Shqiptarët në zgjedhje pa zgjidhje (Marre nga - TopicsExpress



          

Shqiptarët në zgjedhje pa zgjidhje (Marre nga Gazeta-Shqip) 2013-03-17 në orën 5:15.MD Eshte e njejta situat dhe ne Maqedoni! Pershkrimi me i bukur per zgjedhjet e 24.03.2012 Shqiptarët e fillojnë ditën e ndotur të punës me shprehje tipike të pesimizmit kolektiv, me zhgënjime therëse për gjithçka e gjithherë; atyre s’ju mungon pasioni i një urrejtjeje energjike për veten, për nënshtrimin total, për mungesën publike të dëshirave civilizuese, për qenien kot, për pushtetin, për politikanët, për ambientin e pistë, për mungesën e kulturës publike. Por edhe pse dinë të urrejnë, shqiptarët nuk dinë apo nuk duan të duan: ata karakterizohen nga një urtësi vrasëse, që shprehet me një mungesë të pafalshme të revoltës ndaj padrejtësive që iu bëhen përditë. Shqiptarët falin shumë, sepse harrojnë shumë; ata janë kokulur, të butë, tolerantë. Këto janë cilësi të bekuara, por prej tyre përfiton, abuzon, spekulon sot politika e keqe dhe korrupsioni që sundon jetën e tyre. Në këtë përfaqësim, a mund të regëtijë një shpresë për një ndryshim të mbarë? A mund të bëhet diçka me këtë vend të çmeritur nga babëzitë? Pyetje e sinqertë dhe e vështirë! Përgjigjja e saj komplikohet edhe më nëse merret e këqyret gjithçka konkretisht. Shqipëria është një vend me dinamikë të paqenë: mungon dhe do të mungojë kushedi për sa kohë akoma dashuria publike dhe shteti publik; Shqipëria është dhe do të jetë kushedi sa kohë vendi i gënjeshtrave dhe i premtimeve cinike elektorale që nuk janë mbajtur dhe nuk do të mbahen kurrë. Shqipëria ka një qeveri cinike dhe lozonjare, sarkazma e së cilës rrezatohet nga njerëz të talentuar për të rrëmbyer shpërblime të mëdha nga mundësitë më të vogla. Fati i saj është si një iluzion në sirtarë, që hapen e mbyllen me duar mediokrish. Shqipëria është një vend i pistë, me atmosferë të tejndotur dhe natyrë të qelbur: plehra masive në gjithë territorin e saj kutërbojnë anembanë; Shqipërisë i mungon ajri i pastër, sepse këtij vendi i mungojnë pyjet, por dhe dëshira njerëzore për t’i ruajtur dhe shtuar ato; Shqipërisë i rrallohen drejtuesit e ndershëm, sepse drejtësia është e pandershme. Shikoni miq: Zhelet e jetës dhe zhelet e fatit tonë valëviten gjithandej ne Atdhe. Shqipërisë i ka munguar dhe i mungon politika e mirë, sepse mes saj mbillen e rriten politikanë të këqij. Vendi ynë ka një shtet që funksionon mbi bazën e ligjeve që nuk janë të tilla, sepse nuk zbatohen. Shqipëria është një territor i pushtuar nga absurdi, sepse pushtetarët janë pushtuar nga mediokriteti. Vendi ka një ekzekutiv delirant, që vjedh edhe vret, ditën dhe natën. Ky ekzekutiv drejtohet nga një kryeministër që mashtron për suksese të mëdha në mëngjes dhe në mbrëmje. Qeverisë i bëhet opozitë popullore e brishtë, opozitë duarlidhur, sepse vendi lëngon prej regjimit dhe sistemit. Opozita e opozitës është gjithashtu pushtet i ri në formën e një hije dhe habie publike që imazhon herë zhgënjim, herë tradhti. Popullata ndodhet nën presionin e votimit po aq sa dëshpërohet nën presionin e propagandës së sukseseve apo reformave reale, që realisht nuk ekzistojnë. Reformat, thjesht rrezatojnë hipokrizi: janë zëvendësuar me pamundësi, me propaganda. Arsimi, ashtu si shëndetësia, nuk pararend ndryshime të afërta