Gazeta “NACIONAL”, dt. 10. 11. 2013 Sinan - TopicsExpress



          

Gazeta “NACIONAL”, dt. 10. 11. 2013 Sinan Kërpaçi Letër poetit Sherif Bali Sot në gazetën “NACIONAL” lexova 10 poezi të Sherif Balit, të Poetit, të Origjinalit, të dashuruarit marrëzisht me fjalën dhe provova emocione që më kishin munguar prej kohësh. Arsyeja është fare e thjeshtë: lumi Sherif Bali kishte dalë nga shtrati, nuk e nxinte më gazeta “NACONAL”. Miku im i madh, Poeti im i preferuar, faleminderit për kënaqësinë që më dhe me ciklin e plotë “Nëpër vendet ku fytyrën kisha”. I lutem Zotit që mbase kjo qeveria e re i thotë asaj të vjetrës në Lushnjë: o njerëz të ngushtë, o njerëz dashakeqës ju atje keni një talent të madh, keni nje poet të madh që rron në varfëri ekstreme, keni një poet që e keni lënë tre vjet pa punë dhe nuk doni t`ia dini fare për diplomën e tij të mësuesit dhe as diplomën e merituar të poetit elitar. Miku im Sherif, dje ju më telefonuat i pari dhe unë sa pashë emrin tënd nuk e hapa telefonin me frikën se mos të merrja lekë, me dëshirën për t`u kursyer një kafe; u mora vetë sepse mora urdhër nga Zoti…Ta dëgjova zërin, zërin tënd karakteristik, zërin tënd të dridhur dhe u dridha edhe unë. Nuk më the që nesër do të botohej ky cikël në “NACIONAL”, por më the: do vij në Tiranë të takoj tre miq të shtrenjtë që kam. I pari është Koço Kosta, I dyti është Novruz Shehu, dhe i treti, i treti je… Ah, miku im Sherif, sa më dhimbsesh që ti je i varfër, që ti nuk ke para të pish një kafe në Lushnjë, në qytetin ku nuk të vlerësojnë mediokrit. Ti nuk kërkon punë në mes të qytetit, ti kërkon një shkollë, ti kërkon një klasë, ti kërkon ca banga, ku të jenë, deri në skajin më të largët të qytetit që nuk të do (të pushtetit që nuk të do) vetëm e vetëm që t`u cicërosh nxënësve ca fjalë që ata t`i ndjejnë SHQIP, vetëm e vetëm që në klasë të këndojë një bilbil. Ti nuk pyet se kjo klasë është një orë, dy orë, tre orë apo një ditë larg; ti je mësuar, ti arrin atje duke ecur në baltë, në shi, në erë, në diell, me këmbë, me bicikletë, me qerre, me “zis cooperative”, me ç`të jetë, por as këtë mundësi nuk ta japin sepse je poet, je Poeti, je i vërteti Sherif Bali dhe pushteti në Lushnjë trembet nga ti, kërkon të ta mbyllë gojën duke të dënuar me varfëri. Do zoti dhe nuk “trembet” edhe ky pushteti i ri në Tiranë që na jep shpresë për një të nesërme, për një të nesërme pa poetë të varfër në Atdheun që nuk e kemi. Sherif, poet, miku im i varfër, shumë nga vargjet e tua të botuara sot në “NACIONAL” i kam hedhur në celular dhe ua shpërndaj miqve. Të parit ia nisa mikut tënd më të mirë, Koco Kostës, i cili sa i lexoi më tha: po dal të blejë gazetën dhe iku për te Sherifi në librari, te Sherifi në gazetë, te Sherifi në vargje. I lexoj dhe i rilexoj poezitë duke forcuar gjithnjë e më shumë bindjen time: lumi Sherif Bali ka dalë nga shtrati. Faleminderit i them edhe gazetës “NACIONAL” që e percolli këtë dallgë tek unë. Miku yt Sinan Kërpaçi
Posted on: Sun, 10 Nov 2013 16:42:02 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015