El-Vekilu (Garantuesi) Emri që do të trajtojmë këtë temë, - TopicsExpress



          

El-Vekilu (Garantuesi) Emri që do të trajtojmë këtë temë, është një nga emrat e bukur të Zotit, emër që të fal qetësinë shpirtërore dhe sigurinë. Këtë e fitojnë ata që e përjetojnë këtë emër në jetën e tyre dhe adhurojnë Zotin e Madhëruar me këtë emër. Ky emër është për ata që të ardhmen e shohin me frikë dhe pesimizëm. Emri i kësaj teme është i përshtatshëm për të gjithë ata që janë të stresuar dhe depresionuar rreth të ardhmes. Emri i kësaj teme, është Elvekil. Pikat në të cilat do të përqendrehemi në trajtimin e kësaj teme, janë pesë: Hyrje. Kuptimi i emrit Elvekil. Si ta kuptoj nëse i mbështetem Garantuesit në çdo gjë? Modele tepër tërheqës, mbi mënyrën se si Elvekil i ndihmon dhe përkrah ata që i mbështetin Atij. Kuptime të ndryshme të emrit Elvekil. Ata që kanë nevojë për këtë emër, janë të gjithë ata që e shohin të ardhmen e tyre me frikë. Për këtë emër kanë nevojë prindërit të cilët janë të shqetësuar për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Për këtë emër kanë nevojë ata prindër që janë të shqetësuar se mos fëmijët e tyre bien pre e drogës dhe e shoqërisë së keqe. Kanë nevojë ata prindër të cilët janë të shqetësuar se mos vajza e tyre bie pre e ndonjë djali që e mashtron. Kanë nevojë ata prindër që janë të shqetësuar për mbarëvajtjen e fëmijëve në shkollë. Që ta njohin këtë emër, kanë nevojë ata të rinj që janë në universitet dhe mundësinë për t’u punësuar e shohin të vogël pas diplomimit. Ata që janë në fazën e zbatimit të një projekti dhe janë të shqetësuar nëse do të ketë sukses apo jo, kanë nevojë për të njohur emrin Elvekil. Vetë umeti musliman që vuan nga hallet e shumta, ka nevojë ta njohë emrin e Zotit, Elvekil. Ky emër është për këdo që kërkon të kontribojë për Islamin dhe nuk dinë nga t’ia fillojnë. Njeriu është i dobët dhe gjithmonë është i shqetësuar për të ardhmen. Ai shikon aktualitetin dhe problemet e shumta që kërkojnë zgjidhje, dhe stresi i shtohet më shumë. Elvekil është emër që të jep siguri dhe besim mbi një çështje që kërkon ta arrish. Fillimisht ti vë gjithçka në funksion të çështjes që kërkon të arrish, shfrytëzon gjitha mundësitë dhe punon pa pushim. Kurse rezultatin ia lë në dorë Garantuesit që ka në dorë gjithçka. Vallë a e bëjmë diçka të tillë në jetën tonë? Ata prindër që janë të shqetusuar për vajzat e tyre që kanë mbushur moshën për martesë dhe nuk u ka trokitur kush në derë, ata të rinj që janë të shqetësuar mbi të ardhmen e tyre, ata njerëz që kanë halle... a i mbështeteni Zotit të Madhëruar për problemet tuaja? Kur të ndodh ndonjë problem dhe hall që të trondit, a shkon të trokasësh në portën e Elvekilit? Cilat janë lidhjet e tua me Garantuesin e çdo gjëje? A i mbështetesh Garantuesit për çdo problem me të cilin përballohesh? A e ke jetën të lidhur me këtë emër, Elvekil? Zakonisht kur nënshkruajmë një marrëveshje, e nënshkruajmë atë në praninë e një noteri, ose një pale të tretë, e cila luan rolin e garantuesit që kjo marrëveshje do të respektohet. Kjo palë e tretë, zgjidhet nga të dy palët kontraktuese, pasi të dy kanë besim tek ai. Në fund, të dy palët dhe garantuesi i marrëveshjes firmosin marrëveshjen e lidhur. Pasi të nënshkruhet kontrata, të gjithë palët fillojnë punën për zbatimin e saj. Asnjë nuk qëndron në shtëpi dhe të presë garantuesin ta përmbushë. Që të pranosh garancinë e dikujt, duhet që ai të plotësojë tre kushte; Të kesh besim tek ai, të ketë ekperiencën e duhur dhe të tregojë interes ndaj çështjes tënde. Po Zotin tënd, a e pranon si Garantues për zgjidhjen e halleve të tua o vëlla? Ai të ofron mbështetjen dhe ndihmën e Tij, përse të mos e pranosh? Ai e