10 vite me NINE ELEVEN Pak kohë ka mbetur deri në fillimin e - TopicsExpress



          

10 vite me NINE ELEVEN Pak kohë ka mbetur deri në fillimin e festivalit dedikuar viktimave të 11 shtatorit, 9/11 Film Festival. Përgatitjet, tashmë kanë filluar. Realizimi i filmave të sponsorizuar nga vetë festivali dhe sponsorët e festivalit, janë në përfundim e sipër. Nga gjithsejtë dyzet skenarë të cilët e kaluan pragun e parë, vetëm tetë prej tyre u përzgjodhën, për t’u realizuar. Për përzgjedhjen e këtyre skenarëve, ndihmuan edhe Ambasadorja e ShBA-ve në Kosovë, znj. Tracey Jackobson, David Baugh dhe Douglas Morris. Sipas festivalit, përzgjedhja nuk ishte e lehtë, pasi që pothuajse të gjithë skenarët e dorëzuar kanë merituar të realizohen, mirëpo tetë të përzgjedhurit kanë qenë më afër pritjeve dhe kërkesave të produksionit; dhe gjithashtu, nuk duhet lënë anash edhe fakti, se numri i limituar i skenarëve që mund të punohen brenda një viti, bën që vetëm tetë nga dyzet të punohen. Fituesit janë: “AGONIA” – skenari dhe regjia Esat Fesjza. Në ngjarje mbresëlënëse. Drama e një çifti, të cilët janë në proces të ndarjes, mirëpo ndërkohë po presin edhe lindjen e fëmiut të parë. Xhirimet janë mbajtur nga 23 deri më 25 korrik. “BURRI” – skenari dhe regjia nga Ben Apolloni. Tregimi është një temë e zakonshme tek shqiptarët, mirëpo e trajtuar me plot imagjinatë nga Apolloni; një “burrë” që kërkon një djalë pas shumë vajzave, e bën këtë film shumë interesant dhe me situate shumë tendosëse. Xhirimet janë bërë nga 10 deri më 13 gusht. “RROTA” – skenari Diturie Neziraj dhe Fisnik Muji, regjia Fisnik Muji. Është kjo një komedi e lehtë, për ndreqësin e lavatriqeve dhe për dashuriçkat e amviseve të vetmuara për të. Xhirimet janë bërë nga 25 korriku deri më 1 gusht. “Faji i pafaj” (titull pune) – skenari Sarandë Rugova dhe regjia Fitim Shala. Drama e cila një nënë dhe fëmiu i saj e kalojnë, që të ruaj më të çmueshmen. Tregimi ka të bëjë me një të vërtetë e cila ka vite që ka qenë e fshehur. Xhirimet janë bërë nga 13 deri 15 gusht. “Rrobaqepësja” – skenari dhe regjia Arlinda Morina. Tregim që ngacmon përpos trurit edhe shqisat të pamurit, me shumë ngjyra dhe detaje. Bota tregohet nga sytë e një femre, me një ekip prej shtatë femrash aktore e deri tek vetë regjisorja dhe skenaristja, e këtij filmi. Xhirimet janë bërë nga 29 korrik deri më 2 gusht. “MANUAL për inicimin e luftës së tretë botërore” – skenari dhe regjia Biroll Urçan. Shakaja e dy të rinjëve që shndërrohet në skandal botëror, është tema kyçe e këtij filmi, që e shikon realitetin tonë me një sy më komik. Xhirimet janë bërë nga 10 deri me 14 gusht. “Hyrja e tretë” – skenari Artan Korenica dhe regjia Blerta Basholli. Filmi trajton fatin tragjik e të dalurve nga lufta; viktimat, fatet e tyre, heronjtë dhe antiheronjtë. Ky është një rrëfim i bukur për një dashuri të parealizuar në kohë lufte. Xhirimet janë bërë nga 14 deri më 16 korrik. “POROSIA” (titull pune) – me skenar të Shqipe Kadriut dhe regji të Ekrem Xanit është ende duke u xhiruar. Gjithashtu, deri më tani festivali ka pranuar edhe filma të produksioneve të tjera, të cilët janë mjaftë kualitativ; gjë kjo që e bën konkurrencën e sivjetme edhe më të fortë. Dhe natyrisht që festivali është i hapur për audiencën dhe do të mbahet nga 7 shtatori e deri më 11 shtator, në Sheshin 21. Në edicionin jubilar të 9/11 Film Festival, do të ketë gjithçka interesante!
Posted on: Thu, 22 Aug 2013 16:43:30 +0000

Recently Viewed Topics




© 2015