Moda e kapuçave… Postuar me / 14.07.2013 Sami Islami Deri - TopicsExpress



          

Moda e kapuçave… Postuar me / 14.07.2013 Sami Islami Deri para Luftës së Kosovës dhe para “demokracisë” së Shqipërisë londineze, edhe pse njerëzit magjistronin dhe doktoronin, këto ngjarje përfundonin pa ndonjë publicitet të madh. Mjaftonte që një komision i caktuar i fakultetit etj. të jepte vendimin se ky apo ai kandidat ishte i denjë të merrte një titull akademik, që ishte diçka vërtetë meritore. Se për ata që kryenin thjesht një fakultet a shkollë të lartë, ishte diçka aq e rëndomtë sa nuk çonte fare peshë. Dhe ja, kohë të reja dhe zakone të reja! Me “demokracinë” u hap Shqipëria londineze, u çlirua Kosova! Iku kush iku , dhe mbeti kush mbeti. Pas luftës në Kosovë erdhën ndërkombëtarët, për t’u treguar shqiptarëve, përveç tjerash, edhe “kulturën” dhe të arriturat botërore! Në këto kontingjente (si pjesëtarë të UNMIK-ut) nuk munguan as ndërkombëtarë nga Bangladeshi, Pakistani Afganistani, që kishin sjellë edhe pasta për dhëmbë dhe brusha për t’i “mësuar” shqiptarët (të Kosovës) se si t’i lanin dhëmbët! Në vendin tonë hyri kuca dhe maca - si thonë. Sepse, u hap dera… Shqiptarët e të dy anëve të kufirit, njëra pjesë e çliruar nga një sistem totalitar komunist, kurse pjesa tjetër nga sundimi serb, të etshëm për demokraci dhe për liri, nisën të hapin biznese ndër më të ndryshmet. Privatizimi filloi të lulëzonte më shumë se në asnjë vend tjetër! Në mesin e këtyre bizneseve, u hapën kolegje, universitete private. U hapen aq sa vetëm Kosova bëri më shumë universitete private se krejt Anglia! Mbinë universitetet dhe kolegjet si kërpudhat pas shiut! Tani nxënësit e shkollave të mesme, posa diplomonin kishin mundësi sa të donin për të “zgjedhur” kolegje ose universitete private. Po, ama me një kusht: duhej të kishin lekë, se privatizimi këto i ka. Paguaje shkollën në daç të kesh “sukses”! Se pas kryerjes së këtyre kolegjeve a universiteteve, a do të mundnin të gjenin punë apo jo, ishte çështje tjetër. Kolegjet dhe universitetet filluan të mbushen me studentë. Në rend të parë, në këto universitete e kolegje u regjistruan dhe i “kryen”, madje morën edhe tituj akademikë, qeveritarët (ata që nuk kishin kryer asgjë para luftës, po tash u kishte ardhur uji në mulli, e pse të mos shfrytëzohej ky rast?!), pastaj deputetët, pastaj fëmijët e qeveritarëve, biznesmenëve, e krejt në fund ndonjë studentë nga prindër me biznese të vogla… Për dy-tri vitet e para të pasluftës, Kosova u mbush me “doktorë” e “magjistra” të shkencave! Së pari “doktoruan”, siç thamë, ministrat (se atyre u duhej t’i kishin këta tituj, për të qenë të “denjë” të qëndronin në pozita më të larta shtetërore dhe, natyrisht, të “dëshmonin” se ishin edhe më të diturit!), e pastaj “doktoruan” ose “magjistruan” gratë e disa ministrave dhe të deputetëve… A, mos të harrojmë të theksojmë se qysh prej “përfundimit të studimeve” të gjeneratës së parë, në Kosovë hyri në “modë” edhe një lloj ceremonie, ku të gjithë studentët që i përfundonin studimet kurorëzoheshin me kapuça (traditë e ardhur nga Perëndimi , sigurisht!). Dhe, interesant se që të gjithë që regjistroheshin në këto universitete private , të gjithë “i kryenin” pothuaj përnjëherë studimet! Ajo çka nuk mund të anashkalohej ishte periudha kohore. Këtu së paku nuk shkelej ligji, se për