LSI garante e stabilitetit, rritjes ekonomike dhe Integrimit në - TopicsExpress



          

LSI garante e stabilitetit, rritjes ekonomike dhe Integrimit në BE Dr. Edmond Hoxha 30 Qershor 2013 Tani që zgjedhjet kanë përfunduar dhe rezultati është i qartë, është koha që të diskutojmë për vlerat e këtij proçesi. Vlera kryesore e tij ishte qetësia dhe maturia me të cilën populli shqiptar votoi, dhe pjekuria me të cilën politikanët, për herë të parë, i pranuan ato, duke treguar se demokracia shqiptare është ngritur në një shkallë më të lartë dhe se populli shqiptar nuk heziton të ndëshkojë me votë çdo qeveri që abuzon me pushtetin. Shqipëria tregoi se është e aftë që të arrijë standarte të larta, ashtu si të gjithë popujt e tjerë. Ajo tregoi që e ka merituar të jetë anëtar i NATO-s dhe po kështu e meriton të jetë edhe pjesë e familjes Europiane. Pranimi i rezultatit ishte një hap shumë i madh përpara, por tani rëndësi ka fakti se si mazhoranca fituese do të ndërtojë qeverisjen dhe se si opozita do të sillet ndaj çështjeve madhore që preokupojnë vendin. Të gjitha partitë politike kanë meritën e tyre, por unë do të ndalem tek Lëvizja Socialiste për Integrim. Para se të diskutoj për rezultatin e 23 Qershorit dëshiroj që të bëj një kujtesë te shkurtër që lidhet me rolin dhe historinë e LSI, qysh nga krijimi i saj. LSI, si një forcë politike që e ka merituar vendin e saj në politikën shqiptare! Duke qenë prezent në politikë qysh në vitin 1991, po sjell në kujtesë faktin që në gjysmën e dytë të vitit 2003, Partia Socialiste ishte në një krizë të fortë të mungesës së demokracisë së brendshme dhe funksionimit të saj dhe ndërkohë proçesi i integrimit Europian ishte ngadalësuar në mënyrë të ndjeshme. Nga ana tjetër ekonomia ishte në rënie dhe varfëria dhe papunësia ishte shtuar. Në këto kushte Z.Ilir Meta, në atë kohë Zv.Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm, kundërshtoi me forcë këtë situatë duke dhënë dorëheqjen dhe duke iniciuar aksionin politik “ ...drejt integrimit”. Si pjesmarrës, në Konferencën e Partisë Socialiste të Tiranës, dua të veçoj debatet e forta në atë takim, ku lidershipi i Partisë Socialiste vazhdoi të shfaqte hapur arrogancën e vet, dhe të mos e merrte seriozisht kërkesën për ndryshim të Statutit të Partisë, pranimin e fraksioneve dhe ndryshimin e modelit të qeverisjes. Më kujtohet gjithashtu kur sapo kisha filluar diskutimin, dhe po mbështesja kërkesat e iniciuara nga aksioni “…drejt integrimit”, drejtuesit e seancës më ndërprenë fjalën dhe mbas këtij gjesti delegatët shfaqën dukshëm protestën e tyre, ndaj arrogancës së drejtuesëve të seancës. Siç dihet Konferenca nuk e pranoi idenë e paraqitur dhe në shtator 2004 u themelua Partia Lëvizja Socialiste për Integrim. Akti i parë që bëri LSI, mbas themelimit, si Parti Europiane, ishte organizimi për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar i zgjedhjeve brenda partisë sipas parimit “Një anëtar, një votë”, ndërsa sfida e parë parlamentare për LSI-në ishin zgjedhjet parlamentare të majit 2005, ku fitoi 5 vende, një rezultat ky shumë i mirë për një parti të krijuar një vit më parë. Sfida e dytë parlamentare ishin zgjedhjet e vitit 2009 ku LSI mori