BARAK OBAMA PRESIDENT I SHBA MUND TË PËRQAFOJMË NJË TË - TopicsExpress



          

BARAK OBAMA PRESIDENT I SHBA MUND TË PËRQAFOJMË NJË TË ARDHME TJETËR Fjala e Përgatitur e Presidentit Barack Obama në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (24 shtator 2013) SHTËPIA E BARDHË Zyra e Sekretarit të Shtypit Nju Jork, NY Z. President, Z. Sekretar i Përgjithshëm, delegatë, zonja dhe zotërinj: çdo vit mblidhemi së bashku për të riafirmuar vizionin themelues të këtij institucioni. Për pjesën më të madhe të historisë së shkruar, aspiratat individuale kanë qenë objekt i kapriçove të tiranëve dhe perandorëve. Ndarjet mbi baza racore, fetare dhe fisnore zgjidheshin me shpata dhe përballje ushtrish. Ideja se kombet dhe popujt mund të bashkoheshin në paqe për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe për të përparuar begatinë e përbashkët dukej e paimagjinueshme. U deshën masakrat e tmerrshme të dy luftërave botërore për të ndryshuar mënyrën tonë të të menduarit. Udhëheqësit që ndërtuan Kombet e Bashkuara nuk ishin naivë; ata nuk menduan se kjo organizatë do të zhdukte të gjitha luftërat. Por, si rrjedhojë e miliona të vdekurve dhe kontinenteve të rrënuar; si edhe me zhvillimin e armëve bërthamore të cilat mund të asgjësojnë planetin, ata e kuptuan se njerëzimi nuk mund të mbijetonte në mënyrën se si po ecte. Kështu ata na dhanë këtë institucion, duke besuar se ky mund të jepte mundësinë të zgjidhnim konfliktet, të zbatonim rregullat e sjelljes dhe të ndërtonim zakone bashkëpunimi që do të forcoheshin me kalimin e kohës. Për dekada me radhë, OKB-ja ka sjellë ndryshim të vërtetë – që nga ndihma për shfarosjen e sëmundjeve, edukimin e fëmijëve, deri te ndërmjetësimi i paqes. Por, si çdo brez udhëheqësish, përballemi me sfida të reja dhe të thella dhe ky institucion vazhdon të testohet. Pyetja është nëse zotërojmë ose jo mençurinë dhe kurajën, si vende dhe si anëtarë të një komuniteti ndërkombëtar për t’u përballur me këto sfida në mënyrën e duhur; nëse Kombet e Bashkuara mund të kalojnë provat e kohës sonë. Për pjesën më të madhe të kohës sime si President, disa prej sfidave tona më urgjente kanë rrahur rreth ekonomisë globale tejet të integruar dhe përpjekjeve tona për t’u rimëkëmbur nga kriza ekonomike më e ashpër e kohës sonë. Tani, pesë vjet pas përmbysjes së ekonomisë globale, falë përpjekjeve të bashkërenduara nga vendet e përfaqësuara këtu sot, po hapen vende pune, janë stabilizuar sisteme globale financiare dhe njerëzit po dalin nga varfëria. Por, ky përparim është i brishtë e i pabarabartë dhe akoma kemi punë për të bërë së bashku për të siguruar se qytetarët tanë mund të kenë mundësinë që u nevojiten për të ecur përpara në shekullin e 21-të. Kemi punuar së bashku edhe për të përfunduar një dhjetëvjeçar lufte. Pesë vjet më parë, afërsisht 180.000 amerikanë shërbenin në rrezik për jetën dhe lufta në Irak ishte çështja mbizotëruese në marrëdhëniet tona me botën. Sot, të gjitha trupat tona janë larguar nga Iraku. Vitin tjetër një koalicion ndërkombëtar do t’i japë fund luftës në Afganistan, pasi të ketë arritur misionin e vet për shpërbërjen e bërthamës së al Qaeda-s e cila na sulmoi në 11 shtator. Për Shtetet e Bashkuara këto rrethana kanë qenë edhe mënyrë për largimin nga një bazë-lufte e vazhdueshme. Përtej sjelljes së trupave tona në atdhe, kemi kufizuar përdorimin e avionëve të telekomanduar në mënyrë të tillë që të drejtohen vetëm atje ku kanoset kërcënim i vazhdueshëm dhe i menjëhershëm ndaj Shteteve të Bashkuara ku nuk mund të arrijmë dot, dhe kur ka siguri që nuk do të ketë viktima në njerëz. Po i transferojmë të arrestuarit drejt vendeve të tjera dhe po i sjellim terroristët përpara gjykatave, duke punuar ndërkohë me kujdes për mbylljen e burgut në Gjirin e Guantanamës. Dhe ndërkohë që sapo kemi analizuar mënyrën se si shpërndajmë kapacitetet tona të jashtëzakonshme ushtarake në mënyrë që të përputhet me idealet tona, jemi duke analizuar gjithashtu mënyrën se si mbledhim informacionin, në mënyrë që të baraspeshojmë si duhet çështjet e qenësishme të sigurisë për qytetarët dhe aleatët tanë me çështjet e sigurisë shqetësojnë të gjithë njerëzit. Si rrjedhojë e kësaj pune si edhe bashkëpunimit me aleatët dhe partnerët, bota është më e qëndrueshme se sa pesë vjet më parë. Por, edhe një shikim i shpejtë i kryetitujve të ditës tregon rreziqet që mbeten. Në Kenia kemi parë se si terroristët kanë sulmuar qytetarë të pafajshëm në një qendër tregtare të mbushur plot njerëz. Në Pakistan afro 100 njerëz u