ka quajtur veten e Tij Elvekil (Garantues). Vetë Zoti në Kuran të propozon:”Pranoje Atë si Garantues” (Muzemmil 9) Sa herë që Kurani flet mbi rëndësinë e mbështetjes së njeriut në Zotin, e shoqëron këtë me fuqinë dhe pushtetin e pafund të Zotit. Kjo me qëllim që të ta shtojë besimin në Garantuesin suprem. Në shumë ajete të Kuranit, Zoti na siguron që askush nuk mund të humbasë duke e pranuar Atë si Garantuesin e vetëm. “Zotit i takon e fshehta e qiejve dhe e tokës, tek Ai kthehet e gjithë çështja. Prandaj adhuroje dhe mbështetju Atij” (Hud 123)Ti duhet t’i mbështetesh Zotit, pasi Ai ka në dorë gjithçka që ekziston në qiej dhe tokë. “Zot i lindjes dhe perëndimit, nuk ka zot tjetër veçTij, prandaj pranoje Atë si Garantues” (Muzemmil 9) Mos vallë nevojat e tua gjenden jashtë lindjes dhe perëndimit, që të kërkosh një garantues më të besueshëm? Vetë Zoti i madhëruaar të ofron garancinë dhe ndihmën e Tij. Kështu nuk ka arsye përse të stresohesh dhe të shqetësohesh për të ardhmen. Jeta e përplas njeriun me probleme dhe telashe nga më të ndryshmet, prandaj shko dhe kërko ndihmën e Elvekilit për t’i zgjidhur ato, mbështetju Atij dhe përpiqu me sa mundësi ke për një rezultat të kënaqshëm. Përse të shkosh tek dikush tjetër, në një kohë që vetë Zoti të ofron mbështetjen e Tij? Përse pranon garancinë dhe mbështetjen e të tjerëve dhe refuzon atë të Garantuesit suprem? Njerëzit me të marrë vesh mbi aftësitë e rralla të një doktori, vihen në radhë pa mbarim tek dera e tij. Kjo pasi kanë besim, siguri dhe garanci në përvojën dhe aftësitë e tij. Ne nuk besojmë t’ia dorëzojmë shëndetin tonë, një doktori që nuk e njohim dhe që nuk besojmë në aftësitë e tij. Edhe pse duhet të shpenzojmë para më shumë, ne zgjedhim doktorin më të mirë. Përse të mos kemi besim dhe garanci të plotë tek Ai që gjithçka është në dorën dhe sundimin e Tij? Nëse kemi një çështje drejtësie, zgjedhim avokatin më të mirë në vend dhe për këtë mburremi para njerëzve të tjerë. Përse të mos mburresh me garancinë e Atij që është Garantuesi më i mirë? Edhe pse ti o njeri je sa një pikë në gjithë universin, Zoti i Madhëruar të ofron garancinë e Tij për të të ndihmuar. “Dhe mbështetu tek i Plotfuqishmi dhe Mëshiruesi. i cili të sheh kur ngrihesh në këmbë dhe lëvizjen tënde në mesin e atyre që falen.” (Shuara 17-19) Me kërkesën për t’iu mbështetur Zotit dhe garantuesit më të mirë, nuk duam të nxisim dembelizmin dhe plogështinë. Nuk duam që gjithçka ta presim të gatshme dhe vetë të mos ndërmarrim asnjë veprim. Padyshim që ne duhet të shkojmë tek doktori më i mirë për t’u vizituar, do të zgjedhim avokatin më të mirë për të fituar një çështje, do të komunikojmë me ministra dhe vendim marrës të tjerë... por brenda në zemër të jemi të sigurtë dhe të bindur që vetëm Zoti do na e zgjidhë këtë problem. “Është Ai që më krijoi, dhe është Ai që më udhëzon. Është Ai që më ushqen dhe më jep të pijë. Dhe kur sëmurem është Ai që më shëron. Që ma merr jetën dhe më ngjall. Është Ai tek i cili kam shpresë se do m’i falë mëkatet e mia në ditën e gjykimit.” (Shuara 78-82) ”dhe mbështetju të gjallit që nuk vdes” (Furkan 58) “Ai është Zoti që nuk ka zot tjetër veçTij. Ai është Krijuesi i gjithçkaje, prandaj adhurojeni. Dhe Ai është Garantuesi i çdo gjëje.” (En’am 102) Kështu, Elvekil është Ai që merr përsipër zgjidhjen dhe përkujdesjen për gjithçka që i shqetëson robët e Tij. Ai nuk i zhgënjen, nuk i braktis dhe nuk i lë çështjet e tyre në dorë të dikujt tjetër. “Dhe kush i mbështetet Zotit, Ai i mjafton atij.” (Talak 3) Kurrë nuk mund të humbasësh, nëse i je mbështetur Zotit. Fjalët:”Më mjafton Zoti që është Garantuesi më i mirë” nënkuptojnë që mua më mjafton Zoti për zgjidhjen e halleve dhe