Banaliteti i së keqes sistemike Nga Peter Ludlow [ngaqë jo të - TopicsExpress



          

Banaliteti i së keqes sistemike Nga Peter Ludlow [ngaqë jo të gjithë dinë anglisht mirë] Muajt e fundit ka pasur një pështjellim të dukshëm në media mbi rrjedhjen e informacionit, denoncimet dhe haktivizmin që ka trazuar ushtrinë e Shteteve të Bashkuara dhe komunitetet e inteligjencës private dhe qeveritare. Reagimet kanë qenë të të gjitha llojeve. Kanë përfshirë orvatje për të dënuar, mbështetur, demonizuar, psikoanalizuar dhe në disa raste, për të kanonizuar persona si Aaron Swartz, Jeremy Hammond, Chelsea Manning dhe Edward Snowden. Në terma të gjerë, komentuesit në median e përgjithshme dhe korporative janë prirur të supozojnë se të gjithë këta aktorë duhen nxjerrë para drejtësisë, ndërsa lojtarët e pavarur në internet dhe gjetiu kanë qenë shumë më mbështetës. Në fakt, një kopertinë e vonë e revistës “Times” ka vënë në dukje një dallim të dukshëm breznor mbi mënyrën sesi njerëzit i shohin këto çështje: 70 për qind e atyre në moshën 18-34, pjesë e një vrojtimi, thanë se Snowden “bëri diçka të mirë” në rrjedhjen e informacionit mbi programin e mbikëqyrjes së Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (NSA). A mos vallë brezi i ri ka humbur busullën e tij morale? Jo. Sipas këndvështrimit tim është krejt e kundërta. Dukshëm, ekziston një parim moral në veprimet e rrjedhësve, denoncuesve dhe haktivistëve, si dhe të atyre që i mbështesin. Gjithashtu do të argumentoja se ai parim moral është artikuluar qartësisht, dhe mundet, madje, të na shpëtojë nga një e ardhme dystopike. Në “Eichmann në Jeruzalem”, një prej veprave më të rëndësishme të filozofisë së shekullit të 20, Hannah Arendt kreu një vëzhgim mbi çka ajo e quante “banaliteti i së keqes”. Një interpretim mbi këtë thotë se nuk ishte një vëzhgim mbi çka dukej se ishte një njeri çfarëdo me emrin Adolf Eichmann, por një deklaratë se çfarë ndodh kur njerëzit i luajnë rolet e tyre “të duhura” brenda një sistemi duke ndjekur sjelljen e urdhëruar sipas atij sistemi, ndërkohë që mbesin të verbër ndaj pasojave morale mbi çka sistemi po bënte – apo të paktën, duke i justifikuar brenda vetes dhe injoruar këto pasoja. Një ilustrim i mirë i këtij fenomeni shfaqet në librin “Labirintet Morale” nga sociologu Robert Jackall, i cili eksploron etikën e vendimmarrjes brenda burokracive të korporatave. Në të, Jackall bëri disa vëzhgime që përputheshin me ato të Aarendt. Menaxherët e nivelit të mesëm me të cilët ai foli nuk ishin njerëz të “ligj” në jetët e tyre të përditshme, por në kontekstin e punëve përkatëse ata kishin një kod moral më vete, të cilin Jackall e quan “rregullat themelore të jetës korporative”: (1) Kurrë nuk anashkalohet shefi. (2) Shefit i tregohet çfarë dëshiron të dëgjojë edhe kur ai pretendon se kërkon këndvështrime kundërshtuese. (3) Nëse shefi kërkon që diçka të lihet mënjanë, ti bën pikërisht këtë. (4) Ti je i ndjeshëm ndaj dëshirave të shefit kështu që i paraprin asaj çka ai do; nuk e shtyn, me fjalë të tjera, të sillet si shef. (5) Nuk është puna jote të raportosh diçka që shefi nuk do të raportohet, por ta mbulosh diçka të tillë. Bëj punën tënde dhe mbyll gojën. Jackall vërejti rast pas rasti, kur menaxherët kishin thyer këtë kod dhe ishin pushuar me ceremoni nga një biznes (për shembull, ngaqë kishin raportuar keqbërje në pastrimin e centralit bërthamor në Three Mile Island). Aaron Swartz e vendoste “Labirintet Morale” ndër “librat më të preferuar”. Swartz ishte fëmija çudibërës i internetit, i përndjekur penalisht nga qeveria duke e kërcënuar me 35 vite burg sepse kishte shkarkuar në mënyrë të paligjshme gazeta akademike të cilat ndodheshin pas një shërbimi me pagesë. Swartz, i cili u vetëvra këtë janar në moshën 26 vjeç (shumë besojnë