Pakti sekret për të përmbysur Titon! James Pettifer Arkivat e - TopicsExpress



          

Pakti sekret për të përmbysur Titon! James Pettifer Arkivat e Beogradit mund të mos hapen kurrë dhe një burim i palës “tjetër” mund të mos u vihet asnjëherë në dispozicion historianëve, por kjo s’do të thotë se nuk duhet shkruar për atë çka ndodhi në Kosovë nën regjimin e Titos, pastaj Millosheviçit, deri në pavarësimin e saj. Përballë skeptikëve që presin të mbushen vitet për hapjen e arkivave, një nga njohësit më të mirë të çështjeve të Ballkanit, profesori i Universitetit të Oksfordit, historiani James Pettifer, ka bërë një libër për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Një libër që zë fill qysh në rebelimet e para kosovare kundër regjimit të Titos, për të shkuar deri në organizimin e saj në një formacion ushtarak. “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Nga një luftë e fshehtë në një kryengritje të Ballkanit 1948-2001″, titullohet vepra analitike e Pettifer, sjellë në shqip nga Afërdita Cesula dhe botuar nga shtëpia botuese “Onufri”. Duke u mbështetur në një lëndë të pasur arkivore, dokumentare dhe në eksperiencën e tij të gjatë si historian mbi rajonin e Ballkanit, ai analizon rrethanat që çuan në ngritjen e UÇK-së dhe se cili ka qenë qëndrimi i Beogradit dhe Tiranës zyrtare. Përmes dokumentesh ai sjell edhe qëndrimin e Enver Hoxhës e Mehmet Shehut përballë çështjes së Kosovës. Këtu i vjen në ndihmë ditari i ambasadorit sovjetik në Tiranë, Dimitri Çuvahin, i cili dëshmon për bisedime mes Stalinit, Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut për rrëzimin e pushtetit të Titos, përmes një kryengritjeje të armatosur që do e kishte fillesën pikërisht në Kosovë. Lufta e fshehtë, 1950-1990 Stalini dhe Enver Hoxha Në vitin 1950, vendi më i fuqishëm në botë, Shtetet e Bashkuara, e pa ndarjen Tito-Stalin si përfundimtare. Politikëbërësit e Uashingtonit ishin të shqetësuar për ndikimin e vendimit të mareshalit Tito për t’u prishur me Stalinin si një çështje të sigurisë të detit Adriatik dhe të eksesit sovjetik në detin Mesdhe. Bota e bjeshkëve të Kosovës dhe problemet e saj të shumta dhe serioze ishin shumë larg mendimeve të tyre. Për vite me radhë, territori do të dënohej me një terr, që sa vinte e shtohej në sytë e perëndimorëve. Fundi i kryengritjes së Drenicës, ballistët që dolën si rezultat i saj dhe krijimi i një qeverie të sigurt komuniste në Beograd, e kishin lënë komunitetin shqiptar të Kosovës të përçarë dh të demoralizuar. Në Drenicën e veriut, një përqindje e madhe e meshkujve më të rinj kishin vdekur ose ishin në burg, ose ishin arratisur në zona të tjera të Kosovës, Kroacisë, sanxhakut ose përtej maleve në Shqipëri. Emigrimi për në Shtetet e Bashkuara gjithashtu po shtohej. Masakrat në shkallë të gjerë të luftëtarëve ballistë, si ajo e Tivarit në Mal të Zi në vitin 1945, që përfshiu vdekjen e mbi 3 mijë vetave pas një marshimi të detyruar nga Kosova, terrorizuan familjet e thjeshta shqiptare të Kosovës dhe i lanë ato të frikësuara nga pushteti i makinerisë ushtarake dhe të sigurisë së Titos. Operacioni jugosllav kundër kryengritjes së Drenicës kishte prodhuar kushtet e përsosura për ushtrinë për të vendosur Ligjin e Luftës dhe nën komunizëm u riprodhuan shpejt shumë nga karakteristikat e qeverisë së okupacionit të Boshtit, shefi i Sigurisë, Aleksandër Rankoviç, dhe policia e tij e fshehtë morën një përgjegjësi të veçantë për Kosovën. Industria e Kosovës pësoi stanjacion deri në pikën e kolapsit. Kishte një mungesë të vazhdueshme të forcës punëtore në industritë e minierave, pasi rekrutët serbë të punës së detyruar u larguan nga Kosova për në Serbi. Ky