Zanzibar - Pushteti i Paligjshëm i Biznesmenëve Në - TopicsExpress



          

Zanzibar - Pushteti i Paligjshëm i Biznesmenëve Në Bodrum Dikur përdorej si kuzhinë e Odës Ekonomike, sipas zyrtarëve të këtij institucioni, por u uzurpua më 1999. Hapësira e bodrumit të ndërtesës katërkatëshe në qendër të Prishtinës u shndërrua në lokal të ndejave të natës të muzikës rok e jazz. Politika, më vonë, e bëri edhe më të famshëm. Përgjatë viteve, fillimisht Mustafë Mustafa e më vonë Remzi Mustafa ushtruan pushtet faktik në pronë të huaj. Oda Ekonomike kërkon largimin e uzurpuesve dhe bazohet në vendimin e gjyqit. Vëllezërit, e anëtarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Agron Mustafës, nuk e përfillin vendimin që sipas tyre përmban gabime. E premtja e 4 tetorit, ishte festë në krahun jugor të ndërtesës katërkatëshe në qendër të Prishtinës, që në lindje ka dy foto të mëdha të Hashim Thaçit, kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Demokratikë të Kosovës. Nën ritmin e muzikës Jazz është rihapur lokali Zanzibar që përkundër se modifikoi emrin e tij në Zanzi Jazz Bar, po e vazhdon traditën e njëjtë të uzurpimit të pronës së huaj. Autoritetet kërkojnë largimin nga aty të menaxhuesve të lokalit që gjendet në qendër të sheshit Nëna Tereze, në bodrumin e ndërtesës ku ndodhen zyrat e partisë në pushtet. Nëntoka e krahut jugor, e kontrolluar nga Zanzibar, i përket Odës Ekonomike të Kosovës, OEK. Lokali i mbyllur me vendim gjyqësor më 2012, është rihapur pa lejen e përgjegjësve të OEK-ut. Berat Rukiqi, sekretari i përhershëm i OEK-ut, thotë se ka dëgjuar që dikush po ndërton pa lejen e tyre, në bodrumin ku gjendet Zanzibar. “..kemi shku dy-tre herë me shiqu, por nuk e kemi gjetë askënd në lokal”, thotë Rukiqi. “Ne do të marrim masa ndaj Zanzibar-it, pasi lokali po hapet dhe është renovuar, pa u pyetur Oda”, deklaroi të enjten Rukiqi, një ditë para hapjes së lokalit. Sipas tij, ndërmarrja e masave pas hapjes së lokalit përfshin lajmërimin e autoriteteve përgjegjëse: policisë e gjykatës, të cilave do t’u kërkohet mbyllja e tij. Fama e lokalit nga roku e politika Bari i ndejave të natës me emrin Zanzi, u bë edhe më i famshëm më 2009, kur në brendësi të tij do të ndodhte një lëkundje politike. Në mesnatën e 19 dhe 20 nëntorit të atij viti, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi lajmëroi zëvendëskryeministrin tjetër Ramë Manaj se Lidhja Demokratike e Kosovës do të përjashtohej nga koalicioni. LDK-ja akuzoi publikisht se modelin e qeverisjes së PDK-së e tregon afera “Zanzibar”. Bashkëqeverisja nga këto dy parti vazhdoi deri më 2 nëntor të vitit 2010, kur Qeveria Thaçi I ishte rrëzuar në parlament dhe LDK-ja mbeti jashtë koalicionit të qeverisë së re. PDK-ja, e udhëhequr nga Thaçi, fitoi votat në zgjedhjet e 12 dhjetorit të vitit 2010, që i mjaftuan për të krijuar koalicionin e ri, pa LDK-në në përbërje. Partia Demokratike e Kosovës, u pyet nëse sigurohet që objektet hoteliere