si pasojë e përndjekjes), tha se “Labirintet Morale” kishte bërë një punë të shkëlqyer në “shpjegimin sesi kaq shumë njerëz qëllimmirë mund të përfundojnë duke kryer kaq shumë ligësi”. Swartz argumentoi se ishte nganjëherë e nevojshme që të thyheshin rregullat që kërkonin bindje ndaj sistemit në mënyrë për të parandaluar të keqen sistemike. Në rastin e Swartz, sistemi nuk ishte një korporatë por një sistem për shpërndarjen e dijes së paketuar nëshishe, e cila [sikurse uji] duhet të kishte qenë e disponueshme për të gjithë. Swartz u angazhua në një akt mosbindjeje civile për të çliruar atë dije, duke argumentuar se “nuk ka drejtësi në ndjekjen e ligjeve të padrejta. Është koha të dalim në dritë, dhe në traditën fisnike të mosbindjes civile, të shpallim kundërshtinë tonë ndaj kësaj vjedhjeje private të kulturës publike”. Chelsea Manning, ushtarja e Shteteve të Bashkuara, burgosur për rrjedhjen e dokumenteve të klasifikuara nga Departamentet e Mbrojtjes dhe Shtetit, ndjeu një shtrëngim të ngjashëm për t’i rezistuar rregullave të brendshme të burokracisë. Në një deklaratë në gjyqin e saj, ajo përshkroi një rast ku ndjeu se diçka e tillë ishte e nevojshme. Në shkurt të 2010-s, ajo mori një raport mbi një ngjarje në të cilën, Policia Federale e Irakut kishte ndaluar 15 njerëz për shtypjen e materialeve “anti-irakiane”. Duke hetuar çështjen ajo zbuloi se asnjë nga të 15 nuk kishte lidhje të mëparshme me veprime anti-irakiane apo me organizata të dyshuara për terrorizëm. Manning kërkoi t’i përktheheshin materialet e pretenduara si anti-irakiane dhe zbuloi se në kundërshtim me pretendimet e policisë federale, materialet në fjalë “detajonin korrupsionin brenda kabinetit të Kryeministrit Nuri Kamal al-Maliki dhe pasojat financiare të këtij korrupsioni mbi popullin irakian”. Kur Manning ia raportoi këtë mospërputhje oficerit përgjegjës, ai i tha ta “linte mënjanë”, tregoi ajo. Manning nuk mund t’i vinte pas lojës. Sikurse tha, e dinte se nëse do të vazhdonte të ndihmonte Policinë Federale të Bagdadit në identifikimin e kundërshtarëve politikë të Kryeministrit al-Maliki, ata persona do të arrestoheshin dhe nën kujdestarinë e Njësisë Speciale të kësaj force policore, me shumë gjasa do të torturoheshin dhe nuk do të shiheshin më për një kohë shumë të gjatë – nëse shiheshin ndonjëherë. Kur eprorët e saj refuzuan ta trajtonin këtë problem, ajo u detyrua t’ia kalonte këtë informacion Wikileaks. Snowden po ashtu, ndjeu se duke u përballur me çka ishte qartësisht e gabuar, ai nuk mund ta luante rolin e duhur brenda burokracisë së komunitetit të inteligjencës. Siç ka thënë: “Kur u tregon njerëzve mbi [abuzimet] në një vend si ky, ku diçka e tillë është praktikë normale, njerëzit nuk i marrin ato seriozisht dhe i lënë pas krahëve. Por me kalimin e kohës, ajo vetëdije e keqbërjes sikur grumbullohet dhe ndihesh i detyruar të flasësh. Dhe sa më shumë flet aq më shumë shpërfillesh. Sa më shumë të thonë se nuk është problem, në një pikë kupton se këto gjëra duhen gjykuar nga publiku dhe jo nga dikush që thjesht e ka punësuar qeveria”. Burokracia e urdhëronte të kyçte gojën dhe të vazhdonte punën (në pajtim me 5 rregullat në “Labirintet Morale”), por Snowden ndjeu se diçka e tillë ishte moralisht e gabuar. Në një opinion të qershorit në “The Times”, David Brooks argumentoi pse ai mendonte se Snowden kishte bërë gabim duke rrjedhur informacion mbi programin e mbikëqyrjes Prism. Arsyetimi i tij, qartazi modelonte alternativën ndaj kodit moral të ndjekur nga Swartz, Manning dhe Snowden. “Që shoqëria të funksionojë siç duhet”, shkroi ai, “duhet të ketë nivele bazë besimi dhe bashkëpunimi, respekt për institucionet dhe nderim për procedurat e zakonshme. Duke vendosur që në mënyrë të njëanshme të rridhte dokumente sekrete të