Merr fund arratia e Admir Tafilit, 38-vjeçarit shkodran, i cili - TopicsExpress



          

Merr fund arratia e Admir Tafilit, 38-vjeçarit shkodran, i cili si mburojë të aktit të tij spektakolar zgjodhi ca magazina të braktisura në Prrenjas. Shoqërues të tij zgjodhi të kishte në këtë arrati pikërisht dy shkodranët e tjerë, Fran Marashin dhe Gëzim Gurin, ndërsa tre të tjerët vijojnë të mbajnë ende në “lojën e hekurt” arratisjen e bujshme, të parën e këtij lloji dhe të këtyre përmasave në dy dekada. Në krye të grupit të “rezistencës” thuhet se gjendet Reiz Haxhiraj nga Selenicë e Vlorës, i cili ka zgjedhur si bashkudhëtar të tij Gëzim Tomën dhe Eduard Lulën, që të dy 31 vjeç. E ndërsa Admir Tafili, i konsideruar jo vetëm truri i asaj arratisje “shokuese”, por edhe një prej personave që sipas policisë përbënte rrezikshmërinë më të madhe në të gjithë grupin prej shtatë vetave, u prangos live, vlonjati i shoqëruar nga një përmetar dhe një dibran dyshohet se kanë çarë gardhin e policisë dhe ka dyshime të forta që mund të kenë kaluar edhe kufirin në zonën e Kapshticës. Policia është vënë në ndjekje të tyre me të njëjtin motivim, ndërsa sërish shpresa e ardhjes së ndonjë informacioni nga qytetarët mban në këmbë forcat speciale dhe ata të ndërhyrjes së shpejtë. Këta dy reparte ndërsa kanë marrë malin e Gramozit pasditen e djeshme, grupi i hetimit që është instaluar në burgun e Drenovës, i derivuar edhe nga krerë të lartë të Policisë, Prokurorisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe të Brendshme, kanë ndërmarrë “fshesën” ndaj ruajtësve të këtij burgu me në krye eprorin e tyre të sapo emëruar. Të arratisurit e rrezikshëm-arrestim live me tri ngjarje të rënda mbi ndërgjegje dhe nën akuzë, Admir Tafili, mbase, mund të konsiderohej një ndër 3 personat kryesorë që nëse mund të merrej përsipër të kryhej arratisje, në atë burg, mund të ishte edhe ai një ndër ta. Me atentatin ndaj ish-shefit të krimeve të komisariatit të Malsisë së Madhe, më pas me arratisjen dhe vrasjen e Nikë dhe Gjovalin Pjetrushit, vëllezër të ish-shefit, si hakmarrje e egër ndaj vrasjes së babait të tij, Bahri Tafili, Admiri u vendos menjëherë nën shënjestrën e të gjithë Poli- cisë së Shtetit. Por plani i tij dekonspirohet shpejt. Gabon në taktikë duke lënë gjurmë të shumta nëpër rrugën që përshkoi me dy bashkëpatriotët e tij. Braktis makinën me të cilën kishin ndarë në dysh postbllokun e Pogradecit dhe niset në drejtim të Librazhdit. Më pas, në errësirë të plotë dhe të armatosur tre shkodranët mësyjnë Prrenjasin. Në periferi, ata strehohen në një magazinë të braktisur dhe aty kalojnë natën. Magazina- strehë gjendej në një stacion treni. Dyshohet, ndonëse ende nuk bëhet e ditur nëse mund të jetë e vërtetë, se në atë vend, qëndruan pikërisht me idenë e lëvizjes me tren në drejtim të Shkodrës, si i vetmi mjet që mund të qarkullonte jashtë vëmendjes së policisë. Të paktën kjo është hamendja e bluve të Elbasanit pasi kanë shquar gjurmët e tyre në drejtim të Prrenjasit dhe pas marrjes së informacionit konfidencial të një qytetari. Rrethimi kryhet me plan të detajuar, ndërsa sinjalin i pari për hyrjen e tyre në territorin e Prrenjasit dhe fshehjen në një magazinë e merr shefi i rendit, i cili menjëherë informon kryepolicin e Elbasanit dhe nga aty nis edhe plani operacional. Prangosja Duke parë rrezikshmërinë që përbënin tre të strehuarit në atë godinë të shpartalluar nga koha, drejtuesit e operacionit vendosin të hyjnë pasi të zbardhet, ndërsa rrethimi përgjatë orëve më parë ka qenë i vendosur në një distancë të largët, për