Ramiz LUSHAJ PULTI 1. Ipeshkvia e Pultit është e moçme, - TopicsExpress



          

Ramiz LUSHAJ PULTI 1. Ipeshkvia e Pultit është e moçme, nga ma të parat dioqeza të pushtetit kishtar në trojet shqiptare, e cila ka luajtur një rol të randësishëm në periudha të caktuara të historisë sonë kombëtare. Më 14 prill të vitit 535 kur perandori bizantin, me origjinë dardane, Justiniani I (527-563) bëri dorëzimin e kryepeshkopatës Justiniana Prima (Justiniana e Parë), mendohet se ipeshkvia e Pultit ishte nën Vikariatin e saj, e vendndodhun në Dardaninë Alpine, në vendbashkimin e Drinit më Valbonën, në luginën Nderlumna, e njohur tevona edhe ndryshe: Trojet e Ponarëve. Asokohe, në shek. VI, Justiniana e Parë, i ndërtueme në trevën dardane, ishte kryeqytet i Prefekturës së Ilirisë e kryeqytet kishtar me pushtet të plotë i Ilirisë dhe i viseve të Hungarisë Jugore, Bosnjës, Serbisë, Transilvanisë e Rumanisë. Vet qënia në fron e perandorit me origjinë dardane, Justiniani I, por edhe ndërtimi i këtij qyteti në trevën dardane (rrethina të Shkupit) e afria gjeografike me Dardaninë Alpine, si edhe lidhje të saj me ipeshkvinë e Dioklesë e me metropolinë e Shkodrës, në bregdetin Adriatik, i dhanë ipeshkvisë së Pultit statusin e një selie të privilegjuar për kohën, e konsoliduar në besimtarët e saj dhe me një shtrimje të gjërë në të dy anët e Drinit, nga Gjallica përtej Qafës së Agrit, nga Gjakova në Iballe, nga Qafa e Malit deri mbi Valbonë. Në rrjedhën e Drinit kemi edhe një ipeshkvi tjetër të njëkohshme me atë të Pultit; ipeshkvinë e Shurdhahut (Sardës), e cila e shtrinte veprimtarinë e vet misionare në të dy brigjet e lumit, nga Komani deri përtej Va Dejës, në anën e Pukës dhe të Malësisë së Madhe. Dioqeza e Pultit ishte më e madhe se ajo e Sardës (Shurdhahut) si provincë kishtare, biles hynte edhe në territore të saj, pasi ishte sufragane e ipeshkvisë së Dioklesë (asokohe, tokë etnike e shqiptarëve, sot në shtetin e Malit të Zi), e cila, kjo e fundit, ishte njëherash edhe në varësi nga metropoliti i Shkodrës. Në disa burime dokumentare kjo ipeshkvie përmendet në vitin 877, në kohën e Papa GjonVIII (879-882), pas Koncilit të Tetë Ekumenik: Kostandinopojë IV (869). Dioqeza e Pultit, në gjurmimet e deristome, na del si dokumenta të shkruara vetëm në vitin 877, kur ipeshkvi I saj ishte sufragan i Dioklesë, e cila, kjo e fundit, u themelua në vitin 451 si sufragane e Metropolisë së Shkodrës, nën Vikariatin e Justinianës së Parë, ndërsa në vitin 882 u ngrit në rangun e Kryepeshkvisë, gjersa kjo tokë shqiptare e me popullsi shqiptare, ( sot në Malin e Zi, në bregdetin e tij ), ky qytet, u shkatërrua nga sulmet barbare të avarëve. 2. Selia ipeshkvënore e Pultit që në shek. IX (ndoshta edhe ma herët) u ngul në vendbanimin e sotëm të Ponarëve, në të majtë të rrjedhës së fundme të lumit ujëkaltër të Valbonës, aty në kodërlog, te pylli i vogël me gështenja. Ende edhe sot ruhen gjurmë të (ri) ndërtimeve të saj të herëpashershme dhe vendasit autoktonë e zanë ngojë emërvendin “ Te kisha…”. Aty, syri ynë, nuk kapte asgja veçse një murnajë të rrafshtë e të haptë me gurë, një farë grope paksa thellutë për kërkim “ thesaret të vjetra”. Shumëkush flet për pasuritë e saj të hapërdame, si një kumonë e veçantë e “ rrëmbyeme” së vonit nga njerëz me “mision” apo misionarë të përtej detit etj. Njëherash bulojnë edhe hitorina me mveshje reale e legjenda në kufij të (pa) besueshmes, që e naltësojnë e ruajtën nëpër shekuj këtë vend- seli ipeshkvënore- në shenjtërinë e vet të dritënimit si “ vikar te Krishtit” dhe të “ pasuesit të apostujve “. 