problemeve të mia. Mbështetja në Zotin të fal forcë dhe besim në vetvete. Ajo të bën të flasësh pa emocione dhe pa frikë. Kjo pasi tashmë i je mbështetur Atij që nuk zhgënjen askënd dhe je i bindur në ndihmën e Tij. “dhe nëse kthejnë shpinën, thuaj: Më mjafton Zoti që nuk ka zot tjetër veçTij, Atij i jam mbështetur dhe Ai është sunduesi i Arshit madhështor.” (Teube 129) Nëse të braktisin të gjithë njerëzit dhe dalin kundër teje, mos kij frikë nëse ke Garantuesin në krahun tënd. “… njerëzit janë grumbulluar kundër jush, prandaj u frikësoheni atyre. Por kjo në të vërtetë vetëm sa ua shtoi besimin dhe thanë: Na mjafton Allahu, i cili është Ndihmuesi më i mirë.” (Al Imran 173) Këto ajete janë për shokët e profetit a.s. Pas humbjes së Uhudit ku mbetën të vrarë 70 muslimanë, u vra Hamzai dhe vetë profeti a.s u plagos, një ditë më pas profeti a.s urdhëroi muslimanët që të sulmonin Kurejshët. Edhe pse ishin të lodhur dhe të plagosur, muslimanët së bashku me profetin a.s u nisën rrugës për të luftuar me Kurejshët, derisa arritën në një vend që quhej Hamraul Esed. Kurejshëve u arriti lajmi që muslimanët ishin nisur për të luftuar me ta, kështu dërguan një njeri që t’i frikësojë. Personi që dërguan për të frikësuar profetin a.s dhe muslimanët, me tu takuar me profetin a.s i tha:”Kurejshët janë përgatitur për luftë, kanë veshur lëkurat e tigrave dhe kanë mbledhur rreth vetes të gjithë arabët.” Me ta dëgjuar, profeti a.s u drejtua nga shokët e tij dhe të gjithë thërrasin njëzëri:”Na mjafton Zoti që është garantuesi më i mirë” Atëherë profetit a.s iu shpallën ajetet e mësipërme. Personi që kishte vajtur të frikësojë muslimanët, u largua dhe shkoi të frikësojë Kurejshët. Me tu takuar me ta, ai u tha:”Për Zotin muslimanët thonë fjalë me të cilat duket sikur do t’u hanë të gjallë” Ebu Sufjani dhe pjesa tjetër e ushtrisë u nisën menjëherë për në Meke, duke iu shmangur përplasjes me muslimanët. Atëherë profetit a.s iu shpallën dhe ajetet plotësuese:”Ata u kthyen me mirësinë dhe begatinë e Zotit, pa i prekur gjë e keqe.” (Al Imran 174) Profeti a.s në shumë hadithe na mëson gjëra praktike me të cilat mësojmë mbështetjen në Zotin. Thotë profeti a.s:”Kush thotë çdo ditë në mëngjes dhe në mbrëmje, shtatë herë: Më mjafton Zoti që nuk ka zot tjetër përveçTij. Atij i jam mbështetur dhe Ai është sunduesi i Arshit të madh” Zoti ia garanton zgjidhjen e halleve të asaj dite”. Në një hadith tjetër, profeti a.s thotë:”Kush thotë teksa del nga shtëpia:”Me emrin e Zotit, jam mbështetur tek Zoti. Nuk ka forcë që më shtyn të bëj mirë dhe më ndalon nga të bërit keq, përveçZotit.” do i thotë meleku:”Je udhëzuar, je mbrojtur dhe të mjafton Zoti.” Shejtani i thotë një shejtani tjetër:”çfarë mund t’i bëjmë një njeriu që është udhëzuar, mbrojtur dhe i mjafton Zoti?!” Kurse mbi historinë e hebrenjve të cilët i urdhëroi Musai a.s të luftonin për të marrë Kudsin, Kurani thotë:”Dhe dy burra të cilëve Zoti u kishte dhënë mirësi u thanë: Hyni brenda sepse me të hyrë ju do të fitoni. Dhe mbështetjuni Zotit nëse jeni besimtarë!” (Maide 23) Një fshatar kishte një kushëri që punonte në ministri dhe kishte marrëdhënie konfidenciale me vetë ministrin. Fshatari shkroi një kërkesë për punë dhe vajti tek kushëriri i tij, për ta ndihmuar të gjejë një punë në ministri. Gjatë gjithë rrugës për në qytet, fshatari kishte në mendje se vetëm kushëriri i tij mund t’i gjente punë. Me të arritur në shtëpinë e kushëririt, ai e mirëpriti dhe i premtoi se do ia paraqiste kërkesën ministrit për t’i gjetur një punë. Të nesërmen morri kërkesën e kushëririt nga fshati dhe ia la ministrit mbi tavolinë. çdo ditë që ia vendoste kërkesën mbi tavolinë, minstri e merrte dhe e vendoste atë