nuk kanë konteste pronësore, përpara se kryesia e saj t’i vizitojë ato. “Lokali për të cilin po flisni, është publik dhe nuk është etike të ndërlidhen gjërat në këtë mënyrë. Kryesia e PDK-së dhe organet tjera drejtuese mbajnë takime brenda selisë dhe jashtë saj dhe kjo është shumë e natyrshme për të gjitha organizatat, duke përfshirë edhe ato politike”, thuhet në përgjigjen e Partisë Demokratike të Kosovës dhënë Gazetës Jeta në Kosovë. Në janar të vitit 2012, Gazeta Jeta në Kosovë raportoi se partia në pushtet i mban mbledhjet e Këshillit Drejtues dhe ato të kryesisë së partisë në hotelin “Victory”, po ashtu të uzurpuar. Përplasjen politike që ka ndodhur në “Zanzibar”, atëkohë e kujton edhe Mustafë Mustafa, që është udhëheqës i Shërbimeve të Përbashkëta në Radio Televizionin e Kosovës, sipas faqes së RTK-së. "Veç një qeveri është ra në Zanzibar. Por, atë vend nuk e kanë kriju politikanët, por e kanë krijuar rokerët”, thotë ai. Ai dhe Remzi Mustafa, menaxhues të lokalit njëri për katër vjet e tjetri për 9 vjet, janë vëllezërit e Agron Mustafës, ish-drejtorit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili tash është në listën e Këshillit Drejtues të Degës së PDK-së në Prishtinë. Anëtari i PDK-së nuk deshi të flasë për çështjet e lokalit Zanzibar, kur u pyet nga Gazeta Jeta në Kosovë. Por, vëllai i tij Mustafë Mustafa, thotë se është një ish-menaxhues i lokalit. Sipas tij, lokali udhëhiqet nga vëllai tjetër i tyre Remzi Mustafa. “Në këtë vend janë krijuar rokerët dhe iu ka kthyer dinjiteti muzikës jazz. Ky vend ia ka dhënë kulturën më të madhe Prishtinës”, thotë Musatafë Mustafa. Ndërkohë, Remzi Mustafa, i cili tash e ka këtë lokal nën menaxhim, kur u vizitua nga ekipi i Gazetës Jeta në Kosovë, u gjet duke punuar në renovimin e lokalit, i cili u hap të premten më katër tetor. Ai nuk deshi të flasë për Gazetën, rreth kontesteve pronësore që ka me Odën Ekonomike të Kosovës. Historiku gjyqësor i Zanzibar-it Ka qenë qershori i vitit 1999, kur në qendër të Prishtinës, ishte hapur lokali që mori emrin Zanzibar. Menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, kjo hapësirë e Odës Ekonomike të Kosovës zotërohej nga Mustafë Mustafa. Ai e kishte shfrytëzuar këtë hapësirë për nevoja afariste deri në vitin 2002, ani pse ligjërisht nuk ishte prona e tij. “Nuk disha si me ia lanë emrin dhe vendosa ta emëroj Zanzi, se ka qenë vend shmek”, thotë Mustafë Mustafa. Por, objekti, pjesë e të cilit është Zanzibari, sipas një aktgjykimi të Gjykatës Komunale të Prishtinës (tash Gjykata Themelore) është pronë e Odës Ekonomike të Kosovës. Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar këtë aktgjykim ku shihet se një vendim i tillë është marrë, pasi OEK-u, e ka paditur Mustafë Mustafën për uzurpim të pronës së tyre. Gjykata i ka dhënë të drejtë Odës Ekonomike të Kosovës, ngase sipas aktgjykimit Oda i ka pasur të gjitha dokumentet e nevojshme që kanë treguar për pronësinë e tyre. Në arsyetimin e aktgjykimit thuhet se “i padituri Mustafë Mustafa, i cili është vendosur në lokalin afarist, ushtron pushtet faktik, pa ndonjë bazë të vlefshme juridike, andaj i padituri nuk mund të kualifikohet as si posedues në mirëbesim i lokalit afarist”. Mustafë Mustafa e kishte kontestuar këtë padi, duke pretenduar se lokali afarist është pronë e Andreja Jankoviqit të nacionalitetit serb. Këtë e kishte deklaruar edhe në gjykatë, sipas aktgjykimit, por nuk kishte sjellë asnjë dëshmi që vërtetonte se prona i përkiste një pronari tjetër. Përgjatë kohës sa Mustafa e ka shfrytëzuar këtë lokal, ai nuk i ka paguar qira Odës Ekonomike të Kosovës, nën arsyetimin “se nuk mund të paguaj qira, sepse nuk e di e kujt është prona”. Vendimi i gjykatës rreth kësaj çështjeje ishte marrë më 2001, por ekzekutimi i vendimit kundër Mustafë Mustafës nuk ishtë bërë deri më 2012. Në qershor të vitit 2012, gjykata së bashku me asistimin e Policisë së Kosovës, kanë bërë lirimin dhe largimin e gjësendeve nga lokali, ku edhe ia kanë dorëzuar çelësin e objektit të Zanzit, Odës Ekonomike të Kosovës. Fadil Hoxha, gjyqtari përmbarues i kësaj lënde, e arsyetoi vonesën prej 11 vjetësh të përmbarimit duke thënë “se gjykata e ka pas për detyrë, me ekzektu, por janë ndërruar disa gjyqtarë, unë kam ardhur i fundit dhe e kam ekzekutuar”. Edhe Policia e Kosovës, ia ka konfirmuar gazetës se kanë qenë asistues në këtë rast. Gazeta ka kontaktuar edhe Agjencinë Kosovare të Pronës dhe ka parë se në maj të 2006-ës Andreja Jankoviq ka bërë një ankesë në këtë agjencion se ky lokal është në pronësi të tij. “Komisioni i Kosovës për Kërkesa Pronësore në AKP ka hedhur poshtë kërkesën e tij për rikthimin e së drejtës së shfrytëzimit”, ka thënë Valbona Dhomi, kryesuese e zyrës për informim. Sipas Agjencisë Kosovare të Pronës, ankesa e paraqitur nga pala i është dërguar Gjykatës Supreme më 30 korrik 2013. Ajna Gashi, administratore në Gjykatën Supreme i ka thënë gazetës se kjo lëndë nuk gjendet tek ata. Gazeta ka parë edhe vendimin e Komisionit të Agjencisë Kosovare të Pronës, i cili në dhjetor të 2012-ës ka hedhur poshtë kërkesën e Andreja Jankoviqit. (shih vendimin) Në pikën dy të vendimit të AKP-së është cekur se këto prona janë të uzurpuara dhe vendimi i mësipërm nuk u jep të drejtë për shfrytëzim as palës përgjegjëse [Mustafë Mustafës] dhe as shfrytëzuesit të tanishëm [Remzi Mustafës]. Gazeta ka siguruar edhe dokumentet kadastrale ku shihet se pronarë të këtij objekti janë Oda Ekonomike e Kosovës dhe Ndërmarrja për Prodhim “Drithnaja”. Oda Ekonomike e Kosovës, ka tri të katërtat e këtij objekti, derisa Ndërmarrja “Drithnaja” e ka një të katërtën e kësaj ngastre kadastrale. Remzi Mustafa shpërfilli vendimin e gjyqit Dera e hyrjes e lokalit ishte bllombuar nga Policia e Kosovës më 13 qershor të vitit 2012. Veprimi tregonte se vendimi i gjyqit ishte ekzekutuar. Por, në qershor të vitit të kaluar, cilindri i derës së Zanzibarit ishte thyer nga vëllai i