vranë tani afër nga kamikazët jashtë një kishe. Në Irak vrasjet dhe bombat në makina vazhdojnë të jenë pjesë tmerruese e jetës. Ndërkohë, al Qaeda është ndarë në rrjete dhe ushtri rajonale, të cilat nuk kanë mundur të realizojnë sulm të ngjashëm me atë të 11 shtatorit, por që paraqesin kërcënim serioz ndaj qeverive, diplomatëve, bizneseve dhe shtetasve anekënd globit. Po në të njëjtën mënyrë domethënëse, trazirat në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore kanë zbuluar ndarje të thella mes shoqërive, ndërsa rendi i vjetër po rrëzohet dhe njerëzit kacafyten me atë që vjen më pas. Lëvizjet paqësore kanë marrë përgjigje të dhunshme – nga ata që i bëjnë qëndresë ndryshimit dhe nga ekstremistët që përpiqen t’i ndryshojnë kursin ndryshimit. Ka rilindur konflikti sektarian. Dhe shpërndarja e mundshme e armëve të shkatërrimit në masë hedh hije mbi rrugën e paqes. Nuk i kemi parë askund këto prirje të ndërthuren aq fuqishëm sa në Siri. Atje, protestat paqësore kundër regjimit autoritar u përballën me shtypje dhe masakër. Përballë kësaj kërdie, shumë u tërhoqën brenda identiteteve të tyre sektariane – alawite dhe sunni; të krishterë dhe kurdë – dhe situata u rrotullua drejt luftës civile. Komuniteti ndërkombëtar i dalloi piketat që në fillim, por reagimi ynë nuk është përputhur me shkallën e sfidës. Ndihma nuk mund të ecë me ritmet e vuajtjes së të lënduarve dhe të shpërngulurve. Procesi paqësor ka vdekur në lindje. Amerika dhe të tjerët kanë punuar për të përkrahur opozitën e moderuar por grupet ekstremiste kanë zënë rrënjë në shfrytëzimin e krizës. Aleatët tradicionalë të Assad-it e kanë mbajtur atë në këmbë duke cituar parimet e sovranitetit për të mbrojtur regjimin e tij. Në 21 gusht, regjimi përdori armë kimike në një sulm që u mori jetën më shumë se 1.000 njerëzve, përfshirë qindra fëmijë. Kriza në Siri dhe destabilizimi i rajonit shkon në zemër të sfidave më të gjera me të cilat duhet të përballet tani komuniteti ndërkombëtar. Si duhet t’u përgjigjemi konflikteve në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut – konflikteve mes vendeve, por edhe konflikteve brenda tyre? Si të vendosim përballë zgjedhjes së të qëndruarit të paprekur kur fëmijët helmohen me gaz nervor, dhe përfshirjes në luftën civile të dikujt tjetër? Cili është roli i forcës në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që kërcënojnë stabilitetin e rajonit dhe gërryejnë të gjitha standardet themelore të sjelljes së qytetëruar? Cili është roli i Kombeve të Bashkuara, dhe ligjit ndërkombëtar, në përballjen e thirrjeve për drejtësi? Sot dua të tregoj se ku qëndrojnë Shtetet e Bashkuara në këto çështje. Në lidhje me Sirinë, besojmë se si pikë nisjeje komuniteti ndërkombëtar duhet të vërë në zbatim ndalimin e armëve kimike. Kur deklarova gatishmërinë time për të urdhëruar një sulm të kufizuar kundër regjimit të Assad-it si reagim ndaj përdorimit të pacipë të armëve kimike, nuk e bëra këtë me mendjelehtësi. E bëra pasi besoj se është në interes të sigurisë së Shteteve të Bashkuara dhe botës të zbatojnë në mënyrë domethënëse një moslejim, origjina e të cilit është më e vjetër se sa vetë OKB-ja. Është rënë dakord për ndalimin e përdorimit të armëve kimike, edhe në luftë, nga 98 për qind e njerëzimit. Kjo përforcohet edhe nga kujtimet e tmerrshme të ushtarëve të mbytur në llogore; çifutëve të masakruar në dhomat e gazit dhe iranianëve të helmuar me dhjetëra e mijëra. KA prova dërrmuese që tregojnë se regjimi i Assad-it ka përdorur armë të tilla në 21 gusht. Inspektorët e OKB-së dhanë raport të qartë se si raketa të përparuara hodhën sasi të mëdha gazi sarin drejt qytetarëve. Këto raketa u aktivizuan nga lagje të kontrolluar nga regjimi, dhe u ulën në lagje të opozitës. Është fyerje për arsyetimin njerëzor – dhe për ligjshmërinë e këtij institucioni – të supozohet se dikush tjetër, jo regjimi, i bëri këto sulme. E di se në pasojat e menjëhershme të sulmit pati nga ata që vunë në pikëpyetje ligjshmërinë e një sulmi sado të kufizuar në mungesë të lejes së qartë nga Këshilli i Sigurisë. Por pa një kërcënim të besueshëm ushtarak, Këshilli i Sigurisë kishte treguar se nuk kishte asnjë lloj prirjeje për të vepruar. Megjithatë, siç kam diskutuar edhe me Presidentin Putin për më shumë se një vit, dhe së afërmi në Shën Pjetërburg, parapëlqimi im gjithmonë ka qenë zgjidhja diplomatike për këtë çështje, dhe në javët e fundit, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe aleatët tanë kanë arritur një marrëveshje për të vendosur armët