poshtë dokumenteve të tjerë. Kur pa se minstri nuk e kishte mendjen tek kushëriri i tij nga fshati dhe se gruaja e tij po mërzitej me prezencën e tij çdo ditë në shtëpi, i tha:”O kushëriri im, filan. Mesa duket një çështje e tillë kërkon kohë. Mua më vjen keq për këtë, por më mirë kthehu në shtëpi dhe prit atje!” Tregon fshatari:”Kjo më rëndoi së tepërmi. Dola nga shtëpia e tij me zemër të thyer, duke menduar se fajin e kisha vetë. Unë u mbështeta tek lidhjet e mia me kushëririn. Duhej të isha mbështetur tek Zoti, pasi vetëm Ai mund të më ndihmojë. Më fal o Zot se kam gabuar. Ti je garantuesi im o Zot dhe vetëm prej Teje pres ndihmë.” Një ditë më vonë, kushëriri i tij nga qyteti e morri në telefon dhe e njoftoi se ministri e kishte pranuar kërkesën e tij për punë. Kjo ishte një histori e thjeshtë mbi ndihmën dhe përkrahjen që të ofron Elvekil kur i mbështetesh atij. Jam i sigurtë që secili prej nesh ka me dhjetëra dhe qindra histori të tilla nga jeta jonë. E keqja jonë është se ne nuk e studiojmë jetën tonë, tregojmë indiferencë ndaj mbështetjes së Elvekilit. Pasi të lexosh këtë temë, ulu me veten dhe kujto mbështetjen dhe përkrahjen e Elvekilit në jetën tënde. “Më mjafton Zoti që është garantuesi më i mirë” e tha Ibrahimi a.s kur u hodh në zjarr. E tha Musai a.s, kur populli i tij i thanë:”Na arritën”. E tha profeti Muhamed a.s së bashku me muslimanët e tjerë, ku i thanë:“… njerëzit janë grumbulluar kundër jush, prandaj u frikësojuni atyre” (Al Imran 173) Profeti Muhamed a.s ua mësonte mbështetjen në Zot fëmijëve të vegjël. Abdullah bin Abbasi thotë: Isha fëmijë dhe një ditë profeti (a.s) më tha: “O djalosh, unë do të të mësoj disa fjalë. Ruaje Zotin (në zemër) të të mbrojë (nga të këqiat). Ruaje Zotin (në zemër) ta gjesh Atë pranë teje. Nëse kërkon diçka, kërkoje prej Zotit. Nëse kërkon ndihmë kërkoje prej Zotit. Dije që sikur të gjithë njerëzit të mblidheshin për të të bërë dobi, nuk do e arrinin veçse nëse e ka caktuar Zoti dhe nëse do të mblidheshin të të dëmtonin, nuk do e arrinin veçse nëse e ka caktuar Zoti. Janë ngritur lapsat dhe janë tharrë letrat.” Në çastet që i mbështetesh Zotit, ndjen që je njeriu më i fortë dhe më i guximshëm. v Treguesit e mbështetjes tek Garantuesi më i mirë. Si ta kuptoj që jam nga ata që i mbështeten Zotit? Shumë njerëz pohojnë që i mbështeten Zotit, por këtë e thonë vetëm me gojë. Treguesit mbi këtë, janë pesë: 1. Nëse përballesh me momente të vështira dhe emrin Elvekil e përmend dhe kërkon mbështetjen e Tij, dije se je nga ata që i mbështeten Zotit. Le të marrim modele rreth kësaj pike. Modeli më i mirë është profeti Ibrahim a.s. Ai ishte vetëm 16 vjeç, megjithatë i gjithë njerëzimi mëson prej tij mbështetjen e vërtetë tek Zoti. Në këtë moshë të re, ai i theu të gjithë idhujt që adhuronte populli i tij. Për këtë veprim, populli i tij vendosën që ta djegin si ndëshkim. Zjarri ku do e digjnin nuk do të ishte një turrë drush si zakonisht, por do të ndërtohej një ndërtesë e madhe. Vetëm ndërtimi i kësaj ndërtese ku do të digjej Ibrahimi a.s, zgjati disa muaj. Gjatë kësaj kohe, Ibrahimi a.s ndodhej i burgosur. Ndërtesa ku do të hidhej për tu djegur, u ndërtua jashtë qytetit dhe kjo nga frika se mos merrnin flakë shtëpitë përreth. Në ndërtimin e saj morri pjesë i gjithë qyteti, edhe njerëzit e tij më të afërt, babai dhe xhaxhai. Zjarri që u ndez ishte aq i fuqishëm saqë zogjtë që fluturonin sipër tij, digjeshin nga temperatura. Gjatë gjithë rrugës për tek zjarri, Ibrahimi a.s nuk thoshte gjë tjetër përveçse “Më mjafton Zoti që është garantuesi më i mirë”. Kur arritën tek zjarri, asnjë nuk guxonte ta hedhë Ibrahimin a.s në zjarr, për shkak të temperaturës së lartë. Atëherë morrën