“Meditimi rreth këmbëve”. Allahu ia krijoi njeriut dy - TopicsExpress



          

“Meditimi rreth këmbëve”. Allahu ia krijoi njeriut dy këmbët me qëllimin që ai të ecë në përmbushje të nevojave të tij në këtë jetë. Gjithsesi këmbët janë argument prej argumenteve të Allahut, ndaj medoemos duhet që të meditojmë rreth tyre. Siç dihet njeriu duhet të meditojmë rreth çdo gjëje që e rrethon në univers, prej të cilave janë edhe këmbët e tij. Sipas shkencëtarëve a e dini se sa hapa hedh njeriu gjatë jetës së tij në këtë dynja? Duke presupozuar një njeri që jeton shtatëdhjetë vjet ata përllogaritën se sa hapa bën ky njeri në këtë dynja. Arritën në konkludimin përafrues se një njeri që jeton shtatëdhjetë vjet, me hapat e tij që hedh përshkon rreth shtatëdhjetëmijë kilometra. Shtatëdhjetëmijë kilometra do të thotë që njeriu i vërtitet rruzullit tokësor nga skaji në skaj dy herë e gjysëm në jetën e tij nëse kap moshën prej shtatëdhjetë vjeç. Pra hapi që hedhim posedon vlerë, ai ka një çmim, prandaj dhe dijetarët tanë musliman të hershëm nuk hidhnin asnjë hap pa synimin për hatër të Allahut. Një ditë prej ditësh vjen një person tek një prej njerëzve të mirë dhe i tha, a po vjen me mua se filani vdiq?; me kuptimin të shkojmë të përcjellim xhenazen e tij dhe t’ia falim namazin e xhenazesë. Njeriu i mirë u nis me të dhe teksa po ecte befasisht ndaloi. Pasi qëndroi për një moment vijoi të ecte. Shoqëruesi i tij e pyeti: Përse ndalove teksa ishim duke ecur? Tha: Ndalova që të rinovoja synimin për hatër të Allahut. Kur ti më the hajde shkojmë t’ia falim filanit namazin e xhenazes thashë me vete, shkojmë bashkë. Pastaj u kujtova se duhet bërë synimi për hatër të Allahut që me pjesmarrjen time të ndikoj në ngushëllimin e të afërmëve të tij, të përfitoj shpërblim që Allahu ka përgatitur për veprimin e tillë... Kështu pra, hapi ka një çmim, ka një vlerë... Këmba është gjëja më e vështirë që mundën të produktojnë dhe realizojnë shkencëtarët; të cilët u shprehën se kur projektuan dhe vunë në punë robotin, gjëja më e vështirë në projektimin dhe produktimin e tij ishin këmbët, realiteti më i vështirë me të cilin u ndeshën ishte fakti se si do t’a bënin të ecte. U ndjenë vërtetë të paaftë që t’a bënin ecjen e robotit të ngjashme me natyrën e ecjes së njeriut. Prandaj personi që mediton në çështjen e këmbëve, gjen se sa mrekullueshëm Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhërishëm i përsosi dhe dizenjoi këmbët; në një mënyrë të tillë që njeriu është i aftë jo thjesht të ecë por edhe të vrapojë; është i aftë të ecë dukë mbajtur barrë mbi supet e tij... Personi që mediton në çështjen e këmbëve gjen sesi Krijuesi i bëri këmbët të tilla të mrekullueshme që me to njeriu të mund të bëjë përpara në të ecur por edhe të ecë pas. Këmbët janë përsosur të tilla që i përgjigjen ecjes qoftë përpara, qoftë prapa. Madje këmbët janë të afta të ecin në të katër drejtimet; ndër to edhe djathtas ose majtas. Të gjitha këto janë shenja dhe argumente hyjnore. Robotët është shumë vështirë, të mos themi e pamundur, që të lëvizin kështu si njeriu, pa sforcim dhe natyrshëm; para, mbrapa, majtas, djathtas. Madje trupi ynë, prej të cilit edhe këmbët, karakterizohet nga zhdërvjellësia për ata që dinë t’i shfrytëzojnë. Shembullin e gjallë e kemi tek sportistët dhe akrobatët me lëvizjet e tyre të mahnitshme. Kërcejnë, hidhen e bëjnë lëvizje akrobatike fantastike, saltro etj; gjithë kjo falë konstruktit të mrekullueshëm të këmbëve. Shihini sesa mrekullueshëm lëvizin. Që të gjitha këto janë argumente dhe shenja prej shenjave hyjnore karshi të cilave njeriu i mençur duhet të reagojë dhe reflektojë se s’bën. Lidhur me rëndësinë e këmbës përmendim sesi kur u legjitimua abdesi, prej performancës së tij të saktë u vendos domosdoshmëria e larjes së këmbëve. Kur marrim abdes është e rëndësishme që për të larë saktë këmbën të ndërfusim gishtat e dorës midis atyre të këmbës, proces i cili është në vetvete një masazh. Kështu që i bie që sa herë e kryejmë këtë veprim të abdesit ne i bëjmë masazh këmbëve tona. Mjekësia kineze e masazhit të këmbëve e filloi përkushtimin e saj në masazhimin e këmbëve para pesëmijë vjetësh dhe ende sot e kësaj dite është e njohur për suksesin e saj, ashtu që masazhierët kinez të këmbëve që janë mjeshtra në këtë lloj masazhi mund t’i identifikojnë dhe trajtojnë njeriut nëpërmjet këtij masazhi problemet e ndryshme në vatra të ndryshme të trupit, si problemet e stomakut, problemet e shikimit, problemet e kokës, problemet e qafës etj. Që