Panorama Sport Lika: Të kalojmë momentin ‘jo’, jemi nën - TopicsExpress



          

Panorama Sport Lika: Të kalojmë momentin ‘jo’, jemi nën presion. Problemi i Mazrekajt, jeta e natës Tri humbje radhazi në kampionat dhe më pas vjen kualifikimi në Kupën e Shqipërisë ndaj Adës. Megjithatë, të kuqtë vazhdojnë të jenë në krizë rezultatesh dhe përballja e kësaj fundjave me Teutën është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë. “Sigurisht që jemi nën presionin e pikëve, pasi logjika e kampionatit ajo është: skuadra të grumbullojë sa më shumë pikë. Megjithatë, besoj se do bëjmë kthesën dhe do të marrim rezultat pozitiv ndaj skuadrës durrsake”. Trajneri i Partizanit, Hasan Lika, tregon gjithçka në prag të sfidës së kësaj jave dhe flet edhe për çështjet e ndryshme që shqetësojnë skuadrën. Kualifikim në kupë ndaj Adës dhe tashmë përballë do të keni Vllazninë në turin e ardhshëm. Si e vlerësoni këtë short? Kualifikimi ndaj Adës është diçka shumë pozitive, pasi na mundëson që të vazhdojmë më tej në Kupën e Shqipërisë. Për sa i përket Vllaznisë, ata janë një skuadër e fortë, ashtu siç jemi edhe ne. Duket se skuadra e ka kaluar momentin e vështirë të kampionatit pas kualifikimit në kupë… Nuk mendoj krejtësisht kështu. Nuk mund të them se kualifikimi në Kupën e Shqipërisë ndaj Adës ka ndikim maksimal në kampionat. Ne nuk kemi pritur që të kalonim skuadrën velipojake për të rritur moralin apo për të thënë se kemi kaluar momentin e vështirë. Si e vlerësoni përballjen e kësaj fundjave ndaj Teutës? Është një ndeshje shumë e vështirë, si të gjitha të tjerat. Në kampionat nuk ka asnjëherë takime të lehta. Gjatë të gjithë këtyre ditëve po përgatitemi maksimalisht për këtë ndeshje. Futbollistët do japin gjithçka në fushë, ashtu siç kanë bërë edhe në ndeshjet e mëparshme apo te përballja e fundit e kupës ndaj Adës. Besojmë se do arrijmë një rezultat pozitiv ndaj Teutës për ta kaluar këtë moment të vështirë në kampionat. Keni drejtuar për disa vite skuadrën durrsake. Është një plus për ju fakti që i njihni pikat e forta dhe të dobëta të Teutës? Unë e njoh Teutën dhe vlerat e çdo futbollisti. Por, mos harroni diçka se ekipet ndryshojnë dhe pjesë e saj janë edhe lojtarë të tjerë. Nga ana tjetër, nuk mendoj se është e vështirë për një trajner që të njohë lojtarët dhe karakteristikat e tyre në skuadrën kundërshtare. Mjafton ta shohë disa ndeshje dhe trajneri e krijon idenë e tij. Partizani e nisi mirë kampionatin dhe arriti të fitonte në derbi ndaj Tiranës, por më pas erdhën tri humbje radhazi. Çfarë nuk shkon me këtë skuadër? Çdo ekip ka momentet e veta të mira dhe të vështira. Çdo skuadër kalon të tilla situata dhe humbjet janë pjesë e kampionatit. Megjithatë, ashtu si ne që pësuam tri humbje radhazi, edhe Tirana ka pësuar dy. Gara vazhdon. Jeni nën presionin e pikëve në këtë situatë që ndodhet Partizani? Sigurisht që po. Grumbullimi i sa më shumë pikëve është edhe logjika themelore e kampionatit. Në këtë mënyrë jemi nën presion për të siguruar sa më shumë pikë. Shpresoj që të bëjmë kthesën këtë fundjavë ndaj Teutës. Pas një kalendari të fortë, duket se ai tashmë është në favor të Partizanit, duke qenë se do të luajë tri ndeshje radhazi brenda fushe… Është e vërtetë që do të luajmë tri takime brenda fushe, por ndeshjet janë shumë të vështira. Ne do t’i marrim të gjitha takimet një nga një dhe do të japim maksimumin në secilën prej tyre. Si mendoni se kanë ndikuar ndryshimet e shumta në sulm? Është thënë gjatë të gjithë këtyre javëve se Partizani ka probleme në sulm. Në këtë mënyrë, ne kemi provuar të gjithë futbollistët. Një pykë është shumë e rëndësishme për një ekip dhe ne kemi provuar disa herë me futbollistë të ndryshëm. Megjithatë, mendoj se gjërat kanë nisur të ndryshojnë, duke parë edhe faktin që Bordon realizoi dy gola në sfidën e së mërkurës për kupë ndaj Adës. A keni një thirrje për tifozët për sfidën ndaj Teutës? Sigurisht që ata shqetësohen dhe