kimike të Sirisë nën kontroll ndërkombëtar dhe më pas t’i shkatërrojmë ato. Qeveria siriane ndërmori hapin e parë duke dhënë një raport mbi rezervat e saj. Tani, duhet të ketë një Rezolutë të fortë nga Këshilli i Sigurisë për të vërtetuar se regjimi i Assad-it do t’i përmbahet angazhimeve të tij, dhe duhet të ketë pasoja nëse ata nuk e bëjnë këtë gjë. Nëse nuk bien dakord edhe për këtë, atëherë kjo do të tregojë se OKB-ja nuk është në gjendje të zbatojë ligjet më thelbësore ndërkombëtare. Nga ana tjetër, nëse arrijmë sukses, do të dërgojmë mesazh të fortë se përdorimi i armëve kimike nuk ka vend në shekullin e 21-të, dhe se ky institucion e merr seriozisht atë që thotë. Dakortimi mbi armët kimike duhet të vërë në lëvizje një përpjekje më të madhe diplomatike për të arritur një marrëveshje politike brenda Sirisë. Nuk besoj se veprimet ushtarake – nga ato brenda Sirisë ose nga fuqitë e jashtme – mund të arrijnë paqe jetëgjatë. As nuk besoj se Amerika apo ndonjë komb tjetër duhet të përcaktojë kush do të udhëheqë Sirinë – për këtë i takon popullit të Sirisë ta vendosë. Megjithatë, një udhëheqës që masakroi shtetasit e tij dhe u hodhi gaz fëmijëve duke u shkaktuar vdekjen nuk mund të rifitojë ligjshmërinë për të udhëhequr një vend me fraktura të rënda. Koncepti se Siria mund të kthehet në gjendjen e paraluftës është fantazi. Ka ardhur koha që Rusia dhe Irani të kuptojnë se këmbëngulja në regjimin e Assad-it do të çojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rezultatet të cilave ata u druhen: një hapësirë tejet e dhunshme ku do të veprojnë ekstremistët. Nga ana tjetër, ata mes nesh që vazhdojnë të mbështesin opozitën e moderuar duhet t’i bindin ata se populli sirian nuk mund përballojë shembjen e institucioneve shtetërore dhe se zgjidhja politike nuk arrihet pa u përballur me frikërat legjitime të Alawite-ve dhe pakicave të tjera. Ndërsa kërkojmë një marrëveshje, le të kujtojmë se kjo nuk është orvatje me shumën zero. Nuk jemi më në Luftë të Ftohtë. Nuk ka ndonjë Lojë të Madhe për të fituar, dhe Amerika nuk ka asnjë interes në Siri përtej mirëqenies së popullit të saj, stabilitetit të fqinjëve të saj, shfarosjes së armëve kimike dhe të sigurojë se Siria nuk do të bëhet strehë e sigurt për terroristët. Mirëpres ndikimin e të gjitha kombeve që mund te ndihmojnë në gjetjen e një zgjidhjeve paqësore për luftën civile të Sirisë. Dhe, ndërsa e çojmë përpara procesin e Gjenevës, i nxis të gjitha shtetet e përfaqësuara këtu të dalin përpara për të përmbushur nevojat humanitare në Siri dhe në vendet që e rrethojnë atë. Amerika ka vënë në dispozicion mbi një miliard dollarë për këtë përpjekje, dhe sot, mund të deklaroj se do të japim edhe 340 milion dollarë të tjera. Asnjë ndihmë nuk e zë dot vendin e një zgjidhjeve politike që i jep popullit sirian mundësinë të nisë rindërtimin e vendit të tij – por mund të ndihmojë këtë popull të dëshpëruar të mbijetojë. Çfarë konkluzionesh më të gjera mund të nxirren nga politika amerikane drejt Sirisë? E di se ka nga ata që janë zhgënjyer nga mosgatishmëria jonë për të përdorur fuqinë tonë ushtarake për të rrëzuar Assad-in, dhe besojnë se mosbërja e kësaj tregon vendosmëri të dobët të Amerikës në këtë rajon. Të tjerë kanë thënë se gatishmëria ime për të drejtuar sulme qoftë edhe të kufizuara për të ndaluar përdorimin e mëtejshëm të armëve kimike tregon se nuk kemi mësuar asgjë nga Iraku, dhe se Amerika vazhdon të kërkojë kontrollin mbi Lindjen e Mesme për qëllimet tona. Në këtë mënyrë, situata në Siri pasqyron një kundërshti që ka ekzistuar në rajon për dekada: Shtetet e Bashkuara janë ndëshkuar për ndërhyrjen në rajon dhe janë akuzuar se kanë vënë dorë në çfarëdo mënyrë konspirative; në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara janë fajësuar se nuk kanë bërë sa duhet për zgjidhjen e problemeve të rajonit dhe se kanë treguar indiferencë ndaj popujve myslimanë që vuajnë. E kuptoj që një pjesë e këtyre janë të pashmangshme, duke parë rolin e Amerikës në botë. Por këto qëndrime kanë ndikim praktik në mbështetjen e popullit amerikan për përfshirjen tonë në rajon, dhe i lejojnë udhëheqësve në rajon – dhe komunitetit ndërkombëtar – të shmangin shqyrtimin e problemeve të vështira. Prandaj, më lejoni të shfrytëzoj këtë mundësi për të treguar shkurtimisht se cila ka qenë politika e SHBA-së drejt Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut dhe se cila do të jetë politika ime gjatë kohës së mbetur si president. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përgatitura të përdorin të gjitha elementet e fuqisë sonë, përfshirë forcën ushtarake, për të siguruar këto interesa thelbësore në rajon. Do të përballemi me sulmin e jashtëm kundër aleatëve dhe partnerëve tanë, siç bëmë edhe në Luftën e Gjirit. Do të sigurojmë rrjedhën e lirë të energjisë nga rajoni drejt botës. Megjithëse Amerika gradualisht po pakëson varësinë nga nafta e importit, bota ende varet nga furnizimet e këtij rajoni dhe përçarja e rëndë do të destabilizonte tërë ekonominë globale. Ne do t’i zbërthejmë rrjetet e terroristëve që kërcënojnë popullin tonë. Kudo që të jetë e mundur do të ndërtojmë kapacitetet e partnerëve tanë, do të respektojmë sovranitetin e kombeve dhe do të punojmë për të shqyrtuar shkaqet rrënjësore të terrorit. Por, kur është e domosdoshme për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara kundër sulmeve terroriste, do të marrim masa të drejtpërdrejta. Dhe së fundmi, nuk do të tolerojmë zhvillimin apo përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë. Ashtu siç e konsiderojmë përdorimin e armëve kimike në Siri si kërcënim për sigurinë tonë kombëtare, kundërshtojmë zhvillimin e armëve bërthamore që mund të nxisin garë të armëve bërthamore në rajon, dhe rrënojnë regjimin global te moslejimit të krijimit dhe përdorimit të armëve bërthamore. Atëherë, kur themi se këto janë interesat thelbësore të Amerikës nuk do të thotë se këto janë interesat tona të vetme. Besojmë thellësisht së është në interesin tonë të shikojmë një Lindje të Mesme dhe Afrikë Veriore në paqe dhe begati; dhe do të vazhdojmë të nxisim demokracinë, të drejtat e njeriut dhe tregjet e hapura, sepse ne besojmë se këto praktika çojnë në arritjen e paqes dhe begatisë. Por besoj gjithashtu se rrallë mund t’i arrijmë këto objektiva nëpërmjet veprimit të njëanshëm amerikan – veçanërisht me masa ushtarake. Iraku na tregon se demokracia nuk mund të imponohet me forcë. Përkundrazi, këto objektiva arrihen më mirë kur bëjmë partneritet me komunitetin ndërkombëtar si edhe me vendet dhe popujt e rajonit. Çfarë do të thotë kjo për ecjen përpara? Në planin e afërt, përpjekjet diplomatike të Amerikës do të përqendrohen veçanërisht në dy çështje: ndjekja e armëve bërthamore nga Irani dhe konflikti Arabi-Izrael. Ndonëse këto çështje nuk janë shkaku i gjithë problemeve të rajonit, kanë qenë burim kryesor i destabilitetit për kaq shumë kohë dhe zgjidhja e tyre mund të ndihmojë duke shërbyer si burim për paqen në plan më të gjerë. Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë qenë të izoluar nga njëri-tjetri që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979. Ky mosbesim ka rrënjë të thella. Iranianët janë ankuar për një kohë të gjatë për historinë e ndërhyrjes së SHBA-së në çështjet e tyre dhe rolin e Amerikës në përmbysjen e qeverisë iraniane gjatë Luftës së Ftohtë. Nga ana tjetër, amerikanët shikojnë se si qeveria iraniane i ka shpallur Shtetet e Bashkuara si armik, dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë – apo me ndërmjetësi – ka marrë pengje amerikane, ka vrarë trupa dhe civilë amerikanë dhe ka kërcënuar aleatin tonë Izraelin për shkatërrim. Nuk besoj se kjo histori e vështirë mund të kapërcehet brenda natës – dyshimi shkon shumë thellë. Por besoj se nëse mund të zgjidhim çështjen me programin bërthamor të Iranit, kjo mund të shërbejë si një hap i madh drejt rrugës së gjatë për një miqësi tjetër – miqësi e bazuar në interesa të përbashkëta dhe respekt të përbashkët. Që kur mora detyrën, e kam bërë të qartë – në letrat drejtuar Udhëheqësit Suprem të Iranit dhe më afër Presidentit Rouhani – se Amerika parapëlqen t’i zgjidhë shqetësimet tona mbi programin bërthamor të Iranit me mënyrë paqësore, por se jemi të vendosur t’i parandalojmë nga zhvillimi i armëve bërthamore. Nuk kërkojmë ndryshimin e regjimit, dhe respektojmë të drejtën e popullit iranian për të pasur mundësi përdorimi të energjisë bërthamore të sigurt. Përkundrazi, në këmbëngulim që qeveria iraniane të përmbushë përgjegjësitë e saj sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore dhe rezolutat e Këshillit të Sigurisë së OKB-së. Ndërkohë, Udhëheqësi Suprem ka nxjerrë një dekret kundër zhvillimit të armëve bërthamore dhe Presidenti Rouhani sapo ka përforcuar se Republika Islamike nuk do të krijojë kurrë një armë bërthamore. Këto deklarata të bëra nga qeveritë përkatëse duhet të jenë baza për një marrëveshje domethënëse. Duhet të kemi mundësi të arrijmë një zgjidhje që respekton të drejtat e popullit iranian, duke i dhënë besim botës se