3. Në gjurmime të reja për këtë ipeshkvi të lashtë shohim se pas rrënimit të Dioklesë, dioqeza e Pultit u vendos nën sufraganinë e Selanikut, që , ky i fundit, asokohe, ishte Vikariat i Selisë së Shenjtë për Epirin e Vjetër dhe të Ri, Ilirikun, Maqedoninë, Thesalinë, Akajën, Dakonë Bregdetare dhe Mesdhetare, Dardaninë dhe Prevalitaninë. Dioqeza e Pultit, si dhe shumë simotra të saj, në shekujt X- XI nuk para del në burime arkivore, pasi grindjet për pavarësinë e Kishës midis Romës (Perëndimit) e Kostandinopojës ( Lindjes) çoi në ndarjen përfundimtare të Kishës në dy qendra të mëdha gravitacionale: njëra në Romë ( Katolike) e tjetra në Kostandinopojë ( Orthodokse), pra kishte ndodhur Skizma e Madhe (1054). Në këtë grindnajë ndasore dioqeza e Pultit e dha kontibutin e vet dhe sytë e zemrën i mbajti nga Papati në Romë duke e ruajtur me vetëdije e sfida besimin tek të krishterët katolikë. Pas vitit 1034, kur dioqeza e Tivarit ngrihet në hierarkinë e pushtetit kishtar në rang Arkidioqeze, atëherë edhe dioqeza e Pultit u përfshi në juridiksionin e saj. 4. Dioqeza e Pultit, me seli në vendbanimin e “ Ponarit të Lekës” u ngrit të paktën rrëth pesë shekuj pas “ Ediktit të Milanos” (313), të nënshkruar nga perandori Kostandin i Madh ( me origjinë ilire) dhe nga perandori Lici, që ligjëruan ( me dekret) zyrtarisht veprimtarinë e të krishterëve dhe ushtrimin e lirë të besimit të tyre brenda kufijve të Perandorisë. ) Në rrjedhën e kohës merr rëndësi të veçantë fakti se dioqeza e Pultit vjen pas asaj të Durrësit, ma e lashta në Shqipëri, që në vitin 56 kur u shugurue peshkop Çezari ( Çezari i Durrësit, shenjt, “ apostull dhe nxënës nga të shtatdhjetët) nga Shën Pali, figura më e madhe në historinë e mendimit të krishterë. Vjen pas asaj të Shkupit, e ngritun më 346 me ipeshkv Paregorin, pas asaj të Shkodrës (viti 387, me ipeshkv Basin), pas asaj të Tivarit (shek.IV); pas asaj të Vlorës ( viti 458, me ipeshkv Nazarin ). Për lashtësinë e dioqezës së Pultit flet edhe fakti tjetër së është më e hershme se dioqezat e Shasit, Drishtit e Ulqinit ( 1142), se e Arbërisë (1166), se e Sardës (1199), se e Prizrenit (1204), se e Kosturrit (1218), se e Krujës ( 1279), se e Sapës (1291), se e Kunavisë (1310), se e Lezhës(1357), se e Lisit-Mat (1358), etj. Prania e një dioqeze kaq të hershme, si kjo e Pultit, në truallin e Malësisë së Gjakovës, në vendbanimin e Ponarit të Lekës, merr vlera të veçanta në kuadrin e historisë së krishtërimit në trojet etnike shqiptare, në përhapjen e përqafimin e qytetërimit perëndimor në viset pultjane (altuniane) të Tropojës së atëhershme e të sotme. 