Ligji për Amnisti i miratuar më 11 korrik nga Kuvendi i Kosovës - TopicsExpress



          

Ligji për Amnisti i miratuar më 11 korrik nga Kuvendi i Kosovës kthehet në pikën zero. Kjo për faktin se Gjykata Kushtetuese ka kontestuar dhjetë nenet e këtij ligji, të cilat sipas Kushtetueses, bien ndesh me aktin më të lartë juridik të vendit. Ligji më problematik përmes së cilit ishte paraparë që të amnistohen numër i madh i veprave penale, më 19 korrik është dërguar nga Lëvizja “Vetëvendosje” në Kushtetuese për interpretimin e ligjshmërisë së tij. Vetë deputetët e Kuvendit e pranojnë se sa herë që politika i “fut hundët” në aprovimin e ligjeve, atëherë përfundimi i tyre nuk është i mirë. Ky ligj në korrik të këtij viti u miratua nga Kuvendi i Kosovës me 90 vota për, 17 kundër dhe 1 abstenim, si rezultat i marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes të kryeministrit Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiq, për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi. Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka qenë njëra nga hartueset e Kushtetutës së Kosovës, sqaron se nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese konteston një pjesë të ligjit që bie ndesh me Kushtetutën e vendit. Në një situatë të tillë çfarë është tash Ligji për Amnisti, ajo pohon se Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës duhet t’i marrë parasysh vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese dhe ato nene që janë konsideruar se nuk janë në përputhje me Kushtetutën ose duhet të hiqen në tërësi, ose duhet të ndryshohen, shkruan sot “Zëri”. “Pra ky komision ka për obligim që t’i marrë parasysh të gjitha vërejtjet e Kushtetutës dhe natyrisht arsyetimin e saj se pse këto nene nuk janë në përputhje me Kushtetutën dhe pastaj ta përpunojë ligjin. Andaj, këto pjesë të ligjit në të cilat janë dhënë vërejtjet nuk mund të hyjnë në fuqi për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ajo, duke sqaruar se ligji i kthehet Kuvendit për ndryshimin. Sipas saj, i mbetet legjislativit të Kosovës që të vendosë nëse Ligji për Amnisti duhet t’i kthehet apo jo Qeverisë së Kosovës për ndryshim. Deputetja Osmani, ndërkaq vlerëson se nuk ka nevojë të ndryshohet i gjithë ligji, por ajo tha se duhet ndryshuar vetëm ato nene në të cilat Kushtetuesja ka paraqitur vërejtjet e bien ndesh me aktin më të lartë juridik të vendit. “Ato dhjetë nene të Ligjit ose duhet të ndryshohen, ose të fshihen në tërësi”, ka thënë ajo. E pyetur se si është e mundur që të “gabohet” në hartimin e një ligji që bien ndesh me Kushtetutën pikërisht nga Ministria e Drejtësisë që udhëhiqet nga juristi Hajredin Kuçi, ajo tha se kjo dëshmon se në aprovimin e tij është përzierë politika. “Kjo flet për ndikimin e politikës, sepse edhe ky ligj si shumë të tjera ka qenë pjesë e kompromiseve politike. Andaj, fatkeqësisht sa herë që përzihet politika në raste të tilla përfundimi nuk është i mirë sa i përket anës juridike”, ka thënë deputetja Vjosa Osmani. E kolegu i saj që vjen nga partia në pushtet, Behar Selimi, që është edhe nënkryetar i Komisionit për Legjislacion, thotë se nëse Kushtetuesja ka vlerësua se disa nene të Ligjit për Amnisti janë në kundërshtim me Kushtetutën, atëherë ligji duhet të hyjë në procedurë të re të rishikimit dhe amendamentimit të tij në mënyrë që të bëhet ligj i pranueshëm në aspektin e kushtetutshmërisë. Edhe deputeti i PDK-së, Selimi, thotë se tash pas vlerësimit të Kushtetueses duhet të ndryshohen vetëm ato nene në të cilat janë dhënë vërejtje, por jo edhe i gjithë ligji. “Nenet që kontestohen nga Gjykata Kushtetuese duhet të amendamentohen, përkatësisht të bëhen në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë ai, duke shtuar se ndryshimet nuk do të marrin edhe aq shumë kohë dhe mund të shkojnë me procedurë të shkurtër. E Lëvizja “Vetëvendosje”, e cila ka dërguar në Kushtetuese këtë ligj, thotë se është në pritje të vendimeve të plota të Gjykatës Kushtetuese për ta kuptuar se cili është arsyetimi juridik i saj mbi vendimet e marra, në mënyrë që më pastaj edhe jep qëndrim. “Deri më tani ne nuk i kemi marrë vendimet e plota nga Gjykata Kushtetuese”, ka thënë zëdhënësi i “Vetëvendosjes”, Erzen Vraniqi. Mirëpo, eksperti juridik, Riza Smaka, vlerëson se tash pas fjalës së Kushtetutës duhet të ndryshohet i gjithë ligji, pasi që, sipas tij, ndryshimet eventuale vetëm në 10 nenet e kontestueshme do të mund të reflektojnë në gjithë organikën e ligjit. “Duhet bëhet teksti i ri i ligjit komplet dhe kurrsesi ligji s’mund të hyjë në fuqi pas vërejtjeve që i ka dhënë Kushtetuesja. Tani ato nene janë inekzistente dhe në këtë situatë, ligji duhet t’u nënshtrohet të gjitha procedurave nga fillimi e deri në fund”, ka thënë eksperti Smaka.
Posted on: Thu, 05 Sep 2013 07:54:37 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015