Mirë se ju gjej, vëllezër dhe motra të Partisë Demokratike - TopicsExpress



          

Mirë se ju gjej, vëllezër dhe motra të Partisë Demokratike të degës Elbasan, zonja e zotërinj, të dashur miq, kolegë, bashkëpunëtorë! Pas shumë kohësh shoh këtu në sallë dhe jashtë kësaj salle miq bashkëpunëtorë të fushatës së 2009-s. Më bëhet zemra mal, tek ju shoh! E di që jeni lodhur të gjithë në këtë fushatë elektorale dhe dua ta nis me një falënderim nga zemra, në emrin tim personal, në emër të kryesisë së Partisë Demokratike, në emër të çdo demokrati, të çdo mbështetësi këtu në Elbasan. Dua t’ju shpreh gjithsecilit prej jush, familjeve tuaja, respektin dhe mirënjohjen e thellë, për sakrificën për mundin dhe për punën tuaj. Të dashur miq! Para 30 minutash isha në Tiranë dhe po ecnim ngadalë. Vetëm 30 minuta! Si thamë në 2009-n? U bë rruga u ça Kërraba. E mbani mend, e thamë në mitingun e fundit të 2009. Kush e ka rradhën? Dhe sheshi bërtiti: - Kërraba! Ja ku është, e mbaruam dhe po na shërben të gjithëve. Jemi të kënaqur, por duhet të jemi edhe krenarë, sepse është pjesë e vendimmarrjes tonë, pjesë e përkushtimit tonë që e kthyem në realitet për elbasanllinjtë dhe gjithë shqiptarët. E bëmë realitet këtë premtim. Bëmë realitet shumë e shumë premtime të tjera, por me 23 qershor nuk korrëm rezultatin që dëshironim, që shpresonim, që besonim dhe që të gjithë ne ishim të bindur se meritonim. Ky moment natyrisht duhet analizuar dhe ju e dini që ka një vendim, për të bërë një analizë të thellë dhe të plotë, një analizë që nuk mund dhe nuk duhet përdorur kurrë as për të larë duart nga përgjegjësitë dhe as për të bërë koka turku, por për t’i shërbyer Partisë Demokratike, të analizojë pjesën e vetë të përgjegjësisë, ta kthejë atë në mësim dhe nga ai mësim të dalim më të fortë, më të përgatitur dhe të triumfojmë në sfidën e ardhshme elektorale, por sot nuk jemi mbledhur as për të nisur këtë proces analize dhe as për të përcaktuar kriteret e këtij procesi analize të cilat nuk duhet të vonojnë. Jemi mbledhur sot, sepse pak ditë pas konstatimit të rezultatit tonë, Kryeministri Berisha, kryetari i Partisë Demokratike dha dorëheqjen e parevokueshme nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike. E bëri këtë, duke marrë mbi vete të gjithë përgjegjësinë. Natyrisht një gjest fisnik, plotësisht në përputhje me moralin e një burri shteti, me moralin e liderit tonë historik Sali Berisha, por natyrisht justifikim i pavërtetë, sepse të gjithë e dimë që përgjegjësia fillon nga gjithsecili prej nesh, fillon nga unë, nga çdokush prej nesh, nga strukturat e Tiranës, Elbasanit, nga Shkodra deri në Vlorë. Gjithsecili prej nesh është përgjegjës për atë çfarë nuk bëmë mirë, për atë që duhet të bënim më mirë, por ky vendim tashmë është marrë dhe me marrjen e këtij vendimi gjithsecili prej nesh ka pësuar në radhë të parë një tronditje por në radhë të dytë kjo është një mundësi për tu bashkuar të gjithë në këtë familje të madhe, një familje e cila është bashkuar në gëzime, do bashkohet edhe sot në këto kohë të vështira. Në shumë kohë më të vështira jemi bashkuar dhe nuk jemi tjetërsuar, jemi rikthyer, ringritur dhe kemi fituar., ndaj dhe sot detyra e parë dhe më e rëndësishme është të jemi bashkë, këtu në këtë sallë, jashtë kësaj salle, kur bisedojmë me njëri - tjetrin, kur komentojmë gjërat. Elementi i parë i reflektimit duhet të jetë, jemi bashkë, mos të lëmë asgjë të hyj