civilizimi, sa kohë ministrat e vjetër dhe ministrat e rinj të shkollave dhe spitaleve do të drejtojnë barbarisht, por edhe me optimizëm të frikshëm dijen e paqenë dhe mjekimin e munguar të njerëzve, me njerëz mitingashë, të pasur, të shëndetshëm, por të pashkollë. Ironia e këtij realiteti, është si gjak i një plage që nuk mbyllet kurrë në trupin pa muskuj, kockë e lëkurë të atdheut. Parlamenti ngjan me një pazar pulash në Honolulu, ndonëse shefja e këtij institucioni, më shumë se një kukuvajkë, është një plazmë e frymëzuar fort nga kakarisjet intelektuale të liderit të saj. Me këtë Parlament dhe me këtë kryetare, Shqipëria do të shëmbëllejë gjithherë me një shkretëtirë dëshirash për ndryshime të mira; askush nuk pret ndryshime, sepse askush nuk mund të kuptojë çfarë duhet bërë për të zhbërë barrikadat marrafrymëse të frenimit të qytetërimit tonë. Por qytetërimi ynë është një çështje e shtruar për zgjidhje. Mbase problemi ynë nuk ka qenë asnjëherë ndërrimi rutinë i pushteteve, por ndërrimi i sistemeve; asgjë pozitive nuk ka sjellë rrotacioni dhe përmbysjet e klaneve politike deri tani; në gjithë këta vjet tranzicion, pushtetet e dy kaheve kanë qenë të njëjtit gjeneratorë krizash besimi, dhe të njëjtit motorë të fitimit korruptiv. Fillimi i qytetërimit duhet bërë tjetërkund dhe ndryshe. Në prag të zgjedhjeve lokale, sfida qytetare për ne është të ndryshojmë mendimet tona dhe perceptimet: së pari të pastrojmë mendimet tona dhe pastaj të votojmë ndjeshmërisht, mençurisht. Që zgjedhjet të jenë zgjidhje, të synojmë të pastrojmë me votën e fortë terrenin nga politikanët e këqij dhe politika e vjetër, që i kanë bërë të zezat më të mëdha këtij vendi. Që të ndodhë ky ndryshim, nevojitet pjesëmarrje civile kundër barbarisë së shtetit privat që instaluan politikanët privatë në këtë vend. Shqiptarët duhet të votojnë unanimisht këtë herë, jo thjesht kundër regjimit, por kundër të keqes. Tek vota kundër të keqes zë fill shpresa jonë. Pas shpresës vjen presioni i publikut për zbatimin e ligjeve. Shoqëria jonë duhet të riformatohet mbi një bazë të re: Ringritjen civile nëpërmjet respektimit të egër të ligjeve, por edhe të vlerave. Vështrimet duhet të bien mbi opsionet politike, ku ndershmëria të ketë transparencë. Vetëm mbas krijimit të një shteti ligjor, publik, frymëmarrja e lirë ju takon njerëzve të lirë, që e duan të shëndetshme drejtësinë në vendin e tyre. Pastaj të fillojë investimi qytetar për arsimin, duke fshirë nga lista e administratës mësuesit mitingashë e të pashkollë nga Jugu në Veri, që kanë mësyrë tribunat shqiptare. Shqipëria duhet të rrisë fëmijë të civilizuar e të arsimuar si duhet, që të mund të ndryshojnë imazhin e shkarravitur të shqiptarëve deri tani, brenda dhe jashtë. Arsimi duhet të prodhojë personalitete që s’do kenë asnjë lidhje me mediokritet e ditës, që jo rrallë dalin në ekranet e mediave të kapur prej pushtetit të zi. Natyrshëm politika e re dhe e mirë do të ketë vullnetin e mirë për punëra të mira dhe do të kultivojë zakonin për gjetjen e njerëzve të devotshëm, të aftë e të civilizuar, të cilëve mund t’u besohet pushteti. A do të ndodhin këto ndonjëherë në Shqipëri? Nëse po, do të jetë një luftë e ashpër dhe e gjatë në shkretëtirë.
Posted on: Sat, 14 Sep 2013 18:50:48 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015