LITURGJIA E FJALËS Leximi i parë Lexim prej Zbulesës së - TopicsExpress



          

LITURGJIA E FJALËS Leximi i parë Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull 11, 19; 12, 1-6.10 Atëherë u hap tempulli i Hyjit që është në qiell dhe u duk Arka e Besëlidhjes së tij në tempullin e tij, shërthyen vetëtimë, gjëmë e rrufe, termet dhe breshër i madh! Në qiell u duk një shenjë e madhërueshme: një Grua e veshur me diell, me hënë nën këmbë, në krye kurorën me dymbëdhjetë yje! Shtatzënë, bërtiste në mundime, në dhimbjet e lindjes. Pastaj në qiell u duk edhe një shenjë tjetër: Ja, Dragoi! I madh, i zjarrtë, me shtatë kokë e dhjetë brirë! Mbi kokë shtatë kurorë! Bishti i tij ngrehte pas vetes të tretën e yjeve të qiellit – dhe i rrëzoi për tokë! Dragoi zuri vend para Gruas që po lindte fëmijën që, posa ta lindte fëmijën, t’ia hante. Dhe Ajo lindi fëmijën – një djalosh – që do të sundojë të gjithë popujt me skeptër hekuri. Por fëmija i saj qe sjellë te Hyji dhe te froni i tij, kurse Gruaja iku në shkreti ku Hyji ia përgatiti një vend që atje të ushqehej për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë. Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell, që thoshte: “Ja, tani koha e shëlbimit, e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë dhe e sundimit të Krishtit të tij! Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë. Fjala e Zotit Falënderojmë Hyjin. Psalmi 44 Në të djathtën tënde, o Zot, shkëlqen mbretëresha Bija mbretërish janë në përcjelljen tënde, në të djathtën tënde të qëndron mbretëresha, në ar Ofiri e ngrirë. Më vështro, o bijë, shih e dëgjo: harroje popullin tënd dhe shtëpinë e babës tënd. Nëse mbretit do t’i pëlqejë bukuria jote, nderoje atë, ai është zotëria yt! Përcjellja e saj, shoqet e saja, vajza. Me hare u prijnë e me brohori, ja, po hyjnë në pallatet e mbretit! Leximi i dytë 1 Kor Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve 15, 20-26 Vëllezër, Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve! Kështu, pra, nëpër një njeri erdhi vdekja, përsëri nëpër një njeri vjen ngjallja prej së vdekuri. Dhe, sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën. Veçse, secili sipas radhës së vet: një herë fryti i parë, Krishti; pastaj, në ditën e gjyqit, ata që i përkasin Krishtit, pastaj mbarimi, kur Krishti t’ia dorëzojë mbretërinë Hyjit Atë, pasi të ketë asgjësuar çdo parësi, çdo pushtet e çdo fuqi. Sepse Atij i takon të mbretërojë derisa t’i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij. Armiku i fundit që do të asgjësohet, do të jetë vdekja. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin. ALELUJA, aleluja. Maria u ngjit në qiell: galdojnë aradhat engjëllore. Aleluja Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës 1, 39-56 Ndër ato ditë, Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. Ajo hyri në sthtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën. Tashti, posa Elizabeta e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharorin e saj. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt dhe brohoriti me zë të lartë: “Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë nëna e Zotit tim? Ja, se, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshë të mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!” Atëherë Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin, shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim, sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: po, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur.Sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm: i shenjtë është Emri i tij! Mëshira e tij brezni me brezni për ata që e nderojnë. E tregoi fuqinë e krahut të vet: i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve; i rrëzoi princat prej froneve të tyre, e i lartësoi të përvujtët. Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë, e të pasurit i nisi duarthatë. I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet, duke u sjellë në mend mëshirën – si ua pati premtuar etërve tanë – në dobi të Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.” Maria ndenji me Elizabetën rreth tre muaj, e atëherë u kthye në shtëpinë e vet. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.
Posted on: Thu, 15 Aug 2013 10:16:10 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015