5. Në bulën “ Si pastores ovium” të vitit 1067 të Papa Aleksandri II (1061-1073) dioqeza e Pultit gjendet nën sufraganinë e Kryeipeshkvisë së Tivarit bashkarisht me ipeshkvinë e Kotorrit, Balecit ( Balecium, Balezo,Balazum, Ballesio), Shasit, Shkodrës e të Drishtit. Më vonë iu shtuan edhe ipeshkvitë e Ulqinit, Arbërit, Nënshatit, Sardës (Shurdhahut), Danjës (Dejës) e tevona (1357) edhe ipeshkvia e Lezhës. Në vitin 1199, sipas Enciklopedisë Katolike, ipeshkvi I Pultit, bashkë me ipeshkvijtë e tjerë të Shqipërisë: Krujës, Skurjes, Drishtit, Shasit, Ulqinit dhe Sardës merr pjesë në koncilin kishtar të mbledhur në selinë e Kryeipeshkvit të Tivarit. Deri aty nga mesi i shek. XIV, rreth vitit 1345, quhej vetëm Pult ( Polatensi) dhe prej kësaj kohe e merr emnin Pulti i Epërm ( Polatensis maior) . Qendra e ipeshkvisë së Pultit te Epërm ndodhej në qytetin e Pultit (civitas Polatensis), pikërisht aty ku ishte prej shekujsh, në vendbanimin e djeshëm e të sotëm të Ponarit të Lekës. Në fillim të shek. XVI Pulti i Epërm ende e kishte ipeshkvinë e vet : Në vitin 1518 kuria romake urdhëron ipeshkvit e Lezhës,të Capës ( Pultit të Poshtëm), të Shkodrës e të Pilotit ( Pultit të Epërm), që do të shkojnë në këto vise kishte shumë klerikë e civilë të krishterë”. Pas pushtimit otoman u vështirësue së tepërmi puna e selisë ipeshkvore të Pultit, pasi “ Kurrnji krahine të Pultit të vjetër nuk i takoi me psue ma fort prej turkut se Lumës, Gashit e Krasniqes, ngaqë Begollët e Pejës, i përdorën të gjitha predionet e praktikat e Anadollit për me i kthye në myslimanë këto vise në brigjet e epërme të Drinit të Bashkuar, nga Dy Drinat deri ku bashkohet Drini me Valbonën. Në mbrojtje të fesë së krishterë Malësia e Gjakovës, u përball fort me otomanët : “ Gashi e Krasniqja i qëndruen gati për dy shekuj sulmeve të pandame të Turkut, e dy herësh, për me i lodhë, kjenë internue i madh e i vogël në krahinën e Tetovës ” Imzot Shtjefën Gaspri, ( i shkolluar në Kolegjin Ilirian të Loretos bashkë me Frang Bardhin ), në cilësinë misionare si Vizitator Apostolik i dioqezave të Shqipërisë, në një relacion të tij drejtuar Propagandës Fide në vitin 1671, pohon se në Gash e në Krasniqe “ ishin ende ma se njiqind shpi katolike “. Në këto kushte e rrethana historike në fillim të shek. XVII selia ipeshkvënore e Pultit u trnsferue te Gurra e Shoshit e prej këtu, pas ndonja njëqind vjetësh, në Gjaj, kurse në vitin 1930 ngulet në Kodër- Shëngjergj. Në mesin e shek. XVIII, sipas relacioneve të misionarëve të kohës, në Malësinë e Gjakovës, ndër fiset e Krasniqes, Gashit e Bytyçit zhduket feja katolike duke u mbajtur vetëm në fiset Nikaj e Mërtur ( nga Qafa e Agrit deri në Rajë, te bashkohet Drini me Valbonën ) dhe në Berishën e Brigjeve ( në të djathtë të lumit Drin, nga Vau i Dardhës deri në kufi me Bytyçin). 6. Selia ipeshkvëndore e Pultit ka qëndruer në të njejtin ngulim, në trojet e Ponarëve, në rreth 1.000 vjet, nga shek. VI deri ne shek. XVII, që nga koha kur ishte sufragan i Kryeipeshkvisë Justiniana e Parë ( Justiniana Prima, kryeqytet i prefekturës së Ilirisë e kryeqytet kishtar me pushtet të plotë i Ilirisë dhe viseve të Hungarisë Jugore, Bosnjës, Serbisë, Transilvanisë e Rumanisë. Më 14 prill të vitit 535 kur perandori i Bizantit, Justiniani I (527-565) bëri dorëzimin e Kryepeshkopatës Justiniana Prima, ipeshkvia e Pultit ishte nën Vikariatin e ipeshkvisë së Dioklesë, e cila, edhe kjo e fundit, asokohe, kishte varësi nga Metropoliti i Shkodreës, në kohën e metropolit Andrea. Ky fakt merr rëndësi të veçantë, pasi dioqeza e Pultit mbetet nga më jetëgjatat në historinë e krishtërimit në trevat etnike shqiptare, si për nga vendqëndrimi në një vend të vetëm edhe për nga veprimtaria e gjatë aktive deri edhe përtej kufijve të saj kishtar. Në periudha të caktuara