të mos lejuar largimin nga aty. Ndërhyrja për prangosjen e tyre është mundësuar paraditen e djeshme ndërsa sipas të dhënave të policisë iu është bërë disa herë thirrje të dorëzohen. Banorët e zonës kanë bërë me dije se janë dëgjuar të shtëna me arnë në periferi ndërsa nuk bëhet me dije nëse ka patur shkëmbim zjarri mes policisë dhe të të arratisurve, por nga pamjet live të operacionit të arrestimit duket se të dënuarit me burgim të përjetshëm kanë komunikuar të qetë me policinë, ndërsa si rrallë herë në operacione të tilla, policia duket që sillet në mënyrë qytetare dhe profesionale, ndërsa kërkohet një makinë e policisë rrugore t`u paraprijë furgonëve të policisë në të cilët do të udhëtonin Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri. Policia ndan shkodranët, Tafili në Bradashesh Pas arrestimit dhe pas marrjes në pyetje në komisariatin e Elbasanit, tre të arratisurit të cilët janë të dënuar me burgim të përjetshëm për një sërë krimesh të rënda janë transferuar. Ndërsa Prokuroria dhe Policia mbajnë sekret dëshmitë e tyre që kanë të bëjnë me shkakun e kësaj arratisje dhe mënyrën se si kanë mundur të dalin nga burgu i sigurisë së lartë, Admir Tafili është ndarë nga dy personat e tjerë. Sipas të dhënave bëhet me di- je sa Tafili është transferuar nën masa të rrepta sigurie në drejtim të paraburgimit të Bradashesh, ndërsa Fran Marashi dhe Gëzim Guri janë nisur në drejtim të burgut të sigurisë së lartë në Rrogozhinë. Sipas burimeve konfidenciale Fran Marashi ka vijuar t`i qëndrojë besnik versionit të arratisjes së dikurshme, pasi sipas tij askush nuk po vë drejtësi për të pasi ai është i pafajshëm për ngjarjen e vitit 1997, që u njoh si masakra e Urës Vajgurore. Post-arratisja, Tahiri detajon operacionin “Në orën 19:10 të së shtunës salla operative e Policisë së Korçës është njoftuar për arratisjen e 7 personave të burgosur në burgun e Drenovës. Me të marrë informacionin strukturat e policisë të qarqeve Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Dibër, Berat, Shkodër, Vlorë e Tiranë kanë kaluar në gadishmëri maksimale dhe po kështu strukturat e Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA janë nisur menjëherë për të bërë rrethimin e zonës dhe vendosur perimetrin e jashtëm të sigurisë. Është kontaktuar menjëherë Policia kufitare e shteteve fqinjë, Greqisë, Maqedonisë dhe Kosovës, të cilat së bashku me Policinë Kufitare Shqiptare, përforcuan maksimalisht shërbimet për të mos lejuar largimin e të arratisurve përtej kufijve. Së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit kam kërkuar menjëherë bashkëpunimin e Ministrit të Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, me të cilët Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit ndërtuan një Plan Operacional për kapjen e të arratisurve. Rreth orës 20:00 dy makina të kamufluara me sinjalistikë policie thyen postobllokun e sapongritur nga Policia në Pogradec. Policia e Shtetit u vu menjëherë në ndjekje dhe në hyrje të qarkut të Elbasanit bëri të mundur kapjen e njërës prej makinave së bashku me të dy pasagjerët, të cilët janë njëkohësisht dy prej organizatorëve të arratisë dhe mbështetës të jashtëm. Si rezultat i punës së menjëhershme, rreth orës 22:00 u bë e mundur kapja e njërit prej të arratisurve, shtetasit Artur Gora i cili u kap në aksin Korçë - Devoll në fshatin Dishnicë. Ndërkohë operacionet e kërkimit kanë vijuar gjatë gjithë natës në të gjithë qarqet e Shqipërisë. Në mesditë u bë i mundur arrestimi i tre prej të arratisurve, të gjithë të dënuar me burgim të