Erjon Bogdani i jep zemër skuadrës nga distanca, duke i kërkuar - TopicsExpress



          

Erjon Bogdani i jep zemër skuadrës nga distanca, duke i kërkuar të tregohen të bashkuar dhe të mos e ulin kokën edhe pas një humbjeje të hidhur si ajo me Slloveninë. “Ndeshjen e pashë të regjistruar, sepse nuk kisha mundësi ta shikoja në orarin zyrtar, prej një impenjimi personal. Por, realisht humbëm shumë raste dhe kjo është për të ardhur keq”, – thotë për “Panorama Sport” goleadori rekordmen i kuqezinjve. Ndërkaq, një pjesë e lojtarëve nën zë pranojnë se ndihet mungesa e sulmuesit veteran, qoftë edhe për mbështetje morale. Erjon, si ju duk ndeshja kundër Sllovenisë? Ishim të pafat. Humbëm aq shumë raste për gol, saqë të dukej e pabesueshme. Më erdhi keq. Unë nuk e pashë ndeshjen direkt, për shkak të një impenjimi, e pashë ripërsëritje. Sa shanse kemi tani për të luftuar për vendin e dytë? Kemi shanse të mira. Nëse ka një gjë që kam mësuar në futboll dhe sidomos në filozofinë e futbollit italian është: mos e ul kurrë kokën. Ashtu sikundër humbëm shumë raste me Slloveninë, mund të fitojmë kundër Islandës. E rëndësishme është që në këtë moment të ketë mbështetje nga jashtë. Skuadra ka nevojë për qetësi dhe besim. Nuk duhet kurrsesi të shkojnë të trembur, apo nën presion në Islandë. Çfarë nuk ju pëlqen nga skuadra në këtë moment dhe a u mërzitët që mbetet jashtë? Së pari, nuk u mërzita, sepse normalisht jam pa ekip dhe, megjithëse stërvitem rregullisht, ndoshta nuk jam gati. Së dyti, mua nuk më pëlqen sjellja ose atmosfera që krijohet pas një humbjeje. Është gjithnjë tendenca të bëjmë dikë fajtor dhe ta dramatizojmë situatën. Sigurisht, humbja me Slloveninë i ndërlikoi shumë gjërat, por nuk fitojmë asgjë duke kërkuar fajtorë. Tani ekipi ka nevojë për mbështetje, sepse nuk mund të hidhet poshtë puna e një edicioni në një ndeshje të vetme. Këtu e kam fjalën për skuadrën dhe stafin. Çfarë këshille do t’i jepje skuadrës në distancë për ndeshjen me Slloveninë? Duhet t’i besojnë Salihit. Ai është një lojtar i shkëlqyer, që mund ta nxjerrë golin edhe nga hiçi. Tani ka shumë eksperiencë dhe e di mirë se, pas atyre rasteve të humbura në Slloveni, është aq i karikuar sa mund të bëjë diferencën kundër Islandës. A keni folur me ndonjë nga lojtarët? Kam folur me Hamdiun (Salihin). I thashë të mos dorëzohet dhe të mos demoralizohet. Ai është një pikë referimi tani në ekip dhe, nëse i besojnë fuqimisht, do dijë të bëjë diferencën. Çfarë do të bëni me të ardhmen tuaj? Nuk dua të nxitohem. Jam në bisedime me disa klube, por do ta vendos së bashku me menaxherin tim, me të cilin do takohem këtë javë. Kam marrë një ofertë të shkëlqyer nga Leçe, por jam i pavendosur, sepse nuk dua të luaj në kategorinë e tretë. Mendoj se mund të jap akoma në nivele të larta. Të shohim, nuk e kam vendosur.
Posted on: Mon, 09 Sep 2013 12:29:13 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015