Çfarë modeli politik po ndërtojmë! ELMAZ SHERIFI Procesi - TopicsExpress



          

Çfarë modeli politik po ndërtojmë! ELMAZ SHERIFI Procesi zgjedhor po përfundon dhe për Shqipërinë kjo përbën ngjarje. Ndodhi ajo që nuk pritej, ose të paktën hamendësohej. Kryeministri dhe kryetari i maxhorancës, ende pa përfunduar numërimi i votave, pranoi humbjen e zgjedhjeve, kur parti politike e “analistë” parashikonin jo vetëm zgjatjen e procesit, por edhe manipulimin e tij. Në Shqipëri, në 23 vjet, KQZ-ja ka qenë në fokusin e akuzave si deformuese e manipuluese e procesit zgjedhor! Këto zgjedhje pothuajse u zhvilluan pa nevojën e KQZ-së. Opozita i tërhoqi anëtarët e propozuar prej saj në KQZ për arsye që kuptohen, dhe pa dashur vërtetoi që ky institucion nuk duhet të ketë më karakter partiak e nuk duhet të formohet me anëtarë të propozuar nga disa parti politike sipas formulave shqiptare. Njëkohësisht “maxhoranca opozitë” papritur ka lënë në heshtje procesin zgjedhor dhe ka filluar një proces të ri partiak për zgjedhjen e kryetarit të partisë sipas parimit “një anëtar, një votë”, parim i cili nuk ekziston në statutin e partisë. Fituesi i zgjedhjeve, ose “opozita maxhorancë” e çiftit Rametë (Ramë e Metë) i kanë ndarë pushtetet që do të drejtojnë. Kandidat Kryeministri, ende pa u dekretuar Kryeministër sipas Kushtetutës nga Presidenti i Republikës, po bën takime me Presidentin e Republikës, Prokurorin e Republikës, Kryebankierin e Shqipërisë dhe po bën thirrje të sillen CV-të nga ata që dëshirojnë të bëhen pjesë e administratës publike, sikur të jetë “shef i personelit” ose shef i departamentit të administratës publike. Po shfaqet dukshëm prirja e “hegjemonisë ideologjike”, në vend të kulturës politike institucionale, kur palët “ndërluftuese” ende nuk besojnë në atë që ka ndodhur. “Maxhoranca opozitë” me habi po përjeton humbjen dhe po shfaq ambicien për një rikthim të shpejtë në pushtet. Madje një ndër kandidatët për kryetar i PD-së ka filluar edhe fushatën kundër “aleatit qeverisës”, të cilin e konsideron si shkak të humbjes, kur këto akuza nuk i bëri në fushatën zgjedhore. Ndërsa “opozita maxhorancë”, e habitur si fitoi kaq thellë, e konsideron “armikun” e dikurshëm aleatin strategjik të rilindjes. Pra që në nisje të një qeverisje të re i gjen të përziera elementet e kulturës ideologjike të trashëguar nga diktatura me elemente të kulturës politike institucionale. Shikohet se si nuk zbatohen norma ligjore kushtetuese dhe implementohen norma më të përparuara që nuk parashikohen as në norma statutore… Prapë as Lindje, as Perëndim! Partitë politike, si drejtori personeli! U bënë 23 vjet që është legjitimuar pluralizmi politik dhe vazhdon të shfaqet mendësia politike e shtetit partiak. Kjo prirje u vërtetua në mënyrën më të dukshme në koalicionet parazgjedhore e në bashkimet politike që ulën në “tryezën për pushtet” antikomunistët me komunistët, socialdemokratët me demokristianët, liberalët me konservatorët, socialistët me kristiandemokratët, republikanët me monarkistët, demokratët me antidemokratët, të akuzuarit me akuzuesit, “vrasësit” me denoncuesit e tyre, vetëm për të marrë pushtetin dhe për ta ndarë atë sipas parimit “një parti, një drejtori”! Ky kompozim politik nuk parashikohet në asnjë filozofi politike dhe nuk ka ndodhur në asnjë vend perëndimor. Ky fenomen ndodh në Shqipëri, pasi amoraliteti politik është shndërruar në filozofi politike qeverisëse, duke zbatuar tezën e Ramiz Alisë, themeluesit të pluralizmit formal në fillimet e viteve nëntëdhjetë, kur krahas Partisë së Punës u shndërruan në subjekte politike edhe Fronti, Rinia, Gruaja, Bashkimet Profesionale etj. E bëj këtë krahasim sepse besoj se nuk janë harruar kërkesat e kryetarëve të partive aleate për t’u përfshirë në listat e dy partive kryesore, madje disa e bënë realitet. Të tjera parti bënë marrëveshje si mund të përftonin postin e ministrit, zv.ministrit, të drejtorit a shefit të sektorit nëse do të fitonin një numër të caktuar votash! Kjo mendësi e sjellje politike i ka shndërruar realisht partitë politike thjesht në drejtori personeli, e, për rrjedhojë, ato nuk mund të jetojnë më si subjekte politike, dhe më e ndershme do të ishte shkrirja e