mes nesh, demokratëve! Shpifjet, përbaltjet, goditjet, përçarjet janë të gjitha investime të kundërshtarëve politikë. Ne të gjithë bashkë jemi përgjegjës, ne të gjithë bashkë do të analizojmë përgjegjësitë, ne të gjithë bashkë do të ringrihemi, në të gjithë bashkë do të rikthehemi, ne të gjithë bashkë do të fitojmë. Gjithsecili prej nesh duhet të marrë përgjegjësitë në këtë situatë dhe unë jam konfrontuar personalisht me pyetjen, çështjen, dilemën e përgjegjësisë time në këtë moment, dilemë të cilën do ta kisha dëshiruar me gjithë shpirt, sikundër gjithsecili prej jush, të mos kishte qenë e pranishme në këtë moment, por ajo erdhi dhe në politikë sikundër në luftë, betejat nuk zgjidhen. Përballemi dhe fitojmë, ose largohemi nga fusha e betejës me turp! Ju nuk më njihni për të tillë, apo jo!? E pra, pas konsultimeve, mesazheve të panumërta, shumë prej tyre nga ju të dashur bashkëpunëtorë të mi të fushatës në Elbasan, pas bisedës me kryeministrin Berisha, siç e kam bërë publike, në këtë situatë, duke mos u nisur nga asnjë ambicie personale por nga ndjesia e përgjegjësisë, vendosa të paraqes kandidaturën për kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë. Ky është një vendim shumë i vështirë, shumë i rëndë dhe rrethanat për këtë ju i mirëkuptoni më shumë se çdo kush tjetër, anëtarët e partisë Demokratike. Ne jemi të vetëdijshëm për historinë tonë, për trashëgiminë tonë, dhe për peshën e vendit që është lënë bosh. Natyrisht ngushëllimi është, kryeministrin e kemi këtu dhe siç ka thënë edhe vetë do të vazhdojë të jetë pjesë e përpjekjes tonë për ringritje, fillim të ri dhe rikthim të fuqishëm me fitore, por çfarë do të thotë të qëndroj para jush këtu dhe të kërkoj besimin tuaj, për këtë detyrë të lartë, kaq të rëndësishme, në këtë moment kaq të vështirë?! Dua t’ju shpalos fare shkurt disa nga pikëpamjet e mija, për mënyrën sesi unë e shoh rrugën tonë përpara. Pikë së pari, siç e thashë në fillim të fjalës time, e shoh këtë si një rrugë ku të gjithë jemi bashkë, që nga anëtari më i ri deri tek më i vjetri veteran i Partisë Demokratike, që nga kontribuesit më të ethshëm, deri tek ata që për çfarëdolloj arsye këtë fushatë, apo fushatat e fundit nuk kanë dhënë gjithçka. Dhe fillimi, nisja, zanafilla e projektit tonë politik, sipas Lulzim Bashës nis me anëtarët e Partisë Demokratike, në çdo cep të vendit, me përfshirjen në këtë proces, duke vendosur një raport të drejtë midis kontributit, meritës dhe përgjegjësisë. Shumica e anëtarëve tanë janë njerëz fisnikë, me dimensione shumë më të larta se sa unë, shumë të tjerë të skalioneve më të larta të Partisë Demokratike, por ne jemi në sytë të kamerave, marrim shpeshherë meritat, ndërkohë që anëtarësia e Partisë Demokratike, militantët e Partisë Demokratike në tërësi janë njerëz punëtorë, të vendosur luftarakë, gjithmonë kontribuues dhe gjigandë në kontributin e tyre, të heshtur dhe të tërhequr në pretendime dhe përfitime. Pra, kjo rrugë nis me një borxh të madh ndaj anëtarësisë të Partisë Demokratike, por po kështu është një aset i madh, i cili vë në punë me eficencë, me rregulla loje që garantojnë akses të barabartë, mundësi të barabarta për të dhënë kontribut, dhe njohje të drejtë dhe transparente meritës të gjithsekujt, kthehen në një potencial të jashtëzakonshëm, në një fuqi të pathyeshme njerëzore, siç provojnë të gjitha fushatat tona ku kemi dalë fitues. Fillimi i projektit të ri politik, për