cilësi u pa puna! Nuk ka ngecje këtu, se Kosova po përparon mirë! Sa hijeshi kur i sheh gjithë këta “doktorë”, e “doktoresha”, “magjistra” e “magjistresha” me kapuça! Të lumtë ne që i kemi! Pa çka se nuk dihet se ç’kanë nën ata kapuça! Nejse. Me rëndësi është se ne po japim një “imazh” shumë të mirë botës me numrin e “intelektualëve”. Këta burra dhe gra pastaj, meqë janë “të kualifikuar”, mund të hyjnë në punë, madje pa konkurrencë në poste më të larta të institucioneve shtetërore të Kosovës. Shpesh më ka rënë t’i dëgjoj disa deputetë e ministra të Kuvendit të Kosovës (në veçanti), të cilët “doktoruan” pas luftës në universitetet private ose edhe “shtetërore”, që me gjuhën që flasin, e që sigurisht është edhe një lloj barometri i ngritjeve intelektuale të këtyre “akademikëve”, të bëjnë të vjellësh. Kultura e shprehjes së tyre nuk e kalon nivelin e një personi me shkollë të mesme! Dhe, kjo është ana e vërtetë e medaljes! Po, ama, këta “doktoruan”! Këta kanë edhe fotografitë si dëshmi që shpesh i botojnë edhe në media, pse jo edhe në rrjetet sociale, si në Facebook apo Twitter me kapuça katrorë në kokë që simbolizojnë njerëzit e “ngritur”. Në rangun pak më të “ulët” janë kolegjet. U hapën në gjithë Kosovën aq shumë “kolegje” sa që nuk e di kush të thotë saktë se sa janë. Edhe këtu, si në universitete, “kriteri” ishte sa kishe lekë dhe sa kishe “të njohur”. Nuk ka raste që dikush nga studentët të ketë përsëritur vitin! Se edhe nëse ndonjë prej profesorëve do të ngulte këmbë për të mos e “kaluar” ndonjë student, do të kishte efekte të dyanshme “negative”: pronari i biznesit nuk do ta lejonte, se do t’i rrezikohej atij biznesi, e me gjasë edhe profesorit rroga! Këta studentë e studente, kur i sheh duke shkuar në universitete a kolegje, fiton përshtypjen se janë duke shkuar sa për ta kaluar kohën. Më rastisi një herë të jem para një kolegji në Prishtinë në kohën kur “studentët” shkonin në mësim dhe u befasova se nuk pashë studentë me çanta. Pothuaj të gjithë shkonin me duar në xhepa! Derisa po qëndroja para kolegjit, takova një mik timin nga koha e studimeve tona, shumë vjet të para luftës. Dhe, derisa po bisedonim për punën e studimeve, ai ma priti: “E kam një kushëri timin në këtë kolegj. Një ditë e mora me veturë dhe e solla deri këtu. Kur u ktheva vërejta se e kishte harruar një fletore me shënime në veturën time, të cilën, s’erdhi me e marrë kurrë! Një ditë shoh në internet se e gjithë gjenerata e kushëririt tim kishte dilplomuar! Të gjithë kishin vu kapuça në kokë (djem e vajza). Edhe kushëriri im kishte vu kapuçin në kokë! Të gjithë i kishin ‘përfunduar’ studimet”! Ky është realiteti i studimeve private edhe sot e gjithë ditën! Dhe, më e keqja është se ata nesër do të hyjnë në vende të ndryshme të punës, ku kërkohet shumë përgjegjësi profesionale! Cilësi se jo mahi! Ky “revolucioni” i kapuçave, në kohën e këtij transicioni të tejzgjatur, ka shumë të ngjarë që shpejt, si dëshmi për përfundimin edhe të maturës, pra shkollës së mesme (pse jo edhe të shkollës fillore!), të hyjnë në modë kapuçat. Askush nuk mund të na ndalojë të kënaqemi me “sukseset” tona! Edhe në qoftë se sot për sot për nga cilësia jemi në fund të pusit, bile me kapuça jemi të parët! Zgjodhi: (boss) Burimi: telegrafi/?id=26&a=6072
Posted on: Sun, 14 Jul 2013 19:51:36 +0000

Recently Viewed Topics




© 2015