katapultat që ta hedhin nga larg. Në çastin që e hodhën, Xhibrili a.s i shkoi dhe i tha:”O Ibrahim, a ke ndonjë nevojë për mua?” Kurse Ibrahimi a.s ia ktheu me siguri:”Për ty nuk kam nevojë o Xhibril, kurse për ndihmën e Zotit po. Më mjafton Zoti që është garantuesi më i mirë” Kur Ibrahimi a.s ra në zjarr, të gjithë njerëzit brohoritën të gëzuar, por pas tre ditësh Ibrahimi a.s doli nga zjarri i paprekur nga flakët e tij. Ajo që kishte ndodhur ishte se Zoti e kishte urdhëruar zjarrin të mos e djegë Ibrahimin a.s. Si mund ta braktisë dhe ta zhgënjejë Zoti një rob që i mbështetet? Zjarri nuk mund t’i djegë ata që i mbështeten Zotit. Në vitet e fundit të jetës, dikush e pyeti Ibrahimin a.s:”Cilat janë ditët më të bukura që ke kaluar?” Ai u përgjigj:”Ditët që kalova në zjarr.” Në çastet e krizave dhe fatkeqësive që kërkon ndihmën dhe mbështetjen e Elvekilit, ti ndjen që je njeriu më i fuqishëm mbi tokë. Të jesh i mbështetur në Zot, do të thotë ta pranosh Atë si garantin tënd. 2. Njerëzve u priten shpresat, kur nuk kanë përkrahjen e njerëzve, kurse besimtarit i rriten shpresat kur nuk ka përkrahjen e njerëzve, pasi i mbetet vetëm përkrahja e Elvekilit. Shpesh herë Zoti na sprovon me qëllim që të shohë nëse i mbështetemi Atij plotësisht apo jo. Nëse shpresonim që hallet tona dhe shumë nevoja na i zgjidhte filani që ka filan post, Zoti e largon atë nga posti që kishte. Profeti a.s kishte dy persona të cilët e mbështesnin fuqishëm dhe e mbronin nga jobesimtarët. Ata ishin xhaxhai i tij Ebu Talibi, i cili e mbronte nga kurejshët dhe gruaja e tij Hadixheja, e cila e qetësonte brenda shtëpisë dhe i largonte shqetësimet. Në kohën që kishte më shumë nevojë për ta, të dy i vdesin. Me këtë, sikur Zoti i thoshte: Kush të ndihmon tani o i dërguar i Zotit? Nëse të errësohet jeta, nëse të gjitha dyert të mbyllen, nëse të priten shpresat, nëse të gjithë ata për të cilët kishe nevojë nuk ekzistojnë më... nuk ke tjetër kënd përveçVekilit që të mbështet dhe përkrah. Shko tek Ai dhe qaja hallin. Një të ri kur e thirrën për shërbimin ushtarak, e gjithë familja u alarmua, pasi kishte babanë të sëmurë dhe ishte i vetmi që punonte në shtëpi. Njerëzit e shtëpisë e këshilluan që të shkonte tek një i afërm, që të ndërhynte dhe t’i ulej afati i ushtrisë nga tre vite në një vit, për shkak të kushteve familjare. Ai vetë ishte i bindur që askush tjetër veçZotit nuk mund ta ndihmonte në këtë çështje, por këmbëngulja e familjes e bëri që të shpresojë në ndihmën e xhaxhait të tij. Më në fund vendosi që ti mbështetet Zotit për këtë, dhe nuk kërkoi ndihmën e askujt tjetër. Kur erdhi dita për tu paraqitur për kontrollin mjekësor, hyri tek doktori i cili e pyeti nëse vuante nga ndonjë sëmundje. “Jo” – iu përgjigj. Atëherë doktori plotëson raportin mjekësor ku shkruan që është i aftë për shërbimin ushtarak. Të riut i ra qielli mbi kokë kur dëgjoi këtë. E morri raportin i dëshpëruar pasi do shkonte ushtar dhe do linte pjesëtarët e familjes në hall, dhe u ngrit për të dalë jashtë. Doktori e thirri përsëri dhe filloi ta vizitojë sërish duke e kthyer në drejtime të ndryshme. Më pas plotësoi një raport mjekësor tjetër ku shkroi: “Është i pa aftë për të kryer shërbimin ushtarak pasi vuan nga shtrembërime në shtyllën kurizore.” Pasi kaloi dhe në komisionin e lartë dhe kreu disa analiza dhe radiografi, nuk u pranua në ushtri, për shkak të gjendjes shëndetësore. Ai fillimisht shpresonte që koha e ushtrisë t’i ulej nga tre vite në një vit, kurse Elvekili ia hoqi këtë barrë plotësisht. Shpesh herë Zoti të lë të lodhesh në një drejtim dhe në fund nuk arrin asgjë. Ndihma dhe suksesi të vjen nga një drejtim tjetër, të cilin kurrë nuk e kishe menduar. Kjo me qëllim që të