Nis epoka ‘Ançeloti’, tek Reali për 3 vite AncelotiPankina - TopicsExpress



          

Nis epoka ‘Ançeloti’, tek Reali për 3 vite AncelotiPankina e Realit të Madridit ishte bërë gati për të prej të paktën disa javësh, por fillimisht nevojitej që edhe PSG-ja të mbushte vendin e lënë bosh prej tij. Por, nga mesdita e djeshme, kur të gjitha pjesët u vunë në vendin e tyre, erdhi edhe zyrtarizmi: Karlo Ançeloti është trajneri i ri i Realit të Madridit. Pas sukseseve në Itali, Angli dhe Francë, tashmë 54-vjeçari do të nisë një epokë të re në Spanjë, me synimin për të barazuar rekordin e italianit tjetër, Xhovani Trapatoni, i vetmi deri më sot që ka festuar tituj në katër shtete të ndryshme: Itali, Gjermani, Portugali dhe Austri. Kontrata - Ndonëse firma ka ardhur vetëm në mesditën e djeshme, presidenti i Realit, Florentino Perez, e kishte zyrtarizuar këtë marrëveshje që një natë më parë, kur në një intervistë festoi teksa mori sigurinë e kësaj blerjeje të rëndësishme: “Më në fund Ançeloti është trajneri im. Pas shumë betejash, do ta gëzojmë edhe ne Karleton, por më nevojitet vetëm leja e PSG-së për të vënë firmën në kontratë”. Kjo leje e famshme erdhi dje në selinë e klubit madrilen, në të cilin “strategu” italian, fituesi edhe i dy Liga Kampionesh me Milanin, ka vënë firmën në kontratë për të paktën tri vitet e ardhshme. Për momentin nuk janë zbardhur ende shifrat financiare, ndonëse paga e tij pritet të jetë mes 8-10 milionë eurove neto në sezon. Për t’u theksuar është se Reali i ka paguar 4.5 milionë PSG-së për prishjen e kontratës. Kështu, Ançeloti do të prezantohet sot, ora 13:00, në sallën “Vip” të konferencave brenda stadiumit mitik, “Santiago Bernabeu”. Pasues i Murinjos - Paradoksi i madh i kësaj historie është se Ançeloti do marrë jo vetëm pankinën e një prej klubeve më të mëdha të botës, por do pasojë në të “të urryerin” Zhoze Murinjon, me të cilin në kohët e derbit Milan- Inter në Serinë A, në sezonin 2008-2009, pati mosmarrëveshje dhe grindje në distancë. Por, sido që të shkojë, “Karleto” e ka treguar se nuk është një fitues mediatik (madje është nga ata që u shmanget shumë atyre), por një fitues në fushë. Këtë e ka treguar me Milanin, duke fituar shumë tituj (mbi 57 për qind të takimeve të luajtura), ndërsa në aventurat e tjera me Çelsin dhe PSGnë përqindja e suksesit kalon 63 përqindëshin. 54-vjeçari nga Rexho Emilia është trajneri i dytë italian i historisë së Realit pas Fabio Kapelos, që e drejtoi këtë skuadër fillimisht në sezonin 1996-1997 dhe për t’u rikthyer më pas në 2006-2007. Por, në të njëjtën kohë, Ançeloti është italiani i pestë që shkel në këtë klub, pas Kapelos, ishmbrojtësve Kristian Panuçi e Fabio Kanavaro, si dhe ishfantazistin Antonio Kasano. Nga Saki, Maldini e Ibrahimoviç, ja si vlerësohet Karlo… Arrigo Saki: “Ançeloti është një garanci për çdo klub. Kur mora drejtimin e Milanit e pyeta Berluskonin nëse do ma blinte Karlon dhe ai nuk vonoi të ma plotësonte dëshirën. Në fundin e viteve ’80 ishte mesfushori më i mirë në Itali, sepse dinte jo vetëm të luante kudo dhe me vizion të qartë e efikasitet, por që atëherë dukej që do të ishte një trajner i madh. Jo më kot, deri më sot të gjitha ekipet e Ançelotit kanë treguar se dinë të luajnë jo vetëm në mënyrë kolektive, por edhe individualisht”. Paolo Maldini: “Nga të gjithë trajnerët që kam pasur, askush tjetër nuk ka ditur ta administrojë më se Ançeloti. Me qetësinë dhe maturinë e tij ai jo vetëm tërhiqte të gjithë vëmendjen te vetia dhe mbante në përqendrim total skuadrën, por dinte të na nxiste edhe psikologjikisht për të dhënë më të mirën në fushë. Jam i bindur se fitoret e fundit të Milanit erdhën vetëm si rrjedhojë e qetësisë dhe bindjes që ai transmetonte dhe, falë këtij karakteri, u përsërit edhe te Çelsi dhe PSG-ja, por sidomos jam i bindur që te Reali do bëjë magjirat e radhës”. Tiago Silva: “Do ishte e kotë të shpenzoja fjalë për Ançelotin, por pikat e tij të forta janë se ai di të flasë me gjuhën e futbollit, kërkon të luajë gjithmonë në sulm, mendon vetëm për fitoren, por mbi të gjitha është i vetmi trajner që di të administrojë 5-10 kampionë të mëdhenj, por disi grindavecë brenda një skuadre”. Zlatan Ibrahimoviç: “Unë kam punuar me trajnerë të mëdhenj, por kurrë nuk kam parë që të gjithë lojtarët të ishin të lumtur siç ndodh me Ançelotin. Karlo i bën të gjithë të ndihen të sigurt, sepse me butësinë dhe elegancën e tij arrin të bindë edhe një bishë si unë, që nuk i fal shumë shpesh kritikat apo pankinën”. Alesandro Kostakurta: “Çelësi i suksesit të Ançelotit? Asnjë trajner tjetër në botë nuk ka nervat e tij, të forta si hekur. Edhe kur të gjithë bërtasin ai qëndron në heshtje, duke të detyruar të kuptosh se fjalët zbatohen në fushë, siç kërkon ai”.
Posted on: Wed, 26 Jun 2013 16:45:58 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015