Mustafa: Ekonomia e Deçanit do të lidhet me Shqipërinë, - TopicsExpress



          

Mustafa: Ekonomia e Deçanit do të lidhet me Shqipërinë, Plavën dhe Gucinë Gjatë tubimit me qytetarët e Deçanit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), akademik Isa Mustafa, ka thënë se, pas fitores së LDK-së në këtë komunë, Deçani do të ketë një trajtim të veçantë si zonë kufitare dhe do të krijojë lidhje të veçanta ekonomike me Shqipërinë, Plavën dhe Gucinë. “Deçani do të trajtohet në qeverinë e ardhshme të LDK-së në mënyrë të veçantë si zonë kufitare, sepse ekonominë e kësaj komune do ta lidhim edhe me Shqipërinë, Plavën e Gucinë. Në këtë mënyrë të rinjtë e Deçanit do të gjejnë punë këtu dhe do ta ndjejnë ardhmërinë në vendin e tyre, sepse zhvillimin nuk e meritojnë vetëm një klasë politike, siç po ndodh tani, por të gjithë qytetarët”, ka thënë kryetari Mustafa. Ai ka potencuar se me programin e LDK-së biznesi në Deçan do të zhvillohet i lirë, pa ndikim politik, sepse LDK-ja synon që bizneset në Deçan të mos jenë më vetëm kazinotë dhe lojërat e fatit, por do të krijojmë kushte për zhvillimin e industrisë, e cila kanë qenë e zhvilluar më parë në këtë pjesë të vendit. Mustafa ka thënë se Deçani ka traditë pune, “ju keni aftësi dhe nuk është aspak e arsyeshme, që njerëzit në Deçan të mos kenë punë dhe që Deçani të jetë i pazhvilluar”. Gjatë tubimit me qytetarët e Deçanit, Mustafa ka thënë se Kosova krenohet me dëshmorët që i dha Deçani, Gjakova, Juniku dhe krejt Kosova. “Deçani dhe krejt Kosova kanë arsye të krenohen me juve familje të dëshmorëve, me luftëtarët e lirisë, veteranët e luftës- bashkëluftëtarë të Sali Çekut. Deçani ka arsye që të krenohet edhe me kryetarin e ri të Komunës dhe ai është kandidati i LDK-së, Blerim Bajraktaraj”, ka thënë kryetari Mustafa. Duke folur për programin e LDK-së për Deçanin, kryetari Mustafa ka thënë se ne sivjet do ti fitojmë komunat dhe vitin e ardhshëm Kosovën, “prandaj ju premtoj se do ti japim një përkrahje të plotë zhvillimit të Deçanit”. “Programi i Blerimit është shumë konkret, sepse prek jetën e çdo qytetari, dhe gjen zgjidhje për preokupimet e tij, prandaj ne me zgjedhjen e Blerimit Bajraktaraj kryetar të komunës, ne i zgjidhim problemet e Deçanit”, tha kreu i LDK-së. Kryetari Mustafa ka thënë se ne dëshirojmë që jo vetëm në Deçan por në gjithë Kosovën, të kemi një qeverisje të mirë, që respekton ligjin, dëshirojmë që edhe brenda edhe jashtë Kosovës, të mendojnë pozitivisht për vendin tonë, sepse këtë shtet e kemi krijuar për tu krenuar me të, për ti zgjidhur problemet tona, e kemi krijuar që ne të jemi vendimmarrës. Blerim Bajraktaraj, kandidat për kryetar të komunës së Deçanit, ka thënë se Deçani ka kushte dhe resurse të mëdha natyrore, siç janë zhvillimi i sektorit të bujqësisë, blegtorisë, pemëtarisë, bletarisë, pylltarisë, shfrytëzimit të bukurive natyrore të Bjeshkëve të Nemuna për krijimin e kapacitete të turizmit, të cilat janë të veçanta jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. “Fatkeqësisht Deçani sot është komuna më e pazhvilluar në Kosovë. Deçani është shndërruar në një vend të pasigurt për investitorë, një vend i haraçit dhe krimit të organizuar, fajdeve korrupsionit, shkelje të ligjit, zhvatje të parasë publike. Tani është momenti më i duhur që ti ndalim këto zhvillime kaq negative për komunën tonë”, ka thënë Bajraktaraj. Ai ka shtuar se me marrjen e qeverisjes lokale nga LDK-ja, do të kryejmë obligimin që kemi, jo vetëm ndaj nesh, por edhe për gjeneratat e reja, në mënyrë që të krijojmë vendin e mundësive për ta, vendin e sigurt, të zhvilluar dhe të admirueshëm për të jetuar dhe përparuar, për hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik të gjithmbarshëm. Programi i LDK-së për Deçanin, sipas Bajraktaraj, ka dy qëllime kryesore, e para qeverisje e mirë, e dyta zhvillim ekonomik.
Posted on: Mon, 14 Oct 2013 14:21:01 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015