ndërgjegjësohesh se ndihma dhe mbështetja të vjen vetëm nga Garantuesi i vetëm. Profeti a.s udhëtoi në këmbë njëqind kilometër për në Taif. Rezultati ishte zero, pasi jo vetëm që nuk e besuan, por dhe e gjuajtën me gurë. Pasi doli nga Taifi u takua me një djalë, i cili e besoi. Pas disa ditësh, e dëgjojnë xhindët mesazhin e tij dhe besojnë. Pas kësaj përjeton udhëtimin e Israsë dhe Miraxhit dhe pas disa vitesh pranojnë fenë e tij banorët e Medines. Profeti a.s dëshironte mbrojtjen e banorëve të Taifit, kurse Zoti i dha mbrojtjen e banorëve të Medines. Ai shpresonte të besonin arabët e Taifit, kurse Zoti dërgonte një djalosh nga Iraku që pranonte fenë e tij. Ai shpresonte që mesazhin e tij ta pranojnë njerëzit, por Zoti dërgoi xhindët që të pranojnë mesazhin e tij. 3. Mos prano të ushqehesh me haram, pasi ai që pranon të marrë qoftë dhe një qindarkë haram, nuk mund të jetë nga ata që i mbështeten Zotit. Kjo pasi duke marrë pasuri në rrugë të pandershme, ti nuk beson se është Zoti Ai që ta garanton furnzimizim tënd dhe të familjes. Që në barkun e nënës, Zoti e pajis njeriun me një burim ushqimi. Me të ardhur në këtë botë, njeriu qan, pasi iu ndërpre burimi me të cilin ishte mësuar të ushqehej. Por me të lindur, Zoti e pajis njeriun me dy burime të tjera ushqimi, dy gjinjtë e nënës. Me të plotësuar vitet e ushqimit me qumështin e gjirit të nënës, njeriu përsëri qan, pasi iu ndërpre burimi i ushqimit me të cilin ishte mësuar. Por Zoti të pajis me katër burime të reja ushqimi, të cilët janë mishrat, drithërat, uji dhe qumështi. Kur njeriu vdes, ai është i dëshpëruar pasi do të ndahet nga të mirat e kësaj bote, por Zoti i ka përgatitur – nëse është besimtar – tetë dyert e xhenetit. Sa herë që t’i dëshpërohesh për diçka të humbur, Zoti të përgatit diçka akoma më të mirë. Si mund të ushqehesh me haram pas kësaj? Ai që pranon të marrë para në rrugë të pandershme, është i mbetur në provimin e mbështetjes tek Zoti. Ai që ushqehet me haram, nuk e njeh Elvekilin. 4. Mos e vulgarizo frikën dhe shqetësimin për të ardhmen. Të gjithë ne shqetësohemi për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë, por kjo nuk duhet të shoqërohet me strese, depresione, dridhje, kriza zemre... Nëse teksa po vdes qan me lot për fëmijët në dorë të kujt do i lësh, nuk je nga ata që i mbështeten Zotit. Është për t’u çuditur me gratë dhe nënat në veçanti, pasi ato lodhen dhe shqetësohen më shumë mbi të ardhmen e fëmijëve të tyre. Si nuk u shkon mendja se këto fëmijë kur ishin embrione në barkun e tyre, ishte Zoti ai që u siguronte jetesën. Trupi i njeriut e refuzon çdo lloj trupi tjetër që hyn dhe reagon menjëherë. E veçantë është se trupi i nënës e pranon embrionin dhe nuk e refuzon atë. Çdo nënë ka në bark një organ që quhet shtrat (placentë) e cila është si sfungjer. Shtrati ka si funksion që të filtrojë gjakun me të cilin ushqehet embrioni. çdo gjë për të cilën ka nevojë embrioni, shtrati e lejon të depërtojë në vrimat e tij dhe çdo gjë tjetër të panevojshme për embrionin, ai e mban jashtë. Nëse nëna vuan nga tifoja, shtrati nuk e lejon virusin që të depërtojë tek embrioni. Sa më shumë të rritet embrioni, aq më shumë lejon shtrati të depërtojnë minerale dhe proteina. Gjithashtu shtrati sekreton lëndë të cilat bëjnë që trupi i nënës ta pranojë embrionin dhe të mos e refuzojë. 