Athanas Tashko-Sulltanit: Pa shqiptarët, je i mbaruar Nga: Prof. - TopicsExpress



          

Athanas Tashko-Sulltanit: Pa shqiptarët, je i mbaruar Nga: Prof. NASHO JORGAQI Athanas Tashko-Sulltanit: Pa shqiptarët, je i mbaruarBir i bekuar i Shqipërisë”. Kështu do ta quante Fan Noli Athanas Tashkon dhe për ta bërë më tokësor e cilësoi “Shok i kryqëzatës kombëtare”, një vlerësim ky që përmbledh e mishëron gjithë meritat dhe kontributet e tij të shquara në luftën për kauzën e lirisë së Shqipërisë. Ai hyri në lëvizjen kombëtare si një luftëtar i thjeshtë dhe brenda një kohe të shkurtër, falë përkushtimit atdhetar, virtyteve burrërore, mençurisë dhe trimërisë së urtë, të shprehura këto në veprimtarinë e tij patriotike, u bë një figurë qendrore e kolonisë shqiptare të Misirit. I lindur në Frashër të Dangëllisë (1863), prej nga kishin dalë një plejadë e ndritur patriotësh dhe intelektualësh, Athanasi 20-vjeçar mërgoi së bashku me tre vëllezërit e tij në Afrikën e largët. Ishte kjo fillimisht një aventurë e tashkollarëve të rinj për mbijetesë, duke marrë parasysh endjet e tyre nga një vend në tjetrin, ku dy nga vëllezërit lanë kockat, njëri në Jemen e tjetri në Madagaskar, ndërsa Athanasi u dha për një kohë pas gjuetisë së luanëve dhe panterave në Abisini, për t’u vendosur përfundimisht në Egjipt. Pa ndonjë shkollë për të qenë dhe pa ndonjë zanat, ai e përballon jetën duke nisur nga punë të rëndomta, si sheqerxhi e kafexhi, për të hapur pastaj ndonjë dyqan, derisa me përpjekje dhe sakrifica arriti të bëhet hotelxhi. Ngriti në Fajum, 100 km larg Kairos, një hotel që e quajti “Grand Hotel Caroun”, ku me kohë solli dhe familjen dhe më vonë ngriti dhe “Hotelin Moeris” buzë liqenit Karun, në mes të shkretëtirës. Me një punë të tillë Athanasi gjeti dhe afirmoi veten, duke i kthyer hotelet e tij nga lokalet më të frekuentuara për turistët e huaj, e ç’është më e rëndësishme, në qendra të patriotëve shqiptarë, aq sa do t’i quanin ‘Teqe shqiptare’. Emri i nderuar dhe mikpritja e pronarit, kushtet dhe komoditeti i hoteleve, i bënë lokalet brenda një kohe të shkurtër vende të preferuara. Në rrethana të tilla, Athanas Tashko krijoi bazën dhe hapësirat e nevojshme për veprimtarinë e tij politike. Misiri ishte i mbushur me koloni shqiptarësh dhe në një terren të tillë s’kishte si të mos lindte e vepronte prej kohësh lëvizja kombëtare. Këtë e dëshmonin shoqëritë patriotike dhe shtypi që botohej. Nga gjiri i tyre kish dalë Thimi Mitko, babai i folkloristikës shqiptare, që kish botuar librin “Bleta shqiptare”. Athanasi nuk e arriti këtë kohë, por në kohën e tij në Misir jetonin e punonin figura të shquara intelektualësh patriotë, si A. Z. Çajupi, F. Shiroka, S. Dine. L. Ligori, M. Duçi etj. Mes tyre Athanasi do të gjente e lidhej ngushtë me mikun e tij të jetës, patriotin Jani Vruho, me të cilin do të bëhej një binom i pandarë. Në hotelin e Tashkos do të strehohej dhe Theofan Mavromati, një djalë i zgjuar e patriot i flakët, ardhur nga një fshat shqiptar i Trakës. Aty do të vinin miq militantë të lëvizjes kombëtare, si B. Topulli, I. Temo, M. Grameno etj. Hotelet dhe shtëpia e Tashko ishin një copë Shqipëri, ku