mërziten shumë për ecurinë e skuadrës. Përgjegjësia është e jona dhe unë përfitoj nga rasti për t’i falënderuar për mbështetjen që na japin. Gjithashtu u kërkoj të jenë sa më të shumtë në numër në sfidën ndaj Teutës dhe t’i qëndrojnë afër ekipit edhe në këto momente. Ata janë një pjesë shumë e rëndësishme e Partizanit. Keni menduar për merkaton? Është ende herët për merkaton. Deri në janar ka ende kohë dhe, ashtu si të gjitha klubet e tjera në Shqipëri dhe në Europë, do të mendojmë në momentin e duhur. Zbulohen prapaskenat, problemi i Mazrekajt… jeta e natës Prej disa ditësh, në ambientin që rrethon Partizanin dhe në diskutimet e tifozëve si në kafe, ashtu edhe në forumet e shumta në internet, pyetja që është bërë më shumë është: “Po Mazrekajt çfarë i ka ndodhur që ‘ka humbur fare’?”. Të gjithë duken të shqetësuar për formën që po kalon mesfushori i ardhur në radhët e të kuqve nga skuadra e Prishtinës gjatë merkatos së verës. Mentor Mazrekaj bëri paraqitje shumë të mirë javët e para të kampionatit dhe thuajse të gjithë ranë në “dashuri” me të. Por, prej të paktën tri javësh, mesfushori nuk është në formën e tij më të mirë dhe paraqitjet në fushë ndryshojnë shumë me ato të takimeve të para. Burime shumë të sigurta pranë klubit të kuq bëjnë të ditur se lojtari ka nisur të abuzojë kohët e fundit me jetën e natës. Futbollisti është parë disa herë duke shijuar deri në orët e vona të natës kënaqësinë që të fal argëtimi në lokalet e Tiranës. Megjithëse mësohet se klubi është në dijeni të këtij fakti, nuk ka marrë asnjë masë. Ndoshta, një prej arsyeve që të kuqtë nuk janë treguar të ashpër me Mazrekajn, pasi fare mirë mund ta ndëshkonin me forma të ndryshme, është fakti që mesfushori ka kontratë me Partizanin deri në janar. Nëse Partizani do të ndërmerrte ndonjë masë, atëherë ekziston rreziku që futbollisti të largohet. Megjithëse ai nuk ka pasur dëmtime gjatë këtyre javëve, sërish paraqitjet e tij në fushë kanë qenë në dyshim deri në momentin e fundit. E njëjta situatë është edhe në prag të ndeshjes së fundjavës ndaj Teutës. Stafi ka bërë të ditur se Mazrekaj nuk është në formën e tij më të mirë dhe 99% ai do të mungojë në sfidën ndaj skuadrës durrsake. Megjithëse fillimisht u konsiderua një prej talenteve të futbollit kosovar që do të shkëlqente, duket se gjërat nuk kanë shkuar mirë për fantazistin që është pjesë e Partizanit. Pritet të shihet në ditët në vazhdim se çfarë do të ndodhë me futbollistin kosovar. Tre titullarë, në dyshim ndaj Teutës Trajneri i Partizanit, Hasan Lika, duket se do të ketë tri mungesa të rëndësishme për ndeshjen e kësaj fundjave ndaj Teutës. Kështu, Mevlan Murati, Mentor Mazrekaj dhe Gëzim Krasniqi kanë probleme me formën e tyre fizike dhe 99% nuk do të jenë të gatshëm në sfidën e radhës. Në lidhje me këtë çështje, tekniku Lika në intervistën e tij për mediat u shpreh: “Sigurisht që janë futbollistë të rëndësishëm dhe nuk është pozitiv fakti që nuk do të jenë të gatshëm. Gjëra të tilla ndodhin gjatë kampionatit. Megjithatë, ka lojtarë të tjerë që do të luajnë dhe janë gati”, – deklaroi tekniku i të kuqve në prononcimin e tij. Klubi ul çmimin e biletave Klubi i Partizanit ka vendosur të ulë çmimin e biletave për ndeshjen e së shtunës ndërmjet skuadrës së kuqe dhe Teutës, që do të luhet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” në orën 14:00. Bëhet fjalë vetëm për çmimin e biletave në tribunat përballë, D1 dhe D2. Nga 300 lekë, që ka qenë çmimi gjatë të gjithë javëve që janë zhvilluar deri tani, do të zbresë në 200 lekë. Ndërsa, çmimi i biletave për tribunat kryesore A dhe B nuk do të ndryshojë dhe do të mbetet 500 lekë. Zëdhënësi i klubit të kuq, Olsi Ranxhi, bën të ditur se kjo ulje e çmimit bëhet për të tërhequr sa më shumë tifozë në shkallët e stadiumit. Kjo ulje është bërë fillimisht vetëm për sfidën e fundjavës ndaj Teutës.
Posted on: Fri, 08 Nov 2013 17:57:49 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015