Mustafës, Remziu. Remzi Mustafa nuk pranoi të intervistohej, kur më 23 shtator të këtij viti u takua nga ekipi i Gazetës Jeta në Kosovë, në lokalin e tij që ishte duke e renovuar. Por, vëllai i tij, Mustafa tregoi se Remziu kishte shpërfillur vendimin e gjyqit duke ndërruar cilindrin e derës së hyrjes së lokalit. “Remziu nuk e ka ditur kush ia ka mbyllur lokalin. Ka menduar që dikush ia ka ndërruar cilindrin ose iu ka prishur çelësi”, thotë Mustafa. Mustafë Mustafa thotë se prej vitit 2004 e këndej, menaxhues i lokalit është vëllai i tij Remzi Mustafa. Oda Ekonomike e Kosovës nënshkroi më 2004 një kontratë për shfrytëzimin e lokalit me qira në kohë të pacaktuar me Remzi Mustafën. Në emër të OEK-ut atëkohë kishte nënshkruar Basri Jupolli që mbante pozitën e sekretarit të përgjithshëm. Jupolli, që tash ushtron profesionin e avokatit, ka deklaruar për Gazetën Jeta në Kosovë se përfaqësuesi i Zanzibari-it nuk ka qenë i rregullt në pagesën e qirasë. Avokati Jupolli i ka thënë gazetës se të gjitha kontratat në parim janë nënshkruar në kohë të pacaktuar. “Kjo në asnjë rast nuk mund të interpretohet si raport i përhershëm kontraktues, duke marrë parasysh që në secilën kontratë kanë qenë të theksuara edhe kufizimet përkatësisht mundësitë për prishjen e saj, në rast të mosshlyerjes së rregullt të detyrimeve”, tha Jupolli. Berat Rukiqi, sekretari i tanishëm i Odës i ka thënë gazetës se lokali “Zanzibar”, nuk paguan qira. “Remzi Mustafa nuk i paguan qira Odës Ekonomike. Ai thotë që nuk e paguan qiranë, për shkak të problemeve kontestimore që janë në Agjencinë e Pronës. Por, në anën tjetër, kjo agjenci ka marrë vendim në favor tonë”, thotë Rukiqi. Mustafë Mustafa thotë se vëllai i tij Remziu e shfrytëzon lokalin e Zanzibar-it bazuar në këtë kontratë. Por kur u pyet pse nuk paguan qiranë ndaj Odës Ekonomike, ai tha se Remzi Mustafa nuk e konsideron OEK-un pronare. Nëpërmjet kontratës së lidhur mes Remzi Mustafës dhe Odës, palët janë pajtuar në vitin 2004, që për një metër katror të paguhet qira në vlerë prej 8 eurosh. Lokali ka 114 metra katrorë që i bie se në muaj Zanzibar-i, është dashur të paguajë 896 euro në muaj. (shih kontratën) Ndërkohë, Mustafë Mustafa thotë se vëllai i tij ka kontratë me Odën, por nuk e ka paguar qiranë për shkak të kontesteve pronësore. “Nuk dihet prona e kujt është, për këtë pronë është ankuar edhe serbi, ku me ditë na kujt po i paguajmë qira…?”, thotë Mustafa. Oda Ekonomike e Kosovës i ka bërë disa vërejtje përfaqësuesit të lokalit Zanzibar, për mospagesë të qirasë, por ata nuk i janë përgjigjur asnjëherë thirrjeve të saj. (verejtjet) Oda kërkon largimin e vëllezërve Mustafa Ish-menaxhuesi i Zanzit, Mustafë Mustafa, thotë se vendimi i lëndës së tij është ekzekutuar dy herë. Sipas tij njëri ekzekutim është bërë më 2002 dhe tjetri dhejtë vjet më vonë. “Qysh mundet gjyqtari Fadil Hoxha me ekzekutu një vendim të cilin e kanë ekzekutu më herët. Ekzekutimi i vendimit është bërë në emër