pjesë në kushtet e konkurimit me një Kod Zgjedhor thellësisht penalizues dhe antidemokratik, ku u tentua asgjësimi politik i LSI, e megjithatë përsëri ajo fitoi 4 vende në Kuvendin e Shqipërisë. Në Gusht të vitit 2009 LSI nënshkroi marrëveshjen me Partinë Demokratike. Ky vendim u mor në kushtet e një presioni të madh politik si brenda LSI-së ashtu edhe jashtë saj. Katër vite mbas marrjes së këtij vendimi, është e thjeshtë të analizohet dhe të shikohet se sa i drejtë ishte ai. Si ish Zv.Ministër i Integrimit, drejtësinë e këtij vendimi e shikoj në disa aspekte: në atë të interesit kombëtar; në aspektin e bashkëpunimit me mazhorancën; bashkimin e të majtës shqiptare; dhe fuqizimin politik të LSI-së. Interesi kombëtar, është objektivi më madhor i LSI-së dhe për këtë arsye ky vendim ishte më i drejti që LSI ka marrë në atë moment. Qëllimi kryesor i LSI-së ka qënë dhe është stabiliteti politik, ekonomik dhe integrimi i vendit në BE. Koha tregoi se vendimi i saj rezultoi i drejtë, i matur dhe LSI në një farë mënyre u bë garant i këtij stabiliteti. Ky angazhim evitoi një nga krizat më të rënda që mund të kishte përfshirë vendin, duke pasur parasysh që edhe vetë Europa ishte përfshirë në një krizë të rëndë ndërkombëtare. Integrimi në Bashkimin Europian ka qenë dhe është një objektiv madhor i LSI-së. LSI u përfshi në nivelet më të larta të proçeseve që lidhen me integrimin dhe i ndoqi këto proçese direkt nëpërmjet Zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm, Ministrave, Zëvendësministrave dhe Drejtorave të Integrimit. Kontributi kryesor erdhi nëpërmjet Zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm z.Meta. Falë përkushtimit të tij sot shqiptarët lëvizin lirisht dhe pa viza. Nga ana tjetër të dy Ministritë, por sidomos ajo e Ekonomisë ku ishte dhe pesha më e madhe, kanë qenë në krye të kapitujve më të rëndësishëm, duke e ndjekur këtë proçes me seriozitet maksimal dhe falë punës së tyre Komisioni Evropian rekomandoi marrjen e Statusit të Vendit Kandidat. Gjatë gjithë kohës që LSI ishte në qeverisje ka qenë nxitësja më e fuqishme e Konsensusit Kombëtar për Integrimin, bile edhe deri në momentet e fundit, para zgjedhjeve, LSI nuk reshti së punuari dhe bëri të mundur miratimin e 2 Ligjeve dhe Rregullores së Parlamentit të vendosura si kusht për marrjen e Statusit të Vendit Kandidat. Bashkëpunimi me mazhorancën qeverisëse, tregoi se bashkëpunimi midis krahëve të ndryshëm politik jo vetëm është i mundur, por kur interesat e vendit e diktojnë një gjë të tillë, ai duhet realizuar dhe mund të funksionojë duke evituar kështu kriza të medha ekonomike dhe politike. Gjatë gjithë kësaj periudhe LSI ka qenë një zbatuese korrekte e marreveshjes, e cila po ashtu në mënyrë shumë korrekte u mbyll me përfundimin e saj. Ky bashkëpunim evitoi një krizë shumë të rëndë për vendin dhe për proçesin e integrimit; siguroi stabilitet politik dhe ekonomik në vend; realizoi lëvizjen e lirë pa viza; nxiti proçesin e integrimit duke siguruar rekomandimin për marrjen e Statusit të Vendit Kandidat; dhe në fund ndërgjegjësoi Partinë Socialiste se nuk mund të arrihej fitorja e 23 Qershorit 2013 pa bashkimin e së majtës Shqiptare. Sigurisht që edhe LSI