Tropojanizimi i ri i Antiberishizmit Në ndërkohë doli - TopicsExpress



          

Tropojanizimi i ri i Antiberishizmit Në ndërkohë doli raporti i komisionit parlamentar për ngjarjet e vitit 1997, i cili e bënte përgjegjës Berishën, dhe i rekomandonte Prokurorisë ndjekjen penale të tij për krime kundër njerëzimit, akuzë me të cilën më pas Millosheviçi do të shkonte në Gjyqin e Hagës. Të majtët në pushtet mendonin se SHBA do t’ u jepnin leje që të arrestohej Berisha, në mënyrë që të sigurohej stabiliteti në Shqipëri në kohën e luftës së Kosovës, gjë për të cilën amerikanët qenë shumë të interesuar. Të gjitha këto ndodhnin në vitin 1998, në kohën kur shërbimi sekret amerikan CIA ndërmori një fushatë të ashpër kundër grupimeve terroriste islamike, që kishin gjetur strehë edhe në Shqipëri, PS në pushtet, vendosi të përfitonte nga kjo klimë e favorshme politike për ta atakuar Berishën dhe PD-në si ushtruese të terrorizmit islamik. Në këtë kohë konflikti politik midis PS-së në pushtet dhe PD-së u shkallëzua në aspektin religjioz, kur mediat pranë PS-së filluan ta akuzojnë lidershipin e PD-së se donte të organizonte një kryengritje me ngjyrim islamik në Shqipëri. Në vitin 2002, komisioni parlamentar që hetoi veprimtarinë e SHIK zbuloi se në verën e vitit 1998 SHIK i pati çuar qeverisë «Nano» një raport sipas të cilit PD po përgatiste një rebelim të armatosur të llojit islamik për përmbysjen e qeverisë që do të fillonte në Shkodër, dhe në krye të të cilit qe Sali Berisha. Në rast se të majtët nuk do të merrnin leje ta eliminonin Berishën politikisht duke e arrestuar, atëherë kishin llogaritur që ta eliminonin me anë të një skenari të llojit të atij që rusët e zbatojnë në Çeçeni dhe e quajnë Çeçenizim. "Çeçenizimi" konsistonte në atë që konflikti të projektohet tek pala tjetër. Kështu rusët synonin, dhe në një masë të madhe ia arritën, që konfliktin ruso-çeçen ta projektonin tek vetë çeçenët, si konflikt mes tyre. Kështu duhej projektuar një konflikt mes Berishës dhe Tropojës, çka do të thoshte tropojanizim i konfliktit politik në Shqipëri, duke shërbyer Azem Hajdari si njeriu që do ta tërhiqte Berishën në këtë konflikt, derisa Berisha qe i detyruar që ta mbronte Hajdarin politikisht, kur ky hynte në aventura. Ngjarjet e shtatorit 1998 në Tiranë kanë qenë të lidhura me këtë skenar të çeçenizimit. Por nuk duket e besueshme që vrasja e Azem Hajdarit të ketë qenë pjesë e këtij skenari. Pushteti i majtë e dinte se nëse vritej Azem Hajdari ndërkombëtarët do të alarmoheshin shumë dhe do të ndërhynin në vend për të qetësuar situatën, dhe me këtë rast jo vetëm që Berisha do të shpëtonte pa u vrarë, por as do të mund ta arrestonin. Plani i tyre ishte arrestimi i Berishës, që u paralamërua me arrestimin e gjashtë ish-funksionarëve të lartë të kohës kur PD qe në pushtet, me ato akuza për të cilat kërkohej dhe arrestimi i Berishës për ngjarjet e vitit 1997. Fatmir Haklaj dhe Jaho Sali në 12 shtator nuk shkuan para PD për ta vrarë Azem Hajdarin, por pas të gjitha gjasave për ta rrëmbyer, dhe për të bërë kushedi ç’ punë të errëta me të. Port ë dy palët nuk ia kishin besën njëri tjetrit dhe në një moment gjërat precipituan deri në një shkëmbim zjarri, ku u vra Azem Hajdari dhe një njeriu