programi iranian është paqësor. Për ta arritur këtë me sukses, fjalët pajtuese do të duhet të përshtaten me vepra transparente dhe të verifikueshme. Në fund të fundit, janë zgjedhjet e qeverisë iraniane ato që kanë çuar në sanksione të përgjithshme që po zbatohen aktualisht. Kjo nuk është thjesht çështje mes Amerikës dhe Iranit – bota ka parë se si Irani ka shmangur përgjegjësitë e veta në të kaluarën, dhe ka interes të qëndrueshëm për të siguruar se Irani do të përmbushë detyrimet e tij në të ardhmen. Na inkurajon fakti se Presidenti Rouhani morri nga populli iranian një mandat për të ndjekur një drejtim më të moderuar. Duke pasur parasysh përkushtimin e deklaruar të Presidentit Rouhani për të arritur një marrëveshje, i kërkoj John Kerry-t të ndjekë këtë përpjekje me qeverinë iraniane, në bashkërendim të ngushtë me Bashkimin Europian, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë, Rusinë dhe Kinën. Pengesat gjatë rrugës mund të jenë shumë të mëdha, por besoj me vendosmëri se rruga diplomatike duhet provuar. Pasi, ndërkohë që gjendja ekzistuese vetëm sa do ta thellonte izolimin e Iranit, përkushtimi i sinqertë i Iranit për të ndjekur një rrugë tjetër do të jetë i mirë për rajonin dhe për botën dhe do ta ndihmonte popullin iranian të përmbushte potencialin e vet të jashtëzakonshëm – në tregti dhe kulturë; në shkencë dhe arsim. Jemi gjithashtu të vendosur të zgjidhim konfliktin që shkon edhe më larg se sa ndryshimet tona me Iranin: konfliktin mes palestinezëve dhe izraelitëve. E kam bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të rrezikonin kurrë përkushtimin tonë ndaj sigurisë së Izraelit, as edhe mbështetjen tonë për ekzistencën e tij si shtet çifut. Në fillimin e këtij viti, në Jerusalem, u frymëzova nga të rinjtë izraelitë të cilët u ngritën në mbrojtje të besimit se paqja ishte e domosdoshme, e drejtë dhe e mundur, dhe besoj se ka një përligjje në rritje mes izraelitëve se pushtimi i Bregut Perëndimor po shkatërron lëndën demokratike të shtetit çifut. Por fëmijët e Izraelit kanë të drejtën të jetojnë në një botë ku kombet e bashkuara në këtë institucion e njohin plotësisht vendin e tyre, dhe kundërshtojnë pa mëdyshje ata që hedhin raketa drejt shtëpive të tyre ose nxisin të tjerët t’i urrejnë ata. Po ashtu, Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj besimit se populli palestinez ka të drejtë të jetojë me siguri dhe dinjitet në shtetin e tij sovran. Në të njëjtin udhëtim, pata mundësinë të takoja të rinjtë palestinezë në Ramallah, ambicia dhe potenciali i të cilëve janë po aq sa dhimbja që ata ndjejnë duke mos patur një vend të sigurt në bashkësinë e kombeve. Ata janë cinikë, dhe është e kuptueshme kjo, në do të ketë ndonjëherë përparim të vërtetë dhe janë të irrituar nga fakti se familjet e tyre durojnë fyerjen e përditshme të pushtimit. Por e kuptojnë se rruga e vetme e vërtetë drejt paqes është ajo e dy shteteve: sepse ashtu si nuk duhet shpërngulur populli palestinez, edhe populli izraelit do të qëndrojë këtu. Ka ardhur koha tani për të gjithë komunitetin ndërkombëtar që të shkojnë drejt arritjes së paqes. Tashëm udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë kanë treguar gatishmëri për të ndërmarrë rreziqe politike të konsiderueshme. Presidenti Abbas i ka lënë mënjanë përpjekjet për t’i rënë shkurt rrugës së paqes dhe ka ardhur në tryezën e negocimeve. Kryeministri Netanjahu i ka lëshuar të burgosurit palestinezë dhe ka riafirmuar përkushtimin e tij ndaj shtetit palestinez. Bisedimet e tanishme janë përqendruar në çështjet përfundimtare të statusit në lidhje me kufijtë dhe sigurinë, refugjatët dhe Jerusalemin. Por, edhe ne të tjerët duhet të jemi të gatshëm të ndërmarrin rreziqe. Miqtë e Izraelit, përfshirë Shtetet e Bashkuara, duhet të kuptojnë se siguria e Izraelit si shtet çifut dhe demokratik varet nga realizimi i një shteti palestinez. Shtetet arabe – dhe ata që kanë mbështetur palestinezët – duhet të kuptojnë se stabiliteti do të ofrohet vetëm nëpërmjet zgjidhjes dy-shtetëshe me një Izrael të sigurt. Të gjithë ne duhet të kuptojnë se paqja do të jetë mjet i fuqishëm për mposhtjen e ekstremistëve dhe për t’i dhënë kurajë atyre që janë të përgatitur për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Mbi të gjitha, lidhjet e tregtisë mes izraelitëve dhe arabëve mund të jenë motor rritjeje dhe mundësish në një kohë kur shumë të rinj në rajon janë të brengosur e pa punë. Prandaj le të dalim nga qoshet e njohura të fajit dhe paragjykimit dhe të mbështesim udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë të cilët janë të përgatitur të ecin në rrugën e vështirë të paqes. Zbulimet e vërteta në këto dy çështje – programi bërthamor i Iranit dhe paqja Izraelo-Palestineze – do të kenë një ndikim të thellë dhe pozitiv në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Por, trazirat e tanishme që kanë dalë nga Pranvera Arabe na kujtojnë se paqja e drejtë dhe jetëgjatë nuk mund të matet vetëm me marrëveshje mes kombesh. Ajo duhet matur gjithashtu me aftësinë tonë për të zgjidhur konfliktet dhe nxitur drejtësinë mes kombeve. Dhe me këto masa, është e qartë për të gjithë ne se ka akoma më shumë punë për t’u bërë. Kur nisën ndryshimet paqësore në Tunizi dhe Egjipt, e tërë bota u mbush me shpresë. Edhe pse Shtetet e Bashkuara – si të tjerët – u habitën me shpejtësinë e këtyre ndryshimeve, dhe nuk diktuan – në fakt nuk mund ta bënin këtë – ngjarjet, ne zgjodhëm të mbështetnim ata që bënë thirrje për ndryshim. Këtë e bëmë bazuar në besimin se ndonëse këto ndryshime do të ishin të vështira, e do të donin kohë, shoqëritë e bazuara në demokraci, shoqëritë e hapura dhe në respektim të dinjitetit të individit do të jenë më të qëndrueshme, më të begata dhe më paqësore. Gjatë viteve të fundit, veçanërisht në Egjipt, e kemi parë se sa të vështira do të jenë këto ndryshime. Mohammed Morsi u zgjodh në mënyrë demokratike, por provoi se nuk ishte i gatshëm ose se nuk kishte mundësi të qeveriste në mënyrë gjithëpërfshirëse. Qeveria e përkohshme që e zëvendësoi iu përgjigj dëshirave të miliona egjiptianëve të cilët besonin se revolucioni kishte marrë drejtimin e gabuar, por edhe ajo ka marrë vendime që nuk përputhen me demokracinë gjithëpërfshirëse – nëpërmjet një ligji emergjence dhe kufizimeve të shtypit, shoqërisë civile dhe partive të opozitës. Sigurisht, Amerika është sulmuar nga të gjitha anët e këtij konflikti të brendshëm, e akuzuar njëkohësisht për mbështetjen e Vëllazërisë Myslimane dhe për projektimin e heqjes së tyre nga pushteti. Në fakt, Shtetet e Bashkuara me qëllim kanë zgjedhur të mos mbajnë anë. Interesi ynë thelbësor gjatë gjithë këtyre viteve të fundit ka qenë të inkurajojmë një qeveri që në mënyre legjitime pasqyron vullnetin e popullit egjiptian, dhe njeh demokracinë e vërtetë që kërkon respektim të të drejtave të pakicave, shtetit ligjor, lirisë së fjalës dhe grumbullimit dhe një shoqërie të fortë civile. Ky mbetet interesi ynë edhe sot. Dhe kështu, duke ecur përpara, Shtetet e Bashkuara do të mbajnë marrëdhënie konstruktive me qeverinë e përkohshme që nxit interesat thelbësore si Marrëveshja e Kamp Davidit dhe lufta kundër terrorizmit. Do të vazhdojmë mbështetjen në fusha si arsimi që i sjellin përfitim popullit egjiptian. Por nuk kemi vazhduar me shpërndarjen e disa sistemeve ushtarake dhe mbështetja jonë do të varet në përparimin e Egjiptit në ndjekjen e rrugës demokratike. Qasja jonë drejt Egjiptit pasqyron një drejtim më të gjerë: Shtetet e Bashkuara do të punojnë sipas rastit me qeveritë që nuk përmbushin pritshmëritë më të larta ndërkombëtare, por të cilat punojnë me ne për interesat tona thelbësore. Por nuk do të ndalojmë së mbrojturi parimet që janë në përputhje me idealet tona, qoftë kjo kundërshtimi i përdorimit të dhunës si mjet për shtypjen e mospajtimit, apo mbështetja e parimeve të mishëruara në Deklaratën Universale e të Drejtave të Njeriut. Do të kundërshtojmë konceptin se këto parime janë thjesht eksporte të perëndimit, të papajtueshme me islamin apo botën arabe – ato janë të drejta që në lindje për çdo njeri. Dhe ndërsa e pranojmë se ndikimi ynë ndonjëherë do të jetë i kufizuar, ndonëse do të jemi të kujdesshëm ndaj përpjekjeve për të detyruar demokracinë me forcë ushtarake, dhe se ndonjëherë do të akuzohemi për hipokrizi apo paqëndrueshmëri – do të angazhohemi në rajon për një periudhë të gjatë. Sepse puna e vështirë e farkëtimit të lirisë dhe demokracisë është detyrë e një brezi. Kjo përfshin përpjekje për të zgjidhur tensionet sektariane që vazhdojnë të dalin në vende si Iraku, Siria dhe Bahreini. Së fundi, këto çështje të vjetra nuk mund të zgjidhen nga të jashtmit; ato duhen shqyrtuar nga vetë komunitetet myslimane. Por kemi parë konflikte të tilla të rënda të marrin fund – më së fundmi në Irlandën e Veriut, ku katolikët dhe protestantët më në fund kuptuan se cikli i pafund i konfliktit po bënte që të dyja komunitetet të mbeteshin mbas në botën që ecte me shpejtësi. Për ta përmbledhur, Shtetet e Bashkuara kanë një përulësi të fituar më vështirësi kur vjen puna