Shpresa, një moral islam Tregohet se një ushtri që udhëhiqej - TopicsExpress



          

Shpresa, një moral islam Tregohet se një ushtri që udhëhiqej nga një komandant i shkathët, u thye keq në një betejë. Ky fakt, e dëshpëroi pa masë komandantin, i cili e humbi shpresën dhe i la vetëm ushtarët e tij në fushë të betejës. Ai u tërhoq diku në shkretëtirë dhe krejt i vetëm, u mbështet tek një shkëmb. Ndërkohë që qëndronte i pashpresë, sytë i zunë një milingonë e cila tërhiqte gjithë mund një kokërr gruri. Ajo orvatej ta ngjisë mbi shkëmb, atje ku kishte folenë. Por... sa herë që ngjitej paksa mbi shkëmb, kokrra e grurit i rrëshqiste dhe merrte tatëpjetën. Megjithatë, milingona nuk e humbiste shpresën, zbriste poshtë dhe e tërhiqte kokrrën përsëri drejt folesë. Ajo duhej ta ngjiste patjetër atë kokërr gruri, me të cilën do të ushqehej ajo dhe familja gjatë dimrit. Këtë skemë e ndiqte komandanti me vëmendje të madhe, e shihte milingonën që sa herë i rrëshqiste kokrra e grurit, kthehej sërish në pikën zero dhe fillonte punën për të ngjitur lart. Më në fund, milingona e vogël ia arriti ta çojë kokrrën e grurit në destinacion. Ky fakt, e la pa gojë komandantin e dëshpëruar dhe të pashpresë. Ai brofi në këmbë, sikur ti ishte derdhur shpresa nga lart dhe ti kishte depërtuar në çdo pjesë të trupit. I vendosur u nis drejt fushëbetejës, ku menjëherë mblodhi burrat dhe ushtarët e tij, i riorganizoi dhe u ktheu shpresën, duke i përgatitur për betejën e radhës. Ai dhe ushtria e tij triumfuan kundër ushtrisë armike dhe arma më e fuqishme e tij, ishte pikërisht shpresa dhe optimizmi, me të cilën u frymëzua duke ndjekur përpjekjet e milingonës së vogël. Profeti Muhamed a.s, u tregonte shokëve të tij historinë e një personi i cili kishte vrarë 99 njerëz. Me gjithë këtë krim makabër, ai dëshironte të pendohej, pasi e brente ndërgjegjja. Kështu, vajti tek një eremit dhe e pyeti nëse kishte shpresë dhe i pranohej pendimi. Eremiti ia ktheu:”Ke vrarë 99 njerëz dhe dëshiron të pendohesh?! Jo, aspak. Ty s’të pranohet pendimi.” Kjo përgjigje e bëri vrasësin ta plotësojë numrin 100 të vrarëve me këtë eremit. Pasi e vrau, pështjellimi dhe frika iu shtua më shumë, prandaj vajti tek një i ditur tjetër të cilin e pyeti:”A mund të pendohem dhe të më pranohet pendimi, edhe pse kam vrarë 100 njerëz?” I dituri iu përgjigj:”Po, mund të pendohesh dhe të pranohet pendimi. Por, ti duhet ta lësh këtë fshat ku ke lindur dhe ku ke bërë gjithë këto krime. Shko tek një fshat tjetër ku jetojnë njerëz të mirë dhe adhuro Zoti bashkë me ta.” Ai u nis menjëherë të migrojë drejt fshatit tjetër ku njerëzit ishin të mirë, me shpresë se do i pranohet pendimi. Por, ndodhi që i vjen vdekja në mes të rrugës, akoma pa mbërritur në destinacion. Për t’ia marrë shpirtin, zbresin melekët e rahmetit dhe të dënimit, ku të dy palët patën mosmarrëveshje se kush duhet ta merrte shpirtin e atij njeriu, që kishte vrarë 100 persona. Zoti i inspiroi që të matin distancën mes vendit ku kishte vdekur, fshatit ku kishte jetuar dhe fshatit ku synonte të shkojë. Nëse distanca me vendin ku kishte vrarë 100 njerëz do të ishte më e afërt, do e merrnin melekët e dënimit, nëse distanca me fshatin ku do të shkonte do të ishte më e afërt, do e merrnin melekët e rahmetit. Në ato çaste, Zoti e urdhëroi tokën nga fshati ku kishte vrarë njerëzit që të largohej, kurse tokën nga fshati ku synonte të shkojë të afrohej. Kështu, shpirtin e këtij njeriu e morën melekët e rahmetit dhe Zoti ia pranoi pendimin, pasi ishte nisur për migrim në kërkim të rahmetit dhe faljes së Zotit. Çfarë është shpresa? Shpresa është besimi se problemet, pengesat dhe vështirësitë do të kalojnë, si dhe se e ardhmja është më e bukur dhe më e lulëzuar. Shpresa e motivon njeriun për më shumë arritje, edhe pse më parë mund të ketë dështuar. Shpresa tek profetët e Zotit Shpresa është një nga moralet e profetëve