i vet, por edhe një nga pala tjetër. Këtu zunë fill incidentet e 13-14 shtatorit që e majta në pushtet i quajti grusht shteti. E vërteta e këtyre ngjarjeve të 12-14 shtatorit nuk është as ajo që thotë PD, as ajo që thotë, PS, por është pak nga të dy versionet, por duke shtuar dhe disa gjëra të tjera, të cilat në Shqipëri nuk janë analizuar kurrë si duhet. Ajo që ndodhi në 14 shtator 1998, kur turma e tubuar për funeralin e Azem Hajdarit msyu selinë e qeverisë dhe rrëmbeu tanket që dolën në rrugë kundër saj, nga pikëpamja klasike mund të përcaktohet si sulm me dhunë kundër institucioneve, por jo si grusht shteti, se që të ketë grusht shteti duhet që të dalë një grupim që të marrë pushtetin. Së pari, kur oficerë të policisë së shtetit vijnë nga province në kryeqytet të armatosur deri në dhëmbë dhe vrasin një figurë të rëndësishme të opozitës para selisë së partisë së tij, pastaj largohen të qetë, nëpër një rrugë të gjatë të mbushur me post-blloqe policore, ndërsa qeveria i mbron, duke thënë se e verifikoi se nuk qenë atë ditë në Tiranë, atëherë vrasja i mbetet në derë qeverisë. Edhe nëse ndodh sot e njëta gjë, me një figurë të opozitës së sotme, vrasja i mbetet në derë kryeministrit Berisha. Reagimi që vjen pas kësaj nuk mund të quhet sulm kundër institucioneve, se institucionet kanë humbur të drejtën të quhen të tilla, pasi e kanë lejuar këtë gjë, ose nuk kanë vepruar kundër vrasësve. Së dyti në 14 shtator 1998 nuk doli një grupim që të hynte në kryeministri dhe të shpallej si qeveria e re e Shqipërisë, në vend të asaj të mëparshmes. Sigurisht që turma ishte e frymëzuar nga liderët e opozitës së atëhershme por qëllimi nuk ka qenë që të merrte pushtetin se ai e dinte që kjo ishte e pamundur, por vetëm që të tregonte forcë, për t’ u faktorizuar para ndërkombëtarëve, të cilët dukej se i kishin dhënë pushtetit licencën të mbante nën kontroll me represion opozitën. Berisha sigurisht që e dinte shumë mirë, se në rast se do të kishte ardhur në pushtet në shtator 1998, ai do të ndodhej në situatën që u ndodh në mars 1997, çka ai sigurisht që nuk e donte më. Prokuroria dhe gjykata, që ka dhënë një vendim të formës së prerë për vrasjen e Azem Hajdarit, e kanë quajtur vrasjen si të kryer për gjakmarrje. Pushtetarët e kohës kanë larë duart, duke thënë se ky ishte një sherr mes tropojanësh dhe jo një konflikt politik ku ishte i implikuar shteti. Drejtori i atëhershëm i SHIK, Fatos Klosi, mëse një herë ka thënë se ai dhe ministri i rendit publik i kohës, Perikli Teta, e kanë paralajmëruar Azem Hajdarin për atentatin që po përgatitej kundër tij, duke përmendur dhe autorët e mundshëm, që rezultuan të ishin ata që e bënë vërtet atentatin. Por problemi është se Fatmir Haklaj, shefi i grupit që bëri vrasjen, kishte qenë shef i komisaratit të policisë së Tropojës me gradën major, deri në janar 1998, kur vrau në mjediset e komisariatit një oficer police vartës së tij, me ç’ rast u shpall në kërkim. Pse u emërua Fatmir Haklajn, familja e të cilit ishte e implikuar në hasmëri dhe vrasje dhe dy vëllezër të të cilit ishin në kërkim për vrasje, madje edhe për vrasjen e një polici, shef komisariati, kur ishte praktika që këta njerëz duhen shmangur nga policia. Si erdhi Fatmir Haklaj në