Kukësit humbën shansin për ta inkurajuar publikisht ekipin që e përcollëm me dyshime në Europë, kurse tani, me hipokrizi, konsiderohet si misionari i “zbardhjes së faqes”. Edhe në Ukrainë janë çuditur me fundin e ndeshjes së parë. Dikush paska shkruar: “Kur shqiptarët luajnë futboll të vërtetë, nuk është çështje truri, por zemre”. Kështu, nën presionin e opinionit dhe të medias, çunat e Metalurgut janë betuar “për të ndalur këtë çmenduri të ekipit që luan sikur nuk ka të nesërme”. Flitet për përmbysje, por nuk kanë zakonin tonë që të caktojnë shifra. Respekt për kundërshtarin apo për një Kukës që po lëshon hije europiane? Vetëm një gjë dihet: presim një ndeshje që në planin teknik ka edhe 90 minuta, ndofta edhe më shumë, mirëpo në planin moral është një sfidë e fituar. Burimi: panorama-sport
Posted on: Tue, 06 Aug 2013 11:38:08 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015