doli më e konsoliduar nga kjo periudhë duke rritur elektoratin e vet. Roli dhe suksesi i LSI-së në zgjedhjet e vitit 2013! Eshtë bërë e zakonshme këto ditë të dëgjohen shprehja “LSI, surpriza e zgjedhjeve”. Sigurisht që na vjen mirë ta dëgjojmë këtë, por në fakt LSI kishte punuar dhe ishte e përgatitur me kohë për një rezultat të tillë, prandaj për ne nuk mund të quhet surprizë, por rezultat i vizionit të lidershipit të LSI-së, punës dhe përkushtimit të madh të të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të saj dhe ndërgjegjësimit të popullit shqiptar për rolin e LSI-së. Arsyet e ketij rezultati janë të shumta dhe më poshtë po përpiqem që ti shtjelloj ato. Së pari: LSI arriti këtë rezultat të merituar sepse qytetarët shqiptarë, kanë parë tek LSI forcën garantuese të stabilitetit, bashkëpunimit, zhvillimit ekonomik dhe integrimit në Bashkimin Europian. Së dyti: Rezultati i LSI-së shpjegohet edhe me suksesin personal të merituar të Kryetarit të LSI, zotit Meta i cili në vazhdimësi ka marrë vendime të vështira por të drejta. Më sipër rikujtova edhe njëherë vendimet e tij, që nga ndarja nga PS, dorëheqjen disa herë nga qeverisja, aleancën me PD dhe së fundi, kur shumica mendonte se do të vazhdonte koalicionin me PD ose do të dilte i vetëm në zgjedhje, ai realizoi koalicionin me PS. Së treti: Platforma politike e LSI-së u ndërtua në një mënyrë të tillë ku ajo jo vetëm përputhej plotësisht me problemet dhe shqetësimet e njerezve, por edhe gjuha e përdorur ishte e kuptueshme dhe për këtë arsye mesazhet shkuan direkt tek publiku dhe u përqafuan nga ai. Së katërti: Faktor shumë i rëndësishëm ishte puna e palodhur e strukturave të LSI-së. LSI ishte e para që barazoi kuotat e përfaqësimit të grave dhe burrave në masën 50% me 50% dhe ky fakt sigurisht që tërhoqi shumë votën e grave dhe vajzave. LSI përfshiu gjithashtu në listat e kandidatëve për deputet një numër të konsiderueshëm nga Rinia (LRI) dhe kjo padyshim dha efektin e vet, sidomos tek ata që votonin për herë të parë. Së pesti: Qysh nga krijimi i saj LSI është një histori suksesi. Në vitin 2005 ajo mori 120 mijë vota. Megjithëse në vitin 2009 kodi zgjedhor e uli këtë numër përsëri LSI ruajti një numër të konsiderueshëm përkrahësish të saj. Marrja e 180 mijë votave në këto zgjedhje tregoi se LSI është në rritje dhe tashmë poli i tretë i politikës shqiptare është real. LSI jo vetëm katërfishoi mandatet e vitit 2009, por i mori ato pothuajse në të gjitha qarqet e vendit. Së gjashti: Suksesi i LSI-së nuk duhet kuptuar, apo kërkuar, sipas disa analistëve, thjesht si pakënaqësi ndaj partisë në pushtet. Logjika të shtynte të besoje se duke qenë se LSI ishte pjesë e këtij koalicioni, ajo do të kishte zvogëlim të votave, por në fakt ndodhi e kundërta. Edhe pse ishte pjesë e qeverisjes, LSI u vlerësua nga elektorati për kundërshtimet që ajo i ka bërë herë mbas here qeverisë; për kontributin pozitiv që dha për stabilitetin e vendit; integrimin europian; liberalizimin e vizave; dhe për mbështetjen që gjithmonë i ka dhënë elektoratit të vet. Po kështu politikat mbështetëse ndaj zhvillimit të biznesit kanë ndikuar padyshim pozitivisht në rezultat. Së shtati: Përkushtimi ndaj integrimit, deri