Nga : ANILA JOLE E dashur Eva, të faleminderit!Kur mësova për - TopicsExpress



          

Nga : ANILA JOLE E dashur Eva, të faleminderit!Kur mësova për ngjarjen e rëndë të së dielës në plazhin e Vlorës u trondita si shumëkush nga ne; mendime të këqia më mpakën trurin dhe ndjenja të trishta më pushtuan shpirtin për tragjeditë që nuk rreshtin së ndodhuri në Shqipëri. Një djalë i ri vetëm 17 vjeç, një grua 53 vjeç dhe një person tjetër 34 vjeç mbetën të vdekur nga disa plumba të lëshuar thuajse kuturu, nga vrasësi me automatik, të fshehur poshtë peshqirit të plazhit. Ngjarja të tmerron edhe më shumë, kur mendon se nisesh një mëngjes të diele drejt detit për t’u çlodhur e për të marrë rreze dielli, por ka gjasa të mos kthehesh i gjallë në shtëpi… Nuk ka fjalë të përshkruaj trishtimin, dhimbjen për viktimat e pafajshme, për familjet e tyre, revoltën për këtë që ndodh në vendin tim, ku jeta e një njeriu është fare “e lirë” dhe ku krimi nuk ia ka frikën askujt. Disa orë pas ngjarjes, në “Gazeta Shqiptare”, lexova një dëshmi sa tronditëse aq edhe prekëse. Një vajzë 16 vjeçare me iniciale Eva M. i kishte qëndruar pranë në çastet e fundit të jetës, djalit 17 vjeçar, Serdit. Ishte përpjekur ta mbante në jetë, edhe pse kjo fatkeqësisht nuk ishte e mundur. Pasi përshkroi atë që kishte parë, vajza tregoi se ishte e vetme në momentet më të rënda, kur djali i larë në gjak jepte frymën e fundit. Vetëm, sepse askush nuk ndaloi për të ndihmuar. “Të gjithë ikën të frikësuar. Vrapuan duke shtyrë njëri-tjetrin nëpër shkallë, saqë me siguri edhe ata janë lënduar”, u shpreh vajza. Pyetjes së gazetarit: “Po ti nuk kishe frikë?”, ajo iu përgjigj me disa fjalë që mua më përlotën: “Jo, unë nuk ika, sepse nuk më pëlqen të largohem kur dikush ka nevojë për ndihmën time…” Eva M. e tha këtë fare thjesht, fare sinqerisht, por mua fjalët e saj m’u dukën si një “shuplakë”. Ishte shuplakë përcëlluese e një adoleshenteje me zemër dhe kurajo, për indiferencën që na karakterizon thuajse të gjithëve, për egoizmin pa kufi, për mentalitetin se “ajo që ndodh jashtë derës sime, nuk është problemi im”. Kjo është karakteristikë e një shoqërie të sëmurë, që nuk ka vetëm një sëmundje, por nga indiferenca, nuk është në gjendje të identifikojë e të kurojë asnjërën. Një shoqëri që shan e shfryn gjithë ditën për gjithçka negative e që nuk lëviz as gishtin për të përmirësuar diçka nga ajo gjithçka. Vetëm kur e keqja troket në derë, hapim sytë dhe ulërasim për ndihmë, por… askush nuk na ndihmon. Atëherë kuptojmë se ndoshta jemi duke “larë borxhin” e indiferencës sonë. Teksa e ndava shkurt këtë përjetim me miqtë në facebook, dikush shkroi se vajza ka lindur dhe është rritur jashtë Shqipërisë dhe se ndodhej në Vlorë vetëm për pushime. Nëse kjo është e vërtetë, vajza është rritur në një tjetër realitet dhe ky mund të jetë një shpjegim për qëndrimin e saj. Në qoftë ndryshe, atëherë vajza është shpresa se në Shqipërinë e sëmurë, të njerëzve indiferentë e thashethemexhinj, që vdesin të mësojnë edhe detajet më makabre duke pirë qetësisht kafe në lokal, ka edhe të tjerë që nuk munden të kthejnë kurrizin kur dikush është në rrezik, apo ka nevojë për ndihmën e tij. Qoftë në një situatë të tillë ekstreme, por qoftë edhe vetëm për një fjalë të mirë. E dashur Eva! Dua të të falenderoj publikisht për veprimin tënd njerëzor dhe kurajoz e të të siguroj, se nëse nuk munde ta mbash në jetë Serdin e pafat, kjo nuk ishte në dorën tënde. Ti bëre edhe diçka tjetër të madhe; na dhe të gjithëve një mësim të mirë duke na dëshmuar vërtetësinë e fjalëve të Tolstoit: “Kur njeriu ndjen dhimbje, është gjallë. Kur ndjen dhimbjen e tjetrit, atëherë është NJERI”.
Posted on: Tue, 30 Jul 2013 14:56:18 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015