flitej shqip, ku lexoheshin gazeta dhe libra shqip, ku vinin lajme e informacione nga Shqipëria e mbi të gjitha kuvendohej e diskutohej për kauzën dhe fatin e atdheut të robëruar. Sipas dëshmive të kohës, ai që i jepte tonin dhe i peshonte fjala ishte i zoti i shtëpisë. Athanasi tani kish atributet e misionarit e propaganduesit të pjekur të çështjes shqiptare, të militantit energjik e të sakrificës, të burrit të hapur e kurajoz, të një inteligjence natyrale dhe të një kulture të fituar më shumë nga jeta sesa nga librat. Në lëvizjen kombëtare shqiptare të Misirit Athanas Tashko do të përbënte një zë të vetin. Duhet pasur parasysh që situata politike e komunitetit shqiptar përballej me plot probleme. Kryeproblemi ishte çështja e bashkimit, lufta kundër përçarjes që sillnin elementët grekomanë dhe turkoshakë, prapa të cilëve qëndronin interesa të shtetit grek dhe atij turk. Për fat të keq këto interesa gjenin mbështetje te disa nga pasanikët dhe intelektualët shqiptarë të Misirit, mes të cilëve dallonin Dr. Adhamudhi dhe Dr. Turtulli. Ishin këta me shokët e tyre që shkaktonin probleme në shoqëritë “Vëllazëria” dhe “Bashkimi” apo dhe në shtypin e tyre. Duke qenë njerëz me emër dhe të kamur, me përvojë intrigash, kjo kategori shqiptarësh përbënte krahun konservator dhe oportunist. Sigurisht, këtij krahu do t’i kundërviheshin shqiptarët patriotë të shtresave të ulëta e të mesme me në krye Athanas Tashkon, i cili, i frymëzuar nga ide demokratike, ishte i ndërgjegjshëm për kufirin klasor që ndante komunitetin shqiptar dhe sillte përçarje. Në këtë situatë të ndërlikuar, Athanas Tashko do të tregohej një organizator i shkëlqyer për afrimin dhe bashkimin e vëllezërve të një gjaku. Ai do të dallohej dhe për aftësitë e veçanta që kish për t’u lidhur e bashkëpunuar me vatrat e tjera të diasporës shqiptare nëpër botë, nga Ballkani në Siberinë e largët, nga Afrika në Amerikë. Korrespondenca e tij e gjerë dhe e pasur është pasqyrë e qartë e veprimtarisë së suksesshme politike dhe organizative për të përfshirë dhe aktivizuar mërgatën shqiptare në kauzën dhe aksionet e lëvizjes kombëtare. Temat dhe problemet e letërkëmbimit janë nga më të ndryshmet, sa jetike aq të ndërlikuara, çështje që për t’u zgjidhur kërkojnë mençuri, kurajë, njohje dhe informim, sakrifica dhe veçanërisht karakter të fortë, cilësi këto që i gjejmë të mishëruara në personalitetin e Tashkos. Në epistolarin e tij, që e konsideronte si një nga mjetet kryesore të luftës politike, do të gjejmë dy lloj letrash: letra private, dërguar miqve dhe aktivistëve të lëvizjes, dhe letra të hapura, të botuara në shtypin e kohës. Të parat kanë të bëjnë me emra të njohur të historisë sonë, si A. Z. Çajupi, S. Kolea, F. Noli, K. Luarasi, I. Temo, M. Duçi etj., ku hidhet dritë jo vetëm në marrëdhëniet miqësore, por dhe në qëllimet dhe përpjekjet e përbashkëta atdhetare. Mjafton të përmendim letrat e Nolit, që përbëjnë nga faqet më të bukura të epistolarit shqiptar, ku Tashko zbulohet si mentor, mësues dhe udhëheqës shpirtëror i Nolit. Fondi më i pasur i letërkëmbimit privat është ai mes S. Kolesë dhe Tashkos, mbushur me probleme dhe shqetësime, me kritika, madje