Këshilluesit e “pavarur” të Ramës Pas zgjedhjes së - TopicsExpress



          

Këshilluesit e “pavarur” të Ramës Pas zgjedhjes së ministrave, elementi i dytë që do të tregojë mënyrën sesi do të qeverisë Edi Rama është zgjedhja e njerëzve që do të këshillojnë kryeministrin e ardhshëm. Posti i këshilltarit nuk ka peshë nominale në vendimmarrje, por paraqet rëndësi si “kuzhina” ku do të gatuhet e konfeksionohet produkti politik dhe një pjesë e qëndrimeve të kryeqeveritarit të ardhëm. Roli i “spin doctors” është një profesion që po gjen gjithnjë e më shumë vend në Shqipëri dhe Rama ka kuruar në opozitë imazhin e një lideri që “parimisht” pyet pastaj vendos. Ndoshta në këtë bën vërtet dallim nga Berisha, disa prej këshilltarëve të të cilit ishin zgjedhur për t’u këshilluar nga vetë kryeministri në ikje e jo anasjelltas. Në tre emërimet e fundit të stafit të tij, problemi nuk qëndron gjithsesi tek emrat dhe personazhet, por te mënyra sesi i ka prezantuar ata kryeministri i ardhshëm. Në mes zgjedhjeve të stërkërkuara të deritanishme, Rama zgjedh të paraqesë si të pavarur tre këshilltarë, Sandër Lleshi, Fate Velaj dhe Shkëlzen Maliqi. I pari është madje një ish-kandidat për presidentit i propozuar nga PS. Ndërsa Velaj, një pjesëmarrës aktiv në mitingje dhe ndonjë herë organizator dhe kurator i imazheve skenike të aktiviteteve të PS (gjithçka në dimension mediatik?). Emri i Maliqit, drejtuesit të institutit të sondazheve “Gani Bobi” në Kosovë, mund të bind këtu këdo se është i pavarur, por të parët që nuk e besojnë këtë gjë janë vetët socialistët, e aq më pak shqiptarët e Kosovës. KËSHILLTARI I PAMBROJTUR Një nga zgjedhjet e kryeministrit të ardhshëm që hap debate mbi koherencën e qëndrimeve gjatë viteve në opozitë është emërimi i Këshilltarit të Mbrojtjes, gjeneralit të shkarkuar Sandër Lleshi. Për opinionin publik emri i tij u bë i njohur si kandidatura e vetme e Partisë Socialiste për President në vitin 2011. Në atë kohë, askush nuk ishte në gjendje të kuptonte se përse PS digjte shanset për konsensus dhe karrierat e një sërë emrave me peshë politike tek e majta, duke nisur që nga ish-kryeministri Nano, për një personazh pak të njohur në skenën politike. Rama, jo vetëm që nuk arriti ta bëjë president Lleshin me këtë strategji, por duket se ndikoi edhe në “djegien” e karrierës së tij ushtarake, duke qenë se e përfshiu në lojën politike pa qenë i rreshtuar në skuadër. Ky kandidim mund të ketë ndikuar në arsyet e shkarkimit të tij, nëse nuk marrim për bazë aludimet në media të zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes, që flisnin për nxjerrje dokumentesh nga zyrtarë të lartë të strukturës ushtarake. Pas shkarkimit, Lleshi paraqiti si alibi për këtë idenë se brenda llojit atë e cilësonin si socialist. Tashmë në jetën civile, ai me të drejtë ka bërë zgjedhjen e vet dhe është rreshtuar në krah të kryeministrit të majtë, por njëkohësisht nuk ka mundur të kontrastojë asnjëherë në mënyrë të bindshme akuzat që i kanë mveshur. Nga ana tjetër, dihet se edhe Rama në vitin 2011 nuk propozoi atë ngaqë ishte një kandidat të pavarur. Një tjetër arsye e që Lleshi përmend në media si motiv jo zyrtar të shkarkimit, ishte cilësimi si “fondamentalist katolik” (!!!). Do të ishte e mjaftueshme vetëm kaq për të dëshmuar spesorin e paktë të personit, ngaqë dihet, në Shqipëri nuk i është atribuar askujt e asnjëherë ky lloj cilësimi. E kjo është shenjë e problemeve serioze në karakterin e këtij personazhi të panjohur ende për publikun shqiptar. Është shenjë se në planin psikologjik ai jeton në një dimension paralel të shënuar nga trauma e identitetit dhe e përcaktimit të territorit në të cilin mund të lëvizë. Be careful! Sipas Lleshit, ky përcaktim rezulton mjaft i përdorur në korridoret e Ministrisë së Mbrojtjes, çka i bën veprimet e ardhshme të PS-së në këtë dikaster të shihen në një këndvështrim tjetër të panjohur