Nga sytë, këmbët! Nga Mero Baze Sali Berisha nuk do të - TopicsExpress



          

Nga sytë, këmbët! Nga Mero Baze Sali Berisha nuk do të përballet me Edi Ramën në zyrën e tij. Sipas njoftimeve që dalin nga kabineti i tij, Berisha do të ngarkojë një ish- polic t’i dorëzojë inventarin e zyrave. I mundur keqas pas një beteje elektorale të pabarabartë dhe i predispozuar deri në fund për të mos e lëshuar pushtetin me vota, ai u dorëzua falë 1 milion votave kundër tij. Pas këtij ndëshkimi historik, edhe pse pranoi humbjen me lot në sy, ai mblodhi veten pas javës së parë dhe filloi të delegjitimojë humbjen e pushtetit. Për tre muaj rresht, si një kryeministër dezhurn i Shqipërisë, ai ka bërë vendime të rëndësishme dhe akte që synojnë shpronësimin e shtetit dhe pasurimin e individëve, sa nuk kanë bërë gjithë qeveritë për 20 vite bashkë. Ritmi me të cilën ai filloi të zhvatë prona publike, pasuri nëntokësore, pasuri pyjore, naftë, krom dhe bakër, lumenj dhe liqene, ndërtesa dhe livadhe, janë të tilla që asnjë pushtues nuk do kishte mundur t’i bënte. Gjithë pazaret e pambaruara të tetë viteve në pushtet, në këto tre muaj u bënë realitet falë VKM-ve të tij dhe qartësisë për të rrjepur çdo lek deri në minutën e fundit. Nga momenti kur ai u përlot para PD-së dhe pranoi humbjen, tek trimërimi i tij para mbledhjes së fundit të qeverisë për të mos pranuar as përballjen në zyrë me pasuesin e tij, reflektohet gjithë thelbi i raportit që ai njeri ka me shtetin dhe pushtetin. Ai reflekton qartazi konceptin se e ka parë shtetin si pronë të tij dhe nuk është gati ta pranojë veten si një pushtetar që iu besua shteti përkohësisht. Por më tej akoma kultura e mospranimit të pasardhësit në shtet është për të një kulturë e huaj. Kjo është hera e dytë që ai ikën nga pushteti, dhe në të dy herët ai nuk e ka pritur pasardhësin në zyrë. Në vitin 1997, pasi dha dorëheqje nga president pas fitores së thellë të socialistëve, ai po ashtu nuk e priti në zyrë Rexhep Meidanin dhe iku nga presidenca. Edhe ikja e tij nga kryeministria nuk mund të jetë ndryshe. Ai nuk mund të pranojë realisht humbjen dhe pse nuk ka çfarë u bën shifrave. Ai nuk pranon dot t’i japë dorën fitimtarit dhe mbi të gjitha nuk e kupton se si shteti shqiptar nga pronë e Familjes së tij, tani të kalojë në administrim të një force tjetër politike. Është kjo arsyeja që gjatë këtyre tre muajve ai ka qenë aktiv në zhvatjen e pasurive tona kombëtare, në dhënie koncesionesh për nëntokën e mbitokën, për zaptim pasurish dhe transformim pronash. Kultura e tij politike rrezaton më tej dhe tek vartësit e tij. As Topalli nuk pranon të bëjë një ceremoni për dorëzimin e detyrës edhe pse askujt nuk i bëhet vonë për këtë. Lotët e tij të humbjes janë kthyer befas në breshëri plumbash mbi fituesin dhe ai ka tre muaj që përpiqet të zhbëjë humbjen e tij, duke i dorëzuar një shtet të shkatërruar fitimtarëve. Kultura e mosdorëzimit është një kulturë primitive, e cila zë fill tek paligjshmëria me të cilën Berisha ka sunduar dhe qeverisur. Në tetë vitet e tij si kryeministër, Berisha ka sunduar politikisht duke e konsideruar rivalin si armik. Ai është udhëheqësi i vetëm i Shqipërisë paskomuniste, që ka bërë vrasje politike të provuara dhe pranuara vetëm nga urrejtja për opozitën. Është kryeministri që ka pushkatuar katër protestues nga makthi se i rrezikonin pushtetin. Si i tillë ai për tetë vite ka drejtuar shtetin si një projekt politik kundër opozitës dhe jo si një detyrim për të qeverisur vendin. Ai riktheu në Shqipëri ndarjen klasore dhe persekutimin politik, ku një qytetar kundërshtar i tij nuk merrte dot as letrat e pronës në hipotekë, pa lejen e Zenit. Ai riktheu shtetin politik, ku zyrtarët të shikonin si armik të tij dhe të mbyllnin çdo derë shërbimesh në zyrën e shtetit. Ai riktheu kulturën e puçeve të shtetit, armiqësinë me institucionet e pavarura dhe përdorimin e pushtetit për të ndëshkuar median kritike. Ai është kryeministri që rrethonte redaksi me policë dhe ishte gati të prishte Piramidën pse nuk nxirrte dot andej një redaksi kritike. Ai është njeriu që ndau biznesmenët në pagatorë të Familjes së tij dhe në armiq të saj duke përdorur shtetin si institucion ndëshkimi ndaj tyre. Ai është kryeministri që vuri në rresht intelektualët pa kurriz të këtij vendi që nënshkruanin peticione kundër opozitës për një vend pune dhe që toleroi shkatërrimin e arsimit për hir të disa kioskave arsimore që i ktheu në zyra elektorale. Ai është kryeministri që nuk qeveris asnjë ditë për qytetarët, por për të mbijetuar në pushtet duke menduar dhe u motivuar natë e ditë kundër opozitës. Ai harxhoi energji pa fund të mbulonte skandalet e djalit, vajzës e gruas, me bizneset e tyre informale, që shpesh hapën varre masive, por kurrë nuk u interesua si kryeministër i këtij vendi të respektonte lirinë ekonomike, konkurrencën e lirë dhe të drejtën për të jetuar në këtë vend pa njohur dikë nga Familja e tij. Dhe pikërisht pse qeverisi kështu, ai u ndëshkua thellë dhe zbyth nga historia e këtij vendi falë vullnetit të shqiptarëve. Tani ai nuk ka si ta pranojë këtë fat. Ka tre muaj që po hakmerret ndaj shqiptarëve duke u përpjekur natë e ditë të lërë një shtet të shkatërruar, një ekonomi piramidë, një inventar pasurish të plaçkitur dhe një shoqëri të dorëzuar në duar të krimit. Ky është një bilanc i padurueshëm për ta dorëzuar me ceremoni. Ky është një bilanc me të cilin ndeshesh pas një lufte ku të mundurit kanë ikur nga sytë këmbët. Ndaj nuk ka asnjë arsye që ai të gjendet në vendin e krimit. Nga sytë këmbët le të ikë!
Posted on: Wed, 04 Sep 2013 21:35:53 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015