dhe polemika të rrepta nga ana e Tashkos, ku manifestohen pjekuria dhe drejtësia e mendimeve të tij, principialiteti dhe natyra burrërore që e karakterizojnë. Letrat publike Nga letrat publike do të veçonim dy prej tyre, njëra drejtuar L. MT Sulltan Mehmetit V në Stamboll (1908) dhe tjetra dërguar Faik Konicës (18/12/1912). E para duket gati e pabesueshme, duke pasur parasysh karakterin e theksuar kritik, qortimet e rënda dhe konstatimet tepër të guximshme që i zbulon sundimtarit tiran. Ai e akuzon se “nuk ke haber se ç’bëhet në shtëpinë tënde, se nuk mentonesh pak edhe ti si njeri dhe jo si mbret.” Ai i kujton se “mbretëria e juaj rrojti në Europë 500 vjet, nën hijen e nën mbrojtjen tonë, të shqiptarëve.” Bile e kërcënon kur i shkruan: “Sulltan, Sulltan, pa neve shqiptarët, nuk qëndron dot në fron të Mbretërisë Osmane as ti as ndonjë tjatër nga shtëpia juaj”. Kurse në fund guxon ta këshillojë: “Mos kërko mbrojtjen e ndonjë Fuqie të Madhe, kërko mbrojtjen tonë, eja me neve dhe mos ki frikë.” Letra mban nënshkrimin “Komiteti i fshehur dhe i reshtur D. Sh. (Dora e shkopit). Letra shkruar Faik Konicës është nga të rrallat shoqe në epistolarin e Rilindjes sonë, për nga fryma e thellë kritike, për nga vërtetësia me të cilën zbulon karakterin dhe natyrën e Konicës. Ai nuk e mohon se kur është “në orë të mira shkruan shumë bukur dhe i shërben çështjes sonë kombëtare.” Por në realitet, arsyeton Tashkoja, “zotrote një herë në mot shkruan për të gëzuar zemrat tona dhe nëntëdhjetë e nëndë për t’i ftohur.” Me ironinë e tij të hollë vë në dukje se Konica kërkon ta bëjë monopol patriotizmin. “Zotrote, - i shkruan, - kërkon që të mos ketë në botë tjatrë shkrimtar, gazetar, politikan ose kryetar përveç teje. Mirëpo shqiptarët nuk duan kështu e në qoftë se ajo do të bënet nga një Faik, për një Faik e me një Faik kurrë mos u bëftë!” Ndaj në fund e mbyll me këto fjalë të rrepta, pa u ndrojtur nga autoriteti i tij publik: “Mblith mendjen, pra, o zotëri se na plase shpirtin. Na plase zemrën sepse nuk ke lënë gjë pa sharë, të duruam shumë, por që tani e tutje, nuku do të durojmë se nuku durohesh.” Në Rilindje S’ka dyshim që Athanas Tashko, në historinë e Rilindjes sonë Kombëtare, bëri emër të nderuar jo vetëm si një nga organizatorët energjikë dhe veprimtarët aktivë, por dhe si publicist i talentuar, me shkrimet kombëtare që botoi në shtypin e diasporës, nëpër faqet e gazetave autoritare si “Drita”, “Kombi”, “Dielli”, “Liria e Shqipërisë”, “Koha”, “Rrufeja” etj. Publicistika e tij karakterizohej nga tipare të veçanta, si për nga stili origjinal, ashtu dhe për nga fryma optimiste, tonet kritike, trajtimi realist i problemeve, konceptet demokratike dhe popullore. Ai u qëndronte besnik rrënjëve të prejardhjes fshatare, siç qe treva e Dangëllisë, e njohur për psikologjinë burrërore, kulturën e brendshme dhe zakonet fisnike, të cilat ai do t’i shfaqte në publicistikën e tij. Ai mbante në gazetat shqiptare të diasporës, rubrikën e tij “Letra nga Egjipti” ose “Letra nga Misiri”, ku ngrinte dhe trajtonte me guxim dhe profesionalizëm disa nga problemet jetike të lëvizjes kombëtare, si mbi bashkimin e shqiptarëve, mbi