mua është procesi i dëgjimit të zërit të çdo anëtari të Partisë Demokratike, në çdo cep të Shqipërisë, marrja parasysh e dëgjimit të gjerë të anëtarësisë së Partisë Demokratike, reflektimi së bashku me ta, mbi bazën e atyre që ne marrim nga ky proces. Dëgjimi duhet dhe do të jetë pararendje e analizës, ndryshe ne rrezikojmë që analiza të kthehet në formalitet. Së dyti dhe duke shikuar përpara, ndërtimi i një sistemi të qartë dhe transparent i aksesit, meritës dhe kreditimit, për kontributet e çdo anëtari dhe garantimi i anëtarësisë në tërësi në mënyrë statusore, strukturore dhe me çdo instrument të mundshëm, në përputhje me përvojat më të mira të partive moderne evropiane, ky proces të ndodhë para dhe pas çdo procesi zgjedhor. Natyrisht, përpjekja duhet të fillojë diku tjetër, tek evidentimi i plotë i potencialit kudo që e kemi, sepse potenciali jonë sikundër anëtarësia jonë, është një ajsberg, shpeshherë i duket vetëm maja, por ka një masë të madhe poshtë, masë e cila bëhet kritike dhe vendimtare në kohë fushatash në qoftë se motivohet ashtu siç duhet. Dhe po flas vetëm për anëtarësinë, por pas tyre vijnë mbështetësit, simpatizantë, shoqata partnere, LDG, FRPD-ja e shumë e shumë faktorë të tjerë të shoqërisë. Si do ta bëjmë këtë proces? Në pikëpamjen time është e domosdoshme që procesi të jetë larg çdo kulisi, çdo tentative dhe yshtje, demonizimi, klanizimi apo grupimi, larg çdo motivimi personal apo grupor brenda strukturave të Partisë Demokratike, pa favore të pamerituara për askënd, por pa paragjykuar askënd. Ky është një proces që nuk mund të kryhet as brenda ditës as brenda javës, apo brenda muajit, por është një proces që duhet të nisë një orë e më parë, duhet të jetë i vërtetë i prekshëm, dhe është leva më e fuqishme e motivimit të anëtarësisë tonë dhe një anëtarësi e motivuar e partisë Demokratike e ka provuar shumë mirë se ç’di të bëjë në fushën e betejës sa herë kemi fushata. Natyrisht ky është një proces i brendshëm por reformimi i Partisë Demokratike, sikundër kjo garë është nuk qëllim në vetvete. Ne nuk jemi klub automobilistësh ne jemi Partia Demokratike e Shqipërisë, ne synojmë të marrim pushtetin në emër të interesave të Shqipërisë. Sot ne jemi opozita shqiptare dhe ta pranojmë një orë e më parë dhe të marrim përgjegjësitë që na takojnë! Angazhimi im është që të nisim sa më parë përgatitjet për një opozitë eficente, të strukturuar, të vendosur dhe të pa kompromistë për interesin publik. Kjo duhet dhe do të bëhet në të gjithë nivelet. Nis natyrisht me grupin tonë parlamentar i cili do të jetë një bërthamë e fortë e opozitës në Parlament por vazhdon në çdo nivel të qeverisjes vendore e kudo tjetër, ndodh në çdo nivel të bashkëveprimit tonë shoqëror dhe politik. Përballë kemi një mazhorancë të votës së deformuar. Mos më keqkuptoni! Nuk po vë në pikëpyetje rezultatin, por legjitimitetin. Jo të rezultatit, por të formave, mënyrave dhe moralit të kësaj mazhorance. Kjo mazhorancë ka të gjithë të dhënat të jetë prepotente, e babëzitur, e papërgjegjshme dhe larg çdo standardi që presin sot qytetarët shqiptarë, veçanërisht standardit që ne synojmë. Kjo mazhorancë ka ardhur në pushtet me premtime që nuk i mban dot dhe që dyshoj se as nuk ka ndër mend t’i mbaj, pra as nuk do të rreket t’i mbajë. Kjo mazhorancë, së shpejti ka të gjithë shanset të na shfaqet në opozitë të hapur me interesin publik dhe në pikëpamjen time, ky është momenti kur