proces u ndihmua nga zgjerimi i minierave të mëdha të bakrit në Serbinë Verilindore, në Bor mbi Danub, në periudhën e viteve 1945-50. Në pikëpamjen ushtarake dhe të sigurimit, Titoja ka shumë mundësi që priste të vazhdonte një periudhë lufte e çrregullt me mundësinë gjithmonë të pranishme të sulmeve nga përtej kufirit me Shqipërinë. Në një farë kuptimi, ai kishte të drejtë. Për vite me radhë pas 1945-s, zona të mëdha rurale të Kosovës Qendrore dhe Perëndimore u mbizotëruan nga ndjenjat e urrejtjes dhe të izolimit ndaj qeverisë. Shqiptarët e atyre zonave thjesht do të vazhdonin të ishin të papajtueshëm për një kohë të gjatë. Nuk kaloi shumë dhe Titoja e Byroja Politike dolën në përfundimin se e vetmja mënyrë që socializmi të bënte progres në Kosovë ishte me anë të ndërtimit të qyteteve, të cilat, së bashku me zhvillimin e industrive nxjerrëse dhe minerare, shpresohej se do të shkatërronin komunitetet radikale rurale. Kjo gjë nuk përbënte prioritet planifikues gjetkë në Jugosllavi, ku shumë fermerë dhe fshatarë shpesh ishin mbështetës të Titos dhe ku anëtarësimi në Partinë Komuniste në fshatra shpesh ishte i konsiderueshëm. Për një kohë të gjatë pati xhepa të izoluar rezistence ndaj kolonizimit titist, por këto incidente u panë nga regjimi më shumë si pjesë e një procesi të kriminalitetit rural, sesa si opozitë politike ose ushtarake. Përgjatë viteve, strategjia standarde e “sigurisë” e Beogradit kishte qenë depolitizomi i opozitës shqiptare, duke e shpallur atë si “kriminele”. Dilema me të cilën përballej lidershipi politik shqiptar, aq sa kishte mbetur një i tillë, ishte të zgjidhte një model lufte që do t’i shkëpuste njerëzit nga sistemi i ri. Qeveria e Beogradit e dinte se kishte qendra të rëndësishme kundërshtare, kryesisht balliste, në Itali dhe në Shtetet e Bashkuara dhe masat shtypëse të ndërmarra kundër individëve dhe familjeve opozitare u kryen në emër të sigurisë kombëtare. Jugosllavia e konsideronte veten si nën rrethim, pavarësisht nga periudha e pas vitit 1948 e afrimit me Perëndimin, por ndryshe nga çfarë ndodhte në shumicën e kombeve komuniste të Europës Lindore, opozita politike u sulmua mbi bazën e etnisë, jo të klasës. Mehmet Shehu Në Shqipëri, pas prishjes me Titon dhe pas lëvizjes ndërkombëtare komuniste të vitit 1948, Enver Hoxha nuk i kishte braktisur krejtësisht kosovarët në mëshirë të fatit, siç kanë deklaruar shpesh kritikët e tij në botën shqiptare. Për të, problemi i Kosovës ishte një mënyrë për të filluar përkufizimin e Shqipërisë së re kundër Jugosllavisë dhe rrëshqitjes së kësaj të fundit në teorinë dhe praktikën kapitaliste. Aktiviteti subversiv i udhëhequr nga shërbimet sekrete ishte taktika e tij e preferuar, me anë të së cilës pjesa më e madhe, për të mos thënë krejt aktiviteti i mbështetur nga Tirana, ishte i mohueshëm dhe Hoxha mund të fillonte të ushtronte të paktën një farë trysnie të vogël mbi Beogradin, duke përdorur burimet tepër të kufizuara të Shqipërisë. Për sa i përket kësaj, pas vitit 1948, ka shumë mundësi që ai të paktën të jetë këshilluar me burimet sovjetike. Hoxha kishte një marrëdhënie të ngushtë me ambasadorin sovjetik në Shqipëri, Dimitri Çuvahin, i cili ishte një nga figurat kryesore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Moskës, me përvojë në shërbimet sekrete dhe me mundësinë për t’u takuar drejtpërdrejt me Stalinin. Hoxha mund t’ua bënte qefin mbështetësve të tij rusë, duke siguruar lajme nga Kosova dhe për zhvillimet jugosllave dhe t’ua kalonte ato rusëve. Por aktiviteti shqiptar nuk shtrihej deri në këtë shkallë. Në vitin 1949, Enver Hoxha dhe komandanti ushtarak Mehmet Shehu kishin pasur komunikim me Stalinin për