Përballja e Imam Husejnit me Hurrin Imam Husejni u përball me - TopicsExpress



          

Përballja e Imam Husejnit me Hurrin Imam Husejni u përball me Hurrin dhe me ushtarët e tij më 1 Muharrem të vitit 61 pas Hixhrit dhe u ofroi ujë për t’ua shuar etjen. Më pas erdhi koha për namazin e drekës dhe Haxhaxh bin Masruk Xhuafiu, njëri nga dëshmorët e Qerbelasë, e recitoi ezanin. Pas ezanit, Imami doli nga çadra e tij dhe bisedoi me ushtarët. Pasi e madhëroi Zotin, ai tha: O njerëz! Arsyetimi im para Zotit dhe para ju muslimanëve të Kufes është se unë s’kam ardhur në Irak pa një arsye. Lajmëtarët tuaj erdhën tek unë dhe në letrat tuaja ju më thatë se s’kishit një prijës dhe më kërkuat të vij tek ju, që Zoti t’ju udhëzojë nëpërmjet meje. Ja ku jam tani. Nëse jeni gati të më siguroni, duke i përsëritur premtimet dhe zotimet tuaja, unë do të vij në qytetin tuaj. Por nëse ju shqetëson dhe ju pengon ardhja ime, atëherë unë jam gati të kthehem atje nga kam ardhur.” Hurri dhe ushtarët e tij nuk i dhanë ndonjë përgjigje Imamit. Pas urdhrave të Imamit, Haxhaxhi e recitoi ikametin dhe të dyja ushtritë e falën namazin me xhemaat nën udhëheqësinë e Imam Husejnit. Pas një pushimi të shkurtët, edhe namazin e iqindisë e falën po kështu. Pas këtij namazi, Imami u mbajti edhe një fjalim tjetër ushtarëve të Hurrit dhe u tha: O njerëz! Nëse i druheni Zotit dhe nëse e njihni të drejtën e atij që ka të drejtë, Zoti do të jetë i kënaqur me ju. Ne, njerëzit e familjes së Profetit jemi më të denjë për t’ju udhëhequr dhe për të patur pushtet mbi punët tuaja materiale dhe fetare, sesa ata që ju sundojnë sot. Ata janë njerëz të pamend, të cilët kanë marrë në duar një pozitë të shenjtë dhe të brishtë që s’e meritojnë aspak. Ata po ju shtypin. Të tillët nuk mund të njihen si pasardhës të Profetit, si Imamë të muslimanëve dhe si mbrojtës të Islamit e të Kur’anit. Si përgjigje, Hurr bin Jezid Rijahiu i tha Imamit se nuk dinte gjë në lidhje me letrat dhe në lidhje me lajmëtarët për të cilët kishte folur ai. Atëherë Imami i urdhëroi Ukbe bin Semanit (i cili u zu rob ditën e Ashura-së dhe u la i lirë më pas) që t’i nxirrte letrat e popullit të Kufes. Prapëseprapë, Hurri nuk pranoi dhe tha: “Ne s’të kemi shkruar kurrfarë letre dhe s’kemi për të të lënë derisa të të çojmë tek Ibn Zijadi.” “Kjo s’do të ndodhë pa vdekur unë”, ia ktheu Imami. Më pas, që të dy grupet dolën sërish në rrugë, duke ndjekur një shteg të tretë që nuk shkonte as drejt Medines dhe as drejt Kufes. Në ndërkohë, me një ton të butë dhe këshillues, Hurri i tha Imamit: “Të lutem në emër të Zotit që të mos luftosh sepse ke për t’u vrarë.” Imami u zemërua me këto fjalë dhe i tha: A më kërcënon me vdekje? A do të gjesh paqe kur të më vrasësh? Unë po ta them atë që e tha një burrë i fisit Aus, kur kishte vendosur ta përkrahte Profetin por kushëriri i tij e paralajmëronte se mund të vritej. Ai tha: “Unë e kam zgjedhur rrugën time. Nuk është turp të vdesësh për një njeri me qëllime të mira, që nuk e humb shpirtin e Islamit në rrugën e luftës, që nuk e mendon jetën e tij kur duhet t’u ndihmojë të tjerëve, që rri larg njerëzve të pamoralshëm dhe që nuk shoqërohet me të ligët. Po të mbes gjallë, s’kam