Tiranë, në 14 shtator, dhe lëvizi lirisht, kur ai ishte në kërkim? Si ndodhi që Fatmir Haklaj pas kësaj vrasjeje kur u kthye në Tropojë, u fut përsëri në polici me gradën major? Si ndodhi që shefi i policisë së rendit publik të Tropojës, kapiten Jaho Salihi, që ishte në Tiranë atë ditë bashkë me Haklajn, në atentat, së bashku me disa funksionarë policie, dhe me automjetet e policisë, kur u denoncua nga opozita si vrasë, u mbrojt personalisht nga ministri i rendit, duke u thënë se u verifikua se ai nuk gjendej në Tiranë, por në Tropojë? Si nuk e njoftuan ministrin e rendit ato postoblloqe të panumërta, nga Tirana deri pranë Tropojës, për praninë e gjysmës së policisë së Tropojës në Tiranë, në 14 shtator, deri edhe 100 metra larg ndërtesës së ministrisë, ku ndodhi atentati? Si ndodhi që kur Fatmir Haklaj u soll i plagosur në spitalin ushtarak në Tiranë, pasi u plagos në vitin 1999, ai u lirua me ndërhyrjen e vetë drejtorit të SHIK, Fatos Klosi, gjë të cilën ky e ka pohuar vetë, gjoja për t’ u kururar jashtë vendit, kur asnjë spital në botë, nuk pranon pa ndërhyrjen e autoriteteve, një kriminel të plagosur? Të gjitha këto gjëra janë justifikuar nën zë, nga pushtetarët e kohës, me atë se për shkak të Luftës së Kosovës, duheshin toleruar njerëz si Fatmir Haklaj dhe Jaho Salihi në policinë e Tropojës, se duheshin çuar armë në Kosovë. Por e vërteta është se për t’ u ndihmuar lufta e shqiptarëve të Kosovës nëpërmjet Tropojës, nuk kishte nevojë që në policinë e Tropojës të kishte njerëz si Fatmir Haklaj dhe Jaho Salihi, se në Tropojë, çdo njeri, i majtë apo i djathtë qoftë, ishte pro luftës së shqiptarëve të Kosovës. Të gjithë fshatarët e fshatrave kufitare, që kishin pjestarë të fiseve të tyre në Kosovë, ishin gati të ndihmonin për të çuar armë në Kosovë dhe ndihmuan, madje pa interes. Ndërsa Fatmir Haklaj dhe Jaho Salihi u duheshin atyre pushtetarëve të Tiranës, që donin t’ u shisnin armë luftëtarëve shqiptarë të Kosovës, nëpërmjet njerëzve të tillë. Gjithashtu këta njerëz duheshin dhe që në Kosovë të pengohej hyrja masive e armëve vërtet moderne, të blera në perëndim, por atje të hynin kallashnikovët dhe minahedhësit e prodhimit rus dhe kinez të viteve gjashtëdhjetë, që nuk i bënin ndonjë dëm të madh ushtrisë serbe. Ata që ishin implikuar në këtë tregëti të ndyrë, si dhe në këtë skenar të çeçenizimit, e zbuluan veten duke liruar Fatmir Haklajn, kur u erdhi në dorë, se ai për të shpëtuar veten do të zbulonte shumë të vërteta që atyre nuk u interesonin. Atyre u bënte komoditet skenari i "çeçenizimit" dhe versioni i tij i tropojanizimit, se me këtë do të eliminonin opozitën reale, dhe do të mund të realizonin planin e krijimit të një opozite fiktive. Në atentatin e Azem Hajdarit është implikuar dhe Izet Haxhia, me ç’ rast është aluduar përgjegjësia e Berishës. E vërteta është se Izet Haxhia, kur u bë vrasje prej një viti nuk ishte bodyguard i Berishës, pasi ishte larguar nga ky i fundit, dhe kjo është e dokumentuar, se bodyguardët e Berishës, që kishte statusin e ish-presidentit, ishin oficerë të gardës. Ajo që duhet sqaruar në këtë rast, është se kush tentoi të rrisë reputacionin e Izet Haxhisë në PD, duke inskenuar në tetor 1997 arrestimin e tij, çka më pas u ndryshua në