MARRËVESHJA E “DY POLICËVE” DHE “GJELI ME KOKRRËN E - TopicsExpress



          

MARRËVESHJA E “DY POLICËVE” DHE “GJELI ME KOKRRËN E MISRIT” Rrëfenjë Të hënën e kësaj jave dhe të fillimkorrikut 2013 isha ulur në njërën nga karriget e aerodromit të Athinës dhe po gjerbja momentin siç gjerbet kafja kur kohën e ke me tepricë. Avioni i linjës Tiranë-Athinë ende nuk kishte ngjeshur fort rrotat pistës së betontë ndërsa tabela elektronike përcillte vargjet e refrenit të njohur “Prit, ke kohë...” Prisja nga çasti në çast të ngjeshja pas zemrës nipin tim Gurjonin e të shpraznim nip e gjysh mallin që na kishte marrë... Gurjoni ka lindur në Athinë në shtator të vitit 2004 dhe vogëlush çerdheje iku në Shqipëri. Mbi pasaportë, në pikën 6 të saj (vendlindja/place of birth) është shënuar Amarusi, Greqi. Nëpunësi që merr rrogë nga taksapaguesit shqiptarë e ka pas bezdi ta plotësojë deri në fund kërkesën e pikës, përgjigjen në dy gjuhë, në shqip dhe në anglisht, të shkruaj pas fjalës Athinë, fjalën që njihet ndërkombëtarisht Athens... Thashethemet që gëlojnë në internet e në bisedat e pafund rreth temës tepër të përfolur në “fjalorin e frikës” e detyruan vajzën time që ta afronte dërgimin me shoqërues të djalit nga data 5 korrik më 1 korrik. Kufiri zyrtarë i kalimeve “pa problem” të fëmijëve, me firmë e vulë të ministrisë së rendit (për shkak të zgjedhjeve të 23 qershorit) ishte 14 qershor -3 korrik. Këtij kohëkalimi i ishte bashkangjitur me “fjalë në efir”, me “besë policie” marrëveshja e Dy Policëve me gradën përkatëse më të lartë, “Policit të Gjirokastrës” dhe “Policit të Janinës” të cilët kishin shpallur se kalimi do të ishte pa problem për një kohë më të gjatë. Se sa e gjatë ishte kjo kohë nuk u tha. Dy policët e dy ekstremeve kufitare marrëveshjen e tyre e shtrinin vetëm për pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Për pikëkalimet e tjera; atë të Kapshticës, Tre Urave, Qafë Botës nuk u tha asgjë, mbeti në fuqi “mbylla e trinës” më 3 korrik... Ndërsa gjerbja tash bashkë me kafenë e ftohtë ala greke ndodhinë nuk e di pse mu ndal mendja në një nga ato meseletë që i kemi dëgjuar sa e sa herë e i kemi përdorur për të qeshur e për të qarë ndodhi të këtij lloji... ...Një njeriu i ishte mbushur mendja se është kokërr misri. Aq i bindur ishte për këtë sa tmerr për të ishte gjeli. E kam fjalën për gjelin biologjik me dy këmbë, me krahë hapur, me qëndrim kryeneç kur këndon serbes-serbes “majë grumbullit me pleh”. Ranë e morën familja, shokët, miqtë, komshinjtë por ai nuk luante nga e tija: “Unë jam kokërr misri, bërtiste me të madhe, gjeli do të më hajë”. Nuk ia mbushën dot mendjen dhe e çuan në çmendinë. Atje, me mund e bindje të thella mjekësore, ia mbushën mendjen se ai është njeri dhe nuk është kokërr misri. Gjatë shkoj kura por më në fund ai u bind. Kësisoj u vendos që ai të linte spitalin dhe të shkonte në shtëpi. E shoqëroi për në familje një infermier. Me të përdore dolën në rrugë. Ecën e ecën dhe...për dreq para tyre u shfaq me tërë madhështinë e tij një gjel kokoroç... Sapo heroi i rrëfenjës sonë e pa menjëherë ndali dhe nguli këmbët në tokë. - Gjeli!- bërtiti sa iu ngjir zëri. - Le të jetë i tha shoqëruesi, mos u shqetëso. - Do të më hajë...thirri ai i tmerruar. - Pse të të hajë? Ti nuk je kokërr misri, je njeri si gjithë të tjerët. - Unë e di se nuk jam kokërr misri, POR A E DIN KËTË GJELI? ...Kur u përmenda shoh të vrapojë drejt meje nipi im i dashur, të hapë krahët e të futet me ngrohtësi në gjoksin tim. E mora përdore, hipëm bashkë në autobusin dhe ashtu krahë qafë morëm rrugën drejt Athinës. Në mendje kisha pyetjen e heroit të çmendinës tonë: “Unë e di se nuk jam kokërr misri, por a e din këtë gjeli? Vërtet: Nipi im (dhe nipërit e fëmijët tuaj) , unë dhe ne, e dimë se Dy Policë të lartë të dy shteteve tona kanë thënë...por a e dinë këtë shteti ynë që na i ka bërë çorbë pasaportat dhe shteti grek që ka marrë lugën dhe e përzien çorbën sa herë ti dojë qejfi? Abdurahim Ashiku Athinë, 1 korrik 2013
Posted on: Wed, 10 Jul 2013 05:17:15 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015