Rami Memushaj: Shqipja standarde, projekt për ta kthyer si më - TopicsExpress



          

Rami Memushaj: Shqipja standarde, projekt për ta kthyer si më 1957 Në përgjigje të shqetësimit për mungesën e kujdesit për gjuhën, konferenca “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot” (Tiranë, nëntor 2002) u bëri thirrje dy qeverive shqiptare që të krijonin një këshill kombëtar, i cili të jepte «rekomandime normative për probleme të gjuhës standarde». Në mbështetje të thirrjes, në tetor 2004 Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës morën vendimin për themelimin e Këshillit Ndërakade-mik për Gjuhën Shqipe. Do të kishte qenë normale që veprimtaria e këtij këshilli të bazohej në një platformë të miratuar nga të dy akademitë. Por, edhe pse përmendet së pari në faqen e internetit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe më pas në “Rregulloren e Kryesisë së Këshillit Ndërakademik”, të nënshkruar më 7 dhjetor 2011 nga kryetarët e dy akademive, në të vërtetë, platforma nuk ekziston, gjë që e ka bërë të ditur për opinionin edhe një nga anëtarët e Këshillit që ka pezulluar pjesëmarrjen në mbledhjet e tij. Në vend të një platforme të përbashkët, dy akademitë kanë përcaktuar, secila më vete, objektiva për Këshillin Ndërakademik. ASHAK-u, pa u krijuar ende ky organizëm, shpalli në mënyrë të njëanshme platformën e vet “Orientime për çështjen e shqipes standarde” (qershor 2004). Në këtë dokument, si objekt i komisionit të përbashkët shpallen ndryshimet që duhet t’i bëhen gjuhës standarde dhe më së pari «ndryshimet që duhet të pësojë drejtshkrimi me qëllim të thjeshtësimit e të begatimit në drejtim të kahjeve të sotme zhvillimore të shqipes standarde». Ndërsa Akademia e Shkencave e Shqipërisë në platformën e saj nuk bën fjalë për ndryshimin e drejtshkrimit, po i përcakton Këshillit këto detyra: «1.Rregullimi ligjor për gjuhën shqipe, përmirësimi i ndjeshëm dhe i bashkërenduar i mësimdhënies së gjuhës në shkollë, kujdesi më i madh për kulturën gju-hësore në veprim-tarinë e administ-ratës, në mjetet e informimit, në veprimtarinë botuese; 2. Mënjanimi i ndikimeve të huaja që dëmtojnë origjinalitetin e gjuhës shqipe e veçanërisht i fjalëve të huaja të panevojshme dhe i strukturave sintaksore të huaja për shqipen; 3. Veprimtaria në fushën e përpunimit dhe të njësimit të terminologjisë, hulumtimi e vlerësimi i njësive leksikore e frazeologjike që pasurojnë standardin dhe botimi i tyre; krijimi i një baze të përhershme të dhënash për një zhvillim të ri cilësor të leksikografisë shqipe. 4.Çështje tjetër që kërkon vëmendje të posaçme është vlerësimi i traditave letrare para funksionimit të standardit dhe integrimi i tyre në kulturën gjuhëso-re që jep shkolla e përgjithshme, në mënyrë që ato tradita letrare të mbeten pjesë e barabartë dhe e pandashme e kulturës letrare-gjuhësore.» Kemi, në thelb, dy konceptime krejt të ndryshme të objektivave të punës të Këshillit Ndërakademik, i cili këta dy vjetët e fundit ka punuar kryesisht për jetësimin e “Orientimeve” të ASHAK-ut për ndryshimin e drejtshkrimit. Prandaj këto ditë, kur ky Këshill është duke e përmbyllur projektin për ortografinë dhe do t’i përvishet morfologjisë së shqipes, rikthimi tek “Orientimet” merr rëndësi për të kuptuar prapavijën e këtyre ndryshimeve dhe dëmin që i sjellin ato gjuhës shqipe. Në këtë dokument ka shumë pohime që e komprometojnë rëndë qëndrimin e ASHAK-ut ndaj problemit të gjuhës standarde, si për sa i përket aspektit historik, edhe atij funksional. Kështu, lidhur me rolin përcaktues të rrethanave jashtëgjuhësore, në “Orientimet” thuhet: «Rrethanat shoqërore e politike të Kosovës më 1968 mundësuan që Konsulta Gjuhësore e Prishtinës të dilte me moton: “Një popull – një gjuhë” e ta pranonte të zbatueshëm pa asnjë ndryshim Projektin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe të publikuar në Tiranë më 1967.» Edhe lexuesit më të pavëmend-shëm nuk mund të mos i bjerë në sy, së pari, shtrembërimi i kredos: “Një komb – një