Partia Demokratike, si partia më e madhe dhe kryesore e opozitës së vendit duhet të jetë në opozitë me këtë mazhorancë dhe në mazhorancë me interesin publik të qytetarëve shqiptarë. Këtë mund ta bëjmë, kur paralelisht dhe pas procesit të ringritjes, ristrukturimit dhe gjithpërfshirjes së anëtarësisë së Partisë Demokratike, të kemi ndërtuar instrumente të përhershëm dhe efiçentë të komunikimit me çdo pjesë tjetër të shoqërisë shqiptare, me shoqërinë civile, me botën akademike, me rininë, me biznesin, të vogël e të mesëm, me çdo grup interesi, duke ndërtuar së bashku një mazhorancë morale e cila nesër duhet dhe do të jetë mazhoranca zyrtare e Shqipërisë evropiane. Përpara se të shkojmë atje, ne duhet të provojmë kredencialet tona, në mbrojtjen e këtij interesi publik dhe kjo kërkon përkushtim në çdo nivel, pikë së pari në nivelin e Partisë Demokratike, në strukturën e saj në degë, për të vigjiluar me vendosmëri dhe pa asnjë lëshim në mbrojtjen e shtetit ligjor, institucioneve dhe administratës publike. Arbitrariteti dhe abuzimi me administratën publike janë tashmë një rekord i vendosur nga protagonistët e mazhorancës aktuale. Dua sot, si pjesë e vizionit tim për të ecur përpara por edhe si vendim timin personal, t’ju komunikoj juve dhe nëpërmjet medias, mazhorancës së ardhshme, që Partia Demokratike do të angazhohet në çdo formë dhe mënyrë, për të mbrojtur shërbimin civil dhe në funksion të kësaj do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të evidentuar një më një çdo shkelje flagrante, nga fshati më i thellë i Vermoshit në Konispol, të kësaj mazhorance, në raport me shërbimin civil dhe administratën publike dhe se do të angazhojë të gjithë potencialin e vet njerëzor, ligjor dhe juridik, në rast të abuzimit të tyre, në raport me shërbimin civil dhe administratën publike, për t’i përballur me koston financiare, juridike dhe politike para qytetarëve shqiptarë. Të dashur miq! Në këtë përpjekje kam hyrë sepse nuk ndihem vetëm, jemi bashkë, por nuk jemi vetëm as në një kuptim tjetër. Ne tashmë jemi një parti që ka ndërtuar një traditë të vyer, më të vyerën në historinë e Shqipërisë moderne. Ne jemi partia që bëri të mundur shpërthimin e vargonjve të diktaturës, me në krye Azem Hajdarin dhe studentët liberatorë, ne jemi partia që i dha shpresë vendit më të pashpresë në planetin komunist, ne jemi partia që luftoi dhe vendosi bazat e lirisë dhe demokracisë në një vend të tjetërsuar nga diktatura më e egër që fshiu çdo memorje të deçencës, pronës dhe u përpoq të fshinte edhe elementët më thelbësorë të qënies njerëzore, besimin në Zot. Ne jemi partia që bëmë të mundur në një kohë të shkurtër, të ngrihemi nga një ndër kolapset më të tmerrshme ekonomike që ka njohur ndonjë shoqëri në Evropën e pas-luftës së dytë Botërore dhe të vendosmin themelet e ekonomisë së tregut. Ne jemi partia që qëndruam, nuk u tjetërsuam dhe bëmë qëndresën më historike pas rebelimit të 1997, për t’u rikthyer me votë në 2005. Ne jemi partia e vlerave të mëdha, ne jemi partia e njerëzve gjigandë në besimin e tyre në liri, në demokraci, në integrim. Ne jemi partia e përpjekjes dhe sakrificës. Jemi partia e Sali Berishës! Kjo është një përvojë e çmuar, në të cilën nëse më besohet kjo detyrë e lartë, unë kam ndërmend të mbështetem fort, për të ndërtuar lidershipin e së ardhmes, bazuar mbi vizionin tonë, programin tonë, kodin tonë gjenetik të Shqipërisë euroatlantike, të Shqipërisë