Lufta speciale ndaj Xhabir Hamitit, me kërcënime, shantazhime, - TopicsExpress



          

Lufta speciale ndaj Xhabir Hamitit, me kërcënime, shantazhime, dhe me puçe të njëpasnjëshme, nuk është luftë vetëm ndaj tij individualisht, por është një luftë për të eliminuar vlerat fetare dhe kombëtare të popullit tonë në përgjithësi dhe tendencë permanente e zëvendësimit të tyre me mentalitetin e "Tora Bora"-s, të cilin e ka krijuar dhe kultivuar lëvizja ultra vehabite dhe selefite, e që përfaqësuesit e tyre, sot, për fat të keq, me të dy këmbët janë futur thellë në institucionet dhe organet e BIK-së, me derën që ua ka hapur atyre kreu i kryesisë së BIK-së, Naim Tërnava. Kështu ka vlerësuar Sindikata e Punëtorëve e Bashkësisë Islame të Kosovës, në një komunikatë dërguar mediave, e me anë të së cilës, kanë akuzuar udhëheqësit aktuale të BIK-ut, për siç thonë ata, puçin ndaj Xhabir Hamitit, të ndihmuar edhe nga Lëvizja politike Islame LISBA. “Ajo që ka ndodhur më 20.08.2013, ku është tentuar që me çdo kusht, të futet në rend të ditës, aty për aty drafti për ndryshimin e Kushtetutës së BIK-së, veprim të cilit i ka rezistuar Prof. Hamiti, për faktin se ishte tentativë ilegjitime dhe grackë e përgatitur paraprakisht nga disa anëtarë të kuvendit, me para projektim të Naim Tërnavës, është argumenti më eklantat i daljes në shesh të “koalicionit të heshtur të Tërnaves me grupe anti fetare dhe anti kombëtare të vendit tonë”, për çfarë opinionin edhe e kemi bërë me dije qysh herët”, thuhet në komunikatë.. Po ashtu në këtë reagim thuhet se shkarkimi i Hamitit nga pozita e kryetarit të kuvendit të BIK-së, me kërkesën më të zëshme edhe të një përfaqësuesi ideologjik të LISBA-së, si dhe me miratimin edhe të Tërnavës, kjo nuk do më shumë koment, se në duar të kujt dhe nga kush është duke u udhëhequr BIK-së. Sindikata e Punëtorëve të Bashkësisë Islame të Kosovës, që udhëhiqet nga kryetari Idriz Bilalli, konsideron se pjesëmarrja e vetme e Tërrnavës nga kryesia e BIK-ut, në hapjen e xhamisë në fshatin Makofc-Prishtinë më datë 24.08.2013, të ndërtuar nga aktivistë të LISBA-s me fonde të cilat nuk kanë kaluar përmes BIK-ut, tregon se ai nuk e ka më mbështetjen, as të njerëzve të Kryesisë për hapat e tij të pa matur dhe për lidhjet e tij të ngushta me këto grupe, të cilat janë të vetmet që po e përkrahin së fundmi, jo për të mirën e tij, por që përmes tij t`i realizojnë projektet e tyre anti fetare dhe anti kombëtare. Kjo sindikatë ka ftuar të gjithë anëtarët e Kuvendit të BIK-ut, të cilët sipas tyre, u mashtruan keq me intrigat e Tërrnavës, që të mos bëhen pjesëmarrës të një historie të zezë të BIK-së dhe të vendit. Sindikalistët e BIK-ut, konsiderojnë se myftiut aktual Naim Tërnavës i kanë përfunduar dy mandate me kushtetutën mbi të cilën e ka miratuar vet në vitin 2002, e mbi të cilën është betuar vet edhe në të dhe e ka humbur të drejtën juridike dhe morale të rikandidojë për pozitën e të parit të BIK-ës. “Tendencat për t’i rihapur rrugën vetvetes për këtë post janë ambicie të sëmura dhe njëherit degradim dhe devijim i institucionit të BIK-ës”, thuhet më tej në komunikatën e Sindikatës së Punëtorëve të BIK-ut. Kjo sindikatë ka drejtuar kritika të ashpra edhe sa i përket çështjes së punësimeve në BIK, Fakultetin e Studimeve Islame dhe Medrese, duke thënë se pranohen kuadro me preferenca e pa konkurs. Ndërsa shton se nuk mungon as dukuria e nepotizmit.
Posted on: Tue, 27 Aug 2013 07:08:33 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015