gjuhë letrare ko-mbëtare”, nga e cila u udhëhoq Konsulta e Prishtinës në vendimin e saj historik për bashkimin gjuhësor, duke i zëvendësuar fjalët “komb” dhe “gjuhë letrare kombëtare” gjegjësisht me “popull” dhe “gjuhë”. Së dyti, në këtë fragment duket edhe një logjikë e mbrapshtë: Konsulta e pranoi nga halli Projektin e 1967-s, prandaj, tani që rrethanat kanë ndryshuar, hajt t’ia nisim nga e para, ta ndryshojmë drejtshkrimin dhe normat e tjera të gjuhës standarde. Me arsyetimin absurd se elemente gjuhësore të toskë-rishtes ushtrojnë trysni mbi gjuhën standarde, çka rrezikon «të ngrejë ndjenjën e pabarazisë subjektive gjuhë-sore», kërkohet të ndryshohet baza e saj për të përfshirë në të elemente prozodike dhe morfologjike të varietetit gegë. Të flasësh për varietet toskë e varietet gegë të gjuhës standarde, është një shtrembërim i realitetit gjuhësor. As si dialekte toskërishtja e gegërishtja nuk janë madhësi reale, çka është vënë në dukje qysh një shekull më parë nga gjuhëtari austriak Maksimilian Lamberc, që thoshte se “gegnisht” e “tosknisht” «nuk diftojnë nji kundërshtim të jetës së vërtetë, veç se dija e gjuhësis i përdoron me qellim qi, të munt të sjelli një farë rregullimi ndë kët chaos të ndryshueshëm». Edhe variantet letrare – toskërishtja, shkodranishtja e elbasanishtja e shkruar – me standardizimin e shqipes pushuan së qeni. Gjuha standarde, me shtrirje në të gjitha trojet ku flitet shqip dhe me funksione shumë të gjera, sot është në kontakt me dhjetëra e dhjetëra variante lokale të shqipes (të folme fshatrash, grupe fshatrash apo qytetesh me popullsi të papërzier), që kanë shtrirje e funksione shumë të kufizuara. Pra, këto pohime të “Orientimeve”, që nuk përputhen me realitetin gjuhësor shqiptar, dëshmojnë qartë, siç shprehet prof. E. Lafja, se kjo platformë «relativizon shqipen e sotme standarde dhe synon të krijojë nëpërmjet përdorimit të këtij Këshilli një lloj standardi të ri ose dy standarde». SHEMBUJ Mungesa e një platforme doemos që ka ndikuar në orientimin e gabuar të veprimtarisë së Këshillit. Kjo shihet në vendimet e tij të dy vjetëve të fundit për ndryshimin e rre-gullave të drejt-shkrimit, të cilat janë në vijën e “Orientimeve” të ASHAK-ut. Gjëja e parë që të bie në sy në projektin ndërakademik, janë zgjidhjet josistemore, të cilat e bëjnë të vështirë drejtshkrimin, sepse në të jepen rregulla për fjalë e ndajshtesa të caktuara dhe jo për klasa fjalësh e klasa ndajshtesash dhe se për klasa fjalësh me strukturë fjalëformuese të njëjtë jepen zgjidhje të ndryshme (p.sh., kërkohet të shkruajmë vetëvete, vetëvetiu, por gjithmonë, kurrfarë etj.; të shkruajmë vetëmohim, vetëqeverisje, por gjithballkanik, gjithpopullor etj., ndërkohë që në drejtshkrimin e sotëm fjalët e grupit të parë shkruhen pa ë, si fjalë të përngjitura, kurse ato të grupit të dytë me ë, si fjalë të përbëra). Ky projekt e bën drejtshkrimin të vështirë për t’u përvetësuar e zbatuar në praktikë edhe sepse numri i fjalëve që kërkohet të shkruhen ndryshe, është shumë i madh. Kështu, duke marrë për bazë fjalësin e “Fjalorit të gjuhës shqipe” (2006), që ka rreth 42.300 zëra leksikorë, del se ndryshon shkrimi i 4345 fjalëve, ose i 10,3% të numrit të për-gjithshëm të fjalëve-tituj të këtij fjalori. Më shumë preket shkrimi i ë-së së patheksuar, si zanore e temës apo si tingull mbështetës, me 4120 raste. Veç kësaj, rregullat e reja tron-ditin ndjenjën gju-hësore për shkrimin edhe të mijëra e mijëra fjalëve të tjera. Me-qenëse folësi për shkrimin e fjalëve mbështetet në ana-logjinë e morfemave, kur të ndeshet me fjalë të përbëra, si anëshkrim, gjobëvënie, lëkurëpunues, do t’i shkruajë ato pa ë fundore të temës së parë, në analogji me ortogramet ansor, gjobtar, lëkurtar të projektit ndërakademik. Dhe kompozita të tilla me temë të parë fjalë që sosin me ë të patheksuar, janë rreth 2 mijë, ose 4,4% e fjalëve të fjalorit. Kështu do të ndodhë edhe me fjalë si lypësit, njerëzit, drejtëza etj., të cilat do të shkruhen pa ë-në pastheksore për