të gjitha këto probleme ata i identifikojnë dhe trajtojnë nga vatra e këmbëve. E pra këmbët dhe funksioni i tyre ecës janë argument dhe shenja prej shenjave të Allahut. Lypset që t’a falenderojmë Allahun e Lavdishëm dhe të Lartmadhërishëm që n’a mundësoi të ecim; por lind pyetja për ku ecim ne, për çfarë i përdorim këmbët tona? Kjo është pyetja që duhet t’i bëjmë vetes! E përgjigjja është që ne duhet të ecim pas një synimi pozitiv të caktuar. Në adresë të Umar ibn Abdul Azizit -Allahu qoftë i kënaqur me të- tregohet se ai kur e hapte derën dhe donte të dilte nga dera e shtëpisë i shikonte këmbët e tij dhe i pyeste: Për ku po shkoni? Dhe priste për pak kohë dhe një farë distance derisa ato t’i përgjigjeshin... -hynte në këtë monolog, personazh të të cilit ishin dy këmbët e tij-. Umar ibn Abdul Azizi vijon: Nëse ato më thonin po shkojmë në bindshmëri karshi Allahut, u thoja, përpara atëherë në begatinë e Allahut. Ndërsa nëse ato i thonin se po shkonin në kundërshti ndaj Allahut, u thoshte: Kthehuni në shtëpinë tuaj se ajo është më mirë për ju. Kjo pra ishte gjendja e të parëve tanë të sinqertë -Allahu qoftë i kënaqur me ta- të cilët i trajtonin drejtësisht këmbët e tyre. Kemi shembullin e Zubejr ibn Auamit, që kur iu pre këmba e tij, e mori atë në dorë dhe filloi t’i fliste: “Për Allahun nuk kam ecur me ty në kundërshti dhe mëkat ndaj Allahut por me ty kam luftuar në rrugë të Allahut. Këmba është pra një argument prej argumenteve të Allahut dhe duhet që gjithsecili nga ne kur t’a shohë këmbën e tij të meditojë rreth saj, të meditojë rreth hapave që hedh me të, të shohë ecejaken e këmbëve të tij në dynja, se për ku shkojnë këmbët e tij?, unë çfarë objektivash po përmbush me këmbët e mia dhe ku po më çojnë ato? Prandaj dhe Profeti Muhamed -lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të- ka thënë: “Kush pastrohet në shtëpinë e tij dhe pastaj ecën (shikoni tekstin vjen me fjalën ‘ecën’) për në një shtëpi (xhami) prej shtëpive të Allahut, për të do të ketë në çdo hap që do të hedhë një të mirë dhe në hapin tjetër i fshihet një e keqe. Nëse e vërejmë së bashku këtë hadith dhe shumë të tjerë, gjejmë se ato n’a orientojnë ne se si dhe për ku duhet të ecim; të ecim në një formë të tillë që t’i shfrytëzojmë dhe kultivojmë hapat që hedhim. Shkencëtarët e studjuan ecjen ditore të njeriut dhe dolën në konkluzionin se njeriu normal gjatë ecjes së tij normale ditore përshkon një distancë prej afërisht nga minimumi një kilometër apo një kilometër e gjysëm deri në tre kilometër apo tre kilometër e gjysëm; këtë distancë ditore bën pra njeriu. E pra, përderisa ne çdo ditë eckemi rreth tre kilometër e gjysëm, kjo ecje duhet të jetë me një qëllim të caktuar. Profeti Muhamed -lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të- thotë: “Ai që ecë në ndihmë të gruas së ve dhe të vobektit, është si luftëtari në rrugë të Allahut”; ecë këtu do të thotë, lëviz, shkon, këmbët lëvizin... Edhe një herë, duhet që unë t’a shoh këmbën time, të meditoj dhe mendoj rreth saj; dhe teksa t’a shoh këmbën time, të bisedoj me të dhe t’a pyes ku po shkon?; çdo herë kur të marrë abdes dhe t’a shoh këmbën time, t’a lajë atë dhe t’a pastroj, të meditoj dhe ndiej këtë ndjesi, ndjesinë se “ku po shkon këmba ime?”. Prandaj Profeti -lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të- kur na flet rreth çështjes së abdesit n’a tregon se prej çdo pjese të trupit që lahet gjatë abdesit bien mëkatet dhe gjynahet; që do të thotë se kur ne lajmë duart lehtësohemi nga gjynahet tona; e njëjta gjë vlen edhe për fytyrën; dhe kjo nodh edhe me këmbën ashtu që kur ne e lajmë këmbën largohen prej saj gjynahet dhe mëkatet që ajo ka bërë. Pra këmba ndërmerr mëkat dhe ndërmerr sevap apo shpërblim. Prandaj Allahu i Lartësuar teksa flet në Kuran për Ditën e Gjykimit thotë: “Sot Ne ua mbyllim atyre gojët, Neve n’a flasin duart e tyre dhe n’a dëshmojnë këmbët e tyre për atë që punuan.” [36:65] E pra lypset që të meditojmë sa më shumë rreth këtyre vlerave, rreth këtyre kuptimeve, rreth këtyre moraleve, të meditojmë sesi këmbët janë argument hyjnor që duhen trajtuar dhe vlerësuar seriozisht, me qëllim të caktuar dhe në një ecejake të drejtë. Gjithë sa u tha n’a fton të meditojmë dhe nxjerrim konkludime të qarta mbi domethënien e meditimit rreth këmbëve, dhe sesi i këtillë meditim n’a nxit pozitivisht për të qenë sa më aktiv dhe sa më të vlefshëm gjatë jetës sonë.
Posted on: Sun, 14 Jul 2013 13:36:58 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015