Programi i qeverisë, mister Sot duhej të ishte një ditë e - TopicsExpress



          

Programi i qeverisë, mister Sot duhej të ishte një ditë e veçantë për qytetarët shqiptarë. Nis një legjislaturë e re dhe fillon konstituimi i Parlamentit, por akoma pa u përmbyllur proçedura e konstituimit të Parlamentit, qytetarët shqiptarë dhe opozita e tyre në Parlament po përballen me një mendësi të vjetër, me një kulturë të vjetër komunikimi, me një tentativë për të shkelur parimet e sapo premtuara të transparencës ndaj qytetarëve shqiptarë, të gjithëpërfshirjes në çdo debat, duke nisur me shkelmimin e praktikave parlamentare për debatin më fillestar, për gjenezën e çdo legjislature dhe çdo qeverisje që buron nga legjislatura, atë të konstituimit të qeverisë. Kjo është mazhoranca e cila në opozitë ka kërkuar dhe ka marrë deri në 10 ditë për çështje të tilla si takometrat, aparate matëse dhe që sot u mohon qytetarëve shqiptarë të drejtën e tyre kushtetuese dhe legjitime për të dëgjuar një debat, një rrahje mendimesh midis të zgjedhurve të tyre, mbi çfarë ata propozojnë se do të jetë qeverisja e tyre dhe çfarë të zgjedhurit e opozitës shqiptare kanë për të pyetur dhe parashtruar në raport me këtë program. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër, se si në mënyrë absurde ata që kanë marrë me javë të tëra për vendime shumë më të thjeshta, sot nuk janë të gatshëm dhe i mohojnë opozitës kohën më minimale që ka qenë praktikë në çdo legjislaturë, për tu njohur me programin e qeverisë i cili deri në këto momente mbetet një mister i madh. I bëj thirrje kryetarit të ri të Kuvendit, t’i qëndrojë besnik fjalëve që sapo tha, fjalë që akoma nuk kanë lënë eterin e aulës së Kuvendit dhe të rivendosë, nëse jo një strandard të ri, të përmirësuar sikundër premtoi, të paktën standardin e premtuar deri tani, duke i dhënë kohën e nevojshme Parlamentit dhe opozitës për t’u njohur me programin dhe për të përgatitur një debat dinjitoz dhe transparent mbi programin e paraqitur. Në të kundërt, kjo situatë është e papranueshme dhe ne do të marrim të gjitha masat që na takojnë, si përfaqësues të denjë të opozitës shqiptare në Kuvendin e Shqipërisë dhe si mbrojtës të virtyteve thelbësore të opozitës, që janë transparenca dhe llogaridhënia. 10 shtator 2013
Posted on: Tue, 10 Sep 2013 15:12:05 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015