historike ka pasë disa ipeshkvi me autoritet të lartë kishtar si ajo e Shasit ( Svaç, Suacium...), që ishte e ngritur në vitin 1067 në qytetin me të njejtin emër (i cili priste edhe monedhën e tij ), që flitej në hapësira të së vërtetës deri në kufijtë e legjendës se në këtë qytet me rrethina kishte 365 kisha, nga një për çdo ditë të vitit, por rreshti së ekzistuari në vitin 1478. Ipeshkvia e Arbërit jetnoi veç pesë shekuj (1161-1644), kurse ajo e Drishtit mbi tre shekuj ( 1142-1474), ndërsa ajo e Denjës ( Dejës) më pak se një shekull ( 1361-1428). Me pakësimin e klerit katolik e të besimtarëve të fesë katolike në shek.XIX nisi bashkimi i dioqezave. Përtej Bunës, në tokat shqiptare në Malin e Zi, u bashkuan dioqezat e Shsit e të Ulqinit me atë të Tivarit, dioqezat e Shurdhahut e të Dejës me atë të Sapës. Dioqeza e Pultit, në vitin në vitin 1867, u bashkua me atë të Drishtit, duke kaluar nën sufraganinë e Kryeipeshkvisë së Shkodrës, kur kryepeshkop ishte Karl Poten. Qysh atëherë dioqeza e Pultit përfshin një pjesë të mirë të Pultit të Epërm e të Pultit të Poshtëm, Postribën, Pultin, Shalën, Shoshin, Nikajn, Mërturin, Gashin, Krasniqen dhe Dushmanin. Sot ipeshkvia e Pultit nuk ekziston se është bashkuar me Kryepeshkvinë e Shkodër- Pultit. 7. Nga shek. VI deri në të XII- tin për ipeshkvit e Pultit vetëm gjenden fragmente dokumentash arkivore ku iu përmenden funksionet, po nuk i gjejmë emrat e tyre, siç ka ndodhë edhe me shumë dioqeza të tjera në trojet etnike shqiptare. Në selinë e dioqezës së Pultit, në vendbanimin e Ponarëve, hasen në burime arkivore emrat e 21 ipeshkve nga Teodori (1147) deri te Vinçenc Xhovaneli (1656-1660). • Teodori, p. 1147 • Gjoni, p. 1199 • Andrea (1250-1251) • Pjetri (1351- ?) Në vitin 1345 kemi ndarjen e Pultit në dy dioqeza, në Pultin e Madh dhe në Pultin e Vogël. ( Polatensis Minor), e cila, kjo dioqeza e fundit, sipas dokumenteve, figuron nga viti 1345 me ipeshkv Gjonin der në pas vitet 1520 me ipeshkv Vinçensin. Në Pultin e Epërm ( Polatensis maior), nga viti 1367 deri më 1656, kemi këta ipeshkvë : • Nikolla (1367-1370) • Dhimitri (1368-1372), ndërhyrës. • Laurenti (1370-1376) • Mateu (1367-?) • Sergji (1391-1405) • Aleksi (1405-1421) • Nikolla Zaharia (1421-1427) • Dushmani (1427-1446) • Nikolla (1454-1470) • Stefani (1470-1475) • Gjoni (1475- ?) • Martin Mazreku (1515-1518) • Isidor Almopoveri (1518-1524) • Gjoni ( StanyËell) (1524-?) • Laurenti ( de Sanctarellis) (1529- ?) • Martin ( Polonus) (1574-1576) • Në vitet 1576-1656 vendi mbeti vakant. I fundmi ipeshkv në dioqezën e Pultit të Epërm, me seli në vendbanimin e Ponarëve, ishte Vinçens Xhovaneli (1656-1660), pasi në kohën e tij u transferua selia në Gurrë të Shoshit. Pas tij vjen Hiacint de Setia (1660-?) në Shosh dhe i fundit rendohet i madhi Bernardin Shllaku (1910-1956) me Antonin Fishtën (1956-1966), kohë kur u mbyllën kishat e xhamitë në sistemin komunist për të kthyer popullin në vendin e vetëm ateist në botë. Në vitet e demokracisë ( 1992-1998) ipeshkv i Pultit ishte Robert Ashta. Tiranë, mars-nëntor 2011
Posted on: Fri, 01 Nov 2013 07:56:23 +0000

Trending Topics



xt" style="margin-left:0px; min-height:30px;"> EKURHULENI APPEALS FOR REDUCTION OF WATER CONSUMPTION The
Jag undrar om alla dessa som hysteriskt reagerar på avgiften för

Recently Viewed Topics




© 2015