më parë. Në njoftimin e emërimit të tij në pozicionin e këshilltarit të kryeministrit për Mbrojtjen, Rama nuk e fsheh simpatinë personale për ish-zëvendësshefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Për Ramën ishte një emër i denjë për postin e kreut të shtetit. Nuk është çudi që me të njëjtat nota vlerësimi, emri i Sandër Lleshit të jetë një nga kandidatët e PS-së për presidentin e ardhshëm. Nuk është ende e qartë për cilën arësye PS ndjek të njejtën logjikë të zgjedhjes së kandidatit për President të Republikës nga rradhët e forcave të armatosura. Në traditën e saj ka hapësirë për një qasje tjetër, më të gjerë e më civile. E me një impakt tjetër mbi shoqërinë e hapur. DIPLOMACIA E RE Jo më pak debate kanë sjellë në opinionin publik edhe dy emërimet e tjera të Ramës në radhët e njerëzve që do t’a këshillojnë atë. Shkëlzen Maliqi, i njohur si filozof, kritik arti dhe analist nga Kosova është zgjedhur në postin e Këshilltarit për Rajonin. Emërimi i tij ka shkaktuar debate për faktin se drejton një institut sondazhesh, analizat publike të të cilit, asnjë herë nuk kanë nxjerrë në avantazh Partisë Socialiste dhe as kreun e saj kur kandidonte për Bashkinë e Tiranës. Emri i tij ka shkaktuar reagime pakënaqësie në vet radhët e së majtës, duke e cilësuar si afrimin e një njeriu që ishte pjesë e “propagandës” së mazhorancës në ikje. Por veç përfshirjes në debatet e politikës së ditës në Tiranë, Maliqi rezulton një personazh kontrovers dhe për vet publikun kosovar. Etiketimet e tij në mediat kosovare, shkojnë edhe më larg se të qenit një personazh konform qëndrimit serb për Kosovën pas viteve ’90. Me zgjedhjen e Maliqit si këshilltar për rajonin, Rama paralajmëron një kurs të ri marrëdhëniesh, më shumë sesa në drejtim të Kosovës, në drejtim të Serbisë. Një pozitë më e lehtë në marrëdhëniet diplomatiko-kulturore i është lënë piktorit dhe fotografit Fate Velaj. Velaj është prezantimi më i fundit nga Rama për postin e Këshilltarit për Diplomacinë Kulturore. Është e para herë që një kryeministër në Shqipëri rrok drejtpërdrejt këtë dimension si të diplomacisë, ashtu edhe të kulturës. Dhe është për t’u lëvduar, ngaqë deri më tani diplomacia kulturore i është lënë krejtësisht spontaneitetit apo personazheve provincialë dhe egoistë që nuk kanë sjellë asnjë vlerë të shtuar më të, përkundrazi. Zgjedhja duket e gjetur duke pasur parasysh kontaktet dhe aktivitetin artistik të Velajt në Austri. Por pikërisht aktiviteti i tij në disa seminare me kreun e PS dhe një sërë veprash artistike të financuara nga bashkitë e majta, nuk lënë shijen e një zgjedhjeje tërësisht të pavarur. Fate Velaj është organizatori i takimit të shumë diskutuar me Ramën në Vjenë, që përfundoi me “shkulje veshi” të diplomatit Egin Ceka. Në vazhdën e këshillave ndaj Ramës, Velaj duket se e ka bërë propozimin e parë për shefin e ri shumë kohë para emërimit, teksa hodhi idenë e “Ditës së Shkuljes së Veshit”. Ndërsa pjesa që vlen të shihet në qeverisje është nëse këshilltari i Ramës do të vazhdojë ndërtimin e projekteve kulturore si në Fier dhe në Pogradec me paratë e pushtetit vendor. Pa paragjykuar aktivitetin e një artisti dhe cilësinë e punimeve, lidhja e shkurtër mes artit dhe politikës dhe më pas shpërblimin me poste zyrtare, nuk e lenë këtë emërim të papërfshirë nën hijen e interesave të tjerë jashtëpolitikë. Por, edhe në këtë rast, le të marrim anën pozitive të zgjedhjes së këshilltarëve të kryeministrit në hyrje: e thënë bashkë me Balzakun, meqënese interesi dhe talenti janë të vetmit këshilltarë të gjegjshëm dhe të dobishëm; në rastin e këshilltarëve të Ramës, ky i pari të themi nuk mungon e ajo çka praktika do të vërtetojë apo rrëzojë, është vlera, përkushtimi dhe talenti i tyre. impakt.al impakt.al/politika/keshilluesit-e-pavarur-te-rames
Posted on: Mon, 09 Sep 2013 10:54:49 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015