Të nderuar deputetë! Java që shkoi u mbyll me - TopicsExpress



          

Të nderuar deputetë! Java që shkoi u mbyll me vendimarrjen e njëhsuar të protestuesve shqiptarë , të Partisë Demokratike dhe opozitës në tërësi të miqve e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe të disa deputetëve të shumicës parlamentare, për të bërë të pamundur projektin e errët dhe plotësisht vetjak të Edi Ramës për armët kimike. Përballë këtij qëndrimi të njëhsuar, Edi Rama u detyrua të hiqte dorë nga ëndrra e tij për përfitime ngushtësisht personale, nga trajtimi i territorit të vendit si pronë private, nga konsiderimi i njerëzve të lirë të këtij vendi si vegla qorre që duhet të pranojnë në mënyrë të verbër arbitraritetin, si mënyra e tij e të menduarit dhe të drejtuarit në demokraci. Ky mentalitet thellësisht antidemokratik i kohës së shkuar, që zoti Rama ka tentuar dhe vazhdon të tentojë t’ia diktojë të tashmes dhe të ardhmes së vendit, mori përgjigjen e merituar. Kjo është një fitore e madhe e demokracisë, është një fitore e paçmuar e shoqërisë. E thashë të premtem dhe dëshiroj ta përsëris sot me krenari se punën e madhe e bënë qytetarët shqiptarë të bashkuar, pa dallime politike, e bëri rinia, si forcë, si shpresë, si ëndërr dhe si aspiratë demokratike e shëndetshme, moderne dhe europiane. Me këtë rast, dua të shpreh edhe njëherë, edhe në emrin tuaj mirënjohjen, falenderimin dhe admirimin me të madh të gjithë të rinjve e të rejave, të gjithë qytetarëve shqiptarë, që u bënë barrikadë e pakapërcyeshme e aventurës, e ëndrrës së keqe të kryeministrit me armët kimike. Si forcë politike, si opozita e vendit, kemi kenaqësinë të pohojmë sot se ishim në anën e duhur në këtë zhvillim historik, në anën e vlerave të demokracisë perëndimore euro-amerikane, në anën e historisë sonë politike si parti e lirisë, në anën e trasparencës, në anën e së drejtës së qytetarëve për tu pyetur e për të vendosur për çështje madhore të jetës dhe dinjitetit të tyre. Ne bëmë detyrën tonë politike dhe institucionale. Dua t’ju falenderoj dhe t’ju përgëzoj të gjithëve, për qëndrimet që keni mbajtur për këtë çëshje, në aulën e Kuvendit dhe në aula të tjera të politikëbërjes dhe komunikimit me publikun. Duke u mbyllur në heshtjen e tij, në kulisat e tij dhe në të ashtuquajturin “ sekret” të tij për armët kimike, sekret të cilin Edi Rama po e mbante vetëm ndaj qytetarëve shqiptarë, sekret që në fakt po rridhte në të gjitha mediat e botës, Edi Rama kishte për qëllim ta vinte vendin para faktit të kryer, gjë që do ta kishte ndërlikuar më tej zgjidhjen e problemit. Qëndrimet tona si opozitë e bënë akoma më të pamundur qëllimin në fjalë. I mbeti një shans: dalja me trasparencë nga afera e errët që kurdisi vetë, duke reflektuar mbi gabimet e tij trashanike, mbi sjelljen e tij jo si politikan i përgjegjshëm, jo si socialist europian, jo si burrë shteti, në të gjithë procesin e menaxhimit politik, publik dhe diplomatik të çështjes. E pamë të gjithë, si doli! I prishur në fytyrë, duke shfryrë e duke sharë më një gjuhë të çakërdisur opozitën, median e lirë, të parë e të mbramë, që i prenë ëndrrën, që nuk i mbajtën ison. I vetmi i tejkaluar sot nga qytetarët shqiptarë, përfshirë votuesit e tij, është ky kryeministër; tejkaluar jo vetëm me aferën që deshi të bënte me vendin e tij, pa vendin e tij, por edhe me tërheqjen e pasinqertë në të gjitha aspektet, tërheqje e një mashtruesi që nuk ka kuptuar se demokracia është një sistem ku gënjeshtra, paligjshmëria, arroganca, arbitrariteti bëjnë menjëherë masë, me gjithë ngrehinën e vlerave të saj, vlera të cilat ky kryeministër nuk i njeh. Ai është sot problemi, ai është e vjetra, madje shumë e vjetra në këtë vend! E kemi treguar me fakte gjatë gjithë këtyre javëve, duke denoncuar në vijmësi paligjshmërinë dhe arbitraritetin e tij. E reja sot është kjo: Kryeministri që ne njohim, u bë i njohur si i tillë falë të gjithë miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Në vorbullën e gënjeshtrave dhe kundërthënieve ku hyri dhe mbeti me pasinqeritetin, megalomaninë dhe amatorizmin e tij, tani po përpiqet me veglat e tij qorre, të akuzojë opozitën dhe median e lirë si antiamerikane. Nuk kishte asgjë më amerikane në Shqipëri (këto dy javët e fundit) se sa protesta e të rinjve. Amerikane ishte rezistenca e tyre dhe kërkesa për llogaridhënie ndaj qeverisë, amerikan ishte qëndrimi i opozitës që nuk lejoi talljen në Parlament, të mazhorancës dhe vendosi që kauza e qytetarëve, të ishte çështja e ditës, amerikan ishte qëndrimi