për aftësinë për të përcaktuar ngjarjet brenda vendeve të tjera. Koncepti i perandorisë amerikane mund të jetë propagandë e dobishme, por ai nuk është konfirmuar nga politika aktuale e Amerikës apo nga opinioni publik. Në të vërtetë, siç e tregoi qartë edhe debati i tanishëm brenda Shteteve të Bashkuara në lidhje me Sirinë, rreziku për botën nuk vjen nga një Amerikë që është e etur të përfshihet në çështjet e vendeve të tjera, apo të marrë përsipër çdo problem në rajon si të ishte i saji. Rreziku i botës është që Shtetet e Bashkuara, pas një dekade lufte, kuptueshëm të shqetësuara për problemet në vend, dhe të vetëdijshme për armiqësinë që angazhimi ynë në rajon ka rrezikuar nëpërmjet Botës Myslimane, mund të mos angazhohen, duke krijuar një boshllëk në rolin udhëheqës të cilin nuk është gati ta mbushë asnjë komb. Besoj se ky do të ishte gabim. Besoj se Amerika duhet të vazhdojë të jetë e angazhuar për sigurinë tonë. Besoj se bota është më e mirë për këtë. Disa mund të mos jenë dakord, por unë besoj se Amerika është e veçantë – pjesërisht për shkak se ne kemi treguar gatishmëri, nëpërmjet sakrificës së gjakut dhe thesarit, të ngrihemi jo vetëm për interesat tona të ngushta, por edhe për interesat e të gjithëve. Megjithatë, duhet të jem i sinqertë: ne jemi shumë të prirur të investojmë energjinë tonë në ato vende që duan të punojnë me ne; që investojnë për popullin e tyre, jo për një pakicë të korruptuar; që përqafojnë vizionin e shoqërisë ku cilido mund të kontribuojë – burrat dhe gratë, shia-të apo sunni-të, myslimanët, të krishterët apo çifutët. Sepse nga Europa deri në Azi; nga Afrika në Amerikë, kombet që duruan në rrugën demokratike kanë rezultuar më të begatë, më paqësore, dhe më të dhënë në mbështetjen e sigurisë sonë të përbashkët dhe humanizmit tonë të përbashkët. Dhe besoj se e njëjta gjë do të jetë e vërtetë për Botën Arabe. Kjo më çon drejt një pike të fundit: do të ketë kohë kur shkatërrimi i shoqërive do të jetë aq i madh, dhe dhuna kundër civilëve aq e konsiderueshme, saqë komuniteti ndërkombëtar do të thërritet për të vepruar. Kjo do të kërkojë mendime të reja dhe disa zgjidhje shumë të vështira. Ndërkohë që OKB-ja u krijua për të parandaluar luftërat mes shteteve, gjithmonë e më shumë ne po përballemi me sfidën e masakrimit brenda shteteve. Dhe këto sfida do të bëhen më të theksuara ndërsa përballemi me shtete të brishta ose në dështim – vende ku dhuna e tmerrshme vë në rrezik burra, gra dhe fëmijë, pa asnjë shpresë mbrojtjeje nga institucionet kombëtare. E kam bërë të qartë se edhe kur interesat thelbësore të Amerikës nuk kërcënohen në mënyrë të drejtpërdrejtë, jemi gati të bëjmë pjesën tonë për të ndaluar barbarizmat masive dhe të mbrojmë të drejtat e njeriut. Megjithatë, nuk mundeni dhe nuk duhet ta mbajnë gjithë këtë barrë vetëm. Në Mali mbështetëm si ndërhyrjen franceze që zmbrapsi në mënyrë të suksesshme al Qaeda-n, dhe forcat afrikane të cilat po ruajnë paqen. Në Afrikë, po punojmë me partnerët për t’i dhënë fund Ushtrisë së Rezistencës së Zotit. Dhe në Libi, kur Këshilli i Sigurisë dha mandat për të mbrojtur qytetarët, Amerika u bashkua me koalicionin që ndërmori masa. Për shkak të asaj që bëmë atje, u shpëtuan jetë të panumërta dhe një tiran nuk u lejua të vriste për t’u kthyer në pushtet. E di që disa tani kritikojnë veprimet në Libi si mësime. Disa shënojnë problemet me të cilat po përballet tani vendi – një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike që po përpiqet të garantojë sigurinë; grupe të armatosura, në disa vende ekstremiste, që udhëheqin pjesë të një toke të thyer – dhe argumentojnë se çdo ndërhyrje për të mbrojtur civilët është e destinuar të dështojë. Askush nuk mund t’ua vërë veshin këtyre problemeve aq sa unë, sepse ato çuan në vdekjen e katër shtetasve të shkëlqyer amerikanë të cilët ishin të përkushtuar ndaj popullit të Libisë, përfshirë edhe ambasadorin Chris Stevens – një njeri përpjekjet kurajoze të të cilit ndihmuan për të shpëtuar qytetin e Bengazit. Por, a beson në të vërtetë ndokush se situata në Libi do të ishte më e mirë nëse Kadafi do të lejohej të vriste, burgoste, apo brutalizonte popullin e tij për nënshtrim? A ka më shumë të ngjarë që pa masat ndërkombëtare Libia do të ishte tani e gllabëruar nga lufta civile dhe gjakderdhja? Jetojmë në një botë zgjedhjesh aspak të përkryera. Kombe të ndryshme nuk do të jenë dakord me nevojën për veprim në çdo situatë dhe parimi i sovranitetit është në qendër të rendit tonë ndërkombëtar. Por sovranitetit nuk mund