5. Sakrifiko dhe përpiqu për ta arritur qëllimin, por brenda në zemër të jesh i sigurtë që veçZotit askush tjetër nuk mund të të ndihmojë. Profeti a.s i merrte të gjitha masat e duhura, kur kërkonte të arrijë diçka. Tregon Ebu Bekri:”E shihnim të marrë masat me përpikmëri saqë thonim me vete ku e ka mbështetjen në Zot! Herë të tjera i mbështetej Zotit saqë thonim ku i ka masat që duhen marrë!” Kur profeti a.s u fsheh në shpellën Theur, e bëri për të marrë masat e duhura për t’u larguar nga kurejshët që e ndiqnin. Edhe pse u fshehën dhe e mbajtën të fshehtë diçka të tillë, kurejshët arritën deri tek shpella ku ishin fshehur. Kjo me qëllim që Zoti t’i sigurojë që vetëm Elvekili është Ai që i siguron dhe i mbron nga armiqtë. Edhe pse armiqtë e tyre arritën deri tek shpella, ata nuk arritën t’i zbulojnë. Në ato çaste shfaqej mbështetja e plotë e profetit a.s kur i thoshte Ebu Bekrit të frikësuar:”ç’mendim ke për dy veta, që të tretë kanë Zotin?!” Emigrimi i profetit a.s është mësimi më i mirë për mbështetjen në Zot. Ishin 12 masa të rëndësishme të cilat profeti a.s i morri që të udhëtonte i sigurtë. Mbështetja në Zotin shfaqej në çastet më të vështira për profetin a.s, në çastet kur ai dhe miku i tij mund të zbuloheshin dhe të vriteshin. v Modele të njerëzve që i janë mbështetur Zotit. Haxheren e braktisi Ibrahimi a.s në mes të shkretëtirës. As Ibrahimi a.s dhe as ajo, nuk e dinin përse i urdhëroi Zoti të vepronin në atë mënyrë. Haxherja dhe foshnja e saj, mbetën të vetëm në një luginë të shkretë. Teksa Ibrahimi a.s morri rrugën e kthimit, Haxherja e pyeti:”Në dorë të kujt po na lë o Ibrahim?” Por Ibrahimi a.s nuk i përgjigjej, pasi nuk dinte çfarë t’i thoshte. Ajo e pyeti përsëri dhe përsëri Ibrahimi a.s vazhdoi të ecë pa iu përgjigjur. Duke parë që ai nuk po i përgjigjej, Haxherja e pyeti për herë të fundit:”A Zoti të ka urdhëruar për diçka të tillë?” Ibrahimi a.s pohoi me kokë. Haxhereja i tha:”Atëherë nuk do të na braktisë Zoti!” Në një nga betejat e muslimanëve (Dhatu rika) profeti (a.s) dhe shokët e tij ishin shtrirë për të pushuar nën hijen e pemëve. Profeti (a.s) e kishte varur shpatën në degën e pemës. Teksa profeti (a.s) flinte, vjen një jobesimtar, merr shpatën e tij dhe e zgjon duke i thënë: “Kush të mbron prej meje tani o Muhamed?” Vallë çfarë do i thoshte profeti (a.s). Do ta luste që ta falë? Do i kërkonte mëshirë? Po sikur armiku më i keq i yti të të vendoste pistoletën në kokë çfarë do i thoje? Jo, ai iu përgjigj me siguri në mbështetjen e Zotit dhe i tha:”Zoti do më mbrojë prej teje.” Në moment jobesimtarit i bie shpata nga dora. Profeti (a.s) e morri shpatën dhe i tha jobesimtarit:”Po ty kush të mbron prej meje tani?.” “O Muhamed – iu drejtua jobesimtari – të lutem mos u hakmerr më shumë se duhet, unë nuk të bëra gjë.” Profeti (a.s) e pyeti:”A dëshmon se nuk ka zot tjetër veçAllahut dhe se unë jam i dërguari i Tij?” “Jo” – iu përgjigj ai. Profeti (a.s) i tha:”Atëherë mos u bëj përkrahës i armiqve tanë.” “Këtë e bëj” - i tha - dhe u la i lirë të largohej. Hamad ibn Mesleme është një nga dijetarët e brezit që erdhën pas shokëve të profetit a.s. Ai tregon se në një natë me shi, po kalonte pranë shtëpisë së një gruaje të ve, e cila kishte dhe një vajzë. Teksa kaloja pranë shtëpisë së tyre, dëgjova zërin e nënës që thoshte:”O i Mëshirshëm na ndihmo! O i Mëshirshëm na ndihmo! ” Nga kjo e kuptova që kishin nevojë për të holla. Prita derisa pushoi pak shiu dhe trokita në derën e tyre. Kur doli gruaja e ve, i drejtova dhjetë dinarë dhe i thashë:”Merri këto dhe plotëso me to ndonjë nevojë tuajën!” Vajza, të cilën nëna e kishte edukuar me mbështetje tek Zoti, i thotë nënës:”Përse e ngrite zërin aq shumë saqë hyri Hamadi mes nesh dhe Zotit?!” Nëna ia ktheu:”Nuk e ngrita zërin o bijë, por e solli Garantuesi i Plotfuqishëm!” Elvekil është me të gjithë ata që i mbështeten dhe i kërkojnë ndihmë dhe përkrahje. Ai që i mbështetet Elvekilit është njeriu më i guximshëm mbi tokë. Një nga treguesit më të fuqishëm të mbështetjes në Zot, është namazi i istihares. Sa herë të përballesh