timin më 2012, e dikush tjetër ka kontratë aktuale me Odën”, thotë Mustafa. Gjyqtari Fadil Hoxha, deklaroi se nuk ekziston asnjë provë që vendimi është ekzekutuar në vitin 2002. “Nuk ekziston asnjë letër, se ky vendim është ekzekutuar në vitin 2002, po të ekzistonte një, unë nuk do të kisha pas nevojë me ekzekutu prapë”, thotë Hoxha. Kundër këtij ekzekutimi ka bërë ankesë Mustafë Mustafa në nëntor të vitit 2012. Në ankesë thuhet që “Debitori Mustafë Mustafa e ka përmbushur titullin e ekzekutimit në vitin 2001. Ashtu që titulli ekzekutiv nuk ka pas të bëjë me shfrytëzuesin e ligjshëm Remzi Mustafa”. “Gjykata duhet t’i korrigjojë paregullsitë e bëra gjatë procedurës përmbarimore, sepse nuk i ka lajmëruar palët në mënyrë të rregullt për veprimet e ndërrmarra, ashtu që ua ka pamundësuar që të kundërshtojnë dhe t’i japin sqarimet e tyre”, vazhdon parashtresa. Sekretari i tanishëm i Odës Ekonomike Berat Rukiqi, thotë se nuk ka forcë fizike që të merret përsonalisht me menaxhuesit e Zanzibar-it. Sipas tij, largimin e tyre duhet ta bëjnë autoritetet, por këtë e ka vështirësuar gabimi i gjykatës që ka përmbaruar vendimin në emër të Mustafë Mustafës, e jo në emër të Remzi Mustafës. “Këtë ngërç po e shfrytëzojnë vëllezërit Mustafa”, thotë Rukiqi. Ai tregon se në nëntor të vitit 2006 Oda Ekonomike e Kosovës, e ka paditur Remzi Mustafën për moskryerje të “detyrave” që parashiheshin në kontratë. Rukiqi thotë se ata nuk e njohin më kontratën me Remzi Mustafën, sepse e kanë paditur për këtë dhe sipas tij tash Zanzibari është i uzurpuar. Uzurpimi i pronës së paluajtshme është vepër penale dhe e dënueshme me gjobë deri në tre vjet burg, sipas Kodit Penal të Kosovës. “Tash prapë është vërtetu, edhe prej Gjykatës, edhe prej Agjencisë së Pronës që Remziu duhet me dalë edhe ekzekutimi është bë që ai mos me pas qasje, por ai prapë ka shku e ka thy cilindrin”, thotë Rukiqi. “Ne jemi taku me të dhe i kemi thanë hajde paguje qiranë. Por, ai ka kërkuar që t’i fshihen borxhet. I kam thënë se unë nuk mund ta bëj këtë, sepse kështu ka vendosur gjykata “, thotë Rukiqi. Remzi Mustafa nuk ka pranuar të komentojë rreth padisë që OEK-u ka ushtruar ndaj tij. Vendimi i gjykatës obligon shfrytëzuesin e Zanzibar-it që të paguajë borxhin ndaj Odës Ekonomike të Kosovës. Rukiqi thotë se Oda Ekonomike nuk do të krijojë partneritet në të ardhmen me Remzi Mustafën, pasi që nuk ka besim në të. “Edhe nëse tash tregon gatishmëri për të paguar qiranë, ne nuk mund ta lejojmë operimin e tij. Nuk e ka respektuar më herët kontratën”, thotë Rukiqi. Ai thotë se Oda Ekonomike planifikon që këtë hapësirë ta shndërrojë në një sallë takimesh, pasi ajo të lirohet nga uzurpatorët. “Ka qenë kuzhinë e Odës më herët. Por, po mendojmë që ta shndërrojmë në diçka tjetër”. Burimi: Gazeta Jeta në Kosovë Për me shumë kliko në linkun në vazhdim gazetajnk/?cid=1%2C987%2C6594
Posted on: Wed, 09 Oct 2013 09:34:55 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015