bashkimi i tyre në blloqet preferenciale. Kjo mendësi e sjellje politike ka deformuar edhe sistemin politik demokratik, pasi partitë janë subjekte politike kushtetuese që dallohen nga filozofia politike dhe programi politik që promovojnë. Në Shqipëri partitë politike janë shndërruar në “reparte ushtarake”. Për rrjedhojë, sistemi politik po merr karakter të mirëfilltë partiak dhe koalicionet qeverisëse konceptohen e realizohen si “pragmatizëm” për ndarjen e ministrive dhe punësimin e militantëve manipulues dhe blerësve të votave të zgjedhësve. Rekrutimi në administratën publike është privilegj i partive dhe i “dhuruesve të pushtetit”, të cilët me paaftësinë dhe vesin e vjedhësit shndërrohen në konsumues të taksapaguesve shqiptarë, ndërsa profesionistët e vërtetë shërbejnë vetëm për joshje elektorale. Kryetarët e partive emërojnë në detyra të rëndësishme “militantët votablerës” për të grumbulluar fonde për zgjedhjet e radhës, fonde që duhen për të përballuar spektaklet elektorale me shpenzime marramendëse dhe për të siguruar fondet për blerjen e votës së njerëzve të varfër e të pashpresë. Ky fenomen në këto zgjedhje ka qenë dominant. Preferencat për alternativat politike po zbehen dhe zgjedhësit nuk e fshihnin kërkesën për lekë ose shkëmbimin e votës për vendin imagjinar të punës. Besoj se do të provohet shumë shpejt kjo prirje dhe zhgënjimi i atyre që e kanë shkëmbyer votën me premtimin e vendit të punës. Mendoj se zgjedhjet e 23 qershorit morën karakter referendar për rotacion politik, ndërsa procesi zgjedhor mori karakter të mirëfilltë tregtar, duke e rritur shumë “tregun e votës” të ofruar nga partitë-ndërmarrje. Kjo mënyrë e të bërit politik nga partitë shumë të pasura, në Shqipërinë me njerëz të varfër, ka prirje ta rrisë edhe më shumë varfërinë e më të varfërve dhe mungesën e besimit te sistemi politik, duke provokuar konflikte sociale e destabilitet politik. Plane punësimi për fushatë zgjedhore! Në vendet demokratike, tregu i punës vepron sipas parimit të kërkesë-ofertës dhe qeveria nuk mund të premtojë se do të hapë kaq apo aq vende pune, por premton se do të hartojë vetëm politika për nxitjen e punësimit. Qeveria ka të drejtë të punësojë sipas buxhetit të shtetit në administratën publike, por në Shqipëri ky numër nuk mund të shkojë më shumë se 100 mijë, dhe ata ekzistojnë. Nëse për arsye të ndryshimit të qeverisjes disa prej tyre hiqen, niveli papunësisë mbetet i njëjtë. Nëpunësit e administratës publike, sipas nenit 107 të Kushtetutës dhe ligjit të Shërbimit Civil, duhet të rekrutohen me konkurs nga agjencitë e përcaktuara me ligj dhe nuk mund të zgjidhen e rekrutohen nga Kryeministri. Punësimi nuk mund t’u imponohet as punëdhënësve privatë. Edhe nxitja e vetëpunësimit kërkon politika dhe financime, të cilat mungojnë. Artikulimet politike për planet e punësimit pasqyrojnë mangësi të theksuara të kulturës politike dhe prirjet etatiste në zhvillimin e ekonomisë. Në zgjedhje u premtuan nga 160 mijë deri në 300 mijë vende pune. Madje suksesin e zgjedhjeve disa parti dhe “analistët” e paguar prej tyre e shpjegojnë me besueshmërinë që krijuan për hapjen e vendeve të punës! Në fakt, nuk pritet ndonjë mrekulli, përkundrazi, me gjendjen ekonomike të trashëguar dhe ndikimin e efekteve të krizës, problematika e punësimit do të jetë edhe më e mprehtë. Shqipëria e varfër po “shkëlqen” vetëm me fushatat zgjedhore shumë të gjata dhe shumë të shtrenjta, nga mund të kenë përfituar njerëzit që u përdorën për ngritjen e tribunave për fjalimet politike të premtuesve të vendeve të punës, e cila në postzgjedhje mund të rezultojë me reduktimin e vendeve të punës. Në këto zgjedhje fituan pronarët e ambienteve që u hapën për zyra elektorale, për të krijuar imazhin e një partie që “ndodhet kudo”, pa kryer asnjë aktivitet në ato mjedise. Pronarët e tyre, duke rrufitur kafen, shprehin dëshpërimin që nuk vazhdoi edhe më fushata zgjedhore, duke shprehur habi për shpenzimet marramendëse. Cili është burimi i të ardhurave, sepse me financimin e buxhetit të shtetit nuk justifikohen as 1% e tyre? Kjo asnjëherë nuk po verifikohet nga organet që i ngarkon ligji. Shpresoj që kandidat Kryeministri t’i ketë bërë kërkesë kryeprokurorit në