mundësinë e krijimit të një force të armatosur për të përmbysur qeverinë e Titos në Beograd, duke filluar me një kryengritje të armatosur në Kosovë. Në ditarin e tij më 5 korrik të vitit 1949, Çuvahini përmend një diskutim që kishte pasur me Shehun për mundësitë ushtarake për të luftuar kundër regjimit “revizionist” brenda Jugosllavisë Jugore, edhe pse nuk kishte një tablo të qartë të strategjisë së Moskës. Ai shkruan: “Midis nesh është shtruar çështja se si të organizojmë luftën kundër titistëve në Jugosllavi. Nuk e dimë se cila mënyrë është më e mirë, që çdo republikë në Federatën Jugosllave të luftojë kundër klikës së Titos në mënyrë të pavarur dhe, në një rast të tillë, lufta mund të caktohet në krahinën autonome të Kosovës dhe të Metohisë, apo që lufta kundër trockistëve jugosllavë nga klika e Titos, duhet të zhvillohet nga një qendër e vetme”. Duke pasur parasysh dëmin që kishte shkaktuar komanda ushtarake staliniste ndaj kauzës republikane në Luftën Civile Spanjolle, gjë që Mehmet Shehu e kishte parë personalisht, kuptohet që opsioni i dytë nuk i pëlqeu shumë dhe e kundërshtoi idenë, duke u përgjigjur, sipas Çuvahinit: “Për mua personalisht kjo çështje është shumë e qartë, në kuptimin që klika e Titos mund të përmbyset vetëm me anë të një lufte të armatosur kundër saj dhe kjo luftë e armatosur duhet të fillojë në Kosovë dhe Metohi, ku është më e lehtë ta nxisësh popullsinë kundër klikës së Titos”. Për Çuvahinin, kjo do të thoshte se Shehu ishte në favor të bashkimit të Kosovës më Shqipërinë, dhe ai thekson: “Me anë të kësaj, M.SH. (Mehmet Shehu) më la të kuptoja se për popullsinë shqiptare të Kosovës dhe të Metohisë, çështja nëse rajoni duhet të bashkohet ose jo me Shqipërinë është e vendosur, domethënë, K. dhe M. duhet të bashkohen me çdo kusht me Shqipërinë. Çështja e vetme që shtrohet, është kur do të jetë më e përshtatshme të angazhohemi me këtë slogan ndër popullatën shqiptare të K dhe M: pas fundit të luftës me klikën e Titos apo gjatë rrjedhës së luftës”. Në këtë atmosferë, Hoxha filloi të organizonte infiltrimin e Kosovës me militantë të trajnuar, të cilët kishin si detyrë krijimin e celulave të fshehta të “spiunëve të fjetur” për të qenë gati për të luftuar kundër kontrollit të Beogradit në të ardhmen afatgjatë dhe për të siguruar informata sekrete për Tiranën dhe Moskën në planin afatshkurtër. Shpesh, këto rezultuan në objektiva kontradiktore. Mbledhja e të dhënave sekrete është një aktivitet që nuk kombinohet mirë me krijimin e ushtrive kryengritëse ose me aktivitetin e zbatimit të ligjit dhe të paqësimit. Ushtria jugosllave e kishte parë problemin e paqësimit të Kosovës pothuajse krejtësisht si një problem të menaxhimit të Drenicës rebele. Suksesi që patën në Drenicë, çoi në vetëkënaqësi. Neglizhimi i ekonomisë dhe shfrytëzimi i Kosovës përbënin tashmë një çështje madhore. Rusia vazhdonte ende të mbështeste plotësisht Shqipërinë dhe në vitet ’50 kishte mijëra këshilltarë sovjetikë në vend, të cilët punonin kryesisht në projektet hidroelektrike në luginën e Drinit të Zi, në veri, afër kufirit me Kosovën. Me ndihmën ruse, në Shqipëri po kryhej një revolucion industrial. Përveç zhvillimit të vazhdueshëm dhe zgjerimit të minierës së metaleve bazë në Mitrovicë, në krahasim me Shqipërinë, Kosova ende po përjetonte trazirat e paskonfliktit dhe kushtet në fshatra ishin mesjetare. Në dritën e historisë së mëvonshme të Shqipërisë, mund të duket e vështirë për t’u besuar sot, por në ato vite të fillimit, Shqipëria, në aleancë me sovjetikët, po bënte progres të konsiderueshëm drejt urbanizimit dhe modernizimit – megjithëse me një kosto të lartë njerëzore- në krahasim jo vetëm me