shkak të analogjisë me lypsí-a, njerzí-a të rregullave ndëraka-demike, duke shtuar edhe rreth 600 raste të tjera kur folësi ka shumë gjasa të gabojë. Pas ë-së, vjen nj-ja, që kërkohet të shkruhet j kur del si prapashtesë shumësi në 309 emra e mbiemra (ftoj, thoj, gjuj, të mëdhej etj., në vend të ftonj, thonj, gjunj, të mëdhenj etj.) dhe si tingull i temës në 56 fjalë që vijnë nga shumësa me -nj, si p.sh. i druj-të në vend të i drunj-të etj. Duke e krahasuar projektin ndërakademik të drejtshkrimit me projektet e ortografisë të botuara në Tiranë dhe në Prishtinë, del se zgjidhjet e këtij projekti afrojnë shumë me rregullat e “Orto-grafisë” së Prishtinës të 1957-s. Konkretisht, lidhur me shkrimin e ë-së së patheksuar, prej kësaj “Ortografie” në projektin ndërakademik nuk është pranuar vetëm shkrimi me ë fundore i emrave mashkullorë djalë, kalë, burrë etj. dhe pa ë pastheksore i fjalëve më -ës, -ëz dhe -ët (nxënsi, fjalza, i dobti etj.) Ortografia “e Beogradit” “Ortografia” e Prishtinës e 1957-s ishte një projekt i nxitur nga Beogradi që synonte ndarjen gjuhësore të shqiptarëve. Ajo largohej dukshëm nga “Ortografia” e Tiranës e vitit 1956, po dhe nga praktika e deri-atëhershme e shkrimit të shqipes në Kosovë e Maqedoni. Kështu, në të kërkohet që ë-ja e patheksuar «të përdoret vetëm aty ku âsht e domosdoshme”, dmth. që drejtshkrimi i gegërishtes së shqiptarëve në Jugosllavi të ishte “në përputhje të plotë me ortoepín”, pra drejtshkrim i mbë-shtetur vetëm në parimin fonetik, ndërkohë që projektet e ortografisë të Tiranës të 1956-s dhe 1967-s, të cilat janë në bazë të drejtshkrimit të so-tëm, i japin një peshë të konsiderueshme parimit morfologjik, që kërkon të ruhet e pandryshuar përbërja fonetike e rrënjëve të fjalëve dhe e ndaj-shtesave. Nën trysninë e Beogradit, ndarja e shqipes kishte nisur që më 1952, kur «për gjuhë shkrimi të Shqiptarëve në Jugosllavi» u vendos të sendërtohej «nji gegnishte… e mbë-shtetun në mundësinat e pashfrytsueme të kosovarishtes dhe të dibranishtes, tue përvehtësue në të njëjtën kohë gjithçka âsht të përshtatshëm në shkodranishte dhe n’elbasanishte». Kjo gegë-rishte e shkruar ishte një përpjekje për të krijuar një shqipe të dytë, kosovarishten, ose atë që nga gjuhëtarët serbë thirrej “shiftarski jezik”. “Ortografia” e 1957-s shënonte një hap të mëtejshëm në thellimin e ndarjes së gjuhës sonë. Duke i kuptuar pasojat që do të kishte kjo ortografi për fatin e mëtejmë të shqipes dhe të vetë kombit shqiptar, kundër saj u ngrit në atë kohë I. Ajeti, që shprehu mendimin se «rrugën e përcaktimit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe te ne mund ta shkurtonte “Ortografia” e gjuhës shqipe e hartuar në Institutin e Tiranës (1956)». Në dritën e këtyre fakteve, nuk mund të mos shqetësohesh kur sheh se Këshilli Ndërakademik kërkon ta kthejë drejtshkrimin e njësuar të shqipes 60 vjet prapa, tek ortografia “separate” e kundërshtuar nga I. Ajeti. Madje, disa zgjidhje të projektit ndërakademik për fjalë të vjetra të shqipes, si britm, buzm, hasm, shter, qurra, bulmet etj., bien në kundërshtim me traditën qindravjeçare të shkrimit të tyre. Rikthimi tek “Ortografia” e 1957-s nuk mund të mos gjykohet si një veprim që zhbën vendimet e Konsultës së Prishtinës dhe të Kongresit të Drejtshkrimit. Kundër këtyre qëndrimeve, që po i dëgjojmë të nyjëtohen ende aty-këtu nga do profesorë e akademikë, në Shqipërinë politike kanë folur e po flasin specialistët dhe lëvruesit e gjuhës, së fundmi edhe politika. Mbetet që një vlerësim i gjuhës standarde dhe i dy ngjarjeve që i dhanë jetë asaj, të bëhet edhe në Kosovë nga bota akademike e intelektuale si dhe nga faktori politik, që deri tani ka heshtur. Delegjitimimi i gjuhës standarde nga institucionet shkencore që e kanë për detyrë të kujdesen për mbrojtjen e saj, si dhe përpjekjet për ndërhyrje arbitrare në të duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë.
Posted on: Tue, 29 Oct 2013 08:32:27 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015