përse të ndjej keqardhje dhe po të vdes, s’ka kush të më qortojë. Turp për njeriun është kur të jetojë një jetë çnderuese.” Imam Husejni dhe Hurri, të shoqëruar ga ndjekësit e tyre, arritën në ndalesën e quajtur “Bejza”. Edhe këtu Imami u foli njerëzve dhe u tregoi shumë më qartë se më parë se ishte i detyruar ta kryente një mision. Ai tha: Jezidi është një Kalif shtypës dhe tiran, i cili i shpall të lejuara gjërat që Zoti i ka ndaluar. Ai e thyen premtimin ndaj Zotit, e kundërshton rrugën e Profetit dhe i kundërshton njerëzit. I Dërguari i Zotit ka thënë se në rrethana të tilla, ai që nuk bën asgjë për ta ndaluar një Kalif të tillë, ka për të shkuar në të njejtën vend ku do të dërgohet ky Kalif i ligë. Për të njejtën gjë ka folur edhe Kur’ani në vargun vijues: Dhe disa i kemi bërë prijës që çojnë drejt zjarrit...(Kur’an 28:41) Jo të gjithë prijësit i çojnë ndjekësit e tyre drejt parajsës. Disa prijës i çojnë njerëzit drejt parajsës, në kuptimin e një përparimi dhe prosperiteti në këtë botë, bashkë me një fund fatlum në botën tjetër. Megjithatë, sipas Kur’anit dhe sipas përvojës së trashëguar nga historia, ka shumë prijës si Jezidi, të cilët i kanë udhëhequr njerëzit drejt shkatërrimi dhe “zjarrit”. Më pas, Imami i shpjegoi edhe më qartë kushtet që mbretëronin në atë kohë, duke thënë: Duhet ta dini se këta njerëz që punojnë për umajjadët janë ndjekësit e djallit, të cilët i zbatojnë urdhrat e tij dhe nuk i shfaqin mosbindje. Po aq sa i binden djallit, ata kanë shfaqur mosbindje ndaj Zotit dhe kanë filluar të bëjnë krime haptazi dhe t’i largojnë dënimet e caktuara nga ligji hyjnor. Ata e morën për vete pasurinë e muslimanëve dhe e shpenzuan për qejfet e tyre. Ata i shpallën të lejuara gjërat që i ndaloi Zoti dhe të ndaluara ato gjëra që Ai i ka lejuar. Tani që i kanë krijuar këto kushte, kush tjetër përveç meje mund të jetë më shumë përgjegjës për t’i ndryshuar dhe për t’i larguar shkaqet e devijimit të muslimanëve? Unë jam Husejni, djali i Aliut dhe i Fatimesë dhe njëri nga ata, për të cilët është shpallur “vargu i dëlirësisë” (Kur’an 33:33) dhe vargu i “Mubahalasë”1 (Kur’an 3:61). Unë jam nxënësi i Aliut, Prijësit të Besimtarëve. Dhe vërtet, kush tjetër mund ta kryente atë detyrë të kryer nga Husejn ibn Aliu? Kush mund të fitonte ndjekës të tillë dhe kush mund ta zevëndësonte vallë në një lëvizje të tillë. Ibn Abbasi ishte një dijetar i madh dhe një komentues i Kur’anit, duke qenë njëkohësisht një “sahabe” i të Dërguarit të Zotit dhe kushëri i tij. Megjithatë, ai nuk e bëri dot atë që do ta bënte Husejni. Muhammed ibn Hanefijje ishte vëllai i Imam Husejnit dhe djali i Imam Aliut. Por ai ishte shumë larg Husejnit në këtë drejtim. Habib ibn Mezahir Esadiu ishte një sahabe i Profetit por nuk arriti të bënte një gjë të tillë. Po kështu edhe Muslim bin Avsaxha dhe Hani bin Urva Muradiu. Kushëriri i Husejnit, Muslim ibn Akili, vëllai i Husejnit, Abbasi dhe vetë djali i tij Ali bin Husejni ishin që të gjithë njerëz të mëdhenj, të cilët shfaqën shembuj të mrekullueshëm të vetësakrificës në lëvizjen e Imam Husejnit. Megjithatë, edhe përkundër madhështisë së karakterit të tyre, asnjëri nuk ishte në gjendje ta zinte pozitën