së zhvilluar evropiane. Ne nuk jemi vetëm, në opozitë dhe nuk jemi vetëm në universin politik. Për herë të parë, me ndonjë përjashtim që nuk vlen të përmendet, ne jemi sot e djathta e bashkuar shqiptare. Ky është një investim i cili duhet të fuqizohet, jo thjesht për PD por për interesin publik sot dhe për rikthimin tonë si mazhorancë nesër. Në platformën time qëndron edhe vullneti për një bashkëpunim të hapur me të gjithë faktorët e djathtë, në formatin e një të djathte të bashkuar shqiptare, qëndrestare të vlerave dhe rikrijuese të vlerave që do të na kthejnë së pari në mazhorancë morale dhe së dyti në mazhorancë zyrtare. Natyrisht, lidershipi i mbetet bashkë me përgjegjësinë Partisë Demokratike dhe ky lidership duhet dhe do të demostrohet në disa mënyra, në qëndrimin tonë të palëkundur dhe pa kompromis në opozitë me këtë mazhorancë, për të gjithë arsyet që përmenda por në përputhje me atë çka qytetarët shqiptarë presin dhe janë mësuar të kenë nga demokratët, interesi kombëtar mbi të gjitha. Ne do të vigjilojmë për përfundimin e të gjithë projekteve publike që ne kemi nisur dhe nisjen pa pretekst e pa vonesë të të gjithë projekteve që ne u kemi premtuar qytetarëve shqiptarë, si e mirë publike e tyre. Ne do të vigjilojmë për moszhbërjen e atij kuadri të rrogave e pensioneve dhe traditës së vazhdueshme të tyre, siç u demonstrua edhe nga vendimi i sotëm i qeverisë së Kryeministrit Berisha. Ne do të vigjilojmë mbi klimën e biznesit që ne arritëm të krijonim në Shqipëri, në kushtet e ciklonit ekonomik. Besimi ynë është i qartë: Mirëqënie përmes punësimit, punësim përmes investimeve, investim përmes klimës së biznesit! Kjo është trashëgimia jonë. Ne do e mbrojmë dhe do e çojmë atë përpara! Këtë proces që ne nisim sot po e bëjmë për herë të parë por ne do të mbështetemi fort tek shpirti ynë demokrat, tek virtytet tona që janë ndoshta edhe kontrasti më i madh me kundërshtarët tanë tradicionalë politikë. Unë dua t’ju kërkoj edhe njëherë që në këtë proces, të hyjmë me dinjitet. Jemi të lodhur nga beteja, pa dyshim, por jemi dinjitozë dhe krenarë për atë që i dhamë Shqipërisë në këto 8 vite. Jemi të mërzitur nga rezultati, pa dyshim por nuk do të shpikim as armiq imagjinarë dhe as nuk do të bëjmë të papërgjegjshmin. Sëbashku ne do të analizojmë dhe lexojmë me kujdes e durim, me mençuri gjykimin e votuesit shqiptar dhe kur ta kemi lexuar e përkthyer në veprimet politike që ne do të ndërmarrim së bashku, kur ne të gjithë së bashku të kemi “shkyçur” potencialin e jashtëzakonshëm që PD mbart në gjirin e saj, nëpërmjet anëtarëve dhe militantëve të saj, kur të kemi rifituar zemrat dhe mendjet e shqiptarëve, duke u treguar atyre se ne ishim të vërtetë në premtimet tona, se premtimet tona i bëmë realitet, ja ku janë dhe se përballë kanë njerëz të papërgjegjshëm që janë gati të thonë gjithçka për pushtet, atëherë ne do të hedhim hapin e parë, hapin e parë të fortë dhe të sigurt, jo në fushën e betejës por në fushën e mendjes së të gjithë shqiptarëve që kanë treguar në vite e dekada besimin tek PD dhe tek forca jonë transformuese. Ju ftoj ta nisim këtë garë me një sens të madh përgjegjësie, me një sens të madh bashkimi, larg çdo negativiteti por më të vendosur se kurrë që të dalim të bashkuar, të kthjellët të vendosur dhe gati për betejën e ardhshme, gati për fitore!
Posted on: Sat, 06 Jul 2013 20:36:02 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015