me një problem dhe nuk di si ta zgjidhësh, fal dy rekate namaz dhe lute Elvekilin me këtë lutje:“O Zoti im, kërkoj të më drejtosh me diturinë Tënde. Kërkoj fuqi nga fuqia Jote dhe kërkoj të më japësh nga mirësitë e Tua, pasi Ti ke mundësi, kurse unë nuk kam. Ti di çdo gjë, kurse unë nuk di dhe Ti e di çdo të fshehtë. O Zot, nëse e din që kjo që po bëj (dhe e përmend me emër) është e dobishme për fenë dhe jetën time, për të tashmen dhe të ardhmen, ma mundëso mua që të realizohet dhe me jep bekime në të. E nëse kjo është e dëmshme për fenë dhe jetën time, për të tashmen dhe të ardhmen, largoje atë nga unë dhe më largo mua prej saj. Ma cakto të mirën kudo që të jetë dhe më bëj të jem i kënaqur me të.” Thotë profeti a.s:”Namazi i istihares nuk sjell veçse zgjidhje të dobishme” kjo pasi ti iu mbështete Elvekilit. Nëse fal namazin e istihares pasi kërkon të martohesh me filanen/filanin dhe martohesh, dije se ajo është zgjedhja më e mirë për ty. Që t’i mbështetesh Zotit, nuk do të thotë që të presësh duarlidhur derisa hallet të të zgjidhen. Ti duhet të punosh dhe të përpiqesh, kurse rezultatin lërja në dorë Zotit. Umeri pa një beduin që mbante për dore një deve të sëmurë dhe e pyeti:”Përse nuk e ke mjekuar?” Beduini i tha:”Po e lus Zotin që ta shërojë o prijës i besimtarëve!” Umeri i tha:”Lutjen shoqëroje me mjekimin!” Një burrë, vajti të falej në xhami dhe e la devenë të lirë, pa lidhur. Kur doli nga xhamia, deveja nuk ishte. I habitur nga kjo, i tregoi profetit a.s dhe i tha se iu mbështeta Zotit ngaqë do të falesha dhe e lashë të pa lidhur. Profeti a.s duke buzëqeshur ia ktheu:”Në fillim lidhe, pastaj mbështetju Zotit!” Natën që profeti a.s udhëtoi nga Meka në Kuds, udhëtoi me Burak. Ajo ishte një kafshë e caktuar nga Zoti, posaçërisht për të udhëtuar profetët. Me të arritur në xhaminë Aksa, profeti a.s e lidhi Burakun. Ishte e paimagjinueshme që Buraku të largohej, megjithatë profeti a.s e lidhi, pasi islami na mëson që t’i marrim masat. A e kupton tani se përse nuk na pranohen lutjet tona? Kjo pasi lutjet nuk i shoqërojmë me punë dhe përpjekje. Kjo pasi ne jemi pasivë dhe nuk marrim asnjë masë që ky umet të zgjohet dhe të marrë vendin që i takon. v Mbështetja në Zotin vjen gradualisht dhe duke u praktikuar. Musai (a.s) në fillim të jetës nuk e dinte ç’është mbështetja në Zotin. Në takimin e parë me Allahun, në Turi Sina, ku Zoti e urdhëroi: “(Zoti) Tha: hidhe atë (shkopin) o Musa.” (Taha 19) Kur e pa Musai shkopin që u shndërrua në gjarpër, iku me vrap. Herën e dytë kur u ballafaqua me magjistarët, numri i të cilëve arrinte deri 30 000 magjistarë. “Ata thanë: O Musa, ose të hedhësh ti i pari, ose të hedhim ne. Ai (Musai) tha: Jo, hidhni ju. Pastaj atij iu duk se litarët dhe shkopinjtë e tyre, prej magjisë që bënë, sikur lëviznin (si gjarpërinj). Kështu që Musai ndjeu në vetvete njëfarë frike.” (Taha 65 – 67) Herën e parë, kur Musai pa shkopin e tij që u kthye në gjarpër, u largua duke vrapuar. Ishte hera e parë që sprovohej mbështetja e tij në Zotin dhe u pa që nuk ishte i mbështetur. Herën e dytë me magjistarët ishte i mbështetur tek Zoti, por kur pa magjinë që sollën magjistarët, vetëm sa pati pak frikë. Herën e tretë, Musai tregon që është i mbështetur plotësisht tek Zoti dhe është i sigurtë në ndihmën e Tij. Kur populli i tij i thanë që ushtria po na arrin, ai i bindur u përgjigj: “…shokët e Musait thanë: me siguri na arritën. Ai (Musai) tha: Kurrë, me mua është Zoti im dhe ai do më udhëzojë.” (Shuara 61 – 62) Detyra jonë ndaj emrit Elvekil është që të praktikohemi derisa të arrijmë mbështetjen e plotë dhe të duhur.
Posted on: Sat, 23 Nov 2013 14:05:09 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015