në momentet e fundit, kur LSI bëri të mundur miratimin e 2 Ligjeve dhe Rregullores së Parlamentit me konsensus të plotë, ndërkohë që dy forcat kryesore politike nuk mundën prej vitesh të merreshin vesh, përforcoi më shumë bindjen tek elektorati për drejtësinë e vendimeve të LSI-së dhe faktin se ajo është një parti që i mban premtimet, mund të arrijë marrveshje dhe punon për interesin kombëtar. Së teti: Problematika e shkaktuar në KQZ, lidhur me anëtarët e saj dhe fakti që antari i i LSI-së u largua në një mënyrë jo serioze, sigurisht që shkaktoi një pakënaqësi të re dhe solli në mendjen e elektoratit historinë e vitit 2009, ku u bënë përpjekjet maksimale për ta asgjësuar politikisht LSI-në. Kjo bëri që të rritej pakënaqësia ndaj pushtetit aktual dhe ky veprim të shikohej si shenjë arrogance dhe mungesë vullneti për të bashkëpunuar dhe nga ana tjetër të shtohej simpatia për LSI-në. Së nënti: Fushata e fortë dhe puna e madhe organizative e LSI-së gjatë fushatës, takimi me njerzit në çdo shtëpi nga Veriu në Jug, duke zhdukur kështu edhe idenë e bastioneve të majta dhe të djathta, apo tezën ndarëse Veri-Jug, të bërë prej vitesh nga dy forcat kryesore politike. LSI i tregoi popullit se ajo mund të bashkonte gjithë shqiptarët dhe ata e vlerësuan këtë fakt duke i dhënë LSI-së mandate në të gjithë Shqipërinë. Ndarja në krahina, apo teza Veri-Jug gjithmonë e ka dëmtuar Shqipërinë dhe sidomos pjesë të veçanta të saj, jo vetëm nga ana ekonomike por edhe nga ana e krijimit të një “armiqësie” të heshtur. Në fakt pavarësisht ndarjes artificiale, problemet e shqiptarëve janë të njëjta si në Jug ashtu edhe në Veri. Të gjithë duan punësim, zhvillim dhe integrim. Roli që luajti LSI në këtë aspekt ishte shumë i rëndësishëm dhe qytetarët e votuan atë në të gjithë Shqiperinë. Së dhjeti: LSI ka qenë gjithmonë ideatorja dhe promovuesja e dialogut dhe konsensusit kombëtar. Kujtojmë këtu rastet e përpjekjeve të LSI-së gjatë zgjedhjes së Presidentit, miratimin e 3 ligjeve të integrimit etj. Pra përpara elektoratit LSI ështe kristalizuar si forcë politike që vendos interesat e vendit mbi interesat partiake dhe kjo është vlerësuar nga elektorati. Mendimeve që përpiqen të argumentojnë se LSI fitoi duke përdorur modelin klientelist-pragmatist, unë do t’u kundërvija faktin që, LSI ishte pranë qytetarëve si gjatë kohës që ishte në pushtetin qendror, në pushtetin lokal, ashtu edhe gjatë kohës së fushatës. Unë besoj se populli është më i mençur se shumë analistë dhe e gjykon rolin dhe kontributin e LSI-së më thellë se kaq. LSI edhe pse ishte në pushtet, nuk e pa atë si qëllim në vetvete. LSI u kujdes për shqetësimet e qytetarëve duke i mbështetur ata brenda mundësive që kishte. Ajo asnjëherë nuk u tregua arrogante me pushtetin që kishte, përkundrazi punoi fort për të mbajtur premtimet e veta. Dihet që qëllimi i çdo partie është rritja e mirëqënies së qytetarëve të vet. LSI është një parti e cila shquhet për organizimin e fortë të saj, e cila vlerëson kontributin e çdo individi që kontribuon për fitoren dhe realizimin e politikave të saj, pra i jep secilit atë që meriton. Nëse LSI premton punësim, dhe e mban këtë premtim, ku qëndron e keqja? Unë mendoj se