Sot më datë 27 Qershor 2013 tre alpinistë të Shoqatës - TopicsExpress



          

Sot më datë 27 Qershor 2013 tre alpinistë të Shoqatës Bjeshkatarë dhe Alpinistë Tirana, më ora 02:40, u ngjitën në majën Denali. Është hera e parë që një ekip alpinistësh shqipëtarë ngjitet në majën më të lartë të Kontinenetit të Amerikës Veriore dhe valvit atje flamurin tonë kombëtar. Kjo veprimtari sponsorizohet nga Raiffeisen Bank dhe Vodafone Albania. Ekipi përbëhet nga Iglin Shyti, Gerti Pishtari, Gjergji Bojaxhi. - Kur kanë arritur ne Kryeqytetin e Alaskes Anchorage alpinistët kanë blerë pajisje që i përshtaten klimës dhe reliefit të kësaj ngjitje. - Në Talkeetna (qyteza ku ndodhet shkolla e alpinizmit), ekipi ka plotësuar blerjet dhe ka marë disa pajime e veshje me qera. - Në Talkeetna ekipi ka kryer stërvitje lidhur me sigurimet dhe mënyrën e veprimit në rast se dikush bie në krevasë. Në përvojën alpinistike dihet se ngjitja e majës është më e mundëshme që të jetë e suksesëshme kur kryhet në muajin Qershor, muaj kur moti mesatarisht ka qëndrueshmëri të mirë. Ngjitja ka filluar më datën 14 Qershor nga lartësia 2.000 metra. Ekspedita Denali 2013 e organizuar nga Shkolla e Alpinizmit në Alaskë në përbërje të saj ka tre alpinistë shqiptarë, një gjerman, një britanik dhe dy amerikanë. Ngjitja në majën Denali karakterizohet nga një reliev me borë dhe akull. Akullnajat këtu njihen si tipike për krevasa të shumta (keto jane plasje të masës së akullit të cilat në madhësi shkojnë nga të vogla e deri në humnera) dhe kjo bën që alpinistët gjatë gjithë kohës të jenë të siguruar me litarë, madje edhe kur shkojnë për nevoja personale. Maja Denali njihet nga alpinistët edhe për erërat e fuqishme të shoqëruara me shkulme (kjo është arësyeja që grupi në Kampin e Sipërm tendat e ngitura i ka rrethuar me mure mbrojtës të ndërtuar me blloqe akulli e bore të ngrirë). Temperaturat janë të ulta aq sa që për humor thuhet se në Denali takohen natën Zoti Celcius me Zonjën Faranaj në minus 40 gradë (ky humor ka kuptimin: nëse në formulën e konvertimit të temperaturës kthejmë temperatutrën minus 40 gradë Celcius në sistemin Faranaj, kjo temperaturë del minus 40 gradë Faranaj – dhe anasjelltas). Krahasuar me ngjitjen e majës Everest, ngjitja e majës Denali është më e lodhëshme për periudha kohore të barabarta (për shembull 10 ditëshat ) dhe kjo ndodh ngaqë individi/alpinisti duhet të mbartë vetë ngarkesa të mëdha që duhen ngritur nga një kamp në tjetrin pa asnjë ndihmë. Po ashtu e tërë jeta alpinistike në kamp mbulohet plotësisht me përpjekjet dhe punën e tyre. Për të realizur mbartjen e bazës material (e cila është kryer duke e vendosur dhe tërhequr në slitë dhe njëherësh në cantën e shpinës) alpinistëve u është dashtur që të ulen në kampet e poshtëme nga dy tre herë për të realizuar sjelljen e bazës material, ushqimeve, etj., në lartësitë e kampeve të ngritura deri në Kampin e Sipërm (5.350 m). Oksigjeni nuk përdoret në këtë mal (në Everest përdoret në lartësinë 7.800 metra e sipër) por kjo nuk do të thotë që alpinistët që ngjiten në majën Denali nuk tregojnë kujdes për gradualitetin e ngjitjes (fitimit të lartësisë) për të mposhtur kështu maksimalisht sëmundjen e malit (gradualiteti i fitimit të lartësisë dhe uljet e përkohëshme në lartësi më të vogla njihen si aklimatizim). Urojmë që anëtarët e kësaj ekspedite të kenë një zbritje të suksesëshme nga mali! Aleksandër Bojaxhi Kryetar i Shoqatës Bjeshkatarë dhe Alpinistë Tirana
Posted on: Thu, 27 Jun 2013 07:12:34 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015