Kosovën, por edhe me pjesën më të madhe të Jugosllavisë jugore rurale. Regjimi i Titos po i çonte fondet e investimeve në qytetet e veriut në Serbi, në rajonin e Beogradit dhe në Kroaci e Slloveni. “Titoja urbanizoi Prishtinën për të pasur Kosovën nën kontroll” Si u ngrit kryeqyteti kosovar, betonizimi dhe përqendrimi ushtarak Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina Pas disfatës së kryengritjes së Drenicës në vitet 1948-1949, banorët shqiptarë thjesht nuk do të pajtoheshin me sundimin e Beogradit për një kohë të gjatë. Nuk kaloi shumë dhe Titoja mori një faqe nga libri i Jugosllavisë mbretërore dhe filloi të rigjallëronte politikën e vjetër të emigrimit të emigrimit të detyruar të shqiptarëve në Turqi. Me këtë shpresohej që do të spastroheshin rajonet rurale nga familjet e “vështira”. Në të njëjtën kohë, partia ndërmori një politikë urbanizimi, me anë të së cilës, ashtu si në Bullgari, lëvizja gjysmë e detyruar për në qytete do ta bënte kontrollin e popullsisë shumë të lehtë. Shembulli ilustrues i përkryer komunist do të ishte Prishtina. Qyteti i vjetër i shpërndarë otoman, qyteti i viteve ’20, kishte kaluar shumë peripeci në historinë e tij të gjatë, që daton që nga Ulpiana romake e antikitetit. Fasada e administratës komuniste ishte vendosur aty dhe, shumë shpejt, pas vitit 1945, ndërtesa të mëdha administrative prej betoni filluan të ngriheshin mbi baltën e Fushë-Kosovës. Urbanizimi luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin e shoqërive komuniste dhe modeli i adaptuar mund të nxjerrë në pah shumë gjëra për hamendësimet dhe “modus operandi”-n e një elite sunduese. Në fund fare, elita e Prishtinës varej nga ushtria jugosllave për të siguruar atë dhe, siç kishte ndodhur nën otomanët më parë, ishte rënia e ushtrisë pas vitit 1990 që bëri që ata të pushonin së ekzistuari. Motivi më i njohur i Prishtinës jugosllave ishte pasiguria. Shumë afër ishte ndërtuar një aeroport ushtarak, në mënyrë që mund të silleshin përforcime nëse përgatiteshin trazira nga shqiptarët dhe nga qyteti verilindor i Kosovës, Podujeva (Besiana e ditëve të sotme), por në Serbi ishte vetëm një rrugë e shkurtër me makinë. Përforcimet ushtarake mund të silleshin gjithashtu me tren nga veriu ose nëpërmjet rrugës përmes pikëkalimit të Merdarës. Prishtina ishte gjithashtu në njëfarë distance nga Drenica dhe nga zonat e “këqija” të Kosovës, si Deçani apo Juniku, ku nacionalistët militantë ishin jo më pak të përkushtuar ndaj ideve të tyre pas vitit 1948 nga ç’kishin qenë më parë. Për sa i përket ideologjisë jugosllave dhe asociacioneve historike, qyteti i Prishtinës nuk ushte as “serb”. Ishte, megjithatë, vendi i zyrave qendrore të administratës së ligjit të luftës dhe strehonte zyrat qendrore të policisë së fshehtë UDBA, komandën ushtarake dhe të gjitha mjediset e telefonave dhe të telekomunikacionit. Ai ishte, në njëfarë niveli, një qytet modern jugosllavist “skarco”, por vështirë se mund të konsiderohej si “normal”. Kosova ishte nën sundimin ushtarak dhe do të qëndronte kështu për një kohë të gjatë dhe ushtria jugosllave e konsideronte veten si garantuesi përfundimtar i sovranitetit të Kosovës për Serbinë…. cl 77news.al
Posted on: Sat, 03 Aug 2013 21:32:04 +0000

Trending Topics



ustin,
TWO HP P1102W 1102W Compatible CE285A 85A United States Toner
Ill never hear a spearhead this good from a mainstream politician
TWO MINUTE MICROWAVE MUG CAKE....GOOEY AND EASY Ingredients:
PT Adira Quantum Multifinance PT Adira Quantum Multifinance, atau
Paranormal Metrou Just left the Loomis house buried in the
Since Ive been stuffing prepaid un-solicited mail envelopes with

Recently Viewed Topics




© 2015