kjo është thjesht xhelozi politike. Të gjitha partitë premtojnë punësim, por ndryshimi është që ato nuk e mbajnë premtimin, ndërsa LSI po, dhe ky fakt e shtoi akoma më shumë besimin e elektoratit tek LSI. LSI ka treguar dhe do të tregojë që është gjithëpërfshirëse në të gjitha nivelet. Premtimi për punësim i LSI-së nuk duhet kuptuar thjesht si vende pune në administratën publike, por më tepër si mundësi që i jepen biznesit të zhvillohet dhe të hapë vende të reja pune, dhe kjo politikë nuk mund të quhet klienteliste, sepse dihet që është biznesi ai që gjeneron punësim dhe zhvillim dhe ai duhet mbështetur dhe jo të luftohet nëpërmjet sistemit të taksave apo edhe gjobave të pa merituara dhe presioneve. Së fundi: Raporti i LSI me median si në kohën e qeverisjes, ashtu edhe në fushatë ka qenë shumë konstruktiv dhe bashkëpunues. Kjo bëri që mesazhet e LSI të shpërndahen në publik në kohë reale dhe në mënyrë të kuptueshme. Roli i mediave dhe analistëve, në këto zgjedhje, të ndarë sipas dy kampeve kryesore, tregoi që nuk mjafton vetëm të propogandosh tezat e palës ku je rreshtuar, por ti trajtosh ato me realizëm, pa i manipuluar sepse kështu dëmton jo vetëm palën që mbështet, por në radhë të parë publikun i cili pret shumë nga analizat mediatike reale, por ndërkohë dënon ashpër spekullimet mediatike. Roli i LSI-së në qeverisjen e re, përgjegjësitë dhe sfidat! Ka disa mënyra të leximit të votës: eufori, heshtje, marrje përgjegjësie dhe fillimi i punës. LSI i takon kategorisë së fundit, pra marrjes së përgjegjësisë dhe fillimit seriozisht të punës për të justifikuar votën e popullit. Vota mund të lexohet edhe si votë kundër arrogancës së pushtetit aktual por edhe si shprehje e dëshirës për ndryshim dhe ecje më shpejtë drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit Europian. Sigurisht që ky ndryshim, do të jetë ndryshe. Ai nuk do ti shërbejë vetëm elektoratit që fitoi zgjedhjet, por të gjithë shqiptarëve, në të kundërt nuk do të ishte ndryshim, por vazhdim. Ndryshimi nuk do të jetë aplikim i një stili personal të lidershipit, tek individë të veçantë, por gjithëpërfshirje dhe për të gjithë qytetarët. Pra nuk do të ketë qeverisje personale por bashkëqeverisje, bashkëpunim dhe jo bllokim. Suksesi në zgjedhje është një përgjegjësi e madhe e cila nuk e kalon LSI-në në eufori, por përkundrazi në rritje të përgjegjësisë për të merituar besimin e njerzve që e votuan atë dhe që në Shqipëri të mbizotërojë zbatimi i ligjit dhe drejtësisë dhe ajo të bëhet me të vërtetë Europiane. Është shumë e qartë që në qeverisjen e re LSI ka një rol kyç. LSI është e ndërgjegjshme se prova e madhe që ka përballë është lufta për të dalë nga situata e dobët ekonomike, për të ndërtuar shtetin e së drejtës dhe për të integruar vendin në BE. Për këtë arsye LSI do të angazhohet dhe përkushtohet maksimalisht për të rritur besimin tek mazhoranca e re dhe për të realizuar me sukses detyrat që do të marrë në këtë qeveri. Ky angazhim është shprehur qartë nga kryetari i LSI-së i cili deklaroi se misioni i LSI-së do të jetë “…shërbimi me përulësi ndaj qytetarit…”. LSI e ka të qartë që tashmë është koha që jo vetëm të ecim më shpejt por edhe të realizojmë një ndryshim