të jetë mburojë e përdorur nga tiranët për të kryer vrasje të papërmbajtshme, apo shfajësim që komuniteti ndërkombëtar të bëjë një sy qorr ndaj kasaphanës. Ndërkohë që duhet të jemi modestë në besimin tonë se mund të shërojmë çdo të keqe dhe të kemi parasysh se bota është plot pasoja të paparamenduara, a duhet vërtetë të pranojmë konceptin se bota është e pafuqishme përballë Ruandës apo Srebrenicës? Nëse kjo është bota në të cilën duan të jetojnë njerëzit, atëherë duhet ta thonë këtë, dhe të marrin parasysh logjikën e ftohtë të varreve masive. Besoj se mund të përqafojmë një të ardhme tjetër. Nëse nuk duam të zgjedhim mes mosveprimit dhe luftës, duhet të përmirësohemi – të gjithë ne – në politikat që parandalojnë thyerjen e rendit bazë. Nëpërmjet respektimit të përgjegjësive të kombeve dhe të drejtave të individëve. Nëpërmjet ndëshkimeve të rënda për ata që thyejnë ligjet. Nëpërmjet diplomacisë këmbëngulëse që zgjidh shkaqet rrënjësore të konfliktit, dhe jo thjesht pasojat e tij. Nëpërmjet ndihmës së zhvillimit që sjell shpresë për të lënët mënjanë. Edhe në të vërtetë, ndonjëherë, gjithë këto nuk do të jenë të mjaftueshme – dhe në çaste të tilla komuniteti ndërkombëtar do të duhet të pranojë se përdorimi shumëpalësh i forcës ushtarake mund të nevojitet për të ndaluar që të ndodhë më e keqja. Së fundmi, ky është komuniteti ndërkombëtar që kërkon Amerika – i tillë ku kombet nuk lakmojnë tokën dhe burimet e kombeve të tjera, por në të cilin në zbatojmë qëllimin themelues të këtij institucioni. Një botë në të cilën rregullat e vendosur nga tmerret e luftës mund të na ndihmojnë të zgjidhim konfliktet në mënyrë paqësore, dhe të ndalojmë llojet e luftërave që luftuan paraardhësit tanë. Një botë ku qeniet njerëzore mund të jetojnë me dinjitet dhe përmbushin nevojat e tyre thelbësore, pavarësisht nëse jetojnë në Nju Jork apo Nairobi, në Peshavar apo në Damask. Këto janë kohë të jashtëzakonshme, me mundësi të jashtëzakonshme. Falë përparimit të njerëzimit, një fëmijë i lindur kudo në botë mund të bëjë gjëra sot që 60 vjet më parë do të kishin qenë të paarritshme nga shumica e njerëzimit. E pashë këtë në Afrikë, ku kombet që po kapërcejnë konfliktin janë tani gati të rinisin. Amerika është me ta: në partneritet për të ushqyer të uriturit, kujdesur për të sëmurët dhe për të sjellë energjinë në vendet pa energji elektrike. E shikoj këtë në Paqësor, ku qindra milionë janë nxjerrë nga varfëria në një brez të vetëm. E shikoj në fytyrat e të rinjve kudo ku mund të kenë informacion për mbarë botën me një të shtypur të butonit, dhe që janë të etur të bashkohen me kauzën e shkatërrimit të varfërisë ekstreme, luftës për ndryshimin e klimës, hapjes së bizneseve, zgjerimit të lirisë, dhe lënies mbas së betejave të vjetra ideologjike të së shkuarës. Kjo po ndodh në Azi dhe në Afrikë; në Europë dhe në Amerikë. Këtë të ardhme meritojnë popujt në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut – e ardhme ku ata mund të përqendrohen në mundësitë, jo në pyetjen në do të vriten apo shtypen për shkak të asaj çka janë apo asaj që besojnë. Herë pas here, kombet dhe popujt kanë treguar kapacitetin tonë për të ndryshuar – për të jetuar në përputhje me idealet më të larta të humanizmit, për të zgjedhur historinë tonë më të mirë. Muajin e kaluar qëndrova atje ku Martin Luther King I riu u tregoi amerikanëve ëndrrën e tij, në një kohë kur shumë njerëz të racës sime as nuk mund të votonin për zgjedhjen e presidentit. Pak kohë më parë këtë vit, qëndrova në qelinë e vogël ku Nelson Mandela duroi dekada izolimi nga populli i tij dhe bota. Kush jemi ne të besojmë se sfidat e sotme nuk mund të kapërcehen, kur kemi parë se çfarë ndryshimesh mund të sjellë shpirti njerëzor? Kush në këtë sallë mund të argumentojë se e ardhmja u përket atyre që kërkojnë ta shtypin këtë shpirt, e jo atyre që kërkojnë ta lirojnë atë? Unë e di se në cilën anë të historisë dua të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jemi gati të përballemi me sfidat e së nesërmes me ju – të vendosur në besimin se gjithë burrat dhe gratë janë krijuar të barabartë, ku çdo individ bart një dinjitet që nuk mund të mohohet. Prandaj edhe shikojmë drejt së ardhmes jo me frikë, por me shpresë. Prandaj edhe vazhdojmë të jemi të bindur se ky komunitet kombesh mund të sjellë një botë më paqësore, më të begatë dhe të drejtë për brezin tjetër. (Marrë nga Ambasada Amerikane në Tiranë, publikuar prej saj )
Posted on: Sun, 29 Sep 2013 06:39:55 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015