Velipoja dhe Shëngjini me plazhet më të pastra! Inspektimet e - TopicsExpress



          

Velipoja dhe Shëngjini me plazhet më të pastra! Inspektimet e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) tashti janë transferuar në bregdet. Me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, inspektorët kanë nisur monitorimet e ujërave të plazheve që parapëlqehen dhe frekuentohen më shumë nga pushuesit.Nga rezultatet e arritura deri më tani, rezulton se këtë vit plazhet me ujë të pastër janë Velipoja dhe Shëngjini, ku nga analizat laboratorike të bëra nga specialistë të ISHP-së, ujërat e tyre kanë rezultuar pa ndotje. Ndërkohë që është vënë re përmirësimi i ujit në Currila në Durrës, në plazhin nga Ura e Dajlanit në Plepa, por ka ende pika të tjera që nuk duhen frekuentuar në plazhin e Durrësit, raporton edicioni online i gazetës Shqip. “Problematike është zona ku derdhen ujërat e zeza dhe ujërat urbane të plazhit të Shkallnuerit. Aty nuk duhet të bëhet plazh”, shpjegon Valbona Bara, shefe e sektorit të ujit dhe sanitetit në ISHP. Mirëpo zona të ndotura, rrjedhimisht të rrezikshme për shëndetin, konstatohen edhe në zonën e Golemit, ku ka pika që kanë rezultuar të ndotura për shkak të derdhjes së ujërave të zeza dhe atyre urbane. “Vërehen shumë të ndotura ujërat tek Përroi i Agait, pasi është kanali ku shkarkohen ujërat urbane, si dhe tek Mali i Robit, ku është sërish një kanal i ujërave urbane që shkarkohen në det. Njerëzit duhet të lahen larg tyre”, këshillon Bara. Ndërkohë, në plazhin e Vlorës, analizat laboratorike tregojnë për ndotje të ujit në plazhin e vjetër, ndërkohë që pas ujit të ftohtë deri në Sarandë pushuesit mund të frekuentojnë të qetë të gjitha plazhet e jugut. “Vërehet ndotje te Shkolla e Marinës, ku ka shkarkime të ujërave urbane dhe uji na del i ndotur. Ndërsa plazhet pas Ujit të Ftohtë janë shumë të pastra, me plazhin e Dhërmiut, Sarandës e Himarës, ku mund të bëhet plazh pa frikë”, thekson shefja e sektorit të ujit dhe sanitetit në Institutin e Shëndetit Publik. E vetmja pikë që rezulton e ndotur në plazhet e Sarandës është pranë kanalit të Cukës, ku pushuesit duhet të tregojnë kujdes. Nga monitorimi i ISHP-së vihet re një përmirësim i ndjeshëm i ujërave për shkak të ndërgjegjësimit të subjekteve private, për të mos shkarkuar ujërat e zeza në det. ISHP ka monitoruar edhe 35 pishina në Tiranë. Nga të dhënat rezulton se 7 pishina nuk përmbajnë nivelin e duhur të klorit, 15 nuk janë të klorifikuara fare, ndërsa 5 prej tyre figurojnë me ndotje të lartë bakteriologjike, që përbën rrezikshmëri të lartë për shëndetin e qytetarëve. Si pasojë e fluksit të qytetarëve, që i drejtohen gjithnjë e më shumë pishinave, qoftë gjatë ditëve të javës, apo në fundjavë, administratorët apo pronarët e këtyre bizneseve, të pangopur për të fituar sa më shumë të ardhura, kanë harruar se duhet të respektojnë disa prej elementëve bazë të sigurisë së individit, siç është instalimi i sistemit kullues (filtrimit) dhe klorifikimit. Duke frekuentuar pishina që nuk i plotësojnë këto kushte, shumë prej qytetarëve i drejtohen mjekut si pasojë e sëmundjeve të ndryshme që i shfaqen në lëkurë”, thuhet në studimin e ISHP-së. cl 77news.al
Posted on: Sun, 04 Aug 2013 19:10:28 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015