Marksi përballë Veberit: A Ndikon Feja në Politikë dhe - TopicsExpress



          

Marksi përballë Veberit: A Ndikon Feja në Politikë dhe Ekonomi? A ushtron kultura, e në veçanti religjioni, një ndikim shkakësor të pavarur mbi politikën dhe ekonominë, apo ajo është thjesht një reflektim i këtyre të fundit? Kjo pyetje është subjekt i një debati të gjatë në shkencat shoqërore, me Karl Marksin dhe Maks Veberin ndër mbështetësit e saj më të njohur. I pari njihet për opinionin që ndërsa ekonomia influencon kulturën, e kundërta nuk është e vërtetë. I dyti, nga ana tjetër, kundërshtonte këtë pikëpamje dhe insistonte që shkakësia shkon nga të dy drejtimet. Në veçanti, tek “Etika Protestante dhe Shpirti i Kapitalizmit”, Veberi pretendon që Protestantizmi i Reformuar, duke kultivuar preferenca të forta për punën e palodhshme dhe administrimin e kujdesshëm, kishte çuar në një lulëzim ekonomik më të madh. Studimi i Bankës Qendrore Evropiane (2011) na jep evidenca të reja mbi këtë pyetje thelbësore, duke përdorur një thuajse-eksperiment me ekonominë zvicerane. Zvicra, sipas autorëve është mjaft e përshtatshme nëse duam të studiojmë efektet e fesë mbi politikën dhe ekonominë pasi ajo është një nga të paktat vende që shfaqin një variacion fetar të vërtetë brenda vendit. Herët në shekullin e XVI disa kantone adoptuan reformimin ndërsa të tjerat jo, duke mundësuar kështu dy grupe, një për të studiuar dhe tjetrin si variabël kontrolli. Por Zvicra është gjithashtu një vend gjeografikisht dhe institucionalisht i shumëllojshëm dhe vendimi për të adoptuar reformimin ishte në realitet i korreluar me gjeografinë dhe institucionet. Shumica e konfederatave urbane adoptuan reformimin ndërsa qendrat rurale dhe malore mbetën katolike. Për të adresuar këtë çështje autorët fokusohen në nënndarjet homogjene gjeografikisht dhe institucionalisht të Konfederatës: zona në Zvicrën perëndimore që përbëhet nga kantonet e sotme Vaud-it dhe Friburg-ut. Në këtë vendosje procesi i reformimit çoi në variacion të jashtëm të religjionit. Deri në vitin 1476, rajoni drejtohej nga duka e Savojit. Megjithatë, më pas, zviceranët mundën Burgundinë dhe aleatin e saj Savojin në luftërat në Burgundi. Negociatat për paqe ia dhuruan gjysmën lindore të rajonit qytetit republikë të Friburgut. Kur idetë protestante u përhapën në vitet 1520 anëtarët e magjistratit të Friburgut vendosën të qëndronin me fenë e vjetër, kurse Berni adoptoi përfundimisht religjionin e ri. Kur Berni pushtoi më në fund më 1536-n atë që sot quhet kantoni Vaud ai imponoi protestantizmin mbi popullin e ri të nënshtruar. Për këtë arsye autorët e përjashtojnë vetë-zgjedhjen e përkatësisë fetare. Përqendrimi tek Zvicra ka avantazhe jo vetëm metodologjike por edhe esenciale. Trajtimi i mëparshëm i Veberit i mbledh bashkë degëzimet e ndryshme të protestantizmit në Evropën perëndimore. Megjithatë, etika protestante bën dallim ndërmjet ndasive të ndryshme të protestantizmit, ku besimet që mbështesin fort etikën e punës marrin formën më rigoroze tek mësimet kalviniste. Luteranizmit, nga ana tjetër, i mungon mekanizmi që Veberi e konsideronte vendimtar për ngritjen e shpirtit të kapitalizmit. Ndërkaq, Zvicra është vendlindja e kalvinizmit, i cili nga aty u përhap në Holandë dhe botën anglo-saksone. Por studimi shkon përtej një vlerësimi të radhës të hipotezës së Veberit me një shembull dhe strategji identifikimi ndryshe nga më parë. Autorët tregojnë se modeli klasik i Maks Veberit përfshin hipoteza jo vetëm për etikën e punës dhe administrimin e kujdesshëm ekonomik, por edhe mbi preferencat politike, me implikime të shumanshme për zgjedhjen e institucioneve politike dhe përkrah tyre për pasojat ekonomike si në të ardhurat mesatare dhe në pabarazinë e të ardhurave. Në veçanti, kjo literaturë sugjeron se, në krahasim me katolicizmin roman, protestantizmi i reformuar ka formësuar preferencat për rishpërndarjen e të ardhurave dhe për ndërhyrjen e qeverisë në ekonomi. Rezultatet empirike të këtij studimi sugjerojnë se, ceteris paribus, në një elektorat me protestantë të reformuar mbështetja për më shumë kohë të lirë është rreth 13 pikë përqindje më e ulët se në një elektorat katolik, dhe se mbështetja për ndërhyrjen e qeverisë gjithashtu është rreth 11 pikë përqindje më e ulët. Këto rezultate qëndrojnë në të gjitha testet metodologjike me dimensionet e tyre përkatëse. Mbështetja për rishpërndarjen e të ardhurave është gjithashtu më e ulët në bashkitë protestante, por vërtetësia e rezultateve varet nga përzgjedhja e modelit. Rezultatet nuk provojnë dot ekzistencën e efekteve të njëjta mbi të ardhurat mesatare, por ato nxjerrin në pah se bashkitë protestante shfaqin qartë pabarazi më të lartë tek të ardhurat. [i] Përmbledhje e studimit nga Christoph Basten dhe Frank Betz (2011) “Marx vs. Weber: Does Religion Affect Politics and the Economy” Banka Qendrore Evropiane, Teme Diskutimi nr. 1393 / Tetor 2011.
Posted on: Fri, 15 Nov 2013 17:18:38 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015