takimin që pati. Kjo ndodh se në Shqipëri nuk funksionon shteti i së drejtës, por shteti partiak, i cili administratën dhe pasuritë publike i përdor për të siguruar para për partinë, që partia të fitojë pushtet dhe pushteti të shtojë para për të punësuar sa më shumë njerëz në fushatën zgjedhore. Pushteti në Shqipëri nuk shërben si instrument për rritjen e mirëqenies së shumicës, por si mjet për pasurimin e grupimeve të caktuara, të cilat në proceset zgjedhore kanë mision të veçantë. Partitë politike në Shqipëri po shndërrohen në “ndërmarrje elektorale” dhe sa marrin pushtetin mendojnë vetëm si të krijojnë grupime militantësh “që punësohen” për të shtuar fondet partiake që të blejnë e paguajnë komisionerë partiakë. Partitë që e kanë privilegjin të kenë komisionerë e konsiderojnë këtë kategori “të punësuar” dhe me ta sigurojnë minimum 15 mijë vota. Prandaj komisionerët nuk duhet të jenë më përfaqësues të disa partive, por duhet të jenë shtetërorë, ashtu si veprohet në cilindo vend demokratik… Shqipëria e varfër ka partitë më të pasura në Ballkan. Prandaj po shtohet rreziku i partitokracisë që premton vende pune dhe ngushton hapësirat demokratike të jetës partiake, duke rritur frymë autoritariste, që e manifestojnë edhe në pushtet. Legjitimiteti i pushtetit dhe autoriteti karizmatik! Mospranimi i humbjes është një ves politik në Shqipëri. Fatmirësisht z. Berisha e pranoi humbjen, ndryshe nga z. Rama në vitin 2009. Pranimi i procesit legjitimon pushtetin dhe sjell normalitetin demokratik të funksionimit institucional. Sociologjia politike ka sjellë shembuj dhe ka argumentuar se tipat e legjitimitetit në historinë politike përmblidhen te autoriteti tradicional, ose pushteti i trashëguar, te autoriteti karizmatik dhe autoriteti ligjor që buron nga rregulla të qarta. Unë kam qenë për rotacionin e pushtetit, por për një rotacion që të pasohet edhe nga “rotacioni në mendësi” që vendos drejtësinë politike kundër amoralitetit politik. Premisa e parë rezulton pozitive, pasi procesi zgjedhor është legjitimuar, dhe nuk do të kemi procese si ai “hap kutitë ose largohu” duke krijuar jetë parlamentare institucionale. Dyshimi te rotacioni buron nga fakti që pjesë e maxhorancës së re është pjesa e ish-maxhorancës dhe e akuzuar nga ish-opozita. Nëse akuzat kanë qenë thjesht “politike”, le të vërtetojnë se do ndërtojnë politika “jobashkëpunimi” për të mbuluar çfarë është premtuar për t’u zbuluar. Problemi tjetër qëndron te “autoriteti karizmatik” i drejtimit, i cili është vazhdim i traditës karizmatike dhe sjellja politike e lidershipit ka qenë larg autoritetit ligjor apo racional. Deri sot, krahas autoritetit karizmatik, ka konkurruar edhe amoraliteti politik i “koalicionit strategjik”. Sipas meje, nga mosbesimi në fitore u ndërruan politika dhe janë premtuar reforma e zgjidhje të reja edhe në sektorët që janë drejtuar nga “aleati strategjik” në katër vjet. Të shohim sa do të mbahen premtimet për rivendosjen e drejtësisë së cenuar, rivlerësimin e pasurisë, rilindjen e ekonomisë dhe plotësimin e shërbimeve të standardeve europiane. Askush nuk ka të drejtë të paragjykojë qeverinë e re ende pa u miratuar nga Parlamenti, por dëshira për pushtet realizoi kompromise që nuk premtojnë realizimin e autoritetit ligjor. Për rrjedhojë, mund të ndodhë mbulimi i së vërtetës së hidhur nëpërmjet autoritetit karizmatik, i cili ka prirje t’i shndërrojë autoritetet e tjera të pushtetit në numra pa vlerë. E tillë mund të bëhet qeveria e ministrave jo-deputetë dhe prirja për përfaqësimin politik në Parlament mbi kritere biznesi, si instrument për të përballuar koston shumë të lartë të “tregut politik”, i cili është krijuar qëllimisht për të shmangur autoritete potenciale të cilave autoriteti karizmatik e ka të vështirë t’u imponohet. Mungesa e aftësisë qeverisëse dhe prirja për të mos pranuar oponencën brenda maxhorancës absolute, mund ta dëmtojë edhe më shumë autoritetin qeverisës duke u larguar nga autoriteti ligjor. Ky model politik me prirje të forta partiake duhet kapërcyer shumë shpejt që Shqipëria t’i japë fund tranzicionit të tejzgjatur politik.
Posted on: Mon, 15 Jul 2013 13:32:52 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015