i medias dhe shoqërisë civile që me profesionalizëm dhe përkushtim pasqyruan ngjarjen nga fillimi deri në fund. Vetëm mendja e tij mund të guxojë e të ndërtojë antiamerikanizëm, me vlerat e vetë demokracisë amerikane; vetëm mendja e tij alogjike gjen armiq, kur në një anë del e thotë nuk kemi kapacitete për t’i marrë lëndët kimike, në anën tjetër kërkon fajtorë tek protestuesit, tek opozita, tek media e lire e të tjerë me radhë. Me arbitraritetin e tij si kryeministër, Edi Rama e ka fyer miqësinë e vjetër e të thellë të vendit tonë me SHBA, por nuk e ka cënuar, nuk e ka dëmtuar e s’mund ta dëmtojë. Askush nuk ka force ta bëjë ketë! Marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA janë të mbështetura në vlerat e bashkendashme të demokracisë dhe kauzës për një botë më të sigurt e më në paqe, ku ne luajmë e do të vazhdojmë të luajmë rolin tonë. Shqipëria është e do të mbetet vendi më proamerikan në Europë dhe kjo është vendosur në shpirtin e lirë, në shpirtin mirënjohës të një kombi të tërë. Të nderuar deputetë! Besoj se ndani me mua si kryetar i Partisë Demokratike, mendimin se pas zhvillimeve historike të dy javëve të fundit, Shqipëria nuk është ajo që ka qenë, Shqipëria ka ndryshuar për mirë. Ne të gjithë e kemi detyrë të thellohemi, për të kuptuar më mirë këtë Shqipëri të re të njerëzve të lirë, të cilët i kemi konsideruar gjithnjë fibra e demokracisë dhe zhvillimit. Kemi pasur besim e shpresë, por tani kemi sigurinë se me njerëzit e lirë dhe me shoqërinë e lirë e të angazhuar shqiptare, me rininë që pamë të protestonte anembanë vendit, do të gjejmë zgjidhjet e duhura për të çliruar ligjin nga paligjshmëria, për të çliruar zgjedhjet nga blerja e votës, për të çliruar vendimmarrjen nga arbitrariteti, për të çliruar demokracinë dhe shtetin ligjor nga mafia politike dhe ekonomike që synon t’i marrë peng ato. Shqipërisë i ndriti sërish fati me rininë e saj të mrekulleushme, që nuk doli aspak siç akuzon Rama, si analfabete funksionale por na dha të gjithëve leksione demokracie. As krimi, as mafia, as paratë e pista, as dhuna, asgjë nuk kanë të ardhme, përballë forcës së rinisë, forces së bukurisë, forcës së arsyes dhe ëndrrës së njerëzve të lirë, për një Shqipëri të zhvilluar, demokratike, moderne dhe europiane. Ne kemi krenarinë, se si forcë politike ishim sërish në anën e duhur të historisë, promotorë të lëvizjes popullore për trasparencë, respekt, dinjitet, ligjshmëri. Do të vazhdojmë në këtë rrugë, me energji të reja, me ide të reja, me mendje të hapur, do të vazhdojmë betejën e nisur kundër vjedhjes dhe blerjes së votave në Korçë, si ekperimenti kobzi i kësaj shumice, për blerjen e votave në shkallë vendi nesër. Të gjitha të këqijat e qeverisë Rama-Meta burojnë nga koncepti që ajo ka për votën, si mall për t’u blerë. Tani e kemi me të lehtë ta çojmë përpara e ta përhapim këtë bindje dhe kemi besim se do të gjejmë një mbështetje të plotë nga masa e gjerë e rinisë shqiptare, nga masa e madhe e njerëzve të lirë, që kanë bërë të tyren lumturisht një sentencë të shkruar në shumë tempuj të demokracisë europiane dhe amerikane, “kundërshtoni shumë dhe binduni pak!”. Ne si opozitë, do të vazhdojmë detyrat tona kushtetuese, për t’u përballur e për të zprapsur revanshin partiak që ka nisur e po intensifikohet kundër shtetit ligjor, institucioneve të pavarura, Policisë së Shtetit, administratës publike e mbi të gjithë kudnër lirive dhe garancive themelore të kësaj republike, për të drejtat më themelore të qytetarëve të saj Do të vazhdojmë të bëjmë detyrat tona, për të çuar përpara marrjen e statusit dhe hapjes së negociatave, për anëtarësimin e vendit në Europë, angazhimet e anëtarësisë në NATO, bashkëpunimin e ngushtë me SHBA dhe vendet mike, do të tregojmë siç kemi premtuar, edhe kapacitetet tona si si opozitë më alternative, duke filluar me buxhetin e e ri të shtetit. Do të vazhdojmë betejen tonë pa kompromis për shtetin ligjor, për liritë, për trasparencën, duke u përballur orë për orë me problemin “Rama” që nuk ishte dhe nuk është më thjesht kundërshtari ynë i majtë, me të cilin do të kishim qenë të lumtur të përballeshim për ide dhe zgjidhje alternative por ishte, është dhe mbetet një kryeministër që ka hyrë në papajtueshmëri me shtetin ligjor, me parimet dhe vlerat e demokracisë. Do e vazhdojmë këtë betejë pa kompromis, në Kuvend, në dialog me qytetarët, në çdo hapësirë reale dhe virtuale, ditë për ditë! 18.11.2013
Posted on: Mon, 18 Nov 2013 14:09:38 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015