të Zotit, është pikërisht shpresa ajo që i motivonte të mos e ndërpresin propagandën me popujt e tyre, pa u dëshpëruar dhe demoralizuar. Kjo, me gjithë vuajtjet e rënda që kalonin nga popujt e tyre, pasi shpresonin në udhëzimin e tyre në të ardhmen. Shpresa tek profeti Muhamed a.s. Profeti Muhamed a.s ishte shumë i dhënë dhe i përkushtuar pas udhëzimit të popullit të tij, pa rënë pre e humbjes së shpresës dhe demoralizimit. Qoftë dhe një ditë ai nuk e humbi shpresën se populli i tij do e përqafonte islamin. Teksa kthehej nga Taifi, ku u prit me gurë e ofendime, Xhibrili a.s i vjen dhe i thotë:”Më ka dërguar Zoti që të më urdhërosh, nëse dëshiron ti bashkoj këto dy male dhe ti shkatërroj ata njerëz.” Profeti Muhamed a.s, i tha:”Në fakt, unë shpresoj që të nxjerrë nga pasardhësit e tyre, njerëz që do të adhurojnë vetëm Zotin.” (Buhari dhe Muslim) I dërguari i Zotit a.s ishte shumë i bindur dhe plot shpresë në mbështetjen hyjnore, gjë e cila shprehet madhërishëm në përgjigjen që i dha Ebu Bekrit, teksa qëndronin në shpellën Theur, të rrethuar nga ushtarët idhujtarë. Fjalëve të Ebu Bekrit se:”Nëse ndonjëri prej tyre përkulet, do të na vërë re”, Profeti a.s iu përgjigj:”Çfarë mendon për dy persona, të cilët kanë të tretë Zotin e tyre?” Shpresa tek profeti Nuh a.s Profeti Nuh a.s e vazhdoi propagandën e tij për 950 vjet pa reshtur, pa u mërzitur, demoralizuar dhe humbur shpresën. Ai e ftonte popullin e tij në besim natën e ditën, haptazi dhe fshehurazi, individualisht dhe kolektivisht. Ai përdorte çdo metodë dhe formë për ta orientuar popullin drejt besimit, me shpresë se do besonte tek Zoti. “Ai tha: “O Zoti im, unë e thirra vërtet popullin tim natë e ditë, por thirrja ime edhe më tepër i largoi (nga e vërteta). Sa herë, që i thirrja për t’i falur Ti, ata shtinin gishtërinjtë në veshë dhe mbuloheshin me petkat e tyre, duke këmbëngulur me mendjemadhësi (në mosbesim). Pastaj i thirra me zë të lartë. Më pas ua shpalla edhe botërisht, edhe fshehurazi” (Nuh, 5-9) Vetëm kur Zoti i tregoi se nuk ka më shpresë në besimin e shumicës së popullatës, Nuhu filloi të ndërtojë anijen, pasi vendi do të përmbytej dhe ai bashkë me besimtarët duhej të shpëtonin. Shpresa tek profeti Jakub Zoti e sprovoi profetin Jakub a.s, me humbjen dy fëmijëve, Jusufit a.s dhe Benjaminit. Humbja e dy djemve e hidhëroi në maksimum profetin Jakub a.s, saqë humbi dhe shikimin. Megjithatë, ai manifestoi durim dhe maturi karshi caktimit të Zotit, duke mos e humbur asnjëherë shpresën se dy djemtë do i ktheheshin. Madje, sa më shumë kohë që kalonte, shpresa i shtohej më shumë. Ai u kërkoi djemve të tjerë që të dalin dhe të kërkojnë Jusufin a.s, i cili kishte mbi njëzet vite i humbur, por edhe për djalin tjetër Benjaminin, me shpresë se do i gjejnë. Ai u tha:”O bijtë e mi, shkoni e kërkoni lajme për Jusufin dhe vëllain e tij dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humb askush, përveç jobesimtarëve”. (Jusuf, 87) Shpresa e Jakubit a.s u realizua, pasi të dy djemtë e tij u kthyen, njëkohësisht iu kthye dhe shikimi. Shpresa tek profeti Musa a.s Shpresa në ndihmën e Zotit të lartësuar, manifestohet madhërishëm në jetën e profetit Musa a.s, sidomos gjatë eksodit të tij me popullin e vet, ndërkohë që pas u ishte qepur faraoni me ushtrinë. Populli i tij u demoralizua tërësisht kur pikasi ushtrinë pas. Duke u gjendur mes detit dhe ushtrisë së faraonit, ata i thanë Musait a.s:”Me të vërtetë, na zunë!” (Shuara, 61) Ndërkohë, përgjigja e Musait a.s ishte e palëkundur dhe plot shpresë:”Ai tha:“Kurrsesi! Në të vërtetë, me mua është Zoti im. Ai do të ma tregojë rrugën”. (Shuara, 62) Zoti e urdhëroi profetin Musa a.s, që me bastunin e tij të godasë detin, i cili në çast u nda në dy pjesë, duke krijuar një kalim në tokë të thatë. Kështu, Musai a.s bashkë me popullin e tij kaluan detin në anën tjetër, ndërkohë që faraoni bashkë me ushtrinë