nevojën e të shkruarit shqip, për kualifikimin e shtypit shqiptar, luftën kundër megalidhesë, stigmatizimin e mercenarizmit etj. Ai zhvillon polemika të rrepta me kundërshtarët, madje dhe me miqtë e tij të afërt, si Sotir Kolea, Fan Noli etj. Me firmën e tij gjejmë dhe vargje të tilla si: “O Jemen i Arabisë/ Varr’ i zi i Shqipërisë/ Na përpive që të gjithë/ Se jemi katran me pisë. Gazeta “Shkopi” Në vitin 1907 Tashkoja nxjerr gazetën “Shkopi”, të cilën e përgatiste në Kajro dhe e botonte në shtypshkronjën “Mbrothësia” të Sofjes. Ishte i pari organ satirik në historinë e gazetave shqiptare, me profil kryesisht politik. Ai u botua në gjuhën shqipe dhe greke, me një format modest prej 6 faqesh, shoqëruar me shënimin “Del kur mundet në Kajro të Misirit dhe shpërndahet pa të holla.” Drejtor i saj është Dora (pseudonim i Tashkos) dhe pjesa më e madhe e artikujve kanë autorësinë e tij, por nuk mungojnë dhe bashkëpunëtorë si Jani Vruho, Çajupi, M. Grameno etj. Që në krye “Shkopi” bën të qartë misionin që ka marrë përsipër: “Të mprojë të drejtat e kombit shqiptar”, por nga ana tjetër të fshikullojë e të godasë, të tallë e të thumbojë armiqt’ e Shqipërisë, sidomos grekët e turqit, duke mos kursyer as sulltanin”. Një vend me rëndësi zinin kritikat dhe tallja e dobësive dhe dukurive negative të shqiptarëve. “Shkopi” që në numrin e parë hapet me artikullin kushtuar dëshmorit kombëtar Spiro Jovan Kosturi, vrarë e masakruar nga shovinistët grekë. “Duke vrarë Spiron, - shkruan Dora, - janë vrarë të gjithë shqiptarët, të krishterë e myslimanë”, ndaj bën thirrje për hakmarrje dhe vigjilencë. “O burra, o shokë, - thotë, - ta ruajmë nderin e Shqipërisë e të baballarëve tanë.” Pesha e “Shkopit” do të ngrihet më tej në numrat pasues, kur do të trajtojë problemin e gjuhës shqipe, si frymëmarrjen e patriotizmit të shqiptarëve për të cilët ata duhet të luftojnë, duke e mbrojtur nga armiqtë e kombit. Në një artikull tjetër shtron rëndësinë e alfabetit shqip dhe mbështet alfabetin e Stambollit. Akoma më e thellë dhe kurajoze është publicistika politike e Tashkos, kur vë në shënjestër armiqtë, sa të rrezikshëm e të pabesë, siç janë qarqet greke e turke që nuk ia duan të mirën shqiptarëve (“Ç’ishte Turqia? Ç’janë shqiptarët” ose “Xhuxhë-majmunët e Vllahisë” apo “Turqit bënë sikur të vunë vetulla dhe të nxuarnë sytë” etj.) Te “Shkopi”, një vend të posaçëm zë dhe poezia satirike, që vë në lojë dhe demaskon antishqiptarët, tradhtarët, oportunistët dhe dobësitë e veset e bashkatdhetarëve. Autori kryesor i vargjeve satirike është vetë Tashkoja, por nuk mungojnë dhe bashkëpunëtorët, midis tyre dhe A. Z. Çajupi. Vargjet e “Shkopit” janë të thjeshta dhe të kuptueshme, godasin në shenjë dhe shquhen për humorin e hollë e të mençur, në frymën e satirës popullore. A. Tashko, s’ka dyshim, është nga pionierët e parë të letërsisë humoristike e satirike shqiptare. Publicistika e tij mbetet shëmbëlltyrë dhe për gjuhën shqipe, të cilën e lëvroi për afro dy dekada. Një shqipe burimore, e natyrshme dhe e rrjedhshme, e qartë dhe e thjeshtë, por dhe me ngjyrime stilistike dhe plot shprehje popullore. Tashkoja si njeri Tashkoja njeri është një