arrest shtëpiak, që ishte në fuqi edhe në shtator 1998? Këtë e bëri policia dhe prokuroria e kohës. Rekrutimi i ish-bodyguardit të Berishës, nga grupi i vrasësve, si bashkëpunëtor, është një gjë që doli shumë më vonë, dhe kur doli, PD, ende në opozitë, e denoncoi, nuk e mbrojti. Pra, është fakt nuk veproi si ata pushtetarë që morën në mbrojtje Fatmir Haklajn dhe Jaho Salihin pasi krimit, për një kohë të gjatë. Pas ngjarjeve të 14 shtatorit parlamenti i hoqi imunitetin Berishës me kërkesën e prokurorisë, duke e akuzuar këtë herë për ngjarjet e 14 shtatorit. Por tashmë kancelaritë e huaja ishin zgjuar dhe e kishin kuptuar plotësisht se ç’ po ndodhte dhe nuk mund të lejonin arrestimin e Berishës, pavarësisht se vazhdoi dhe disa kohë loja ku prokuroria kërkonte të arrestonte Berishën dhe qeveria “Majko” bënte sikur ishte e pafuqishme ta ndalonte, ndërsa shefi i Zyrës së OSBE, Dan Everts, shkonte në prokurori të shikonte se mos ishte prerë fletë-arresti për Berishën. Atë që e majta nuk e arriti dot me Azem Hajdarin, pra eliminimin politik të Berishës, vendosi ta bëjë vitin e ardhshëm, në 1999, me Genc Pollon, i cili krijoi një fraksion në PD, të quajtur nga mediat e majta si moderatorë dhe reformatorë. Synimi ishte që të ndalohej rizgjedhja e Berishës në krye të PD, në Kuvendin V, në shtator 1999. Këtu Berisha u tradhtua dhe nga një tjetër tropojan, Afrim Krasniqi, i cili u bashkua me Genc Pollon. Në kuvendin e PD të shtatorit 1999 Berisha lançoi në parti një tjetër tropojan, Besnik Mustafajn, të cilit iu dha posti i sekretarit për marrëdhëniet me jashtë në PD, edhe pse nuk ishte fare anëtar i PD. Besnik Mustafaj thoshte se ai ishte pranë PD, por jo brenda në PD. Pra donte të merrte privilegjet e politikës, duke mos marrë imazhin e militantit, pra të njeriut me teser. Besnik Mustafaj do të ishte kandidatura e favorizuar e Berishës për kandidat i PD për kryetar bashkie i Tiranës, në zgjedhjet e vitit 2000, përballë Edi Ramës. Për shkak të Besnik Mustafajt Berisha pati dhe një përplasje me Bamir Topin, i cili gjithashtu kishte shpallur kandidaturën e vet brenda PD, për të qenë kandidat i kësaj partie për kryetar bashkie në Tiranë. Për të nxjerrë kandidatin që do të paraqiste partia u bë një votim në konferencën e PD të Tiranës, që u mbajt në pallatin e sportit. Votimi përfundoi me një balotazh mes Mustafajt dhe Topit. Ky i fundit u tërhoq nga gara, pasi u vendos që votimi i dytë të bëhet në sallën e madhe të selisë së PD. Topi u largua në krye të mbështetësve të vet, duke e quajtur votimin të manipuluar nga Shaban Memia, sekretar i degës së PD të Tiranës. Mustafaj pasi humbi në zgjedhjet vendore përballë Ramës, u largua për në Francë, ku tha se kishte një ftesë si shkrimtar, duke mos marrë pjesë në mitingjet që bënte PD me pretendimin se zgjedhjet qenë manipuluar. Mitingjet e protestës u shkallëzuan derisa në Tropojë pati përplasje mes protesstuesve dhe policisë ku u vra dhe një protestues, gjë për të cilën PD akuzoi qeverinë. Sido që të kishin shkuar gjërat në Tropojë, veprimet që bëri qeveria në Tiranë qenë absolutisht të shpërpjestuara. Selia e PD u rrethua me autoblinda, snajpera dhe forca policore me maska, në një operacion që u kulmua me ndalimin dhe shoqërimin nga policia të Berishës, kur ai doli në mbrëmje vonë nga selia. Duket se vazhdonte skenari i hershëm për eliminimin e PD si partia e dytë e madhe në vend, çka praktikisht realizohej duke eliminuar politikisht Berishën. Kjo ishte arsyeja që ndërkombëtarët as këtë herë nuk dhanë lejë për arrestimin e Berishës. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, nga 31 deputetë nga 140 që mori PD (13 ua fali aleatëve), katër qenë me origjinë nga Tropoja. Nga ata vetëm njëri u zgjodh në Tropojë, Azgan Haklaj (u zgjodh ndërsa ishte i arrestuar për ngjarjet e nëntorit të kaluar në Tropojë). Tre të tjerët u zgjodhën në Tiranë (Shaban Memia dhe Besnik Mustafaj) dhe në Kavajë (Sali Berisha). Në Kuvendin VII të PD, në dhjetor 2001, ku Berisha u rizgjodh kryetar, në kryesinë e PD nuk u zgjodh asnjë tropojan. Tashmë Berisha nuk po kishte më probleme me politikanët tropojanë. Në Kuvendin VIII të PD, mbajtur në prill 2005, dy muaj para zgjedhjeve, ku Sali Berisha u rizgjodh kryetar, në kryesinë e PD prej 25 vetësh u zgjodh dhe një tjetër tropojan veç tij, Aleksandër Biberaj, i cili pavarësisht emrit, është musliman. Besnik Mustafaj u zgjodh ex officio anëtar i Këshillit Kombëtar (për shkak se ishte deputet), gjë e çuditshme kjo, se ai nuk e kishte teserën e PD dhe nuk e ka ende. Në zgjedhjet e qershorit 2005, nga 56 deputetë që fitoi PD (në fakt 18 deputetë ua bëri dhuratë partive aleate), vetëm tre qenë tropojanë. Nga këta një u zgjodh në Tropojë (Aleksandër Biberaj). Dy të tjerët u zgjodhën në Kavajë (Berisha) dhe në Tiranë (Besnik Mustafaj). Në qeverinë e paszgjedhjeve, të kryesuar nga Berisha, nga 14 ministra, njëri ishte tropojan, Besnik Mustafaj, i cili mori postin e ministrit të Punëve të Jashtme. Përdorimi i tropojanëve për diversion kundër Berishës filloi përsëri pas zgjedhjeve vendore të vitit 2007 dhe sidomos pasi Bamir Topi u bë president në korrik të atij viti. Besnik Mustafaj e humbi portofolin e tij ministror para vizitës së Presidentit Bush në Shqipëri, me sa duket për shkak se në postin e tij duhej të vinte Basha që të rriste profilin e tij politik në arenën ndërkombëtare, për të qenë trashëgimtar i Berishës. Pasi u detyrua të japë dorëheqjen Mustafaj deklaroi se miqësia e tij me Berishën ka marrë fund. Pas kësaj Mustafaj filloi të bëhet një kritik i ashpër publik i Berishës. Kështu Berisha u keqshpërblye dhe nga tropojani i cili kishte marrë më shumë poste prej tij, pa marrë as teserën e PD. Ironikisht Mustafaj guxon të shpallë kandidaturën për kryetar i PD të Tiranës, kur nuk thotë dot se kur e ka marrë teserën e PD. Tjetri në rradhë ishte Aleksandër Biberaj i cili u josh nga presidenti Topi i cili synonte të krijonte një pakicë bllokuese në PD. Biberaj, bashkë me Mustafajn janë bërë të yjet e mediave të majta, si Azem Hajdari dikur, kur sulmonte Berishën. Në ndihmë të tyre është shfaqur dhe Besnik Gjongecaj, pasi u zhduk për shumë vite nga skena. Epigrami për marrëdhëniet e Berishës me tropojanët do të ishte: Ai i ka zgjedhur shumë keq bashkëpunëtorët e tij të afërt mes tyre, ndërsa armiqtë e tij i kanë zgjedhur shumë mirë bashkëpunëtorët që kanë përdorur kundër tij
Posted on: Sat, 06 Jul 2013 08:54:52 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015