përjetshëm. Konkretisht: Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri. Njëkohësisht Policia e Tiranës ka arrestuar Altin Lamin, i cili është njëri prej bashkëpunëtorëve të jashtëm në arratisjen e djeshme. Ky person dyshohet se ka vendosur eksplozivin në qytetin e Korçës, në momentin që nisën veprimet e të burgosurve për t’u arratisur”. Djemtë tanë të pafajshëm, arratisja sërish për Franin Që prej orës 19.30 minuta të së shtunës, Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri, në arratinë e tyre konsideroheshin persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore jo vetëm për policinë por edhe për qytetarët. E ndërsa nata e së shtunës duke zbardhur e diela për familjet e tyre, të Marashit dhe të Gurit, në Shkodër dhe Vau i Dejës, ka qenë natë ankthi, pasi e kishin të pamundur të kishin informacion në lidhje me fatin e dy djemve të tyre. E ndërsa nga Vau i Dejës, familjarët e Gëzimit i bëjnë thirrje shtetit të mos qëllojë mbi djalin e tyre, pasi ai është i pafajshëm, vëllai i Fran Marashit merr në një farë mënyrë në mbrojtje Admir Tafilin: Arratisja është bërë për tim vëlla, pasi ai asnjëherë nuk gjeti drejtësi dhe askush nuk pranoi të gjykonte si duhet atë. Kjo arratisjes është kryer vetëm për të kthyer vëmendjen nga vëllai i im, pasi ai është i pafajshëm. Kërkojmë që ai të gjykohet dhe të vihet drejtësia mbi çështjen e tij”. Familjet Guri dhe Marashi kanë reaguar rreth një para se të kryhej edhe arrestimi i tre djemve nga Shkodra në Prrenjas, ndërsa për në këtë apel për drejtësi dhe moscënim të jetës së tyre, sigurisht që ka munguar familja e Admir Tafilit, vendndodhja e të cilëve nuk dihet që pas ngjarjeve të njëpasnjëshme që tronditen Shkodrën pas vrasjes së Arben Zylyftarit dhe Bahri Tafilit. Për Admirin s`ka kush të bëjë apel Pas atij atentati të përgjakshëm ku në pritën e Admir Tafilit humbën jetën dy vëllezërit e Prelë Pjetrushit, Nika dhe Gjovalini, e ëma e Admirit kërkoi herë pas herë të vihet drejtësia në vend për të gjitha ngjarjet në të cilat ishte përfshirë dhe dëmtuar familja e saj. Sipas të dhënave të pas vrasjes, që datoi 18 marsin e vitit 2011, Kimete Tafili, mohoi kategorikishsht që kolonel Arben Zylyftari të ishte vrarë nga burri dhe djali i saj, ndërsa ajo për vras- jen e bashkëshortit fajësonte drejt për drejt Prelë Pjetrushin. Deklarata e atëhershme nga gruaja që jetonte e vetme në shtëpinë e saj në Shkodër, tregonte se në të vërtetë Prelë Pjetrushi kishte dashur të qëllonte edhe mbi Gencin, ndërsa Bahriu ishte vrarë i dorëzuar nga Pjetrushi. Sipas gruas, e cila në momentin e asaj ngjarjeje mjaft të përfolur për zbardhjen e saj, edhe kur kanë kaluar plot 12 vjet, ishte e izoluar nga policia në shtëpinë e saj bashkë me dy nuset dhe fëmijët e djemve, i ndjeri Zylyftari nuk ka qenë fare në vendin ku policia përleshej me babë e bir. Aty është lënë i vdekur Bahriu dhe është vënë në pranga Genci, ndërsa Admiri aso kohe ndodhej në Zvicër. Genci dënohet për vrasjen e Zylyftarit me 25 vite burg, ndërsa Admiri lë Zvicrën për të mbërritur në Shkodër dhe për tu përballur me gjaksin e tij, që sipas tij ishte Prelë Pjetrushi. Ky i fundit i shpëton atentatit të parë ndaj tij dhe largohet drejt Amerikës për të mos u kthyer më deri në vrasjen e dy vëllezërve të tij dy vite më parë. Admir Tafili u arrestua për atë atentat dhe u betua se do të merrte hak për të atin duke realizuar arratisjen në shtëpinë e tij. Pas vrasjes së dyfishtë ai u vetëdorëzua dhe deklaroi se tashmë e kishte mbaruar misionin...!
Posted on: Sat, 30 Nov 2013 10:47:59 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015