Një 20-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë dhe me disa fraktura - TopicsExpress



          

Një 20-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë dhe me disa fraktura në trup, pasi duke tentuar t’i ikte policisë pas vjedhjes që kishte kryer në një apartament, është hedhur nga dritarja e tualetit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit të djeshëm, në apartamentin që ndodhet në katin e dytë të pallatit të të përndjekurve politikë, në afërsi të postës së Alliasit në Tiranë. Hajduti i plagosur, Xhulio Noka, i cili më parë kishte vjedhur një makinë dhe një pikë shitjesh gazetash, po në të njëjtën zonë, ka rrezikuar duke kryer edhe një vjedhje tjetër, që në fakt ndodhej një kat më poshtë shtëpisë së oficerit të Policisë që e kishte në ndjekje prej disa kohësh. Vjedhja është kryer në apartamentin ku banon çifti Qamil e Liri Çuni, me dy fëmijët e tyre 15 e 13-vjeçarë. Ata ndodheshin në gjumë kur i dyshuari është futur në banesën e tyre, duke përdorur hekurat e dritares së komshiut të katit të parë dhe nga aty është futur në tualetin e apartamentit. “Ne ishim në gjumë në atë orë dhe nuk kishim ndjerë asgjë. Im shoq u zgjua rreth orës 05:20, sepse kishte vënë celularin në zile, pasi duhej të nisej për në punë dhe kur doli nga dhoma, pa në afërsi të derës së tualetit pantallonat e tij. Më vonë e kuptuam që dikush na kishte hyrë në shtëpi për të vjedhur. Ai kishte marrë paratë që ndodheshin në xhepin e pantallonave të burrit dhe i kishte hedhur në tokë. Kishte marrë edhe çantën e vajzës dhe ka tentuar të dalë sërish nga dritarja e tualetit nga ku kishte hyrë”, tregoi dje e zonja e shtëpisë ku ndodhi ngjarja, Liri Çuni. Më pas ajo rrëfeu se kishte qenë fqinji i apartamentit në katin e tretë, sipër tyre, punonjës policie i Komisariatit Nr.4, që kishte trokitur në derën e tyre, duke u treguar se çfarë kishte ndodhur. Pra, që një person u kishte hyrë në shtëpi për të vjedhur dhe ishte plagosur duke u hedhur nga dritarja. “Fqinji na tha që e kishte në ndjekje atë djalë, pasi kishte kryer disa vjedhje. Kur dolëm në dritare, pamë gjakun që kishte lënë në mur dhe më pas na thanë që ai ishte plagosur. Tani falënderoj Zotin që nuk kemi dëgjuar asgjë, pasi nga përleshja me të edhe mund të ishim vrarë, pasi ai mund të ketë pasur ndonjë thikë me vete”, u shpreh e zonja e shtëpisë.
Posted on: Sat, 24 Aug 2013 12:31:42 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015