Parlamenti, seancë maratonë për programin qeverisës Prej - TopicsExpress



          

Parlamenti, seancë maratonë për programin qeverisës Prej paradites së sotme, deputetët po diskutojnë rreth dokumentit të paraqitur nga kryeministri Edi Rama mbi qeverisjen e ardhshme të vendit Tiranë, 14 shtator, “impakt.al” – Në një seancë plenare maratonë, e iniciuar që nga orët e para të ditës së sotme, deputetët e legjislaturës së re parlamentare janë duke diskutuar rreth programit së prezantuar nga mazhoranca për qeverisjen e ardhshme të vendit nën drejtimin e saj. Të ndarë në dy kahe, dy grupimet kryesore të politikës në Kuvend, ai i mazhorancës dhe i opozitës, kanë mbajtur secili qëndrimin përkatës rreth këtij programi qeverisës. Konkretisht deputetët e mazhorancës nga ana e tyre, kanë dalë në mbrojtje të tij, duke theksuar se ai do të vendosë një rend të ri ekonomik në vend, sikundër edhe një qeverisje më të përgjegjshme për shqiptarët. Duke iu përmbajtur, të gjithë në një zë edhe qëndrimit se sfidat për qeverinë dhe mazhorancën e re realisht janë të vështira, por jo të pakapërcyeshme. Kurse nga ana e tyre, deputetët e opozitës, përmes diskutimeve të tyre e kanë kundërshtuar dhe po vijojnë ta kundërshtojnë programin e lartpërmendur, duke theksuar se ai ka mjaft mangësi dhe qëndron shumë larg zbatimit në praktikë, por njëkohësisht edhe larg premtimeve që u bënë nga e majta në fushatën e elektorale të 23 qershorit të sivjetshëm… Ja disa prej deklaratave kryesore sot në Kuvend: MINISTRAT Ilir Beqja, ministri i Shëndetësisë “Brenda 100 ditëve territoret spitalore ambulatore t’i çlirojmë nga aktivitetet private. Qëllimi ynë është që shërbimi shëndetësor shtetëror të jetë paguesi i vetëm”. Edmond Haxhinasto, ministër i Infrastrukturës “Do realizojmë të gjitha projektet në infrastrukturë. Prioritet do të jenë investimet për zhvillimin e zonave turistike në jug. Në këtë zonë ka hapësira edhe për një transport ajror”. Edmond Panariti, ministër i Bujqësisë “Politikat e bujqësisë do të jenë të orientuara për zhvillimin e tregut të brendshëm, në mënyrë që puna e fermerëve të mos shkojë kot. Zonat qw janw hambari i Shqipërisë, do të orientohen sipas rezultatit”. Shkëlqim Cani, ministër i Financave “Janë me dhjetëra miliardë lekë detyrime të prapambetura të lëna nga qeveria e ikur. Situata e buxhetit të shtetit është e rëndë, por jo e pashpresë. Me BBB dhe FMN do bëjmë një skanim të borxheve dhe do punohet që të vendosen kritere dhe kushte për shlyerjen e këtyre detyrimeve”. Damian Gjiknuri, ministër i Energjitikës “Angazhohem për kontrollin e procesit të privatizimit të kompanisë “Albpetrol”, që rezultoi gjithashtu i dështuar. Në programin e PS është bërë i qartë edhe adresimi i problemeve të minatorëve”. Eglantina Gjermeni, ministre e Turizmit “Qeveria do të vendosë një moratorium për ndalimin e ndërtimeve pa leje në Berat dhe Krujë, për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Gjithashtu do të realizojmë fushata turistike”. Saimir Tahiri, ministër i Rendit “Çështja më me interes është çështja e krimit. Ja pse jemi të angazhuar të kthejmë policinë në shet. Ndaj për këtë arsye do të krijojmë “Byronë Kombëtare Kundër Krimit”. DEPUTETËT Erjon Braçe, PS “Ka nevojë kombëtare për ta shembur këtë republikë të korruptuar. Ka nevojë kombëtare për të zhbërë monopolet. Ka nevojë kombëtare për të zhbërë krimin në ekonomi”. Majlinda Bregu, PD “Nuk ka asnjë datë për integrimin, përveç fjalëve, asnjë shifër, asnjë të dhënë. Nuk janë afatet kohore për kapjen e trenit të Evropës. Rama e ndali atë për 3 vjet. Mbi ty zoti kryeministër do rëndojë bllokimi i Shqipërisë në rrugën drejt BE-së”. Astrit Patozi, PD “Qeveria nuk ka program, por një hartim të shkruar nxitimthi. Rama nuk ka ndërmend të bëjë asgjë serioze për shtetin sa të jetë në qeveri. Nëse program nuk kishte, Rama ishte i qartë në një pikë, në qasjen armiqësore ndaj opozitës”. Pandeli Majko, PS “Qeveria e re me programin e saj 4-vjeçar është zotuar për zgjidhjen e problemeve, por sigurisht vështirësitë janë të mëdha sepse ndodhemi përpara një “tufe borxhesh”. Anastas Angjeli, PS “Ekonomia shqiptare është në përfundim të periudhës së gjatë e të vështirë, të mundimshme të tranzicionit. Ky program ofron orientimin drejt një modeli të ri ekonomik”. Arta Dade, PS “Mazhoranca e re do t’i rikthejë dinjitetin Kuvendit të Shqipërisë. Sfidat për qeverinë dhe maxhorancën e re janë të vështira, por jo të pakapërcyeshme”. Vangjel Tavo, LSI “Ky program qeverisës është program i guximshëm dhe inovativ. Është i guximshëm pasi ka votat e shqiptarëve, është inovativ në shumë drejtime dhe ka synim integrimin në familjen evropiane”. Fatmir Mediu, PR “Qeveria e re nuk fillon nga zeroja, sepse arritjet e qeverisë së mëparshme nuk mund të mohohen, si anëtarësimi në NATO, ku ju të parët ishit skeptikë dhe kundër anëtarësimit, ne liberalizuam vizat ku bashkuam të gjithë shqiptarët me familjet e tyre të shpërndara nëpër botë”. Fatmir Xhafaj, PS “Ju krijuat një pseudo-lajm për programin dhe shmangët një të vërtetë. Që shqiptarët sipas INSTAT tuaj janë më pak të varfër. Ky është lajmi i vërtetë dhe duhet të punojmë me më përgjegjësi. Duhet të kuptojmë se jemi vendi më i varfër i Evropës”. Eduard Halimi, PD “Ne hoqëm vizat dhe kryem reforma. Reformuam sistemin e drejtësisë. Lexova programin dhe ky program nuk ka model qeverisje, por bën plagjiaturë dhe nuk njeh realitetin”. Edmond Spaho, PD “Ne nuk jemi këtu për t’u nëpërkëmbur, por për të mbrojtur kontributet që i kemi dhënë këtij vendi në 22 vite. E nëse dikush mendon se na poshtëron, i ka bërë llogaritë gabim”. etj, etj. impakt.al/aktualitet/parlamenti-seance-maratone-per-programin-qeverises
Posted on: Sat, 14 Sep 2013 16:18:54 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015