NSA, Snowden i ka tradhtuar të gjitha këto”. Kjo ankesë është frikshëm e ngjashme me një rast të diskutuar në “Labirintet Morale”, ku një llogaritar ishte shkarkuar sepse kishte këmbëngulur për të raportuar “pagesa të parregullta, fatura të falsifikuara dhe shifra të manipuluara”. Pakënaqësia ndaj llogaritarit nga menaxherët e tjerë në kompani ishte se “duke këmbëngulur mbi dëlirësinë e tij morale... ai kishte shkatërruar besimin themelor dhe mirëkuptimin që bëjnë të mundur punën bashkëpunuese menaxheriale”. Por a nuk kishte arrogancë apo kryeneçësi në vendimet e Snowden dhe Manning për t’i rrjedhur dokumentet? Në fund të fundit, a nuk kishte procedura të paracaktuara që përcaktonin çka ishte e drejtë më lart në diagramin organizative? A nuk i duheshin lënë më mirë këto vendime etike, dikujt tjetër me një notë më të lartë page? Ambasadori i mëparshëm i SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, John Bolton, tha se Snowden “mendon se është më i zgjuar dhe se ka një moral më të lartë se ne të tjerët... se ai mund të shohë më qartë se 299,999,999 prej nesh, dhe si rrjedhojë ai mund të bëjë si do. Unë them se kjo është forma më e keqe e tradhtisë.” Për rrjedhësin [e informacionit] dhe denoncuesin, përgjigja ndaj Bolton është se nuk mund të ketë pritshmëri se sistemi do të veprojë moralshëm vetvetiu. Sistemet janë optimizuar për vetë mbijetesën e tyre, dhe se parandalimi i sistemit për të kryer ligësi mund të kërkojë edhe thyerjen e finesave organizative, protokolleve apo ligjeve. Mund të kërkojë të dilet jashtë rolit të paracaktuar organizativ. Shefi ekzekutiv nuk është në një pozitë më të mirë për të dalluar të keqen sistemike, sesa një menaxher i mesëm apo një specialist IT i nënkontraktuar. Dallimi i të keqes sistemike nuk kërkon grada apo inteligjencë, vetëm shikim të ndershëm. Personat e ndërgjegjes që dalin jashtë roleve të tyre organizative nuk janë diçka e re. Ka shumë raste të famshme, të mëparshme që përfshijnë Daniel Ellsberg (the Pentagon Papers), John Kiriakou (i CIA-s) dhe një disa ish-punonjës të NSA, të cilët thirrën kushtrimin ndaj çka ata e panë si një program antikushtetues dhe jomoral (William Binney, Russ Tice dhe Thomas Drake, për shembull). Por duket se po dëshmojmë një tjetër brez denoncuesish dhe rrjedhësish, të cilët mund edhe t’i quajmë gjenerata W (për brezin që u rrit në epokën e Wikileaks, dhe tani në vitin e denoncimeve). Dëshira e medias për të psikoanalizuar anëtarët e brezit W është e natyrshme. Ata duan të dinë përse këta njerëz po veprojnë në një mënyrë që ata, njerëzit e medias korporatave, nuk do ta bënin. Por ç’vlen për njërën palë, vlen edhe për tjetrën; nëse ka shtysa psikologjike për denoncimin, rrjedhjen e informacionit dhe haktivizmin, ka po ashtu shtysa psikologjike për mobilizmin me strukturën e pushtetit brenda një sistemi – në rastin konkret, një sistem në të cilin media korporatave luan një rol të rëndësishëm. Ngjashmërisht, është e mundur që edhe vetë sistemi të jetë i sëmurë, ndonëse aktorët brenda organizatës sillen në pajtim me etiketën organizative dhe duke respektuar detyrimet e brendshme të besimit. Ashtu si Hannah Arendt pa sesi veprimi i kombinuar i menaxherëve besnikë mund t’i çelte udhën të keqes sistemike të paimagjinueshme, edhe brezi W ka parë sesi bashkautorësia brenda shtetit të përgjimit mundet gjithashtu, t’i hapë derën ligësisë - jo të keqes lemeritëse që na solli efikasiteti burokratik i Eichmann, por gjithsesi, një të ardhmeje Oruelliane që duhet shmangur me çdo çmim. Peter Ludlow është profesor filozofie në Northwestern University dhe shkruan shpesh mbi kulturën dixhitale, haktivizmin dhe shtetin përgjues. Përktheu Ervin Qafmolla
Posted on: Sun, 29 Sep 2013 09:17:46 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015