qendrore në këtë lëvizje. Bërthama dhe fuqia shpirtërore e kësaj lëvizjeje hyjnore fshihej në personalitetin e Imam Husejnit. Ishte pikërisht kjo fuqi shpirtërore që e kishte udhëzuar këtë lëvizje deri në hapat e fundit të saj dhe madje i kishte përgatitur të mbijetuarit për udhëzimin pas tij. Më pas, Imami tha: Unë i mora letrat tuaja nëpërmjet lajmëtarëve, të cilët më lajmëruan për besnikërinë dhe për vendosmërinë tuaj në rrugën e të vërtetës. Ju më keni shkruar se pavarësisht rrethanave, nuk keni për të më tradhëtuar dhe nuk keni për të më dorëzuar në duart e armikut. Tani nëse keni ndërmend ta mbani premtimin dhe ta ndiqni këtë vendim që ma shprehët në letra, mos hezitoni për të më përkrahur. Unë jam djali i Aliut dhe i Fatimesë dhe do të mbetem me ju në këtë përpjekje (xhihad) të shenjtë. Gratë e mia dhe fëmijët e mi do ta ndajnë fatin e grave dhe fëmijëve të tu. Nuk ju ngjan juve që jetën e familjeve tuaja ta konsideroni më të shenjtë se atë të familjes sime. Kur unë jam i gatshëm t’i sakrifikoj jetët e familjarëve të mi, ju nuk keni pse të ruani jetën tuaj dhe atë të familjeve tuaja. Me fjalë të tjera, Imami thoshte: “tani që jam gati të bie dëshmor bashkë me ndjekësit e mi dhe që jam pajtuar që gratë e mia dhe fëmijët të bëhen robër për hir të urdhërimit të të mirës dhe ndalimit të të ligës, është detyrë e juaja që ta ndiqni Imamin dhe të mos devijoni nga rruga e Zotit. S’keni përse të druheni nga vdekja ose nga robërimi dhe nuk duhet të mbeteni prapa në shërbimet tuaja për Imamin e kohës dhe nipin e të Dërguarit. Por nëse megjithatë, ju s’e mbani premtimin tuaj dhe e tërhiqni betimin për besnikëri ndaj meje, betohem në jetën time se një veprim i tillë s’ka për të më befasuar aspak, sepse po kështu u sollët edhe me babain tim Aliun, me tim vëlla Hasanin dhe me kushëririn tim Muslim bin Akilin. Një njeri që ju beson dhe mbështetet në premtimin tuaj, zhgënjehet. Por dijeni se po ta bëni këtë, ju do të jeni humbës dhe ju do ta humbni fatin e mirë. Kushdo që e thyen premtimin është humbës. Mbase Zoti shumë shpejt do më bëjë të pavarur prej juve.” Imami e mbajti këtë fjalim para njëmijë ushtarëve të Hurrit dhe të gjithë e dëgjuan. Por vetëm njëri prej tyre u ndikua dhe pas disa ditësh tregoi se e kishte marrë mësimin e shprehur në këto fjalë. Ky njeri ishte vetë Hurr bin Jezid Rijahiu. Në mengjesin e ditës së Ashurasë, ai shkoi tek Umar bin Sadi dhe i tha: “A do të luftosh vërtet kundër Husejnit?” Umari u përgjigj: “Betohem në Zotin se do të luftoj kundër tij dhe do të jetë një luftë e ashpër.” Hurri pyeti sërish: “A ka gjë të keqe po ta pranoje ndonjërën nga gjërat që ofron Husejni?” Umari tha: “Po të kisha unë autoritet, asgjë të keqe s’do të kishte në të dhe unë do të pranoja. Por Ibn Zijadi nuk është i gatshëm të pranojë asgjë.” Atë çast, një konflikt i rrezikshëm po zhvillohej ndërmjet intelektit dhe pasioneve të këtij njeriu fatlum. Ai duhej të zgjidhte në do t’i bindej fuqisë shpirtërore ose nxitjeve të djallit. Më në fund, zjarri hyjnor që fjalët e Imamit e kishin ndezur në zemrën e tij, dominoi mbi prirjet djallëzore dhe ai e zgjodhi rrugën e Zotit, duke thënë: “Për Zotin, kam arritur në një vend ku ndahet