Përdorimi i sigurt i pesticideve Shkruan: Bekri - TopicsExpress



          

Përdorimi i sigurt i pesticideve Shkruan: Bekri Xhemali tel:+377 (0) 44 61 13 91; +386 (0) 49 24 72 42 e-mail: xhemalibekri@gmail Përderisa kontrolli i sëmundjeve dhe dëmtuesve është një problem që nuk mbaron kurrë, edhe përdorimi i pesticideve është një nevojë e domosdoshme. Mirëpo, përdorimi i pasigurt dhe i pakontrolluar i pesticideve mund të shkaktojë probleme shëndetësore dhe mjedisore. Bujqësia intensive dhe nevoja e madhe për të prodhuar jashtë kapaciteteve që kemi është bërë sot një sfidë e madhe për ne. Sëmundjet dhe insektet prekin gati çdo vend ku janë kultivuar kulturat e ndryshme bujqësore. Mirëpo për të ndihmuar fermerët, një koleksion i gjerë i pesticideve është prodhuar për të kontrolluar këta dëmtues. Por, sa të sigurta janë pesticidet? Kjo është një pyetje e rëndësishme, veçanërisht për ata që i përdorin ato, dhe për ata që vijnë në kontakt me pesticidet, para, gjatë apo menjëherë pas aplikimit të tyre. Çka janë pesticidet? Pesticidet janë çdo substancë ose përzierje e substancave të përdorura për të parandaluar, penguar apo luftuar zhvillimin e dëmtuesve. Por, çfarë janë dëmtuesit? Dëmtuesit janë organizma të gjallë që shkaktojnë dëme në bimë, kafshë dhe njerëz. Termi pesticide u referohet insekticideve, fungicideve, herbicideve dhe disa substancave tjera që përdorën për të kontrolluar këta dëmtues, sëmundje dhe barëra të këqija. Pesticidet përmbajnë një apo më shumë përbërës aktivë dhe përbërës inert. Përbërësit inert përdorën për të holluar përbërësit aktivë ose janë substanca që ndihmojnë përbërësit aktivë për t’i luftuar dëmtuesit. Gjithashtu, pesticidet prodhohen në forma të ndryshme të formulimit, siç janë: tretësirë, pluhur, emulsion, granulë, etj. Çka është përdorimi i sigurt i pesticideve? Shumica e pesticideve janë të dizajnuara për të luftuar dëmtuesit (insektet dhe sëmundjet). Por, për shkak se disa dëmtues kanë sistem të ngjashëm me sistemin e njeriut, disa pesticide gjithashtu mund të dëmtojnë edhe njerëzit. Mirëpo efekti i dëmshëm i pesticideve varët nga toksiciteti i pesticideve dhe ekspozimi i njeriut. Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) është organi qeveritar përgjegjës për rregullimin e pesticideve dhe vlerësimin e rreziqeve që lidhen me këto kimikate. Kjo përfshin vlerësimin nëse pesticidet përbëjnë një rrezik të paarsyeshëm për njerëzit dhe mjedisin. Për të zvogëluar rreziqet e pesticideve, EPA vendos kufizime mbi mënyrën se si një produkt mund të përdoret, sa shpesh ai mund të përdoret, çfarë veshje mbrojtëse ose pajisje duhet të përdoren, e shumë kufizime tjera. Përdorimi i pesticideve në mënyrë të sigurt do të thotë përdorimi i pesticideve të duhura duke i përdorur ato sipas udhëzimit të etiketës. Në udhëzimin e përdorimit, lexoni me kujdes të dhënat e shënuara nga prodhuesi. Aty gjithashtu gjeni edhe shkallën e rrezikshmërisë së pesticideve si dhe klasifikimin e tyre (shumë helmues, helmues, i dëmshëm, ngacmues, i ndezshëm, lëndë plasëse, etj). Kujdes i veçantë i kushtohet: numrit të trajtimeve, mënyrës së përgatitjes së pesticideve, përdorimit, karencës, raportit me mjedisin jetësorë, deponimit, afatit të përdorimit, etj. Për të përdorur këto lloje të pesticideve duhen disa këshilla nga një person që është i certifikuar apo një ekspert i cili ka njohuri lidhur me përdorimin e sigurt të këtyre substancave. Disa këshilla lidhur me përdorimin e sigurt të pesticideve 1. Para se të fillojmë punën me pesticide, kontrollohen me kujdes pajisjet me të cilat realizohet aplikimi i pesticideve (spërkatësja, operatori dhe shpërndarësit). Përcaktohet dozimi i saktë dhe duhet pasur kujdes për evitimin e spërkatjeve jashtë caqeve. 2. Lexo me kujdes udhëzimin e përdorimit. Ndiq me kujdes instruksionet për përgatitjen e tretësirës dhe pasi që merren informatat e duhura, ndiqen procedurat e përdorimit që janë shënuar në udhëzim. 3. Zgjedh dhe vesh rrobat e duhura mbrojtëse për punë me pesticide, si: dorëzat mbrojtëse, rrobat, çizmet e gomës, pajisjet për mbrojtjen e syve dhe organeve të frymëmarrjes. 4. Gjatë punës me pesticide keni kujdes që: të mos konsumoni ushqime, të mos pini lëngje dhe të mos pini duhan. 5. Para se të qitet pesticidi në rezervuarin e pompës, pompa mbushët përgjysmë me ujë. Gjatë mbushjes së rezervuarit duhet pasur kujdes që uji të mos merret drejtpërdrejt nga burimi. 6. Llogaritni me kujdes sasinë e pesticideve që ju nevojitet. Pesticidet e mbetura pas trajtimit asnjëherë mos i hidhni në kanalizimin publik, në kanale, lumenj, etj. 7. Nëse pesticidet prekin lëkurën, sytë dhe organet e frymëmarrjes dhe nëse vendi nuk lahet ato shkaktojnë probleme. Gjatë punës me pesticide mbani pranë vetës ujë të pastër. 8. Pas përdorimit të pesticideve pastroni pajisjet mbrojtëse dhe po ashtu me kujdes pastroni duart, fytyrën dhe pjesët tjera të trupit me ujë të pastër. 9. Përdoruesi i pesticideve duhet të garantojë që masat e ndërmarra me pesticide të mos ndikojnë negativisht në bletë. Kultivuesit e bletëve duhet të paralajmërohen me kohë në rastet e përdorimit të pesticideve. 10. Farërat dhe çfarëdo produkt tjetër i trajtuar me pesticide nuk bën të përdorët për ushqim të njerëzve, kafshëve dhe shpezëve deri në një afat të caktuar ditësh (karenca). Karencen e gjeni të shënuar në etiketë ose në udhëzimin e përdorimit të çfarëdo lloji të këtyre pesticideve që ne përdorim. Për përdorim të sigurt të pesticideve duhet t’u përmbahemi këshillave të rekomanduara nga ekspertët. Ne jemi të obliguar të ndjekim të gjithë udhëzimet dhe informatat tjera të shënuara në etiketën dhe në udhëzimin e përdorimit të pesticideve. Ne duam ta ruajmë shëndetin tonë dhe mjedisin ku jetojmë!
Posted on: Mon, 11 Nov 2013 11:35:30 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015