dimension tjetër i vlerave të tij: i thjeshtë dhe popullor, shpirtmadh, mendjehollë dhe i kthjellët, i drejtë e i ndershëm, largpamës, i qartë e i vendosur në rrugën që kish nisur, temperament i gjallë, shpesh shpërthyes dhe njeri i aksionit. Ai do të njihej e çmohej dhe si njeri zemërbardhë, i gatshëm për sakrifica për të ndihmuar të tjerët dhe me të drejtë konsiderohej si një filantrop i madh. Mjafton të kujtojmë ndihmën e pakursyer që i dha Nolit, kontributet për shkollat e Korçës, dërgimin në Korçë me shpenzimet e tij të dirigjentit italian të Bandës së Lirisë, ndihma e rregullt për arkën e kishave (Llason) të ndërtimeve publike, ndihma për shtypshkronjën “Luarasi”, pa përmendur faktin e njohur publikisht që hotelet e tij në Fajum u kthyen në vatra dhe streha falas të sa e sa patriotëve. Ne mes të Afrikës Athanas Tashkoja krijoi familjen e tij, një familje tipike shqiptare, për nga gjuha, zakonet, virtytet, kultura. U bë babai i gjashtë fëmijëve, të cilët jo vetëm i edukoi dhe i brumosi shqiptarisht, por përballoi dhe shpenzimet e shkollave të larta që ata kryen. Jeta dhe fati i tyre përbën një sagë të vërtetë. Djali i madh, Koço, kreu studimet në Harvard dhe u bë nga liderët e lëvizjes revolucionare në Shqipëri; Anastasi ose Arturi studioi në Vjenë dhe Harvard dhe u njoh si muzikant dhe si piktor me famë botërore; Gaqua u bë doktor i Shkencave Ekonomike në Vjenë dhe arriti të jetë një nga ministrat e nderuar të Bujqësisë në Shqipëri; Alekua studioi në Paris për Fizikë të lartë dhe u çmua si një nga pionierët e arsimit të mesëm shqiptar. Pjesë e kësaj sage, më e nderuar dhe më e famshme, do të ishte sopranoja e madhe Tefta Tashko, që u nda shpejt nga jeta, po që rrugën e saj muzikore do ta ndiqte i biri, Eno, si dirigjent, muzikolog dhe instrumentist i talentuar. Ç’mund të kërkonte e të priste tjetër një baba si Athanas Tashko nga fëmijët e tij, të cilët me jetën dhe punën e tyre të vyer nderuan jo vetëm prindërit, por edhe atdheun dhe kulturën shqiptare. Po, atdheun, gjënë më të shtrenjtë që pati në jetë Athanas Tashko, për të cilin, sa qe gjallë i qante zemra, aq sa erdhi dy herë për ta ndihmuar në vite të vështira krizash politike dhe ekonomike (1909, 1914) dhe u kthye rishtazi në Afrikën e largët nga rrethanat e mbrapshta të kohës, për të mbyllur sytë në tetor 1915, në moshën më të bukur të burrit. Diku ai do të shkruante: “Atdhetaria ime... nuk është për interes, është detyrë njeriu, me ndjenja të njerzinjta.” Gjithë jeta e tij në shërbim të Shqipërisë e tregoi dhe e vërtetoi këtë të vërtetë katërçipërisht. Ndaj me të drejtë Mihal Grameno do të shkruante: “Historia kombëtare do ta ketë në faqet e saj Athanas Tashkon duke zbukuruar shtyllat e saj me veprat dhe patriotizmin e tij.” 150-vjetori i lindjes së Athanas Tashkos është rasti më i mirë për ta kujtuar e nderuar me mirënjohje të thellë këtë figurë, mendimet dhe veprimtaria e gjithanshme e të cilit sjellin në kohën tonë vetëm dritë besimi dhe optimizmi për Shqipërinë dhe shqiptarët. (er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
Posted on: Sun, 06 Oct 2013 14:12:50 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015