rruga e parajsës nga jo e ferrit. Edhe sikur të duhej të bëhem copë e të digjem, nuk do të shkoj në rrugë tjetër përveç asaj të parajsës.” Më pas, Hurri shkoi në kampin e Imam Husejnit. Atje e pranoi gabimin e tij, e zgjodhi rrugën e drejtë dhe tha: “Zoti e di se nuk më ka shkuar ndërmend se gjërat mund të shkonin kaq keq. Tani kam ardhur për t’u penduar por nuk e di a do të pranohet pendimi im.” Imami u përgjigj: “Zoti do ta pranojë pendimin tënd dhe ka për të të falur.” Më pas e pyeti se si quhej. Ai u përgjigj: “Quhem Hurr (në përkthim: “i lirë”) bin Jezid.” Pas kësaj, Imami i tha: “Ti je i lirë ashtu siç të ka pagëzuar nëna. Ti je i lirë në këtë botë dhe në tjetrën. Zbrit nga kali!” Hurri iu përgjigj se do të ishte më mirë që të luftonte si kalorës dhe të binte nga kali vetëm kur t’i vinte vdekja. Imam Husejni i lejoi. Hurri u kthye tek njerëzit e Kufes dhe filloi t’u fliste bashkëluftëtarëve të tij të deriatëherhsëm. Ai i qortoi për tradhëtinë e tyre dhe për pabesinë, duke i folur ushtrisë, komandant i të cilës kishte qenë deri para pak çastesh. Ai u tha: O njerëz të Kufes! Ju ardhtë vdekja dhe ju vajtofshin nënat tuaja! Ju e ftuat këtë rob të Zotit dhe kur ai e pranoi ftesën tuaj, ju hoqët dorë nga përkrahja. Ju që premtuat se për të do ta jepni jetën, sot e keni rrethuar dhe i keni nxjerrë shpatat për ta vrarë. Ju e keni ngujuar dhe s’e lini të marrë frymë. Ju po e pengoni nga çdo anë, nuk e lini të lirë dhe nuk i mundësoni që ai dhe familja e tij të gjejnë strehë diku. Ju e keni bërë të pashpresë si një i burgosur. Ju ia keni mohuar atij, grave të tija dhe fëmijëve të tij ujin e Eufratit, të cilin e pijnë të gjithë muslimanët e jomuslimanët dhe në të cilën lahen zogjtë e shkretëtirës. Ata janë të sfilitur nga etja. Sa keq që silleni me pasardhësit e Profetit pas tij! Po s’u penduat tani dhe po nuk hoqët dorë nga dëshira për ta vrarë, Zoti s’ka për t’jua shuar etjen në Ditën e Gjykimit.” Këto ishin fjalët e një njeriu fatlum, i cili një ditë ia kishte prerë rrugën Imamit të kohës së tij, ia kishte trembur gratë dhe fëmijët, e kishte detyruar të bënte kamp në një vend të shkretë dhe kishte bashkëpunuar me armiqtë e tij që nga 2 Muharremi deri më 10 Muharrem. Megjithatë, brenda më pak se një ore, shpirti i tij pësoi një ndryshim të jashtëzakonshëm dhe filloi të ishte i etur për të rënë dëshmor në krah të tij. Ai u bë aq vetësakrifikues në rrugën e të vërtetës, sa nuk mundej më të kënaqej me shpresat dhe me kënaqësitë e kësaj bote, në shkëmbim të lumturisë së përjetshme. Zoti është mbrojtësi i besimtarëve. Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë...(Kur’an 2:257) E njejta Dorë e padukshme që i largoi nga lavdia e përjetshme dhe nga pozita e martirit disa njerëz që s’e meritonin atë, u ndihmoi shpirtrave fisnikë nga vende të ndryshme që ta arrinin pozitën e martirit dhe të vetësakrifikimit. E njejta dorë e vendosi Hurr bin Jezid Rijahiun, komandantin e trupave armike, në mesin e Habib ibn Mezahirit dhe Burajr bin Khuzajrit, e madje në mesin e Ali ibn Husejnit, Kasim bin Hasanit dhe të rinjve të tjerë hashimitë.
Posted on: Fri, 01 Nov 2013 15:06:33 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015