Në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve u - TopicsExpress



          

Në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve u përkujtua përmes një ceremonie të veçantë 30-vjetori i ndarjes nga jeta të intelektuales së njohur Musine Kokalari. Ministri i TKRS-së, Visar Zhiti gjatë përshëndetjes së tij foli për rolin e gjithanshëm të Musine Kokalarit të fushën e letërsisë, politikës etj. Ndër të tjera, Zhiti tha se “kultura jonë i ka dramat të mëdha dhe na takon neve t’i vlerësojmë ato”. “Musine Kokalari është shkrimtarja e parë grua shqiptare dhe kjo nuk është pak, ajo është disidentja e parë që sfidoi dhe u burgos nga diktatura dhe kjo është shumë“, tha ministri. Vlera e Musinesë është morale, sepse i qëndroi dhunës, është vlerë politike se sfidoi kohën, është vlerë antropologjike e historike. Ne, shtoi ministri, jemi të aftë për të mos i çmuar të tjerët dhe kjo që po bëjmë për figurën e Musine Kokalarit është fillimi i një pune të mirë. Për figurën e Musinë Kokalarit folën edhe studiuesit e njohur Agim Musta dhe Novruz Shehu, të cilët e vlerësuan figurën e saj unikale për aktivitetin e saj politik, si dhe të afërm e familjarë, të cilët ndanë momente të panjohura të jetës së Musine Kokalarit. Mbi jetën e Musine Kokalarit. Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adale, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Ajo është cilësuar pioniere e lëvizjes së feminizmit në Shqipëri dhe për këtë i referohen aktivitetit të saj si shkrimtare dhe veprimtare politike. Themeloi Partinë Socialdemokrate në vitin 1943 dhe shkruante në gazetën “Zëri i Lirisë”, organ i partisë. Ishte pjesëtare e grupimit opozitar antikomunist “Bashkimi Demokratik Shqiptar” (1946), një aleancë e Partisë Socialdemokrate, kryesuar nga Musine Kokalari, me Frontin e Rezistencës dhe me Grupin Monarkist. Gjyqi komunist e dënoi me 20 vjet heqje lirie, me humbjen e të gjitha të drejtave civile dhe konfiskim të pasurisë. Pasi kreu 16 vjet nga dënimi i saj, Musinenë e internuan në Rrëshen, ku për 22 vjet punoi në bujqësi dhe ndërtim, si punëtore llaçi. Ndahet nga jeta në vitin 1983. Është autore e veprave “Siç më thotë nëna plakë” botim i vitit 1939 me rrëfenja, gojëdhëna, shënime dhe recenca mbi etnografinë e traditën popullore. Më 1944 botohet “Rreth vatrës” dhe “Sa u tund jeta” 1945. Më 2000 botohet një përmbledhje e shkrimeve, artikujve, eseve dhe kujtimeve me titull “Si lindi Partia Demokratike”. Në 2004 u botuan 60 ese të sajat nën titullin “T’isha një lule”. Musine Kokalarit i janë akorduar nga Presidenti i Republikës medalja “Martir i Demokracisë” (Pas vdekjes) dhe Titulli “Nderi i Kombit”.
Posted on: Tue, 13 Aug 2013 12:45:21 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015