rrënjësor në vend. Kjo do të thotë ndryshim në mentalitetin qeverisës, ndryshim në nivelin e shërbimit ndaj qytetarit, rritje të kapaciteteve dhe nivelit të ekspertizës që i duhet vendit, etj. Fryma e bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirja është e një rëndësie të veçantë dhe LSI do t’i thellojë ato si asnjëherë më parë. Kujtoj me këtë rast që për një kohë të gjatë faktori ndërkombëtar, dhe në veçanti Bashkimi Europian bënte thirrje për gjithëpërfshirje, sidomos në proçeset e integrimit, por që asnjëherë nuk u arrit i plotë, dhe në rastet kur u realizua ai u bë me vonesë. Bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe aktorët e tjerë socialë do të funksionojë në çdo ditë të qeverisjes, ndërsa roli i intelektualëve që ka qenë shumë i rëndësishëm në LSI, do të marrë një dimension të ri. Integrimi në Bashkimin Europian ashtu si edhe më parë ngelet sfida kryesore e LSI-së. Në programin e Qeverisë së re LSI do të përfshijë masa të tilla që bëjnë të mundur ecjen më shpejt drejt integrimit Europian. Këtu kam parasysh kryesisht realizimin e të gjitha detyrave të caktuara në Planin e Veprimit të 12 Prioriteteve dhe Progres Raportit të vitit të kaluar me qëllim marrjen e Statusit të Vendit Kandidat brenda këtij viti dhe hapjen e negociatave në fillim të vitit tjetër. Kjo detyrë kërkon një ri-shikim dhe ri-planifikim të të gjitha masave të përcaktuara, duke bashkëpunuar ngushtë me Bashkimin Europian, shoqërinë civile dhe të gjithë aktorët e tjerë të përfshirë në këtë proces. Më tej e rëndësishme është përgatitja e ekipeve të ekspertëve që do të duhen gjatë hapjes së negociatave dhe përafrimi i plotë i legjislacionit shqiptar me acqui-në e Bashkimit Europian. Programi i qeverisë së re është mundësia kryesore e LSI-së për të realizuar premtimet e saj. Falë kontributit të LSI-së tashmë nuk do të egzistojë më problemi që u has gjatë qeverisjes së kaluar lidhur me nevojën e shumicës së cilësuar të votave. Ky fakt lejon që gjitha reformat e rëndësishme dhe vetë proçesi i integrimit të ecin më shpejt. Në kushtet kur situata ekonomike e vendit nuk është e mirë, fitorja e LSI-së është një instrument i pazëvëndësueshëm për të patur një qeverisje të fortë, e cila të mund të marrë vendime pa pasur bllokime dhe pa pasur përsëri një qeverisje të kontrolluar nga autoritaria individuale. LSI si pjesë e mazhorances së sotme e ka të qartë se përsëritja e sjelljes arrogante, së bashku me situatën e keqe ekonomike sjellin vetëm shkatërrim. Qeveria e re dhe e majta kanë një shans historik që ti japin fund tranzicionit të gjatë, të ndërtojnë demokracinë e vërtetë dhe shtetin e së drejtës, të rrisin ekonominë dhe të realizojnë integrimin në Bashkimin Europian. Tani nuk ka më vend për dominim të fuqive brenda mazhorancës, por është koha për bashkëpunim dhe mirëqeverisje. Në këtë kontekst LSI do të jetë garantuesja reale e stabilitetit politik dhe ekonomik të vendit; garantuesja e konsensusit kombëtar për çështjet madhore të vendit; garantuesja e rritjes ekonomike dhe punësimit; garantuesja e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Posted on: Wed, 17 Jul 2013 16:31:48 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015