Një zyrtar i Shërbimit Federal Rus të Migrimit shprehu besimin - TopicsExpress



          

Një zyrtar i Shërbimit Federal Rus të Migrimit shprehu besimin se ish kontraktori i zbulimit amerikan, Edward Snowden duhet të qëndrojë në aeroportin Sheremetyevo të Moskës sepse ai është person i kërkuar dhe aty është më i sigurtë. Shtetet e Bashkuara i kanë premtuar Rusisë se nuk do të kërkojnë dënimin me vdekje të ish punonjësit të zbulimit Snowden, nëse ai kthehet në Amerikë për t’u gjykuar nën akuzat për spiunazh. Jessica Golloher njofton për Zërin e Amerikës nga Moska. Ish kontraktori i Agjencisë së Sigurimit Kombëtar, Edward Snowden është strehuar në aeroportin Sheremetyevo prej më shumë se një muaji, ndërsa pret strehim të përkohshëm politik në Rusi. Avokati i zotit Snowden tha se aplikimi i tij për strehim politik i është paraqitur Shërbimit rus të Migrimit dhe tani pritet përgjigja. Vladimir Volokh, drejtor i Këshillit Publik të këtij shërbimi, thotë se nëse Snowden-i largohet nga aeroporti Sheremetyevo, Rusia nuk mund të garantojë sigurinë e tij. “Nuk mendoj se është mirë që zoti Snowden të lëvizë lirisht në Rusi, meqë ai është person i kërkuar. Mendoj se vendi më i sigurtë për Snowden-in është zona trazit në aeroport ose zona nën juridiksionin e Shërbimit Federal rus të Migrimit”. Këto komente zoti Volokh i bëri ndërkohë që Uashingtoni premtoi se Snowden nuk do të përballet me dënimin me vdekje nëse kthehet në Shtetet e Bashkuara. Në një letër drejtuar ministrit rus të Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Eric Holder e siguroi Kremlinin se akuzat kriminale me të cilat përballet zoti Snowden në Amerikë nuk përfshijnë dënimin me vdekje. Deri tani, presidenti rus, Vladimir Putin ka refuzuar ta ekstradojë zotin Snowden, duke thënë se ai është njeri i lirë. Avokati i zotit Snowden tha se sapo ish kontraktori i Agjencisë së Sigurimit Kombëtar të ketë dokumentat përkatëse për t’u larguar nga aeroporti Sheremetyevo ai do të përpiqet të bëjë një jetë normale në Rusi, të paktën tani për tani. Çështja Snowden i është shtuar mosmarrëveshjeve të tjera që kanë Moska dhe Uashingtoni lidhur me një sërë çështjesh, si mbrojtja nga raketat, Siria dhe adoptimi i fëmijëve rus.
Posted on: Mon, 29 Jul 2013 19:40:49 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015