u mbytën. Shpresa tek profeti Ejub a.s Zoti e sprovoi profetin Ejub me humbjen e pasurisë, fëmijëve dhe të shëndetit të tij personal. Megjithatë, ai kurrë nuk e humbi shpresën tek Zoti i tij. Ai lutej dhe e përmendte shumë Zotin. (Kujtoje) Ejubin, kur iu lut Zotit të vet: “Mua më ka goditur fatkeqësia e Ti je më mëshiruesi i mëshiruesve!” (Enbija, 83) dhe ndihma e Zotit erdhi sipas shpresës së tij. Zoti e shëroi nga sëmundja, ia ktheu pasurinë dhe ia kompensoi fëmijët e humbur me fëmijë të tjerë që i lindën. Shpresa dhe puna Shpresa tek Zoti dhe falja e tij, gjithmonë duhet të shoqërohet me punë, jo me dembelizëm dhe ëndërrime. Thotë Zoti në Kuran:”Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” (Kehf, 110) “Vërtet, ata që besuan dhe ata që mërguan e luftuan në rrugë të Allahut, pikërisht ata shpresojnë në mëshirën e Allahut. Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.” (Bekare, 218) Prandaj, askush mos të thotë se shpreson shumë tek Zoti, se ka mendim dhe pritshmëri të larta tek Ai, ndërkohë që nuk e shohim ti lutet dhe të respektojë urdhëresat dhe ndalesat e Tij. Një person i tillë, thjesht po mashtron veten. Transmetohet se profeti Muhamed a.s ka thënë:”Të kesh mendim të mirë për Zotin, është pjesë e adhurimit të mirë ndaj Zotit.” Vlera e shpresës Shpresa e shtyn dhe motivon njeriun drejt punës. Nëse nuk do të kishte shpresë, njeriu do të refuzonte ta vazhdojë jetën dhe të përballet me sfidat dhe vështirësitë e saj. Nëse nuk do të ishte shpresa, demoralizimi do të ulej këmbëkryq mbi zemrën e njeriut dhe ai do të kërkonte vdekjen me qiri në dorë. Prandaj dhe thuhet:”Humbja e shpresës është një shkallë që të çon drejt varrit, kurse vetë shpresa është drita e kësaj jete.” Sipas një thënie tjetër:”S’ke përse i humbet shpresat përderisa je në jetë, por nuk ka jetë kur humbet shpresa.” Myslimani asnjëherë nuk i këput shpresat nga rahmeti i Zotit. Është shpresa tek falja e Tij, ajo që e motivon dhe shtyn drejt pendimit dhe përmbajtjes së rrugës së drejtë. Zoti na shtyn dhe nxit drejt kësaj, duke na e ndaluar humbjen e shpresës dhe demoralizimin. “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.” (Zumer, 53) Nëse myslimani bie pre e gjynahut, le të shpejtojë drejt pendimit të sinqertë me Zotin, i mbushur me shpresë dhe bindje se Zoti do ia pranojë. Shpresa është një energji, me të cilën Zoti mbush zemrat e njerëzve, për ta përdorur në ndërtimin e jetës në tokë. Profeti Muhamed a.s na porosit:”Nëse është duke u bërë Kiameti dhe dikush ka në dorë një fidan të cilin dëshiron ta mbjellë, le ta mbjellë nëse ka kohë derisa të bëhet Kiameti.” (Ahmed) Një i mençur thoshte:”Po të mos ishte shpresa, nuk do të ndërtohej asnjë mur dhe nuk do të mbillej asnjë pemë.” Nëse nuk do të ishte shpresa, nuk do të ishin bërë gjithë këto arritje në fusha të ndryshme. Novatorët nuk do i kishin shpikur gjithë ato gjëra madhështore, po të mos kishin shpresë. Ata i janë rikthyer punës sa herë që kanë dështuar, pasi kanë qenë të mbushur me shpresë se do ia dalin dhe ia kanë dalë. Prandaj dhe thuhet se shpresa e zhvillon ambicien dhe forcon vullnetin, ndërkohë që humbja e shpresës i gropos të dyja. Prej myslimanët kërkohet të ketë shpresë në të gjitha aspektet e jetës, kërkohet që të kapet fort pas jetës dhe të mos i dorëzohet demoralizimit dhe humbjes së shpresës, në çfarëdo rrethane. Një poet thoshte: E shëroj shpirtin me shpresë në çdo çast Jeta do të ishte ferr, pa shpresuar në çdo rast Njeriu i duron vështirësitë e kësaj bote, me shpresë se Zoti do i sjellë të mira më vonë. Vallë si do të ishte jeta jonë në këtë botë, nëse nuk do të ishte shpresa? Prandaj dhe Zoti na urdhëron që:” mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humb askush, përveç jobesimtarëve”. (Jusuf, 87) Përktheu: Elmaz Fida
Posted on: Wed, 18 Sep 2013 08:20:32 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015