Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në gjashtë - TopicsExpress



          

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në gjashtë muajt e parë të këtij viti vihet re një dukuri e panjohur më parë. Jo vetëm emigrantët sjellin më pak para në vend, por kanë nisur të tërheqin para nga familjarët e tyre, për të siguruar qendrimin në vendet ku jetojnë, që janë kapur keqaz nga kriza. Të dhënat bëhen të ditura nga bilanci i llogarive korente për tremujorin e dytë të vitit 2013, publikuar nga Banka e Shqipërisë. Në të dhënat e detajuara, zëri “transferta nga emigrantët, dalëse”, ka qenë zero deri në vitin 2010, ndërsa më pas, kanë filluar që të konstatohen daljet e para të transfertave nga vendi. Për gjashtë muajt e parë të vitit, ky zë kishte një vlerë prej 4 milionë eurosh. Pra, ndërsa remitancat që emigrantët sjellin nga vendet ku jetojnë e punojnë drejt të afërmve në Shqipëri shënuan nivelin më të ulët të dekadës në gjashtë muajt e parë të 2013-ës, për të dytin vit radhazi po vihet re tashmë një prirje e re: janë familjet shqiptare ato që po ndihmojnë të afërmit e tyre jashtë vendit. Ndonëse shuma është tepër e vogël, në raport me prurjet që hyjnë në Shqipëri, përsëri kjo është një tendencë që ka nisur të konstatohet vetëm kohët e fundit. Ekspertë të tregut pohojnë se e kanë konstatuar një tendencë të tillë, megjithëse ajo është shumë e ulët dhe e papërfillshme në raport me paranë që hyn në Shqipëri. Kryesisht janë prindërit ata që u dërgojnë para fëmijëve në shkollë, por ka dhe raste kur familjet në Shqipëri ndihmojnë të afërmit në Greqi e Itali, që mund të kenë mbetur të papunë. Nga ana tjetër, janë edhe të huajt që punojnë në Shqipëri, që mund t’u dërgojnë para familjeve në vendin e tyre të origjinës. Të ardhurat që emigrantët dërgojnë në familjet e tyre në Shqipëri ishin në nivelet më të ulëta historike në tremujorin e dytë të vitit 2013, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, duke reflektuar si tendencën ciklike, ashtu dhe krizën që po kalojnë Greqia dhe Italia, shtetet ku ndodhet pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë. Statistikat tregojnë se prurjet e emigrantëve për tremujorin e dytë ishin 105 milionë euro, niveli më i ulët historik, që nga viti 2004, kur Banka e Shqipërisë publikon të dhënat. Për gjashtëmujorin e parë, remitancat ishin vetëm 228 milionë euro, me një rënie prej 33% në raport me periudhën janar-qershor 2012. Trendi rënës i remitancave pritej për shkak të lëvizjeve ciklike (pas 20 vitesh emigrantët fillojnë e shkëpusin lidhjet nga vendi mëmë), megjithatë ai është përshpejtuar për shkak të krizës që po përjetojnë Greqia dhe Italia, që kanë lënë mijëra shqiptarë të papunë. Remitancat e emigrantëve përdoren kryesisht për financimin e konsumit në vend. Tkurrja e tyre u ndie dhe në verën e këtij viti, teksa monedha vendase nuk fitoi pikë ndaj euros, siç ndodhte rëndom në këtë periudhë, kur një pjesë e emigrantëve vinin për pushimë në vendin mëmë.
Posted on: Tue, 17 Sep 2013 12:19:54 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015