PDK-ja aktualisht Partia Demokratike e Kosovës, në Konventën e - TopicsExpress



          

PDK-ja aktualisht Partia Demokratike e Kosovës, në Konventën e fundit arriti kulmin e delirit, kulmin e protagonizmit të improvizuar, vetëkënaqësisë, dehjes dhe rrugës, që i ka quar drejt fundosjes të gjitha partitë e tilla unitariste në brendi e demokratike në formë. Konventa e fundit e PDK-së ishte një përpjekje për të improvizuar kulminacionin, ndërkohë që paraprakisht ishte margjinalizuar, sharë e përbuzur, sekretari i Përgjithshëm i saj, kryekunevdari, Jakup Krasniqi dhe ndodhej në arrest nga EULEX-i, Fatmir Limaj, nënkryetari i parë i Partisë. Në kushte dhe rrethana të tilla, delirantët e PDK-së, manifestonin fitoren, forcën virulente dhe vetëkënaqësinë, që edhe vizuelisht shënonte pikën kulmuese, nga e cila filloi degdisja, plasat e pariparueshme dhe tanimë përçarja, po ashtu e pariparueshme. PDK-ja tashmë ka sforcuar kultin e individit, kultin e kryetarit “të pagabueshëm”, i cili vendos për Partinë dhe Qeverinë, për bisedimet me Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së dhe për të gjitha proceset që kanë të bëjnë me fatin dhe ardhmërinë e vendit. Thaçi ka vepruar krejtësisht sikur Sali Berisha, duke u kursyer nga retorika e ashpër, kërcënuese dhe banale e mësuesit të tij. Ai, në këtë drejtim ka treguar aftësi për të eliminuar kundërshtarët, për t’i margjinalizuar ata, (tashmë ka margjinalizuar edhe bashkëpunëtorin më të ngushtë, Kadri Veselin), ka treguar aftësi të jashtëzakonshme për të qëndruar me çdo kusht në pushtet, madje mu në maje, ka shfaqur poltronizëm për t’ iu nënshtruar çdo autoriteti ndërkombëtar (të cilin besoj se do ta bënin shumica dërrmuese e kryetarëve të pesë partive politike të vendit, me përjashtim të Vetëvendosjes), është shërbyer e po shërbehet me një retorikë tipike komuniste, e cila nuk pranon asnjë gabim, nuk pranon asnjë të metë, nuk pranon asnjë vizion tjetër, as një mundësi tjetër veprimi apo logjikimi. Me një homogjenizim të tillë, udhëhequr nga një mendësi tipike autoritare, Thaçi ka ushtruar dhe po ushtron autoritet të pakontestueshëm në Parti, e cila nuk është më ajo që ka qenë dhe nuk është as përafërsisht monolite në brendi, sikur paraqitet në formën e saj të jashtme. Ky autoritet i pakontestueshëm i Hashim Thaçit është sforcuar edhe nga mbështetja e pa rezervë që i ka dhënë Brukseli zyrtar, ambasada amerikane e sidomos ajo franceze, Turqia dhe disa vende të Evropës. Kjo mbështetje ndërkombëtare Thaçin e mban në krye të Piramidës, deri në momentin kur Brukseli kryen “obligimet” e veta ndaj Serbisë, për ta larë mëkatin e bombardimit në vitin 1999 dhe derisa konsideron se Thaçi nuk i nevojitet më. Pastaj fillon akti tjetër, akti i fundit, i rrokullisjes drejt ambisit. Të gjithë në Kosovë e dinë se dy ndër autoritetet më të larta dhe më me influencë të PDK-së, me klanet e tyre, nuk janë më pjesë e PDK-së, por janë shkizma e saj e madhe. Realisht, ish-sekretari i PDK-së, Jakup Krasniqi, në postin e kryetarit të Kuvendit ndodhet jo si kandidat i pavarur, sikur edhe paraqitet, por si pjesë e koalicionit, që ka shumicën në Kuvend. Ai e di mirë këtë, por e di po ashtu se nuk ka çka humb më shumë edhe po të detyrohet të largohet. Thaçi mund ta ndërrojë atë nga posti, por nuk e bën dot, sepse me largimin e tij, mund të largohen edhe tre katër deputetë dhe kjo vë në pikëpyetje koalicionin, i cili po mbahet me shumë paterica. PDK-ja nuk është më sikur ka qenë në kohën kur mbretëronte treshi i fuqishëm: Limaj, Thaçi, Krasniqi. Tani në PDK është tejfuqizuar klani i Pejës me Hajredin Kuçin, Xhavit Halitin, Adem Grabovcin, Agim Çekun, edhe pse asnjëri prej këtyre zyrtarëve të lartë e “meritorë” të PDK-së, nuk begenisi të ndalet në Pejë dhe konkurrojë për kryetar të komunës. PDK-ja nuk është më parti e krahut të luftës sikur ishte identifikuar me rastin e themelimit. Nuk është parti e djathtë e qendrës sikur pretendon, por realisht është parti e majtë e qendrës, e njëjtë me Partinë Socialiste të Edi Ramës dhe në këtë segment nuk ka asgjë të keqe, përveç frikës naive për ta pranuar pa asnjë paragjykim realitetin. Pavarësisht të gjithave, pavarësisht se na pëlqen apo jo, pavarësisht tronditjeve e plasaritjeve për brenda, PDK-ja ende po mbetet forca politike numër një në Kosovë, meqë në tërësinë e saj, ajo ka edhe shumë kuadro të aftë, të zhdërvjellët, kryesisht të rinj, “tereq” të fortë dhe të fuqizuar ekonomikisht, me të cilët nuk shtyhet dot, Jakup Krasniqi, Isa Mustafa, Behxhet Pacolli, po as Ramush Haradinaj e Albin Kurti. PDK-ja, deshëm apo nuk deshëm, na pëlqeu apo nuk na pëlqeu, edhe për një kohë do të mbetet një fuqi politike, pa të cilën nuk bën dot Kosova. Shkizma, megjithatë ka filluar. Një ditë edhe PDK-ja do të jetë ndryshe, ashtu sikur të gjitha partitë politike, të cilat kanë baticat dhe zbaticat e tyre, të cilat kanë kohën e ngritjes së ngadalshme dhe rënies së shpejtë.
Posted on: Wed, 18 Sep 2013 11:43:53 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015